Ina Jano
Në mbledhjen e parë të vitit të Komitetit Kombëtar të Territorit, kreu i qeverisë tha se HEC-et do të punësojnë qindra qytetarë dhe do të shërbejnë për një zhvillim të qëndrueshëm në vend. Ai tha se Shqipëria do të shndërrohet në një superfuqi të energjisë së rinovueshme në rajon
Kryeministri Berisha theksoi se hidrocentralet në vend janë gjenerator për punësimin në vend për qindra e mijëra qytetarë. Ai tha se ndërtimi i hidrocentraleve jo vetëm që zhvillon zonat ku ndërtohet, por gjithashtu sjell edhe një zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë vendin “E vërteta është se ndërtimi i hidrocentraleve në mbarë vendin është shndërruar sot, aktualisht, në një gjenerator të fuqishëm të punësimit të qytetarëve shqiptarë në zonat më të largëta, më të thella të vendit”, – nënvizoi kreu i ekzekutivit. Më tej ai u shpreh se të gjitha vendet që të kapërcejnë krizën, duhet që të inkurajojnë investimet dhe të bëjnë gjithashtu të gjitha përpjekjet për një zhvillim të qëndrueshëm. “Duhet të pranojmë se është shndërruar sot dhe në drejtim kryesor të zhvillimit të Shqipërisë, do të thosha të zhvillimit të qëndrueshëm të saj. Zhvillimi është zhvillim, por vendimtare në këtë proces është qëndrueshmëria e tij. Leksioni më i madh i krizës evropiane dhe globale që mund të nxirret nga shoqëritë, kombet dhe qeveritë, është se ka vetëm një rrugë të sigurt për parandalimin e kësaj krize dhe kjo rrugë është zhvillimi i qëndrueshëm, është inkurajimi, nxitja, investimi në ata sektorë që garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm për vendet dhe kombet”, – vlerësoi Kryeministri. Gjatë fjalës së tij, ai deklaroi se energjia ujore është një prej këtyre llojeve të investimit që siguron dhe sjell zhvillim të qëndrueshëm. Në mbledhjen e parë për këtë vit të këshillit Kombëtar të Territorit, lideri i qeverisë ftoi të gjithë mediat që të shkojnë në zonat ku ndërtohen hidrocentrale, për të prekur zhvillimin që kanë këto zona. Ai shtoi se të dalësh nga Unaza e Vogël e Tiranës do t’i bënte mirë kujtdo, pasi do t’i njihte vlera dhe gjithashtu njerëz të mrekullueshëm të cilët kanë realizuar vepra gjigante. “Këto hidrocentrale u shtohen dhjetëra e dhjetëra të tjerëve që ndërtohen çdo orë, çdo ditë, çdo javë, larg kamerave televizive, të cilat kanë për ishull parajse territorin brenda unazës së vogël të Tiranës dhe si kullë të fildishtë Rognerin dhe Sheratonin. Por, jeta, zhvillimi gëlon në të katër anët e këtij vendi, e paraqisni apo nuk e paraqisni ju me kamerat tuaja, e injoroni apo e paraqisni ju para qytetarëve. Unë ju ftoj të shkoni, ju ftoj të intervistoni, ju ftoj ti paraqisni, sepse ato janë vepra të mrekullueshme të njerëzve punëtorë, të investitorëve të mençur dhe, pavarësisht se ndërtohen të tëra nga sektori privat, janë vepra me shkallën më të lartë të interesit publik”, – tha Berisha. Duke u ndalur në vlerën e madhe të vendimeve të miratuara në mbledhjen e kaluar, zoti Berisha e vlerësoi, si një nga investimet më të rëndësishme në rajon dhe aktualisht në Evropë, kaskadëm e Devollit.
Një nga projektet e tjera që u mor në shqyrtim në mbledhjen që u zhvillua paraditen e djeshme, ishte edhe ai i një resorti që do të ndërtohet në zonën e Orikumit. Vendimi u mor duke pasur parasysh të gjitha bukuritë e natyrës që ka kjo zonë. “Sikundër, dua të informoj qytetarët se është në proces dhe në studim e sipër kompleksi Zvërnec – Nartë – Sazan – Karaburun, i cili, sipas ekspertëve më të shquar të zonave turistike, rezulton të jetë një kompleks unik në tërë gjeografinë e deteve dhe oqeaneve të planetit; një kompleks me potencial të jashtëzakonshëm dhe mundësi shumë të mëdha, përfshin ishullin, gadishullin dhe ultësirën e Zvërnecit, Nartës, me një diversitet dhe pasuri të jashtëzakonshme dhe të gjithanshëm”, – vlerësoi Kryeministri. Ky i fundit shtoi se pas ndërtimit të bypass-it të Vlorës një tjetër vepër e rëndësishme do të jetë ajo e rrugës Orikum – Kepi i Gjuzës.
Lejet e miratuara nga KKT
1. Leje infrastrukture, për ndërtimin e hidrocentralit “Stravaj”, komuna Stravaj, rrethi Librazhd
2. Leje infrastrukture, për ndërtimin e hidrocentralit “Qafëzezë”, rrethi Librazhd
3. Leje infrastrukture për ndërtimin e hidrocentralit “Stavec”
4. Leje infrastrukture për ndërtimin e “Drejtorisë se Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Repartit RESI”
5. Leje infrastrukture për rrjetin e furnizimit me ujë dhe shërbime sanitare në Orikum
6. Rivlerësim i zonës nënjugore me sipërfaqe 30 ha, pjesë e studimit urbanistik pjesor me sipërfaqe 43.69 ha në fshatin Hamallë, Bashkia Sukth, miratuar me vendimin e KRRTRSH-se nr. 15 date 14.7.2009
7. Studim Urbanistik Pjesor për kompleks turistik rezidencial e hotelier sip.9.71 ha brenda studimit urbanistik në zonën turistike të Gjirit të Lalëzit, Komuna Ishëm.
8. Studim Urbanistik Pjesor me sip.1.2ha brenda ristudimit urbanistik në zonën turistike të Gjirit të Lalëzit, Komuna Ishëm.
9. Studim urbanistik pjesor 7.6 ha, dhe leje sheshi për 3 vila një kat me papafingo brenda ristudimit urbanistik në zonën turistike te Gjirit të Lalëzit, me sip. 2812 m2, në fshatin Lalëz, Komuna Ishëm, Qarku Durrës.
Sot Kryeministri në Berat, 22-vjetori i PD-së
Për degën e Partisë Demokratike të qytetit të Beratit, sot është 22-vjetori i themelimit të kësaj partie. I ftuar do të jetë edhe Kryeministri Berisha, njëherazi kreu i Partisë Demokratike, i cili do të mbajë edhe një fjalë përshëndetëse. Mësohet se një pjesë të fjalës së liderit demokrat do të jenë edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ato të qershorit. Në orën 11:00 është parashikuar të mbahet aktiviteti, gjatë të cilit do të shpërndahen edhe karta anëtarësimi. Janë rreth 300 të rinj të cilët i bashkohen Partisë Demokratike në këtë rreth. Vetëm para disa ditësh u festua edhe 22-vjetori i degës së PD-së në rrethin e Shkodrës, ku pjesë e organizimeve ishte edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë aktivitetit të organizuar, salla e Pallatit të Sportit ishte e tejmbushur nga të rinj dhe të reja, që pritën me ovacione fjalën e kreut të qeverisë.
Peticioni, 122 intelektualë të tjerë i bashkohen thirrjes ndaj Ramës për votimin e ligjeve
Shkon në 604 numri i personaliteteve më të shquara shqiptare të të gjitha fushave, që i bashkohen thirrjes drejtuar zotit Rama për të mos penguar më votimin e tre ligjeve. Listës iu shtuan ditën e djeshme 112 intelektualë të njohur. Ndër emrat që bien në sy në personat e fundit që i janë shtuar listës janë e bija e piktorit të madh shqiptar Vangjush Mio, kardiologu prof. dr. Anesti Kondili; shefja e Katedrës së reumatologjisë prof. Teuta Backa e kolegë të saj Ndërsa nga fusha e stomatologjisë përmendim prof. dr. Pavllo Kongo e kolegë të tij, por edhe ish deputeti i Partisë Socialiste, dr. Leontiev Çuçi. Të tjerë persona janë profesorë nga Fakulteti i inxhinierisë elektrike, prof. dr Petraq Marango e kolegë të tij; nga Fakulteti i inxhinierisë mekanike, prof. dr. Angjelin Shtjefni e kolegë të tij; nga Fakultetiti i inxhinierisë matematike dhe fizike, prof. as. Enkela Moçka e kolegë të saj; nga Akademia e Shkencave Beqir Meta e kolegë të tij; një numër shumë i madh i profesorëve dhe pedagogëve të Universitetit të Korçës “Fan Noli” etj. “Në emër të kurajës qytetare, të atdhedashurisë, detyrimit që kemi ndaj vendit dhe kombit, të aspiratës shqiptare për integrim, ne i bashkohemi me firmat tona grupit inisiator të elitës shqiptare me apelin drejtuar z. Rama, që të mos pengojë deputetët të votojnë tre ligjet që kërkohen për statusin e vendit kandidat.
Qëndrimi ynë nuk ia ka me hile z. Rama. Ne thjesht duam që ai të mos ndahet nga shqiptarët. Ne duam që ai të mos bllokojë më. Mosvotimi i tre ligjeve është gjëja më e pakuptimtë”, – shprehen ata.





