Vendimi Gjykata vendos, të ekstradohet kreu i bandës së Fushë-Kuqes, Gëzim Çela

Sonja Caka

ekstradimArrestimi në Rinas pas deportimit nga autoritetet turke, ku ishte dënuar me 6 vite burg për trafik droge. Shqipëria e “fali” pas falsifikimit të dokumenteve mjekoligjore, si i sëmurë me kancer në kockë

 

Pranohet nga gjykata kërkesa e akuzës për ekstradimin drejt Italisë së Gëzim Çelës, i njohur si kreu i bandës së Fushë-Kuqes. Në vendimin e tij, gjyqtari Artur Gaxhi pranoi kërkesën për ekstradimin e 45-vjeçarit, të cilit do t’i duhet të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia italiane prej 19 vjetësh e 9 muaj e 29 ditë, për veprat penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”, “Organizata kriminale”, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”. Gëzim Çela është një person i liruar nga drejtësia shqiptare, i dënuar nga drejtësia turke pavarësisht pretendimeve të paraqitura për sëmundje kanceroze në kockën e gjurit të djathtë dhe i shumëkërkuar nga drejtësia italiane për trafik femrash. Baroni i drogës, ish-polici Gëzim Çela, u riprangos mëngjesin e datës 21 shtator të vitit të kaluar në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas nga Policia Kufitare, e cila kishte urdhrin ndërkombëtar për arrestimin e tij. Kreu i bandës së Fushë-Kuqes, i liruar nga drejtësia shqiptare me raporte mjekësore të falsifikuara, u ndalua pas deportimit të tij nga autoritetet turke drejt vendit tonë, ku 44-vjeçari Çela kishte përfunduar një javë më parë shlyerjen e dënimit prej 6 vitesh, burg për drogë. Sapo ka shkelur në tokën shqiptare, pasi zbriti nga linja ajrore, që e solli atë nga Turqia në Rinas, Çelës iu vunë prangat, pasi kërkohej nga drejtësia italiane për trafik femrash dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ku është dënuar me 19 vjet burg e 150 mijë euro gjobë.

Manovrat

E “hëngri” drejtësia shqiptare “sëmundjen” e tij kanceroze në gjurin e djathtë, por jo ajo turke. Të njëjtën manovër u përpoq ta bënte edhe në Turqi, por nuk i eci. Gjykata turke e dënoi atë për trafik lëndësh narkotike me 6 vite burg, të cilat i shleu të gjitha pa asnjë favorizim. I larguar nga Shqipëria pas mashtrimit me sëmundjen e kockave, Çela rinisi aktivitetin e drogës kësaj radhe në Turqi, aty ku kishte deklaruar se do të shkonte për ndërhyrje të specializuar në kockë. Por, nuk arriti të zhvillonte aktivitetin në fushën e drogës për shumë kohë, pasi u kap nga policia turke, e cila në përfundim të procesit gjyqësor e dënoi me 6 vite burg. U përpoq të shfrytëzonte të njëjtën “sëmundje”, të njëjtat raporte, por në drejtësinë turke nuk i “pinë ujë”, dhe shleu ditë më ditë të 6 vitet e burgut. Asgjë nuk vlente për Çelën përballë provave që dispononte drejtësia turke mbi aktivitetin në fushën e drogës, nga i akuzuari me origjinë shqiptare dhe miqtë e tij.

Dënimi në Itali

Prokuroria italiane kishte nisur hetimet qysh prej vitit 2000 për Gëzim Çelën dhe bandën e tij dhe pasi kopsiti dosjen hetimore, i çoi në gjyq anëtarët e bandës, ku 14 prej tyre u dënuan me masa të ndryshme. Banda përbëhej nga shqiptarë, italianë dhe një ukrainase, ndërsa drejtohej nga dy shtete, Shqipëria dhe Italia. Nga Shqipëria urdhrat i lëshonte Gëzim Çela, e faktuar kjo nga përgjimet telefonike që përmban dosja, ndërsa në Itali drejtohej nga Saimir Sadria. Megjithatë, kapoja i bandës rezultoi të ishte drejtuesi nga Shqipëria, Gëzim Çela, i cili u dënua me 19 vite burg dhe 150 mijë euro gjobë. Akuzat që rëndonin mbi Çelën dhe bandën e tij, ishin për krime të rënda si pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafik dhe shfrytëzim e favorizim të prostitucionit. Dhjetëra vajza rrëmbeheshin, gënjeheshin, torturoheshin dhe më pas përplaseshin në rrugë, ku prostituonin për t’iu sjellë sa më shumë fitime kapove.

Akuzat/ Dënimet e bandës në Itali

Akuzat për Gëzim Çelën dhe bandën e tij famëkeqe ishin të rënda, ndërsa akuzoheshin për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik e shfrytëzim të prostitucionit. Gjykata e Shkallës së Parë dënoi Gëzim Çelën me 11 vjet burg e 150 mijë euro gjobë; Saimir Sadria, me 10 vjet e 7 muaj burg, dhe 100 mijë euro gjobë; Bajram Sadria, me 6 vjet burg; Përparim Ismalaj, me 6 vjet, 6 muaj e 15 ditë dhe 1 mijë euro gjobë; Sandër Vataj, me 4 vjet dhe 9 muaj; Ilir Mihasi, me 6 vjet, 5 muaj, 10 ditë dhe 20 mijë euro gjobë; Adem Çelaj, me 2 vjet, 6 muaj e 300 euro gjobë; Gëzim Gjini me 4 vjet burg; Gjergj Bushpepa, me 2 vjet burg; Giuseppe Campese, me 4 vjet, për pjesëmarrje në grupim mafioz; Nicola Fascicolo, me 4 vjet burg e gjobë prej 100 eurosh; Maurizio Dal Dosso me një vit 8 muaj burg; Vincenzo Cifarelli, me 3 vjet dhe 8 muaj burg dhe Tatiana Andreicik, ukrainase. Janë dashur 74 seanca gjyqësore, për të arritur në një vendim përfundimtar për gjyqin maratonë të bandës së Çelës, me 19 persona të pandehur, 14 shqiptarë, 4 italianë dhe 1 ukrainase, që u lirua se u dënua me kohën e paraburgimit. Ndërkohë, që janë shpallur të pafajshëm shqiptarët Ilir Guga, 25 vjeç, akuzohej për favorizim dhe shfrytëzim të prostitucionit; Agron Huli, 27 vjeç, nga e njëjta akuze; Astrit Lleshi, 26 vjeç, për akuzën e krijimit dhe pjesëmarrjes në grupim mafioz; Dritan Lleshi, 24 vjeç, nga e njëjta akuzë. Gjithashtu, është shpallur i pafajshëm edhe italiani, Daniele Mendosi.

Historia

Dënimi dhe lirimi nga drejtësia shqiptare për Gëzim Çelën

Gëzim Çela u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë me 5 vjet burg, për trafik dhe shfrytëzim prostitucioni, në rrethana rënduese. Vendimi është marrë nga gjyqtari Arben Kostandini, në vitin 2003, pas pranimit të gjykimit të shkurtuar nga Çela, për të cilin vendimi ishte 7 vjet e gjysmë. Ndërsa, bashkëpunëtori i tij Gëzim Gjini u dënua vetëm me kohën e paraburgimit. Kjo masë dënimi nuk u shlye nga Çela, pasi paraqiti një sërë raportesh mjekësore në gjykatë, ku pretendonte se vuante nga një sëmundje kockash, kancer në gjurin e djathtë dhe për këtë arsye do shkonte për një operim në spitalet e Turqisë. I dënuari Çela kishte arritur të siguronte ekspertizë jo vetëm nga Spitali Ushtarak për këtë sëmundje, por edhe nga një spital në Turqi. Falë kësaj epikrize, letrës nga spitali turk dhe firmave të marra nga mjekët e spitalit të burgut, gjyqtari Albert Meçe i firmosi lirinë Çelës. Dhe, ndërsa u lirua me kusht, dhe Çela ia mbathi nga vendi, prokuroria arriti të zbulonte mashtrimin e tij, me raportet dhe sëmundjen.

 

 

Tiranë

Gjyqtari i caktuar me masat, shtyhet gjyqi për gjyqtarin Tabaku

Caktimi i gjyqtarit Bujar Krasniqi për një javë i gatshëm me masat e sigurisë bëri që të shtyhej gjyqi për gjyqtarin Neritan Tabaku, i akuzuar për zvarritje në zbardhjen e vendimit të fajësisë së Ilir Xhakes, ky i fundit i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj. Njoftimi për shtyrjen e gjyqit është dhënë nga kryesekretaria e gjykatës, e cila njoftoi se gjyqtari Krasniqi do të jetë vetëm me dhëniet e masave të sigurisë gjatë kësaj jave dhe për këtë arsye seanca e radhës do të zhvillohet më 7 shkurt. Gjyqtari Neritan Tabaku akuzohet për “shpërdorim detyre”, pasi sipas prokurorëve liroi dhe më pas vonoi zbardhjen e vendimit për Ilir Xhaken. Ky person, Xhakja tashmë ndodhet në burg i arrestuar pak pas vrasjes së kryekomisarit Tahiraj në shtator të vitit të kaluar.

Vendimi

Trafiku i drogës drejt Greqisë, dënohet 4 vjet bullgarja

Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 4 vite burg bullgaren Petranka Dimitri Tsekova, për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të narkotikëve”, të mbetur në tentativë. E pandehura akuzohet se tentoi të kalonte 2 kg kanabis drejt Greqisë, ndërsa ka qenë duke udhëtuar me automjetin e saj nga pika kufitare e Kakavijës për në shtetin helen. Gjykata e dënoi Tsekovën me 6 vjet burg, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar iu ul një e treta e dënimit duke i ngelur vetëm 4 vjet për të vuajtur. Shtetasja bullgare është arrestuar në 15 gusht të vitit të kaluar, ndërsa po përpiqej që kalonte sasinë prej 2 kg e 531gramë kanabis sativa drejt Greqisë. Ndërkohë, automjeti i saj u konfiskua me vendim gjykate dhe i kalon për administrim shtetit.

 

 

 

 

Share it :