Të gjitha shtresat në nevojë paguajnë një kuotë, në masën 50% të tarifës së shkollimit
Romët, ballkano-egjiptianët dhe të gjithë shtresa në nevojë të cilat janë njohur me vendim të Këshillit të Ministrave duhet të fillojnë përgatitjen e dokumenteve për të aplikuar për master. Sipas sekretarive mësimore, ka filluar aplikimi për të gjitha shtresat dhe do të bëhet pranimi i kandidatëve në bazë të kuotave të miratuara me vendim të qeverisë. Aplikimet pritet të përfundojnë brenda muajit janar dhe më pas do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve.
Dokumentet
Aplikanti duhet të plotësojë një formë aplikimi, e cila shkarkohet nga faqja e fakultetit, si dhe të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
1. Diploma origjinale e ciklit të parë të studimeve, të shoqëruar me listën
origjinale të notave
2. Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë) dhe fotokopje e tyre.
3. 2 (dy) fotografi
4. Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 2.500 lekë (dymijë e pesëqind),
paguar në Postën Shqiptare
5. Deklaratë e kandidatit që vërteton se nuk ndjek asnjë program tjetër studimi në
Institucionet e Arsimit të Lartë publik.
Tarifa e përgjysmuar
Kandidatët, që do të fitojnë të drejtën në një program studimi të ciklit të dytë, “Master profesional”, me kohë të pjesshme, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2012 – 2013, dhe që u përkasin shtresave sociale, si: persona që nuk shikojnë dhe nuk dëgjojnë, invalidë, invalidë të punës dhe fëmijët e tyre, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijë që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijë romë, ballkano-egjiptianë apo fëmijë të policëve dhe ushtarakëve e rënë për shkak të detyrës, si dhe të ish-të përndjekurve politikë, paguajnë një kuotë, në masën 50% të tarifës së shkollimit.
Fillon sezoni
Këtë javë ka përfunduar cikli i parë i studimeve me kohë të plotë për pjesën më të madhe të universiteteve në vend. Menjëherë pas mbylljes së sezonit studentët do të fillojnë përgatitjet për provime. Në shumicën e degëve numri i provimeve është 5-8, por ka dhe degë si Infermieria, ku studentët do të testohen në një numër më të lartë provimesh. Sezoni do të zgjasë 1 muaj dhe java e fundit e shkurtit do të çelë dhe sezonin e dytë në universitete. Sipas burimeve bëhet e ditur se sezoni i dytë do të përfundojë brenda datës 23 qershor për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme.
Në 5 shkurt nisin konsultimet me maturantët
Në 5 shkurt nisin në shkollat e vendit konsultimet me maturantët, më pas do të vijohet me plotësimin e formularit A1. Në këto konsultime çdo maturanti do t’i shpjegohet modeli i Maturës Shtetërore si dhe do të marren udhëzime lidhur me përgatitjen e çdo provimi. Pas konsultimeve do të fillojë plotësimi i formularit A1 i cili do të plotësohet online. Autoritetet e arsimit thonë se provimet e Maturës Shtetërore do të bëhen me një kontroll më të fort se vite më parë për të mos lejuar më kopjimin për provimet. Ndërkohë, Ministria e Arsimit bën me dije se fëmijët e emigrantëve të kthyer do të kenë lehtësira në procesin e Maturës Shtetërore nëse kanë vendosur të nisin studimet e larta në Shqipëri. Ata që kanë përfunduar 9-vjeçare në Shqipëri, kanë vazhduar arsimin e mesën në vendin ku jetojnë dhe janë rikthyer në Shqipëri për të vazhduar universitetin nuk e kanë të detyruar të japin gjuhën shqipe si provim. E kundërta ndodhë me ata që kanë nisur shkollën në vendin ku kanë emigruar dhe rikthen në Shqipëri për të nisur arsimin e lartë. Ata do të japin provimin e gjuhës shqipe para se ata të japin provimet e detyruara. Vetëm në vitin që lamë pas 2700 nxënës janë kthyer nga Greqia dhe Italia dhe kanë nisur mësimin në shkollat e vendit.
Jetimët, trajtim për të qenë pjesë e tregut të punës
Dhoma e Tregtisë në Tiranë dhe Ministria e Arsimit janë duke diskutuar disa marrëveshje për trajtimin e jetimëve për të qenë pjesë e tregut të punës. Këto trajtime pritet të arrijnë dy objektiva. E para është largimi nga rruga i kësaj shtrese në nevojë dhe e dyta do të bëjë të mundur që çdo jetim të ketë mundësi si pjesa tjetër e popullsisë për të punuar. Sipas zëvendësministres së Arsimit Nora Malaj, qëllimi është që kategoria e jetimëve që dalin nga institucionet e kujdesit social, të kenë të garantuar një vend pune. Ndërsa bizneset, që punësojnë këta të rinj të kenë lehtësira në taksa. “Të rinjtë janë kategoria më e papunë në vendin tonë. Ministria jonë dhe Dhomat e Tregtisë mund të hartojmë marrëveshje në ndihmë të këtyre njerëzve dhe biznesve tu krijohen lehtësira”, – u shpreh Malaj. Përfaqësues të shoqërisë civile, pas një studimi të kryer në terren, kanë konstatuar se në vend rreth 300 jetimë të moshës 14 deri 21 vjeç kanë nevojë për arsimim të mëtejshëm. Për këtë arsye ata kanë negociuar me institucionet arsimore dhe rreth 200 prej tyre do të ndjekin kurse profesionale falas dhe studimet universitare.





