Lam: Tek Bajerni kam gjithçka që dua

Përgatiti Altin Vorpsi

BAJERNITKapiteni i Bajernit tregoi se nuk ka ndërmend të luajë për ndonjë skuadër tjetër. Më parë ai ka refuzuar ofertat që i kanë ardhur nga dy prej skuadrave më të mëdha në Spanjë si Barça dhe Reali

 

Pas deklaratave të Frenk Riberisë, që i premtoi besnikëri të përjetshme Bajernit, edhe kapiteni i bavarezëve mendon se më mirë se Mynihu nuk ka. Në një intervistë të dhënë për “TZ” kapiteni i bavarezëve tregoi se do të vazhdojë të jetë pjesë e njërës prej skuadrave më të mira të Evropës. “Tek Bajerni kam gjithçka që dua! Kam firmosur 2 herë për disa vite dhe ende kam një kontratë të gjatë deri në 2016. Nuk kam menduar kurrë për largim! Askush nuk mund te mendojë se do të largohem nga këtu!”, – tha 29-vjeçari.

 

“PepEfekt”

Në Gjermani kanë frikë se Bajerni i Mynihut mund të humbë përqendrimin, pasi mori vesh emrin e teknikut të ri shumë muaj para se të mbyllet sezoni. Në këtë periudhë Bajerni është ende në luftë për të tre trofetë dhe lajmi për afrimin e Pep Guardiolës mund të ndikojë disi në mendjet e futbollistëve. Për një çështje të tillë Lami tha: “Java e kaluar ishte si një film. Kjo tregon rëndësinë që ka klubi i Bajernit. Gjithsesi ne tani duhet të përqendrohemi përsëri tek ndeshjet e radhës”.

 

Reagimi i Hejnkesit

Pep Guardiola do të prezantohet kështu me ekipin e ri që nga 1 korriku i këtij viti. Ky lajm duket se nuk ka penguar “Don” Jup Hejnkesin që të vazhdojë t’u transmetojë të njëjtën energji pozitive të tijve. Në lidhje me kalimin e kësaj “stafete” Lam tregohet mjaft diplomat kur thotë: “Trajneri është ai i njëjti si më përpara. Është gjë e bukur dhe nuk ka asnjë ndryshim në lidhje me të”. Në fund të fjalës së tij kapiteni i Gjermanisë dhe i Bajernit të Munihut pohoi se “Don Jup” është “një tifoz i madh i futbollit që shikon shumë ndeshje. Prandaj nuk e di nëse do të ndahet nga futbolli. Do të jetë shumë e vështirë për të pasi ai punon më shumë pasion dhe dëshirë”.

 

“Boomdesliga”, kampionati gjerman arkëton 2.08 mld euro

Futbolli gjerman gëzon shëndet të plotë, pavarësisht krizës që ka mbërthyer kontinentin e vjetër. Të ardhurat janë në rritje dhe për herë të parë në histori, ky sport arkëton më shumë se 2 miliardë euro në një sezon. Bëhet fjalë për sezonin 2011-2012 ku të ardhurat e siguruara nga loja e topkëmbës në Gjermani janë saktësisht 2.08 miliardë euro, një shifër e frikshme kjo nëse e krahasojmë me kampionatet e tjera në Evropë si Serie A (në Itali) apo Ligue 1 (në Francë). Sipas të dhënave të Federatës së Futbollit, 18 skuadrat e Bundesligas arritën t’i rrisnin të ardhurat me 7.2%, sepse dy sezone më parë u arkëtuan 1.94 miliardë euro. Rritje vihet re edhe në pagat e lojtarëve dhe trajnerëve që arkëtuan nga 0.9 për qind më shumë në llogaritë e tyre me 929 milionë Euro në total. Mesatarisht, një lojtar në Bundesligë përfiton 1.6 mln euro në sezon. Ndërkohë, presidenti i Federatës, Kristian Seifert shprehet se futbolli gjerman është i gatshëm t’i kalojë me sukses sfidat e së ardhmes, pikërisht për shkak të shëndetit të plotë që gëzojnë financat. Ai përfundon duke theksuar se Liga, Federata dhe klubet do ta intensifikojnë bashkëpunimin për të vazhduar në këtë rrugë.

 

 

Mrekullia Bredford

Në finale të “Capital One Cup”… nga kazinoja

E ka gjetur në kazino mëngjesi finalisten e parë të “Capital One Cup”. Bredfordi, ekipi që eliminoi Aston Vilën, Arsenalin dhe Uiganin, edhe pse militon në Ligën e Dytë angleze (ose kategoria e katërt), po përjeton një përrallë që nuk ka ndër mend të marrë fund. Presidenti Mark Loun i kishte premtuar klubit se menjëherë pas gjysmëfinales me Aston Vilën, sido që të shkonte rezultati, ai u kishte prenotuar avionin për në Las Vegas. Lojtarët, të cilët në total kushtojnë 7.500 paund (në fakt, vetëm Xhejms Hanson, autori i golit ndaj Aston Vilës të martën, ka kushtuar kaq, sepse 10 lojtarët e tjerë janë afruar me parametra zero), kanë kaluar një natë të çmendur në kazinotë e Las Vegasit. Bredford, që ka në përbërje lojtarë të cilët kanë luftuar me kancerin apo kanë punuar në supermarket, u bë skuadra e parë e kategorisë së katërt që luan në një finale kupe në “Uembli” (24 shkurt) që prej Rokdejlit (1962). “Është një ditë historike. Në ‘Uembli’ do të udhëtojnë 31 mijë tifozë. E imagjinoni dot se çfarë ëndrre është për gjithë këta njerëz?”, – tha trajneri Fil Parkinson. Arritja në këtë finale do t’i sigurojë klubit të ardhura rekord deri në mbi 1 milion paund. Çdo finaliste përfiton 45% të të ardhurave nga biletat, konfirmoi dje Federata Angleze e Futbollit. Presidenti Loun premtoi gjithashtu se lojtarët do të ndajnë 250 mijë paund shpërblim nga përfitimet, ndërsa të ardhurat e tjera do të shkojnë në arkat e klubit. Në rast se ata do të shpallen kampionë, atëherë FA premtoi se do t’i pajisë me lejen e nevojshme për të luajtur në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm.

 

Real Madrid

Murinjo ia arriti qëllimit, “klani” spanjoll është i përçarë

E vetmja siguri e Realit deri më tani ishte se ekzistojnë dy “klane”. Ai spanjoll iu kundërvu teknikut, pasi përkrahte atë portugez. Historikisht dihet se “klani” i parë ka udhëhequr gjithmonë “mbretërorët” e Madridit. Ndërkohë, në ditët e sotme duket se nuk do të vazhdojë më të bëjë të njëjtën gjë: Së pari, se Murinjo është portugez dhe i përket grupit të Kristiano Ronaldos me shokë dhe së dyti, se lideri i spanjollëve më shumë se kurrë ndihet i kërcënuar. Fakti që ai u ul në dy takime në stol ka bërë që Murinjo të krijoj[ një krisje mes “klanit” të spanjollëve. Sipas “El Economista”-s që citon radion “Cadena Cope”, Alvaro Arbeloa dhe Çabi Alonso kanë “tradhtuar” kapitenin e tyre. Kasijas “akuzon” dy shokët e tij se nuk e kanë mbrojtur si duhet në media në “sfidën” që ai pati me Murinjon. Kasijasi pretendonte që ata të paktën të thoshin disa fjalë në favor të tij. Sipas “El Economista”, Alonso dhe Arbeloa janë nga të paktët lojtarë që kanë fituar besimin e Murnjos. Tashmë “orakulli nga Setubali” mund të thuhet se ka fituar një nga sfidat e tij më të mëdha, ka përçarë “klanin” spanjoll të Realit.

 

Miqësorja

Komisari teknik i Argjentinës thërret Mesin dhe Maskeranon

Trajneri i kombëtares argjentinase, Alehandro Sabela, ka shpallur listën për miqësoren kundër Suedisë më 6 shkurt. Ai ka grumbulluar Mesin dhe Maskeranon. Lista vijon si më poshtë: Portierë: Andujar, Romero, Alvarez. Mbrojtës: Fernandez, Kampanjaro, Zabaleta, Koloçini, Garaj, Ansaldi. Mesfushorë: Maskerano, Gago, Rinaudo, Banega, Di Maria, Perez, Gaitan, Fernandez, Montijo. Sulmues: Mesi, Higuain, Laveci, Aguero, Di Santo.

 

Merkato

M’Vila firmos për Rubinin

Mesfushori i Ren, Jan M’Vila, është zyrtarisht një lojtar i Rubin Kazanit. Ylli i shumëkërkuar nga klubet evropiane (Arsenali dhe QPR këtë dimër bënë gjithçka për ta marrë) firmosi për 4.5 vjet pasi kreu vizitat mjekësor në Rusi të mërkurën. 22-vjeçari do të përfitojë 3.9 mln euro në sezonin e parë, 4.2 në të dytin, 4.6 në të tretin dhe 4.8 në të katërtin. Ai është pezulluar nga skuadrat kombëtare franceze deri në qershor të 2014-ës. M’Vila kaloi një natë jashtë pa leje, teksa ishte grumbulluar me komëtaren e 21-vjeçarëve.

 

Vendimi

Djali i Bekamit bëhet “blu”

Nëse do të shihni Bekamin me fanellën e Çelsit, mos u habisni. Nuk flasim për ish-kapitenin e Anglisë dhe të Mançester Junajtidit, por për të birin e Dejvidit, Bruklin Bekam. 13-vjeçari ka kryer me sukses një provë në “Cobham Center” një ditë më parë, dhe ka marrë përgjigje pozitive nga drejtuesit e klubit për të hyrë në akademi. Bruklin e vendosi të ardhmen, tani i takon të atit, i cili në moshën 37-vjeçare synon të mos tërhiqet akoma.

 

 

Share it :