PS për mandatet, analiza e Islamit: Rama bëri lojë për të xhelozuar LSI-në

Gëzim Saliu

islamiDeputeti Islami: Me dy qëndrimet, Rama demotivoi votuesin dhe çoroditi opozitën

 

Çoroditja totale në radhët e opozitës lidhur me çështjen e mandateve demotivon votuesin socialist dhe njëkohësisht tregon mungesën e profesionalizmit në këtë fushë të forcës më të madhe opozitare. Kështu e ka analizuar dje qëndrimin e dyzuar të PS-së për shpërndarjen e mandateve deputeti i Kuvendit, Kastriot Islami, duke nënvizuar nga ana tjetër se mosdërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese dhe përshtatjes me skemën e 2009-ës tregoi sipas tij se Rama luajti një lojë me synimin e tërheqjes së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në kohën kur kjo parti politike, sipas Islamit, nuk u bë pjesë e së njëjtës linjë me socialistët, Rama ndryshoi qëndrim dhe vendosi të pranonte variantin e ndarjes së mandatave të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2009. “PS nuk e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, gjë që krijoi shijen se e gjithë kjo ishte lojë e PS-së për të tërhequr apo xhelozuar LSI-në. Pra, PS u përshtat me ndarjen e mandateve sipas të dhënave të vitit 2009 për popullsinë. Duket se kjo konsiderohet një zgjidhje më e mirë se ajo që KQZ refuzoi me të dhënat e reja”, – deklaroi Islami në rrjetin social “Facebook”.

 

Analiza

“Rama nuk e ka të qartë se ç’po ndodh me ndarjen e mandateve për shkak të paaftësisë së tij dhe mungesës së vullnetit për të dëgjuar e vlerësuar ekspertizën profesionale lidhur me çështjen e mandateve. I paaftë për të kuptuar “aritmetikën” zgjedhore dhe i konsultuar keq nga “llogaritarë bylmezë” qëndrimi i PS-së rezulton totalisht i çoroditur, politikisht i pasaktë dhe demotivues për votuesit socialist”. Kështu e nis analizën e tij për çështjen e ndarjes së mandateve, deputeti i kuvendit Kastriot Islami, ku nënvizon më tej se kryesocialisti Rama kërkoi bllokimin e skemës së hedhur në diskutim më parë në KQZ, duke marrë për bazë të dhënat ku sipas së cilave kjo ndarje sillte rezultate negative për opozitën në parlamentaret e 23 qershorit. “Pasi PS kundërshtoi në KQZ të dhënat për popullsinë nga Drejtoria e Regjistrit Civil sipas të cilave Berati kishte 7 mandate, Korça 11 mandate, Durrësi 14 mandate dhe Tirana 33 mandate, në foltoren e Kuvendit Kryetari i Grupit të PS Gramoz Ruçi deklaroi se nuk e pranojmë këtë ndarje se Berisha po merr 3 mandate në tavolinë. Pas bllokimit të vendimmarrjes në KQZ dhe mos dërgimit të çështjes në Kolegjin Zgjedhor, kjo çështje erdhi në Kuvend. Pas disa ditësh nënkryetari i KQZ, zoti Biba i ftuar në Kuvend tha se, “tani kishte të gjithë informacionin për të besuar se të dhënat e popullsisë për 2012 ishin të sakta dhe do të votonte pro ndarjes së mandateve për të cilën kishte votuar kundër disa javë me parë”. Pra, orientimi i Ramës ishte se ndarja sipas 2009 ishte më e keqe se ndarja me të dhënat e 2012 që Rama kishte dhënë orientim të votohej kundër e të bllokohej”, – shprehej Islami. Në këtë kontekst, deputeti i pavarur bën të ditur se me ndryshimin e qëndrimit dhe rrjedhimisht me votën pro ndarjes së mandatave me të njëjtën skemë të 2009-ës, Rama kërkon tani të argumentojë tek baza socialiste se me këtë skemë PS do të ketë më shumë përfitime elektorale. “E gjithë kjo çorbë është gatuar nga Rama e cila për më tepër,: 1) Çorodit votuesit socialistë të cilët tani mendojnë se nuk ja vlen të votojnë meqë Berisha fituaka 2 mandate në tavolinë e ndarjen e 2009 që ka miratuar kuvendi; kjo quhet demotivim i votuesve; 2) Nxjerr në pozicion jashtë loje Gramoz Ruçin 3) Tregon se në PS mungon ekspertiza elektorale”, përfundoi analizën e tij deputeti i kuvendit Kastriot Islami.

 

 

Braçe: Të ndalojmë me çdo mjet ndarjen e mandateve sipas 2009-ës

“Boll u qarravitëm nëpër podiume me deklarata me demek kërcënuese, të mbrojmë tani fitoren, jo pas 23 qershorit”

Në kohën kur PS ka ndryshuar qëndrim lidhur me skemën e ndarjes së mandatave që do të përdoret në zgjedhjet e 23 qershorit, e cila do të jetë e njëjtë me atë që është përdorur në zgjedhjet elektorale të vitit 2009, anëtari i kryesisë së selisë rozë, Erion Braçe, pohon se duhet ndaluar me çdo mjet që kjo të ndodhë. Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, deputeti socialist akuzon Kryeministrin Berisha dhe kreun e LSI-së, Meta, se po përpiqen të manipulojnë zgjedhjet e 23 qershorit. Ai kërkon reagimin e PS-së në çdo formë, duke përfshirë edhe daljen në protesta në rrugë e sheshe. “Berisha dhe Ilir Meta po i hedhin në erë zgjedhjet!! Ndarja e mandatave sipas numrave të 2009-ës i bën zgjedhjet automatikisht antikushtetuese!! Kjo nuk duhet të tolerohet. Berisha e Meta po kërkojnë të prishin fitoren e popullit kundër regjimit më të korruptuar në Evropë, më 23 qershor! Me çdo ndarje mandatesh PS fiton! Të gjitha sondazhet tregojnë këtë! Berisha kërkon të lerë litarin jashtë dhe të prishë fitoren! PS duhet të mbrojë fitoren tan, jo pas zgjedhjeve! Të bëjë tani çdo gjë që do të bënte pas zgjedhjeve. Të ndale tani Berishën të prishë zgjedhjet, me çdo mjet! Kudo, në kuvend e çdo mjedis tjetër, sheshe e rrugë”, – bëri thirrje deputeti socialist. Në këtë kontekst, Braçe nuk nguron të ironizojë edhe reagimet e deritanishme të selisë rozë dhe përfaqësuesve të lartë të saj lidhur me çështjen e ndarjes së mandateve, duke nënvizuar se reagimi duhet të vijë tani dhe jo pas zgjedhjeve. “Tani boll u qurravitëm nëpër podiume me deklarata me demek kërcënuese. Të mbrojmë fitoren tani, jo pas zgjedhjeve”, – theksoi deputeti socialist Erion Braçe. Partia Socialiste kundërshtoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve skemën e propozuar nga mazhoranca për ndarjen e mandateve duke akuzuar se janë manipuluar të dhënat për numrin e popullsisë në qarqet e vendit. Por pas më shumë se një muaj kundërshtie dhe një ditë pasi Komisioni i Ligjeve miratoi ndarjen e mandateve për parlamentaret e 23 qershorit, PS ndryshoi qëndrimin e saj lidhur me këtë çështje, duke argumentuar se auditi i ngritur nga selia rozë konstatoi se të dhënat e ofruara nga Ministria e Brendshme ishin të sakta ligjërisht.

 

 

Rama dhe Meta rivalizojnë njëri-tjetrin, tryeza të njëkohshme për dhunën ndaj grave

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilluan dje tryeza për luftën kundër dhunës ndaj gruas. Të dyja tryezat janë zhvilluar në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend, por me salla të ndryshme, ku pjesëmarrjes kanë qenë krerët respketivë të partive dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Në tryezën e organizuar nga PS, kreu socialist Edi Rama i ka cilësuar si tragjike shifrat e vrasjeve të grave në Shqipëri. Kryesocialisti Rama e lidhi rritjen e kriminalitetit në vend me rrënimin moral e profesional të policisë dhe me rrënimin ekonomik dhe social të vendit. “Sot Shqipëria është vendi me numrin më të madh të vrasjeve si dhe është vendi me numrin më të madh të vdekjeve në rrugë. Kemi sot një vend që ka trajtimin më të ulët financiar në rajon të policisë dhe policia jonë është më e keqpaguara se çdo polici tjetër e rajonit, paguhet më mirë në Kosovë dhe Bosnjë. Policët nuk i marrin më shpërblimet, s’paguhen për orët shtesë, mbeten rëndom edhe mbrapa makinës duke e shtyrë atë. Çështja e krimit nuk është çështje që trajtohet vetëm në përplasje me krimin, e rëndësishme është beteja me shkaqet e krimit” shtoi Rama. Ndërsa deputetet gra që kanë marrë fjalën në tryezën e PS-së kanë theksuar domosdoshmërinë e marrjes së masave kundër këtij fenomeni që po shënon përditë e më shumë viktima. Ndërsa në tryezën e paralele të organizuar nga LSI-ja, kreu i kësaj force, Ilir Meta, kërkoi reformimin e kodit të familjes dhe të kodit penal për të bërë të mundur parandalimin e dhunës në familje. “U tha me të drejtë që një pjesë e dhunës në familje vjen nga varfëria apo nga divorci por është edhe një problem tjetër dhe kjo është hapja e kazinove dhe lojërave të fatit. Kjo është një epidemi masive e cila bën që shumë persona të humbasin të ardhurat e tyre dhe një pjesë e këtyre shqetësimeve është nga këto përplasje në familje. Ky është një fenomen që duhet të menaxhohet duke u kufizuar. Viti 2013 është shpallur si viti i luftës kundër dhunës në familje. Duhet të bëhet më shumë në drejtim të sensibilizimit në instancat më të larta dhe në hartimin e një pakete ligjore. Gjithashtu jam dakord për reformimin e kodit të familjes dhe kodit penal. Ky reformim do të rrisë mundësitë për të parandaluar një dhunë në rritje në familje”, – tha Meta.

 

 

Share it :