Mitropolia e Korçës regjistron padinë në gjykatë. “Të anulohet urdhri që na mori pronat”
Pronësia mbi pesë kisha në fshatin Liqenas në Korçë ka futur në një betejë ligjore Kishën Ortodokse Autoqefale dhe Agjencinë e Kthimit të Pronave. Ka mjaftuar një vendim i marrë nga AKKP-ja, që mes kishës dhe institucionit qeveritar, të fillojë një konflikt ligjor në Gjykatën e Tiranës. Mitropolia e shenjtë në Korçë ka kërkuar nga ana e Gjykatës së Tiranës që të shfuqizojë menjëherë urdhërimin, që lejonte kalimin e pronësisë tek një person privat, për truallin e pesë kishave në zonën e Liqenasit. Aktualisht, padia sapo është regjistruar në Gjykatën e Tiranës dhe rreth këtij konflikti nuk është zhvilluar asnjë proces gjyqësor, por sipas shortit të hedhur, rezulton se seanca e parë e ballafaqimit të dy institucioneve do të bëhet në muajin mars të këtij viti. Çështja civile është regjistruar në Gjykatën e Tiranës disa ditë më parë dhe gjyqtarja që do të gjykojë çështjen, është përzgjedhur Enkelejda Metaliaj.
Objekti i padisë
Çështja civile, që është regjistruar në Gjykatën e Tiranës, ka si objekt kundërshtimin dhe ndryshimin e vendimit nr. 681 datë 7.12.2012 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, duke njohur dhe kthyer kishat së bashku me trojet e tyre të Shën Thanasit, Shën Mërisë dhe Shën Palit me vendndodhje në fshatin Liqenas, si dhe pronësisë ish-kullotë dhe pyll të Kishës së Shën Gjergjit në fshatin Goricë e Vogël në Komunën Liqenas të rrethit Korçë me sipërfaqe 9500 m2, 8500 m2, dhe 10470 m2. Të gjitha këto pasuri kanë qenë në emër të Kishës Ortodokse, por me një vendim në muajin dhjetor të vitit të kaluar këto pasuri u kanë kaluar disa pronarëve të cilët pretendojnë se dikur kanë qenë ish-pronarë. Nisur nga kjo situatë, ata kanë arritur të marrin pronat e tyre të pretenduara, por që në fakt kanë hasur në rezistencën e Kishës Ortodokse, e cila pretendon se trualli dhe objektet kisha, të ngritura mbi sipërfaqet tokësore, kanë qenë prona të kishës që në momentin kur kanë ekzistuar të pesta kishat.
Beteja në gjykatë
Për shkak të konfliktit me pronësinë, tashmë sherri mes kishës dhe AKKP-së është zhvendosur në gjykatë, e cila do të vendosë se kush ka të drejtë në këtë histori. Institucioni i kishës pretendon se AKKP i ka plaçkitur pasurinë, duke ua dhënë privatëve. Por, vetë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka përgënjeshtruar një gjë të tillë, duke pohuar se kishës nuk i është marrë asnjë nga pronat e saj. Pavarësisht nga deklarata do të jetë gjykata që do të vendosë rreth fatit të pesë kishave në zonën e Liqenasit, nëse ato do t’i kalojnë privatit apo do të vazhdojnë t’i qëndrojnë Kishës Ortodokse. Pritet që përballja e parë të fillojë në muajin mars, ku vetë kisha mësohet se do të paraqesë në gjykatë një sërë provash dhe dëshmitarë që do të provojnë se kishat dhe trualli ku janë ndërtuar objektet e shenjta janë në pronësi të saj dhe të askujt tjetër.
Ulja e temperaturave në Korçë,
vështirësi kalimi në akset rrugore
Ulja e temperaturave pas ndalimit të reshjeve të dëborës ka ngrirë gjithçka në Qarkun e Korçës. Në rrugët e qytetit lëvizja e banorëve paraqet rrezikshmëri për shkak të shtresës së akullit, ndërsa në të tria qafat e qarkut Qafën e Qarrit, Qafë-Thanë dhe Qafë-Plloçë, policia rrugore këshillon përdorimin e zinxhirëve për automjetet. Po ashtu, vështirësi në qarkullim ka në aksin Korçë – Voskopojë, Voskopojë – Vithkuq dhe Korçë – Dardhë ku mund të shkohet vetëm me zinxhirë. Komuna e Lekasit në Korçë dhe Panariti dhe Dërdhusha në Pogradec mbeten të izoluara prej tri ditësh nga dëbora që ka arritur në rreth një metër. Në akset nacionale është ndërhyrë herë pas here për hedhjen e kripës dhe skorieve për të ulur rrezikshmërinë në qarkullim. Sipas Shtabit të Emergjencave Civile, nuk ka pasur njoftime për probleme shëndetësore apo mungesa në zonat e bllokuara nga dëbora. Mësimi nëpër fshatra dhe në qytete vazhdon normalisht.
Përmbytjet në Durrës dhe Fier
nisin hetimet për emergjencat
Prokuroritë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Fier kanë nisur hetimet për përmbytjet e ditëve të fundit nga shirat në këto qytete dhe rrethinat e tyre. Lajmi konfirmohet nga Prokuroria e Përgjithshme, sipas të cilës organi i prokurorisë vendosi të niste kryesisht hetimet, bazuar në denoncimet e qytetarëve të shumtë nga këto zona, të mbërritura në Prokurorinë së Përgjithshme, përfshirë edhe në adresën elektronike denonco@pp.gov.al. Prokuroria dyshon se autoritetet lokale nuk kanë përmbushur detyrën e tyre për marrjen e masave për përballimin e situatave meteorologjike. Hetimet për të vërtetuar dyshimet mbi rastet e “Shpërdorimit të detyrës” po zhvillohen në disa institucione, në Shtabin e Emergjencave Civile pranë prefekturave të qarqeve, po ashtu edhe në bashki, komuna dhe agjenci të tjera që kanë për detyrë mirëmbajtjen e sistemeve kulluese dhe që kanë përgjegjësi për menaxhimin e situatave të tilla atmosferike. Po ashtu, objekt hetimi janë edhe vendimmarrjet për punime, të cilat kanë dëmtuar apo bllokuar kolektorë e kanale kulluese në këto zona.
Dy aksident në Kërrabë dhe Lushnjë,
plagosen tetë persona nga përplasja
Tri makina janë përplasur pasditen e të premtes në aksin rrugor Tiranë – Elbasan. Sipas të dhënave të para, ngjarja ka ndodhur në km e 27-të në Qafë-Kërrabë, ku tri mjetet janë përplasur pas njëra-tjetrës. Si pasojë e këtij aksidenti të rëndë, janë plagosur tre persona, të cilët janë transportuar me shpejtësi në Spitalin Ushtarak. Dy automjete janë përplasur në autostradën Lushnjë – Rrogozhinë me pasojë plagosjen e 5 personave. Sipas policisë, automjeti tip “Audi” dhe mjeti tip “Mercedes-Benz” kanë qenë duke ecur në të njëjtin drejtim të autostradës dhe në tentativë për të parakaluar njëri-tjetrin kanë humbur kontrollin e mjetit, duke dalë jashtë rruge, fillimisht Benzi e me pas Audi është përplasur me trafikndarësen. Nga të dhënat policore bëhet e ditur se të plagosurit janë Aldo Fega, 19 vjeç nga Vlora; Rubin Fega,21 vjeç nga Vlora; Ledion Liçaj, 24 vjeç nga Vlora dhe ndodheshin tek mjeti tip “Audi”. Elton Çala, 27 vjeç nga Fieri dhe Dejvi Licaj, 17 vjeç nga Fieri, po udhëtonin me mjetin tip “Mercedes-Benz”. Ata janë dërguar në spitalin e Lushnjës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas Policisë Rrugore, shkak i këtij aksidenti ka qenë shpejtësia me të cilën qarkullonin dy mjetet dhe lagështira e madhe.





