Ervin Kaduku
Në njoftim thuhet se CEZ Group po konsideron shitjen e 76 për qind të aksioneve që zotëron në rrjetin shqiptar të shpërndarjes dhe fton blerësit e interesuar që të shprehin zyrtarisht interes brenda datës 15 janar në orën 12
Kompania çeke që zotëron rrjetin e shpërndarjes në Shqipëri ka nisur zyrtarisht procedurat për shitjen e biznesit në Shqipëri.Dy ditë më parë, CEZ Group ka botuar në gazetën prestigjioze “Financial Times”, një ftesë për shprehje interesi nga investitorë të mundshëm që duan të blejnë paketën e saj të aksioneve në Shqipëri. Në njoftim thuhet se CEZ Group po konsideron shitjen e 76 për qind të aksioneve që zotëron në rrjetin shqiptar të shpërndarjes dhe fton blerësit e interesuar që të shprehin zyrtarisht interes brenda datës 15 janar në orën 12.
Sipas njoftimit investitorët e interesuar duhet të paraqesin informacion të hollësishëm mbi kompanitë përbërëse në rastin se janë një konsorcium, aktivitetet e tjera të biznesit që ata zotërojnë, garancitë financiare për blerjen e mundshme të CEZ-it dhe çdo shqetësim apo paqartësi që mund të kenë në lidhje me procesin. Pas përfundimit të kësaj faze fillestare, CEZ njofton se do të vërë në dijeni kompanitë e interesuara me hapat e mëvonshëm të procesit.
Situata
Pas konfliktit të gjatë me qeverinë shqiptare, CEZ ka paralajmëruar që më parë se do të shesë aktivitetin e saj në Shqipëri. Por menjëherë pas kësaj deklarate reagoi Ministria e Ekonomisë që deklaroi se nuk do e lejojë shitjen pasi e cilësoi këtë nismë si të paligjshme për sa kohë kompania nuk ka njoftuar zyrtarisht shtetin dhe është në proces shqyrtimit të licencës nga enti rregullator. Por përtej këtij paralajmërimi grupi çek duket i vendosur për të shitur aksionet në Shqipëri duke hedhur tashmë zyrtarisht dhe hapin e parë të procesit, njoftimin e blerësve potencial për shprehje interesi.
Sipas burimeve nga kjo kompani, mendohet që ajo të ndahet në dy nënndërmarrje, njëra prej të cilave do të mbajë në zotërim asetet që ka blerë në vitin 2007, ndërsa tjetra do të lëshohet në administrim të shtetit, për të garantuar vijimin e furnizimit të pandërprerë me energji. Ende nuk dihet se ç’do të ndodhë me garancinë prej 60 milionë eurosh, të siguruar nga Banka Botërore, po që do ta paguante qeveria shqiptare në rast se ajo shpallet fajtore për mosmarrëveshjet e lindura. Po kështu, duhet të zgjidhen edhe probleme që lidhen me pagesën prej 102 milionë eurosh që CEZ pagoi për të blerë 76% të aksioneve të OSSH-së.
Ndërkohë, dje Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) miratoi Rregulloren, në bazë të së cilës caktohen procedurat për emërimin e administratorit publik dhe kompetencat e tij për vijimin e punës në kompaninë e shpërndarjes së energjisë CEZ. Burime të ERE-s thanë se kjo rregullore përcakton kriteret për vendosjen e administratorit që do të përzgjidhet nga ERE. Burimet shtuan se ERE do të bëjë publikimin shumë shpejt të kritereve përzgjedhëse për personin që do të vendoset administrator, kompetencat që do të ketë gjatë kësaj detyre.
Pritet që administratori të garantojë vijimin e punës së kompanisë së Shpërndarjes, ku shteti aktualisht zotëron 26% të aksioneve dhe pjesën tjetër e ka kompania çeke CEZ. Administratori do të sigurojë mbarëvajtjen në shpërndarjen e energjisë tek konsumatorët dhe do të raportojë rregullisht për situatën pranë ERE-s.
Ndërkaq, në 21 janar, Bordi i Komisionerëve të ERE-s pritet të marrë vendim ndaj CEZ për heqjen e dy licencave që ka sot kompania çeke.
ERE do të publikojë në gazetat kryesore kërkesën për vendin vakant për administrator, një pozicion që vlerësohet me shumë rëndësi, pasi me punën e tij pritet vijim i funksionimit të rregullt të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike.
Kthimi e Kompensimi i Pronave, paguhen 177 mijë euro për pronarët
Ervin Kaduku
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njoftoi dje se më datë 17.12.2012, ka përfunduar procesi i shqyrtimit të kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë kompensimin apo shpërblimin e saj me këstin e parë, të dytë dhe të tretë, në masën prej 47% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.
Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, ligjin nr. 10239, datë 25.2.2010 “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 383, datë 19.5.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar, dhe në vendimet përkatës të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.
Në përfundim të këtij procesi, kësti i parë, i dytë dhe i tretë është shpërndarë në masën (47%) për 18, (tetëmbëdhjetë) kërkesa, të depozituara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me shumë të përgjithshme prej 24 798 366.83 (njëzetë e katër milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e gjashtë pikë tetëdhjetë e tre) lekë. Të dhëna në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfitues jepen në listën që shoqëron këtë njoftim për shtyp.
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare në ditët e para të javës në vazhdim.
Zgjidhet problemi i furnizimit të Durrësit me ujë
Artur Ajazi
Dy projekte të mëdha që kanë nisur zbatimin me fondeve nga qeveria, lidhur me përmirësimin e furnizimit me ujë të Durrësit dhe zonës së plazhit thuajse janë drejt përfundimit. Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës, Doklead Ademi, tha për “Standard”: “Prej vitesh uji i pijshëm ka qenë dhe është një nga problemet më të mëdha të zonës së plazhit të Durrësit, por edhe vetë qytetit, ndaj dhe prej vitesh mungesat kanë qenë të theksuara, aktualisht ne kemi drejt përfundimit zbatimin e dy projekteve madhore që do të përmirësojnë dhe minimizojnë problemet në zonat si Plepat, Shkëmbi i Kavajës, zona e plazhit, Përroi i Agait etj.”. Projektet kanë nisur nga zbatimi në shtator 2012, kurse disa projekte janë në zbatim për rritjen e kapacitetit të furnizimit aktualisht po ndërtohet një rrjet i ri i ujësjellësit me vlerë 35 milionë lekë nga Përroi i Agait deri në Plepa, ndërkohë që është në fazën e fundit investimi me vlerën e 1,6 miliardë lekëve që do të mundësojë furnizimin me ujë të 15 mijë familjeve, kemi arritur që në një mesatare prej dy orësh në ditë të furnizojmë me ujë në Durrës”. Disa zona, si ajo e Shkozetit, ka nevojë për ndërhyrje, por pas investimeve është rritur sasia e përdorimit të ujit tek institucionet. Duke folur mbi problemet dhe vështirësitë që hasen zoti Ademi u shpreh se “zonat më problematike për sa u përket humbjeve në rrjet mbeten zona e plazhit dhe linja e Fushë-Krujës, ndërkohë që janë shmangur plotësisht humbjet në zonën e ish-Kënetës. Sezoni turistik i këtij viti duket më premtues për sa i përket furnizimit me ujë të zonës bregdetare. turistike, por edhe qytetit bregdetar që ndër vite ka vuajtur mungesën e ujit gjatë verës për shkak të rritjes së konsumit në plazh”, – tha drejtori Ademi. Projektet dhe investimet janë kontribut i qeverisë dhe një premtim i mbajtur i vetë Kryeministrit Berisha për të siguruar një sezon të mbarë turistik në bregdetin e Durrësit.





