INSTAT-i shqiptar: “Statistikat e vonuara” apo “statistikat e pasakta”?

Ervin Kaduku

INSTATThyerja disa herë e ligjit duke shtyrë afatet e publikimit të shifrave zyrtare, statistika me dy standarde, shifra të cilat duken joreale na bëjnë të mendojmë realisht se në ç’pikë është niveli i profesionalizmit të INSTAT-it.

 

“Vonesa”, “pasaktësi” dhe “mungesë profesionalizmi” janë fjalët që mund të përshkruajnë situatën në vitet e fundit në Institutin e Statistikave. Thyerja disa herë e ligjit, duke shtyrë afatet e publikimit të shifrave zyrtare, statistika me dy standarde, shifra të cilat duken joreale na bëjnë të mendojmë realisht se në ç’pikë është niveli i profesionalizmit të INSTAT-it.

 

Vonesat

 

Sipas drejtores së INSTAT-it, vonesat kanë ardhur nga përfshirja e këtij institucioni në programin e censusit dhe statistikat janë të besueshme, pasi janë asistuar edhe nga BE-ja. “INSTAT-i bashkëpunon shumë ngushtë me Eurostatin dhe rekomandimet që na erdhën fillimisht nga Eurostati ishin për një program trevjeçar. Në shtator, komisioni statistikor pranë Komisionit Evropian dha këshillën që, nga programi trevjeçar, të kalojë në 5-vjeçar dhe për këtë arsye pati një vonesë në programin tonë, pothuajse gjashtë muaj. Në vitin 2011 ne kemi qenë në një proces shumë të madh që ka qenë organizimi i censusit kështu që kjo vonesë 6- mujore, megjithëse nuk na lehtëson ne, ka ndodhur dhe nga një mori punësh që kemi pasur”, – tha Ines Nurja, drejtorja e INSTAT-it në Kuvend para pak ditësh.

Puna për censusin është një punë që çdo institut statistikash në çdo vend është i detyruar të kryejë, si një detyrë shumë e rëndësishme ndaj qeverisë dhe opinionit për të përcaktuar me saktësi të gjitha parametrat e tjerë. Por, nuk ka qenë vetëm kjo punë që e ka penguar stafin e këtij institucioni të kryejë në kohën e duhur detyrat e tjera, që janë po aq të rëndësishme.

 

Ligji për publikimet
Sipas kalendarit të hartuar vetë nga Instituti i Statistikave në Shqipëri dhe sipas detyrimeve ligjore, të vendosura nga Kuvendi i Shqipërisë, ka një kalendar se kur duhet të publikohet shifra për Produktin e Brendshëm Bruto për tremujoret e një viti. INSTAT, përveç shkeljes së afateve për nxjerrjen e PPB-së, ka shkelur afatin edhe për disa publikime të tjera, siç mund të jetë regjistri i ndërmarrjeve ekonomike apo indeksi i tregtisë me pakicë. Për ekspertët ekonomikë, vonesa në publikime nga ana e INSTAT jo vetëm që shkel afatet ligjore, por ndikon negativisht duke bërë që institucione të pavarura siç mund të jetë për shembull Banka e Shqipërisë të marrë politika të gabuara. Por, edhe qeveria e ka të vështirë të hartojë prognoza të sakta ekonomike afatgjata e afatmesme në rast se nuk i serviren në kohë produktet nga ky institucion.

 

Po rritja ekonomike?

 

Vonesa e publikimit të rritjes ekonomike është një fenomen i ndodhur shpesh. Në kalendarin e publikimit të rritjes ekonomike, INSTAT ka vendosur data, të cilat i lejojnë deri në 3 muaj kohë për të përpunuar të dhënat, e megjithatë afatet janë shkelur. Vetë INSTAT nuk ka dhënë asnjë arsye të besueshme përse ka ndodhur kjo vonesë.

Nga ana tjetër, prej më shumë se një viti INSTAT-i punon pa një program zyrtar statistikash, të miratuar nga Kuvendi dhe të jetë bërë i njohur për publikun. Në fakt, INSTAT-i operon me një ligj të caktuar, që parashikon se ka një program 5 vjeçar që miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë dhe që botohet në “Fletoren zyrtare”. Midis të tjerash në këtë program të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë përcaktohet edhe frekuenca me të cilën treguesit i bëhen të disponueshëm publikut. Ka një program 5-vjeçar të përfunduar në 31 dhjetor 2011. Por, ende nuk ka një program zyrtar statistikash i cili të jetë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, të jetë i njohur për publikun dhe ndërkohë të jetë detyrim për t’u zbatuar nga institucionet statistikore të vendit, në radhë të parë nga Instituti i Statistikave.

 

2 standardet

 

Nga ana tjetër, INSTAT-i del me dy shifra punësimi brenda të njëjtit vit. Pas censusit të popullsisë dhe banesave, INSTAT-i ka publikuar edhe rezultatet e censusit të bizneseve.
Referuar të dhënave të INSTAT-it për punësimin, thuhet se viti 2010 ka qenë një nga vitet më të mira për çeljen e bizneseve të reja. Sipas këtyre matjeve numri total i të punësuarve te rinj, duke u bazuar në numrin minimal të punonjësve për çdo ndërmarrje gjatë vitit 2010 rezulton të jetë rritur minimalisht me 21 mijë e 330. Ky është rezultati i Censusit të Ndërmarrjeve.
Por sipas shifrave zyrtare të punësimit që ka publikuar po vetë INSTAT, gjatë vitit 2010 numri i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor, përfshirë dhe administratën u rrit vetëm me 7 mijë e 400 vetë ose gati 3 herë më pak sesa rezultati i censusit. Madje numri i vendeve të reja të punës është më i vogël edhe se vetë numri i bizneseve të reja të hapura më 2010. Ky është një tjetër paradoks sikundër ka ndodhur shpesh me shifrat e ofruara nga INSTAT-i. Ose shifra zyrtare e të punësuarve nuk është e saktë, çka hedh dyshime për evazion, ose numri i bizneseve të reja që janë hapur gjatë 2010-ës mund të ketë qenë më i vogël nga rezultati që jep INSTAT.

 

Referuar të dhënave të INSTAT-it për punësimin, thuhet se viti 2010 ka qenë një nga vitet më të mira për çeljen e bizneseve të reja. Sipas këtyre matjeve numri total i të punësuarve te rinj, duke u bazuar në numrin minimal të punonjësve për çdo ndërmarrje gjatë vitit 2010 rezulton të jetë rritur minimalisht me 21 mijë e 330. Ky është rezultati i Censusit të Ndërmarrjeve. Por sipas shifrave zyrtare të punësimit që ka publikuar po vetë INSTAT, gjatë vitit 2010 numri i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor, përfshirë dhe administratën u rrit vetëm me 7 mijë e 400 vetë ose gati 3 herë më pak sesa rezultati i censusit

Share it :