Vritet 24-vjeçari, policia kryen hetime në tri pista

Elton Qyno

marseliMarsel Paja është qëlluar me një plumb pas koke. Dyshime për hakmarrje dhe lidhje intime të viktimës

 

Persona ende të paidentifikuar kanë vrarë me plumb në kokë 24-vjeçarin Marsel Paja dhe më pas e kanë hedhur atë poshtë një ure në afërsi të fshatit Gjurë të Kurbinit. Krimi i rëndë është regjistruar në orët e mesnatës, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës që është identifikuar si Marsel Paja, është gjendur në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga disa kalimtarë të rastit. Nga këqyrja e kufomës, ka rezultuar se viktima nuk kishte asnjë shenjë në trup, por vetëm një vrimë në kokë, e cila ishte shkaktuar nga një goditje me armë zjarri. Kaq ka mjaftuar që policia e Kurbinit të fillojë hetimet për vrasje, duke bërë që gjatë ditës së djeshme të shoqëronte në komisariat mbi dhjetë persona, të cilët mendohet se kanë pasur konflikte, por edhe hasmëri me familjen e viktimës Marsel Paja. Pas marrjes në pyetje të personave të shoqëruar, sërish ata janë lënë të lirë, ndërkohë që hetimet rreth kësaj vrasjeje me një plumb pas koke vijojnë me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve të krimit. Veç pistës së sipërcituar, një tjetër drejtim ku janë duke hetuar specialistët e policisë është dhe ndonjë lidhje intime e mundshme e viktimës me ndonjë nga vajzat e fshatit Gjurë, lidhje kjo që si ka pëlqyer autorëve të krimit. Dyshimet e para flasin se Paja, është rrëmbyer dhe pasi është mbajtur në një vend të mbyllur, aty është qëlluar me një plumb të vetëm në kokë duke i shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme.

Identifikimi nga familja

Personat që kanë bërë identifikimin e trupit të pajetë të 24-vjeçarit Marsel Paja, kanë qenë të afërmit e tij. Sipas dëshmitarëve, viktima është gjendur në një rrugë dytësore në fshatin Gjurë, ku trupi i tij i pajetë ishte hedhur pranë një ure të vogël. Për shkak se 24-vjeçari nuk ishte paraqitur përgjatë gjithë natës në banesë, të afërmit e tij janë shqetësuar duke e kërkuar te të afërmit dhe shokët e Marsel Pajës. Por pas këtyre kërkimeve, në mëngjes ata kanë marrë njoftimin nga banorë të zonës, por edhe nga policia, se një person i paidentifikuar ishte gjetur buzë një kanali. Në vendngjarje kanë shkuar me shpejtësi babai dhe nëna e viktimës, të cilët pasi kanë konstatuar kufomën, kanë konfirmuar se trupi i pajetë i përkiste djalit të tyre 24-vjeçar Marsel Paja. Pas kësaj kufoma e këtij të fundit është transportuar në drejtim të morgut të spitalit, ku i është nënshtruar një ekspertize mjekoligjore. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë në pyetje janë marrë të afërmit e viktimës, të cilët kanë pohuar në polici versionet e tyre se nga kush mund të kishte ardhur vrasja e djalit të tyre 24-vjeçar.

Pistat hetimore

Për të zbardhur misteret e vrasjes së 24-vjeçarit me një plumb pas koke, policia e Kurbinit ka nisur hetimet në tri drejtime. Aktualisht, verifikime janë duke u kryer për ndonjë konflikt të momentit, hasmërisë dhe ndonjë lidhje intime që viktima mund të ketë pasur në fshatin Gjurë. Për gjatë ditës së djeshme, ka pasur disa shoqërime por asnjë arrestim. Burime pranë policisë thanë se dyshojnë që autori i krimit është nga fshati Gjurë dhe se mund të ketë pasur njohje me viktimë. Hetimet tregojnë se viktima mund të jetë marrë peng dhe më pas është qëlluar me një plumb në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

 

 

Interpoli publikon në internet foton e Julian Çelës

Ashtu siç ishte paralajmëruar disa ditë më parë, Interpol Tirana ka shpallur të humbur 10-vjeçarin Julian Çela, djalin e punonjësit të SHISH-it, Skënder Çela. Njoftimi është bërë në faqen zyrtare të Interpolit, ku në të janë dhënë edhe detaje mbi 10-vjeçarin. Ai humbi kontaktet me familjarët 45 ditë më parë, më 30 nëntor të 2012-ës, ku teksa një person i vetëm e ka thirur, vogëlushi ka dalë nga një qëndër internet dhe prej andej ka humbur çdo kontakt me familjarët dhe shokët e tij. Vetëm pak kohë më parë, policia sekuestroi kamerat e sigurisë të 80 bizneseve në kryeqytet, duke sekuestruar pamjet filmike të tyre, por duke mos gjetur asgjë konkrete. Në këto kushte, policia ka filluar të dyshojë se Julian Çela mund të jetë jashtë Tiranës dhe kontrollet duhet të shtrihen edhe në qytetet e tjera të vendit. Burime nga policia bëjnë me dije, se tashmë kur janë bërë kontrolle intensive në kryeqytet, ka një dyshim se djali i punonjësit të SHISH-it mund të jetë jashtë kryeqytetit. Pista e hetimeve të policisë është përqendruar tek largimi me dëshirë i Julianit, i cili dyshohet se tashmë mund të jetë bërë pjesë e ndonjë grupi adoleshentësh që grabisin qytetarët apo banesat.

 

Kakavijë, bllokohen 1.3 kg kokainë, pronari në pranga

Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar në pikën kufitare të Kakavijës 1.3 kg lëndë narkotike të llojit kokainë dhe ka vënë në pranga një person. I arrestuari është Ilir Gjergji, i datëlindjes 1976, lindur dhe banues në Patos, Fier. Sasia e drogës iu gjet pas një kontrolli të imtësishëm në automjetin e tij, tip furgon “Benz” me targa AA 494 FN. Mësohet se lënda narkotike kishte për destinacion Greqinë. Burime pranë policisë thanë se në momentin e arrestimit Gjergji, ishte duke bërë procedurat e fundit, kur teksa furgoni i tij kontrollohej nga punonjësit e policisë, aparatura e kërkimit të lëndëve narkotike, ka dhënë sinjal, për një pako të dyshimtë brenda në makinë. Menjëherë pas kësaj, furgoni i është nënshtruar dhe një kontrolli të imtësishëm, ku më pas rezultoi se brenda në sediljet e tij ishte future një sasi lënde narkotike prej 1.3 kg kokainë. Vetë i arrestuari Ilir Gjergji, ka pranuar autorësinë e krimit, ndërkohë që s’ka treguar asnjë nga bashkëpunëtorët e tij.

 

Tjetër aksident hekurudhor, një person i vdekur

Shënohet aksidenti i radhës në hekurudhat shqiptare. Një person rreth moshës 58-vjeçare, ende i paidentifikuar, ka humbur jetën si pasojë e përplasjes me trenin, në afërsi të fshatit Domje. Burime zyrtare nga policia e Tiranës bëjnë të ditur se rreth orës 16:00 është marrë njoftimi se treni i linjës Tiranë – Elbasan, ka përplasur për vdekje një person të seksit mashkull, identiteti i të cilit ende nuk dihet. Nga hetimet paraprake, blutë e kryeqytetit kanë ngritur dyshimet se mund të jetë edhe një vetëvrasje. Por, detajet e plota lidhur me ngjarjen pritet të zbardhen pas marrjes në pyetje të trenistit dhe dëshmitarëve që kanë qenë prezent në momentin e aksidentit. Jo më larg se një javë më parë, një automjet tip “Ford Focus” është marrë zvarë nga lokomotiva, dhe për pasojë i ka kushtuar vdekjen e menjëhershme një vajze 21-vjeçare dhe plagosjen e rëndë të vëllait të saj. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, policia arrestoi shoferin e makinës, i cili kishte qëndruar në mes të shinave të hekurudhës.

 

Aborti në klinikat private

Horror pranë spitalit, macja nxjerr

nga kazani i plehrave fetusin 3-muajsh

Një skenë horror është parë nga dhjetëra kalimtarë, pasi një mace ka nxjerrë nga kazani i plehrave një fetus bebeje, të përmasave të moshës tremuajshe. Kjo pamje ka alarmuar kalimtarët e rastit, të cilët, pasi janë afruar, kanë parë në gojën e maces fetusin e një bebeje. Menjëherë ata kanë njoftuar efektivët e policisë së komisariatit nr. 3, të cilët kanë shkuar me shpejtësi në vendngjarje, për të bërë ekzaminimet e nevojshme. Ngjarja e rëndë është shënuar në disa kazanë të plehrave që ndodhet pranë Spitalit Ushtarak në Laprakë, ku teksa ecnin në rrugë, kalimtarët kanë vënë re një mace, e cila kishte në gojë një copë mish, që kishte format e një bebeje. Lidhur me këtë ngjarje, tashmë kanë filluar hetimet për të mësuar se cila nga klinikat mjekësore që ushtrojnë aktivitet privat pranë Spitalit Ushtarak, ka kryer abortin dhe më pas ka hedhur fetusin e foshnjës rreth 3-muajshe në kazanin e plehrave. Gjatë ditës së djeshme, oficerë të policisë kanë marrë në pyetje disa persona, ndërkohë që, sipas tyre, e kanë shumë të vështirë të gjejnë nënën, por edhe klinikën mjekësore, pasi asnjë nga mjekët nuk ka pranuar se gjatë këtyre ditëve të kishte kryer aborte të grave shtatzëna. Ndërkohë, një autoambulancë ka shkuar në vendngjarje, e cila ka marrë nga kazani i plehrave fetusin, i cili ishte rreth 10 cm, dhe më pas e ka transportuar atë në drejtim të Institutit të Mjekësisë Ligjore, me qëllim kryerjen e analizave të saj. Ky rast nuk është rasti i vetëm kur bebe, por edhe fetuse janë hedhur në kazanë plehrash, duke bërë që kalimtarë të rastit të shohin skena makabre. Në disa raste të tjera, foshnjat disamuajshe janë braktisur nga nënat, duke i hedhur në plehra.

Share it :