Gëzim Saliu
Zgjedhjet dhe nacionalizmi, në qendër të takimit mes kryediplomatit amerikan dhe kreut të Aleancës Kuq e Zi
Ambasadori i Shteteve të Bashkuar të Amerikës në vend, Alexander Arvizu, i bën thirrje Aleancës Kuq e Zi që të shmangë frymën nacionaliste nga axhenda partiake. Në një takim me kreun e AKZ-së Kreshnik Spahiu, kryediplomati amerikan nënvizoi rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në rajon, ku nuk la pa vlerësuar si një vlerë patriotizmin. “E kam nxitur zotin Spahiu, në këtë kuptim që patriotizmi është një gjë e mirë, por është e rëndësishme që në platformën tuaj, në axhendën tuaj të shmanget tundimi të rrëshqitet në retorikën nacionaliste, e cila mund të shkojë kundër stabilitetit dhe moderacionit, për të cilën ne folëm”, – tha Arvizu.
Takimi
Në një takim që zgjati për më shumë se 60 minuta, ambasadori i SHBA-ve dhe kreu i AKZ-së patën në qendër të diskutimit mes tyre deklaratat nacionaliste dhe zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Duke vlerësuar angazhimin e AKZ-së, kryediplomati amerikan në Tiranë kërkoi nga kjo parti dhe lideri i saj që të shmangë retorikën nacionaliste nga platforma e saj. “Konkurrenca politike është një gjë e mirë, në çfarëdolloj demokracie është e rëndësishme të ketë konkurrencë. Për këtë arsye vlerësojmë shumë dhe e mirëpresim pjesëmarrjen aktive të Aleancës Kuqezi në këtë fushatë. Gjithashtu kemi folur veçanërisht për platformën e tyre, për theksin e fortë që ata kanë për shtetin ligjor dhe për antikorrupsionin. Folëm për atë që është e rëndësishme për çdo parti politike në Shqipëri, që është e rëndësishme dhe për SHBA që të vazhdojë të flitet në mënyrë të moderuar për vazhdimësinë në rajon. Kemi marrë garancinë prej lidershipit politik të AKZ-së se do të jetë në këtë frymë”, – u shpreh Arvizu për gazetarët pas përfundimit të takimit. Ndërsa, Spahiu vlerësoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partnerin kryesor të forcës që ai drejton. “Aleanca Kuq e Zi tashmë do të prezantojë programin dhe platformën e saj, të orientuar në një luftë pa kompromis kundër korrupsionit për ta nxjerrë për të parën herë nga harta e zezë Shqipërinë, si një nga vendet më të korruptuara në gjithë Evropën dhe Aleanca Kuq e Zi, ashtu siç ka përbërjen e saj, ashtu siç ka një partner kryesor dhe një udhërrëfyes Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konsideron që edhe Shqipëria duhet të sjellë ndryshimin nëpërmjet ndryshimit të elitave politike dhe nëpërmjet sjelljes së një gjaku të ri, ku faktikisht kjo reflektohet në përmbajtjen, anëtarësinë dhe gjithë frymën e platformën e Aleancës Kuq e Zi”, – tha Spahiu. Para pak kohësh AKZ duke kritikuar qëndrimin e mazhorancës qeverisëse, kërkoi referendum për bashkimin Shqipëri-Kosovë. Këto deklarata nuk u mirëpritën nga ana e ambasadorit Arvizu, i cili kritikoi qëndrime të tilla duke theksuar se liderët politikë duhet të jenë të kujdesshëm, në mënyrë të veçantë në situatën parazgjedhore që po kalon vendi. “Shqiptarët e dinë që jetojnë në shumë zona në rajonin e Ballkanit, por ata shohin te Tirana, te qeveria e saj, te liderët drejtimin e tyre. Është absolutisht e rëndësishme që të ndodhë integrimi i Ballkanit Perëndimor. Duhet një lidership pozitiv nga Tirana. Prandaj është e rëndësishme t’i rezistohet tundimit për t’u angazhuar në retorika nacionaliste, veçanërisht në klimën e zgjedhjeve, pasi kjo vetëm bën që të heqim vëmendjen nga qëllime më të rëndësishme, që janë qëllime që të gjithë shqiptarët bashkëndajnë”, – u shpreh Arvizu.
Asambleja e kryebashkiakëve, Rama: Të blindojmë votat
Pjesëmarrja masive në votime garanton fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit. Kështu ka deklaruar dje kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një takim që zhvilloi me kryebashkiakët socialistë në gjithë vendin, ku si temë kryesore diskutimi ishte detajimi i strategjisë së miratuar në Asamblenë Kombëtare për mbrojtjen e votës. “Nuk ka asnjë bazë, psikoza e vjedhjes, si e tillë, në rast se njerëzit që janë të shqetësuar për mbrojtjen e votës bëhen pjesë e procesit të garantimit të votës së tyre. Duke votuar pa diskutim, por duke e blinduar votën e tyre me rritjen e pjesëmarrjes. Secili që bashkë me votën e vet sjell edhe një votë tjetër të dikujt në familje që zakonisht nuk voton. Të dikujt në shkallën e pallatit apo në rrugicën ku banon, që zakonisht nuk voton, praktikisht blindon votën e vet. Kjo gjë duhet të bëhet e qartë për të gjithë. Sa më shumë të rrisim pjesëmarrjen, aq më pak ka hapësira për duar që manipulojnë votat”, – tha Rama. Në këtë kontekst, kryesocialisti kërkoi angazhimin e të gjithë të zgjedhurve vendor socialist për të garantuar qytetarët se plani mbrojtjes së votës këtë herë është më i detajuar se asnjëherë tjetër. “Është absolutisht e padiskutueshme që nevoja për ndryshim dhe shtimi i numrit të njerëzve që duan të bëhen pjesë e ndryshimit e bën më të lehtë këtë proces. Me një administratë zgjedhore, të cilën do ta ndërtojmë ashtu siç e kemi parashikuar në strategjinë tonë të miratuar në Asamble dhe me një bashkërendim në të gjitha nivelet e organizimit me qendrën për të pasur një trupë komisionerësh me integritet dhe të mirëtrajnuar, jemi absolutisht të bindur se nuk do të lëmë asnjë votë për ndryshimin që të bjerë në tokë dhe pastaj të shkelet me këmbë nga ata që nuk duan ta lejojnë ndryshimin”, – pohoi kreu i PS-së, Edi Rama.
Zgjedhjet, Sequi takon Ramën
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, zhvilloi dje një takim informal në selinë rozë me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama. Takimi, i cili zgjati për rreth 1 orë, kishte në qendër të bashkëbisedimit situatën politike aktuale dhe veçanërisht zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Ishte vetë, kreu i BE-së në Tiranë i cili bëri të ditur pas takimit shkurtimisht se me kryesocialistit foli për zgjedhjet elektorale dhe stabilitetin rajonal. Takimi i ambasadorit Sequi me kryesocialistin Rama u zhvillua në një moment deciziv që lidhet me zgjedhjet e 23 qershorit, ndarjen e mandateve. Ky është takimi i dytë mes ambasadorit Sequi dhe kreut të PS-së brenda pak ditëve, pas atij që Trojka e ambasadorëve zhvilloi me Ramën.
Braçe flet për Albpetrolin: Afati 60-ditor ka mbaruar me kohë, Taçi ka gënjyer
Pas një heshtjeje nga ana e opozitës, ka qenë deputeti socialiste Erion Braçe, i cili ka reaguar dje lidhur me privatizimin e Albpetrolit. Duke marrë shkas nga një vendim i qeverisë shqiptare e cila ka firmosur një kontratë të re me firmën amerikane të lobingut me qendër në Uashington “Patton Boggs”, anëtari i kryesisë së PS-së ka deklaruar se ofertës për privatizimin i ka mbaruar afati. “Oferta e Taçit ka qenë e pa garantuar në shumën 10%; Banka Amerikane ka qenë një alibi për mashtrimin në komisionin e tenderit; Patton Boggs, si konsulent i qeverisë Berisha në këtë privatizim ka dalë garant për “garancinë e Tacit” – madje ka thënë se e ka verifikuar dhe i rezulton garancia e mbuluar edhe me kolateral; në fakt garancia 10%-85 milionë dollarë nuk ekziston!! Afati 60 ditor dhënë nga ligji e rregullat që kompania e Taçit të firmoste kontratën ka mbaruar me kohë! Sipas ligjit dhe rregullave, qeveria e Berishës duhet të tërhiqte garancinë prej 85 milionë euro, por ajo nuk është! Taçi dhe Patton Boggs kanë gënjyer, mashtruar! Tani për dy mashtruesit, Taçi e Patton Boggs duhet hetim penal!”, – u shpreh deputeti socialist në rrjetin social “Facebook”.
Arben Malaj: PS duhet të bëjë aleanca efektive, jo llogaritje për ndarje pushteti
Anëtari i kryesisë së PS-së, Arben Malaj, deklaroi se ka rëndësi që socialistët të zhvillojnë aleanca fiktive dhe jo në bazë të llogaritjeve për ndarjen e pushtetit. Në një intervistë për portalin e lajmeve “lajmifundit”, Malaj nënvizoi: “Aleancat janë të rëndësishme dhe kanë peshën e tyre në fitoren e zgjedhjeve të 2013. Strategjia e fitores së PS duhet të ketë në zemër të saj maksimizimin e të gjitha kontributeve dhe angazhimeve që kanë anëtarët dhe simpatizantët e PS. Shkalla e dështimit të mazhorancës së sotme dhe pakënaqësia në rritje kundrejt keqqeverisjes, ka bërë që zhgënjimi t’i kaloj edhe kufijtë e ideologjive dhe përkatësisë partiake. Është nevojshme ndërtimi i aleancave efektive, në funksion të zgjidhjes së problemeve dhe përmbushjes së prioriteteve të vendit, dhe jo aleanca të bazuara në presjet dhjetore të ndarjes së pushtetit. Modeli aktual i aleancës së kësaj mazhorance është një mësim tregues se çfarë nuk duhet bërë sërish gabim”.





