Dje, 13 janar ishte dita e fundit kur në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë mund të vizitohen armët e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Dy shpatat dhe përkrenarja e Skënderbeut u kthehen në atdhe për pak kohë pas më shumë se 4 shekujsh. Ato iu huazuan MHK- së
nga Muzeu Historik i Artit në Vjenë. Së bashku me armët, nga Vjena erdhën edhe disa kodeks (fletë të një kodiku që në gjermanisht ka të dhëna për jetën e Skënderbeut), një gravurë
dhe një pikturë që tregon heroin në profil dhe shpatën në këmbët e tij. Këto objekte u ekspozuan në një hapësirë prej 11 metrash dhe në mënyrë rrethore u vendosën imazhe të marra nga botimi origjinal në gjermanisht i “Historisë së Skënderbeut”, për të krijuar ndjesinë e përjetimit të asaj epoke. Në një ekran të madh, në bashkëpunim me TVSH-në, në rreth 17 minuta transmetohen skenat e betejave nga filmi i njohur “Skënderbeu”, ndërkohë që në banera nuk u lanë jashtë as vargjet e Naim Frashërit nga “Historia e Skënderbeut”. Sipas të dhënave dokumentare, është konstatuar se dy shpatat dhe përkrenarja e Skënderbeut ranë në duart e arqidukës Ferdinand mes viteve 1588-1593 e nga ornamentet, studiuesit kanë përcaktuar se ato janë realizuar në shekullin e pesëmbëdhjetë. Pas vdekjes së Skënderbeut, përkrenarja dhe shpata u morën në Itali nga gruaja e Skënderbeut, Donika, dhe djali i tij, Gjoni. Kush i trashëgoi pas vdekjes nuk dihet. Armët u rishfaqën në dekadën e fundit të shekullit të 16-të. Në 1590 një helmetë dhe një shpatë ishin në pronësinë e Kontit Eolfgang i Sturnbergut, kurse shpata tjetër ishte në Inventarin e Muzeut të Armëve të Arqidukës Karl të Stirisë.
Personi që i grumbulloi të gjitha armët bashkë ishte djali i Perandorit dhe vëllai i Karlit, Arqiduka Ferdinand i Tirolit, i cili, i bleu armët dhe i mbajti në të njëjtin vend. Më vonë, ky princ ngriti Muzeun e Ambrasit, pranë Tirolit, të cilin e mbushën me lloj-lloj materialesh ushtarake, ashtu si edhe me piktura dhe portrete të personaliteteve të kohës. Në 1806, armët u transferuan në Muzeun Perandorak në Vjenë.
Rekord, 1.5 milionë vizitorë për armët e Skënderbeut
Ekspozita e armëve dhe përkrenares mit të Heroit tonë Kombëtar, për më se 1 muaj u shndërrua në vend pelegrinazhi, sepse shqiptarët mundën për herë të parë t’i shihnin në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga mbyllja e ekspozitës së çelur më 22 nëntor, bëhet e ditur se janë rreth 1 milion e gjysmë vizitorët që kanë parë ekspozitën. “Sidomos fluks i madh qe në ditët e festimeve të 28 Nëntorit. Numri i vizitorëve nga 700 deri në 800 mijë veta. Vazhdojnë të vijnë akoma njerëz edhe tani për Vitin e Ri, nga ardhja e emigrantëve pati shumë fluks”, ka thënë për mediat muzeologu Fredi Gusho. Në sajë të një bashkërendimi edhe me drejtoritë arsimore të vendit, janë të shumta shkollat që ditë pas dite sjellin në muze nxënësit për të vizituar armët dhe përkrenaren e Skënderbeut. “Gjatë muajit nëntor dhe dhjetor ka pasur jashtëzakonisht shkolla që kanë ardhur me program të veçantë. Rreth 600 mijë nxënës kanë ardhur edhe nga rrethe të ndryshme”, shtoi ai. Ekspozita u çel më 22 nëntor në pavijonin e mesjetës, në Muzeun Historik Kombëtar. Vizita për të parë armët e heroit tonë kombëtar në Muzeun Historik është falas.
Si “u takua” një anglez me Marin Barletin
“U takua” me Marin Barletin për herë të parë më 1993-shin, në një trotuar të pluhurosur të Shkodrës, sepse në atë kohë trotuaret ishin vendet e zakonshme dhe të vetmet për të blerë libra me vlerë. Aty e gjeti David Hosaflook “Rrethimin e Shkodrës”, veprën e parë të letërsisë historiografike shqiptare, të të parit autor të letërisisë sonë dhe një prej burimeve më të rëndësishme për njohjen e asaj periudhe. David, që sapo kishte mbërritur si misionar nga SHBA, e që tanimë prej 20 vitesh jeton në Shqipëri, mbeti i mrekulluar nga kjo vepër e cila ishte krejtësisht e panjohur në perëndim dhe kjo për arsyen e thjeshtë se “Rrethimi i Shkodrës” nuk ishte përkthyer kurrë në anglisht. Që prej asaj dite ai vendosi ta përkthente dhe sot për të parën herë në kemi në duar botimin në anglisht të veprës monumentale të Barletit, ka thënë për mediat shqiptare Hosaflook. “Kam kërkuar ta gjeja librin në anglisht sepse thashë që me gjithë këtë histori, me këtë autor kaq të madh duhet të jetë patjetër në anglisht diku. Por nuk ishte. Atëherë thashë; po mirë do të punoj pak nga pak në kohën time të lirë ta përkthej. Nuk e dija se cfarë po ndërmerrja sepse ishte një punë kolosale”, ka rrëfyer David.
Puna si përkthyer ishte një betejë e përditëshme me fjalë, fjali dhe fakte historike. Marin Barleti një prift katolik dhe David Hosaflook, një pastor ungjillor. Barleti prijësi dhe ai ndjekësi. Për të përgatitur botimin në anglisht, David u mbështet në botimin në shqip të përkthyer nga Henrik Lacaj si dhe në variantin latinisht të Marin Barletit, i cili sic dihet më 1474-ën në rrethimin e parë të Shkodrës ishte dëshmitar i ngjarjes dhe katër vjet më pas, më 1478-ën në rrethimin e dytë mori pjesë vetë në luftime. Bashkë me këtë përkthim të parë në anglisht, “Rrethimi i Shkodrës” është ribotuar edhe në shqip i shoqëruar me një shënim nga Ismail Kadare, hyrje nga Aleks Buda dhe profesori i historisë së Mesdheut në Kembrixh, David Abulafia.
“Identiteti” do këndohet shqip në Eurosong
Bledar Sejko dhe Adrian Lulgjuraj, dyshja që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2013, do të këndojë në gjuhën shqipe, në Malmö të Suedisë.
Fituesit në Festivalin e 51-të të Këngës, Sejko dhe Lulgjuraj kanë vendosur ta mbajnë këngën “Identitet” të pandryshuar nga versioni i dëgjuar në festival.
Siç njofton, esctoday.com, portali i Festivalit Europian, gjatë një interviste në radio, Sejko dhe Lulgjuraj janë shprehur: “Kënga jonë nuk mund të përcjellë të njëjtin mesazh në një gjuhë tjetër, sepse ajo është kompozuar duke menduar dhe kënduar në gjuhën shqipe. Për këtë arsye kemi vendosur ta mbajmë këngën tonë në gjuhën shqipe dhe jo ta përkthejmë në anglisht.”
Sipas Bledar Sejkos, autorit të këngës, tashmë ka nisur puna për përgatitjen dhe paraqitjen sa më dinjitoze të Shqipërisë në Eurovizion.





