Elton Qyno
Ada Musaraj tregon miqësinë me 40-vjeçarin dhe konfliktet me trashëgimtarët e pronave
Vrasja mafioze e babait të dy fëmijëve, Admirim Sako, ka bërë që policia e Tiranës, gjatë ditës së djeshme, të merrte në pyetje disa prej miqve më të ngushtë të tij, mes tyre edhe ish-bashkëjetuesen e Elton Deliut, shtetasen Ada Musaraj. Kjo e fundit mendohet se është paraqitur në policinë e Tiranës, ku është marrë në pyetje, duke treguar miqësinë që kishte me viktimën dhe administrimin e disa prej pronave që Sako kishte. Përpara oficerëve të sektorit të vrasjeve, Musaraj ka treguar se gjatë takimeve që ka pasur kohët e fundit me 40-vjeçarin Sako, ai nuk i ka shfaqur asnjë ankesë lidhur me ndonjë konflikt që mund të ketë pasur me anëtarë të familjes Deliu si dhe me persona të tjerë. Në dëshminë e saj dhënë në polici, Musaraj mendohet se ka treguar momentet e njohjes me viktimën dhe miqësinë që kanë pasur së bashku me të, para dhe pas vdekjes së ish-bashkëjetuesit të saj Elton Deliu, vrarë në dhjetor të vitit 2008. Për më shumë se 30 minuta, Musaraj ka dhënë shpjegime dhe më pas është lënë sërish e lirë. Sipas burimeve të policisë së Tiranës, dëshmia e saj nuk solli ndonjë detaj që mund të ndihmonte hetimin për zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorit, por ajo është pyetur si person që mendohet se ka dijeni rreth ngjarjes. Vetë Musaraj ka pohuar se nuk ka qenë në vendngjarje kur ka ndodhur krimi, por ajo ka treguar se së bashku me Admirim Sakon, kanë qenë nën hetim për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, hetim ky që është ende duke u zhvilluar nga njësia hetimore task-forcë.
Verifikim tabulateve
Dyshimet për pesë persona se mund të kenë marrë pjesë në vrasje kanë bërë që policia dhe prokuroria e Tiranës të kërkonin tabulatet telefonike të tyre në kompanitë celulare. Një kërkesë e tillë është bërë ditën e djeshme, ndërkohë që është kërkuar dhe lokalizimi i pesë të dyshuarve, nëpërmjet valëve të antenave celulare për të mësuar vendndodhjen e pesë të dyshuarve në mbrëmjen kur është ekzekutuar me tre plumba Admirim Sako. Gjithashtu, tabulatet telefonike janë kërkuar edhe për viktimën, me qëllim mësimin e njerëzve që kanë kontaktuar për herë të fundit 40-vjeçar Sako. Për sa u përket hetimeve lidhur me këtë çështje, prokuroria ka kërkuar në gjykatë vënien në përgjim edhe të disa numrave telefoni, por që në fakt deri tani nuk është arritur të interceptohet ndonjë bisedë telefonike që mund të sjellë zbardhjen e ngjarjes. Ditën e djeshme ka mbërritur edhe përgjigjja nga laboratori kriminalistik, i cili ka treguar se në tri gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes nuk është fiksuar asnjë gjurmë gishti.
Shpresat në dy dëshmi
Shpresat e vetme për policinë dhe prokurorinë e Tiranës janë dy dëshmi të personave okularë, të gruas së viktimës dhe kamerierit të një lokali. Megjithëse të dy janë marrë në pyetje, burime pranë grupit hetimor thanë se në ditët në vijim gruaja e viktimës si dhe kamerieri do të ripyeten, me qëllimin dhënien e ndonjë detaji më të vlefshëm për hetimin. Vetë gruaja e viktimës, Entela Sako, ka treguar se ajo kishte parë autorin, madje e ka qëlluar atë me çadër, por nuk ka mundur t’ia dallojë fytyrën për shkak se në momentin kur ndodhi vrasja, rruga nuk kishte shumë dritë. Sako ka pohuar se autori e kishte shtyrë atë dhe më pas kishte qëlluar mbi bashkëshortin, ndërkohë që më tej është larguar me vrap të lehtë. Personi që ka qëlluar, është parë edhe nga një kamerier i një lokali shumë pranë ku ka ndodhur vrasja. Sipas tij, autori ka ecur përballë tij me vrap të lehtë dhe pa u shqetësuar nga askush, ndërkohë që është futur në rrugën “Myslym Shyri”, duke u bashkuar me rrymën e njerëzve. Prej katër ditësh, policia është duke kryer hetime, por nuk ka mundur të ndalojë asnjë person si autorë të dyshuar. Admirim Sako u vra shumë afër lokalit të tij “Luxury” pranë ish-ekspozitës “Shqipëria sot”, ndërkohë që sipas banorëve të zonës, Sako kohët e fundit administronte dhe lokalin “Ekspozita”, i cili ka qenë në administrim nga nëna e Elton Deliut, Flutura Deliu, e vrarë në dhjetor 2008 së bashku me djalin e saj brenda në apartament.
Ngjarja në Bulqizë
Rrëzohet tavani i stallës, vdes 13-vjeçari
Një 13-vjeçar ka gjetur vdekjen në mënyrë tragjike në fshatin Gjuraz të Bulqizës. Tavani i një stalle lopësh ka rënë duke zënë poshtë fëmijën. Kanë qenë prindërit që kanë gjetur të pajetë djalin nën rrënoja. Policia e Dibrës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje tragjike. Sipas burimeve policore viktima është 13-vjeçari Rafael Hoxha. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se fëmija ishte duke luajtur brenda në kasollen e bagëtive rreth 20 metra larg shtëpisë, por është zënë poshtë pas shembjes se saj. Gjithashtu mësohet se i mituri ka qëndruar për më shumë se një gjysmë ore nën rrënoja, pasi në momentin e ngjarjes asnjë nga familjaret e tij nuk ndodhej në banesë. Shkak i shembjes se godinës ka qenë amortizimi i saj. Ndërkohë që, sipas mjekëve, vdekja e 13-vjeçarit ka ardhur si pasojë e goditjes së kokës me trarët e kasolles së bagëtive.
Shqipëri-Suedi
Policimi në komunitet, marrëveshje 3 milionë euro
Ministria e Brendshme ka nënshkruar një marrëveshje prej tre milionë eurosh me Mbretërinë Suedeze për policimin në komunitet. Marrëveshja është nënshkruar nga zv.ministri i Brendshëm, Arben Ristani dhe përfaqësueses së Ambasadës së Suedisë në Tiranë, Lisa Fredriksson. “Në sajë të zbatimit të këtij programi ambicioz, do të krijohet një kulturë bashkëkohore e menaxhimit polici-komunitet, mbi bazën e ndërtimit të partneriteteve të policisë, ku publiku është partner, organet e qeverisjes vendore janë partner, institucionet arsimore, ato të shërbimit social, organizatat joqeveritare janë partnere, sepse policia nuk mund të jetë përgjegjëse e vetme për sigurinë e komunitetit pa përfshirjen dhe bashkëpunimin me partnerët, grupet e interesit dhe të gjithë individët e angazhuar”, – tha Ristani.
Ngjarja në Itali
Për xhelozi, italiani vret të dashurën shqiptare
Vritet me 4 plumba pistolete në Itali një grua 47-vjeçare. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy ditë më parë në qendër të qytetit Verçeli. Mësohet se Donika Xhafa ka qenë duke ecur në trotuar kur befas është qëlluar pas shpine me 4 plumba pistolete, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas policisë, autori i vrasjes është shtetasi italian me të cilën viktima bashkëjetonte prej pak kohësh. Ai është Raffaele Vorrano, 59 vjeç, i cili pak orë më pas krimit është vetëdorëzuar në polici. Në dëshminë e tij që ka dhënë në polici, shtetasi Italian ka treguar se vrasjen e gruas e kishte bërë për xhelozi. Lidhur me këtë ngjarja të rëndë, janë administruar të gjitha provat ndërkohë që trupi i pajetë i Donika Xhafës është dërguar në morgun e spitalit, për tu tërhequr më pas nga familjarët.





