Ekzekutimi Babai me dy djem, pritë në derën e shtëpisë picierit

Elton Qyno

ekzekutimPas sherrit për gërvishtjen e makinave, vritet 22-vjeçari Erion Lilaj. Arrestohet Sherif Lata dhe Besart Lata, tjetri në kërkim

 

Erion Lilaj, që punonte si picier pranë një picerie në Tiranë, është ekzekutuar me disa thika në trup, teksa ishte duke u kthyer në banesën e tij, që ndodhet pranë rrugës “Siri Kodra”. 22-vjeçari ka rënë në pritën e tre personave të së njëjtës familje, ku dy djemtë Besart Lata dhe Sebastian Lata, të udhëhequr nga babai i tyre Sherif Lata, i kanë ngritur pritë 22-vjeçarit teksa ai ndodhej rreth 100 metra larg banesës së tij. Dy vëllezërit së bashku me babain e tyre kanë shfrytëzuar një rrugicë të ngushtë dhe pasi kanë pritur për disa minuta në errësirë, kanë vendosur ta qëllojnë me thika 22-vjeçarin menjëherë sapo ai ka dalë nga një lokal që ndodhet jo shumë larg rrugicës ku ndodhi edhe vrasja. Familjarë të viktimës, por edhe policia e Tiranës, bëjnë me dije se vrasja e 22-vjeçarit ka ndodhur për shkak se paradite mes viktimës dhe dy vëllezërve Sebastian dhe Besart Lata ka ndodhur një sherr, për shkak të gërvishtjes së makinave. Lalaj ndodhej duke drejtuar mjetin e tij, kur papritur ka gërvishtur aksidentalisht një automjet, i cili ndodhej në parkim dhe ishte në pronësi të dy vëllezërve. Pas kësaj mes tyre ka filluar një sherr, ku dy vëllezërit e kanë rrahur 22-vjeçarin Erion Lilaj, i cili edhe pse ishte nën shoqërinë e dy shokëve të tij, ata s’kanë mundur të bëjnë asgjë për të shuar konfliktin.

Shuarja e konfliktit

Lidhur me sherrin e ndodhur kanë shkuar në vendin e ngjarjes strukturat e Policisë Rrugore, të cilat kanë bërë të mundur sqarimin e dy palëve. Gjakrat mes Erion Lilajt dhe dy vëllezërve, Sebastian dhe Besart Lata, janë ulur, ndërkohë që palët janë larguar në prani të efektivit të policisë, pa pasur probleme të mëtejshme. Një “paqe” e tillë ka ndodhur për disa orë, pasi mes 22-vjeçarit dhe dy vëllezërve nuk ka ndodhur asnjë incident. Mirëpo kjo periudhë duket se u ka shërbyer, sipas policisë, autorëve të krimit, të cilët gjatë kësaj kohe kanë vendosur ta survejojnë 22-vjeçarin, duke i mësuar vendndodhjen e banesës së tij dhe zonat ku qëndronte. Menjëherë pas kësaj, dy vëllezërit në bashkëpunim edhe me babain e tyre, 52-vjeçarin Sherif Lata, kanë bërë planin për vrasjen e 22-vjeçarit shumë afër banesës së tij në rrugën “Siri Kodra”, duke i zënë pritë në një rrugicë rreth 100 metra larg shtëpisë së 22-vjeçarit. Ata kanë shfrytëzuar errësirën që kishte rënë dhe pa u vënë re nga askush kanë zënë pritë buzë rrugicës, duke pritur që nga lokali i lagjes të dilte 22-vjeçari Erion Lilaj, me qëllim goditjen e tij me thika.

Goditja me thika

Teksa janë përqendruar në hyrje të rrugicës së ngushtë, që të çonte në banesën e familjes Lilaj, dy vëllezërit dhe babai i tyre kanë pritur disa minuta derisa ka dalë nga ambientet e një lokali shtetasi 22-vjeçar Erion Lilaj. Ky i fundit, teksa ecte për të shkuar në banesën e tij, është përballur me tre agresorët, të cilët, pasi e kanë qëlluar disa herë, e kanë goditur atë me thika, duke e lënë të vdekur në vend. Sipas dëshmive që policia e Tiranës ka mbledhur, në momentin e goditjes me thikë dy nga personat kanë qenë në rrugicë, ndërsa personi i tretë ka zbritur nga një automjet që ishte parkuar në rrugë, duke u përfshirë dhe ai në konflikt. Kanë mjaftuar disa sekonda që dy vëllezërit së bashku me babain e tyre ta qëllonin me disa thika të riun, duke e rrëzuar atë të përgjakur në tokë. Pas kësaj autorët janë larguar me shpejtësi duke hipur në një automjet dhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Kanë qenë personat që ndodheshin në lokal, por edhe kalimtarët e rastit, ata që kanë bërë transportimin në Spitalin Ushtarak, të 22-vjeçarit i cili edhe pas ndërhyrjes së bluzave të bardha nuk mundi t’i përballonte plagët e marra nga thikat. Ndërkohë, pas disa orësh hetime, policia e Tiranës mundi të arrestonte si autorë të vrasjes së 22-vjeçarit shtetasin Sherif Lata, 52 vjeç, dhe djalin e tij Besart Lata, 27 vjeç. Tashmë është shpallur në kërkim autori tjetër i dyshuar në këtë ngjarje shtetasi Sebastian Lata, 22 vjeç, për gjetjen e të cilit janë kryer një sërë kontrollesh por pa rezultat.

 

Flet Fabio Lilaj

Vëllai: Na e vranë në derën e

shtëpisë, babai e puthi në spital

Vrasja e 22-vjeçarit Erion Lilaj, ndodhur rreth 100 metra para banesës së tij në Tiranë, ka tronditur familjarët, por edhe banorët e zonës. Vëllai i Erionit, Fabio Lilaj, tregon për gazetën “Standard” se ai nuk ishte në dijeni të sherrit që kishte zhvilluar Erioni me dy vëllezërit për gërvishtjen e makinës, pasi ndodhej në qytetin e Burrelit. Sipas Fabio Lilajt, vrasja ka ndodhur në pragun e shtëpisë dhe se me autorët e krimit familja e tij nuk ka asnjë njohje. “Ne këta persona nuk i njohim fare. Pas kësaj ngjarjeje na kanë thënë që banojnë në një lagje më lart, por me ta s’kemi pasur asnjë konflikt. Konflikti i vetëm ka qenë sherri për gërvishtjen e makinave dhe pas kësaj të tre personat e kanë ruajtur vëllain derisa e kanë vrarë në mbrëmje”, – tregon Fabio Lilaj. Më tej ky i fundit shton se sapo është njoftuar për ngjarjen, ka udhëtuar nga Burreli në drejtim të Spitalit Ushtarak, ku është interesuar për shëndetin e të vëllait. “Kur kam mbërritur në spital, takova mjekët dhe bashkë me babain na thanë se vëllai nuk kishte shumë shpresa për të jetuar, pasi nga goditja e thikave kishte humbur shumë gjak, por edhe kishte dëmtime në bark dhe gjoks. Në këtë moment, babai i ka kërkuar mjekëve të shihte për herë të fundit vëllain, të cilët më pas e kanë lejuar të hyjë në sallën e operacionit për ta parë. Kur ka dalë babai, e kam pyetur se si ishte vëllai. Ai më është përgjigjur se vetëm e kishte puthur dhe kishte dalë nga salla e operacionit”, – tregon vëllai i 22-vjeçarit të vrarë Fabio Lilaj.

 

 

 

Share it :