Ina Jano
Rama të harrojë taksën e Kolekës. Zgjidhja e vetme, heqja e taksës së makinerive, qeveria e ka ndërmarrë tre muaj më parë këtë hap
Investitorët të ndihmojnë biznesin social, si formë për të gjeneruar vende pune dhe rritje ekonomike
Politikat ekonomike duket se do të jenë një nga pikat e nxehta të fushatës elektorale që ka filluar. Nga mbledhja e qeverisë ditën e djeshme, kreu i ekzekutivit, zoti Berisha, deklaroi se taksa progresive është e rrezikshme. Numri një i qeverisë, duke iu referuar studimit më të fundit të kryer në Harvard, tha se kjo taksë sjell vetëm pabarazi dhe për këtë arsye ajo duhet harruar. “Ajo çka ky studim fakton është se një taksë është e rrezikshme dhe kjo është “taksa Koleka” apo taksa progresive. Sipas studimit, nëpërmjet kësaj takse, ti vetëm sa në pamje të parë përpiqesh të arrish në një barazi, por në të vërtetë e thellon më shumë këtë pabarazi. Prandaj ky parim thotë duhet harruar”, – vlerësoi Kryeministri. Ai tha se nga kjo taksë duhet hequr dorë dhe natyrisht taksa e sheshtë është ajo më optimalja për të gjithë qytetarët. Ai tha se sigurisht që të gjitha taksat janë një barrë për qytetarët, por nuk ka asnjë opsion tjetër për të funksionuar shteti ligjor. Në lidhje me këtë çështje, zoti Berisha deklaroi: ”Natyrisht çdo taksë është një barrë për qytetarin por ndryshe nuk funksionon dhe rëndësi më të jashtëzakonshme ka shpërndarja. Dhe ne sot kemi një certifikatë, kemi një pasaportë nga grupet më të fuqishme të konsulencës ku Shqipëria renditet e katërta në botë për shndërrimin e zhvillimit në mirënie, kjo e irriton z. Rama, e irriton shumë. Kjo është e vërteta, të vërtetat duhen pranuar. Ky në një anë thotë nuk e kam dajë. E dinë gjithë bregu, historinë e dajave të tij. Për mua më mirë ta kishte baba dhe ta mohonte për taksën se të mbante anën e taksës Koleka. Përbën kjo taksë një kërcënim serioz dhe të madh. Uroj që është një xhaketë e vjetër si dordolecët që varet në një arë gruri në një dru që të mos e hanë zogjtë, por të shërbejë për t’i trembur. Se absolutisht për sa i përket pushtetit ia thashë edhe në takimin tjetër, ai është si kryepersonazhi i Buxatit, që mbeti 36 vjet në pritje”.
Duke vlerësuar heqjen e taksës për makineritë si një shtysë tepër të madhe për rritjen ekonomike në vend, kryetari i ekzekutivit tha se qeveria një masë të tillë ka më shumë se tre muaj që e ka marrë. Në fokusin e numrit një të qeverisë ishin studimet më të fundit nga profesorët më të shquar të Universitetit të Harvardit. Kryeministri theksoi se vendimi i ardhshëm i qeverisë do të jetë dhe kalimi i taksës së dividendit tek sipërmarrjet që duan në fondin e biznesit social. Në këtë pikë, Berisha i vlerësoi të ndryshkura doktrinat e Anastas Angjelit. “Sistemi ynë jep kredi pa kolateral, bankat u japin atyre që kanë, kurse ky sistem u jep kredi atyre që nuk kanë, ndaj vendimi i ardhshëm yni për të kaluar taksën e dividendit te sipërmarrjet që duan në fondin e biznesit social është një hap shumë i rëndësishëm i yni për një shpërndarje shumë të mirë. Se në fund të fundit, e tërë problematika e taksës, thjeshtohet në mbledhjen dhe shpërndarjen e saj, ky ekuilibër shpeshton përpjekjen tënde për mirëqenien. Prandaj dhe ne duhet të ecim të bazuar në doktrinat më të avancuara fiskale dhe jo në konceptet e Mamuthit të korrupsionit që ishte dhe është Cac Angjeli. Famoz, sepse ai është autori i rikthimit të doktrinave të ndryshkura. Po një përgjigje dhe ai e mori në darkën e ngrirë”, – shtoi lideri i mazhorancës.
Biznesi social
Berisha u shpreh se memorandumet e bashkëpunimit të nënshkruara nga prof. Muhammad Yunus, i cilësuar si “babai i mikrokreditit” në botë, në fushën e biznesit social, janë një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm në përpjekjen madhore për të luftuar varfërinë dhe papunësinë. Kryeministri tha se skemat e suksesshme të prof. Yunus nuk synojnë t’u japin racione njerëzve të varfër në nevojë, por synojnë t’i mëkëmbin ata nëpërmjet mundit dhe djersës së tyre. Ai iu bëri thirrje biznesmenëve të japin kontributin e tyre në fondin e biznesit social, i cili synon të të punësojë dhe ti japë mundësi njerëzve më të varfër të hapin biznesin e tyre, të krijojnë të ardhurat e tyre. Kryeministri theksoi se për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në këtë drejtim, do të hartohet ligji që do tua japë këtë mundësi”. Qeveria do të vendosë fondin e vet në fondin e biznesit social, por nga kjo mbledhje dhe në emër të qeverisë unë ju bëj thirrje bizneseve të japin kontributin e tyre në këtë fond dhe thirrja jone nuk është thjesht një apel njerëzor. Ne si qeveri ne do të vendosim që taksën e dividendit, ato sipërmarrje që duan ta derdhin në fondin e biznesit social, fond që synon të punësojë dhe ti japë mundësi njerëzve më të varfër të hapin biznesin e tyre, të krijojnë të ardhurat e tyre. Pra, ato që dëshirojnë ta derdhin këtë fond në biznes social, ne menjëherë do të bëjmë ligjin tu japim këtë mundësi”, – shpjegoi Berisha.
Vendimi, njësohen lejet e drejtimit të automjeteve
Kryeministri Berisha theksoi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se është e domosdoshme që me anë të ndërhyrjeve të posaçme ligjore të bëhet njësimi i lejeve të drejtimit të automjeteve, të cilat janë marrë jashtë vendit, si në Greqi, Itali dhe vende të tjera, duke u bërë të barasvlershme me ato që merren në Shqipëri. Kjo procedurë, sipas kreut të qeverisë, merr një rëndësi të veçantë, duke lehtësuar së tepërmi lëvizjen e qytetarëve me leje drejtimi të huaja, brenda vendit dhe duke shmangur kështu shumë procedura burokratike. Gjithashtu, Kryeministri kërkoi gjetjen e formave sa më të përshtatshme dhe lehtësuese për qytetarët, në pagesën e taksës për makinën dhe në kontrollin e makinës.
Qeveria, 100 mijë USD Turqisë për strehimin e refugjatëve sirianë
100 mijë dollarë është shuma që Këshilli i Ministrave ka miratuar dje për dikasterin e punëve të jashtme, të cilat do t’i shtohen buxhetit të kësaj ministrie. Por, ky fond do t’i kalojë qeverisë turke, si një ndihmë humanitare për strehimin e refugjatëve sirianë. Vendimi citon se shuma do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të vitit 2013. Propozimi ka ardhur nga Ministria e Financave, ndërkohë që do të jetë MPJ dhe MF ajo të cilat do të zbatojnë këtë vendim.
Kryeministri: Tiranë – Durrës, Shengeni i Evropës për investimet e huaja
Lugina Tiranë – Durrës të shndërrohet në një zonë Shengen të Evropës. Me këta terma u është drejtuar kreu i qeverisë “Berisha” investitorëve të huaj, duke i ftuar ata që të vijojnë të besojnë tek qeveria dhe të gjitha reformat që ajo ka ndërmarrë. Në konferencën e përvitshme të zhvilluar dje në kryeqytet, lideri i mazhorancës tha se Shqipëria e përballoi krizën ekonomike edhe falë investimeve të këtyre biznesmenëve. Ai nënvizoi rolin e madh që ata luajnë në performancën ekonomike të vendit. “Besoj që në një dialog me ju do mund të dalim dalë ngadalë që luginën Tiranë- Durrës ta shndërrojmë në Shengen për Evropën. Ju ftoj ju të ftoni edhe bashkatdhetarët tuaj të vinë të sjellin investimet e tyre në Shqipëri dhe i garantoj se do kenë një mbështetje të palëkundur të qeverisë”, – u shpreh Kryeministri. Ai vijoi më tej se përballë kërcënimit të krizës së Eurozonës, investimet mbeten arma kryesore për mbrojtjen nga kriza dhe sigurimin e një rritje ekonomike në vend. Berisha gjatë një konferencës me shoqatën e investitorëve të huaj, vlerësoi rolin e padiskutueshëm të tyre në mbajtjen e Shqipërisë larg recesionit, i ftoi ata të derdhin investimet e tyre, duke i garantuar se qeveria do të sigurojë mbështetjen dhe lehtësirat maksimale ndaj tyre. Ai vlerësoi edhe taksimin e sheshtë të aplikuar nga qeveria, po ashtu edhe heqjen e TVSH për makineritë. “Ju keni kontribuar që ekonomia shqiptare të mbetet jashtë recesionit, të ketë rritje të sigurt. Besoj se rritja ekonomike presiston dhe do presistojë për shkak të besimit tonë të palëkundur se ndaj kësaj krizë s’mund të mbrohemi më mirë veçse duke ju asistuar ju, duke ju mbështetur ju. Sot ka një debat të madh në qarqet më akademike të botës, por dhe ato politike, debati rreth taksave dhe taksimit si faktor kryesor për të ndikuar në ecurinë ekonomisë dhe krizës. Sot në të gjitha qendrat e rëndësishme të botës dhe vendimmarrjes shtrohet pyetja se cili është sistemi më i mirë i taksimit? Përgjigjja është se sistemi i taksës së sheshtë është ai më optimali. Kapitali nuk duhet taksuar, taksa mbi kapital është e padrejtë. Unë jam i lumtur që vi para jush, që pas një debati me ju konkluduam për të hequr taksën e kapitalit, TVSH. Jemi besimplotë që Shqipëria do qëndrojë jashtë krizës dhe do ketë rritje ekonomike vetëm falë investimeve tuaja”, – tha ai. Numri një i qeverisë nuk ka lënë pa ironizuar edhe kundërshtarin e tij politik lidhur me idenë për taksim progresiv, ku deklaroi se ato janë ide të destinuara për tu mykur në arkivat e këtij vendi. “Shqipëria ka qenë dhe mbetet vend i taksës së sheshtë”, – theksoi Berisha.





