Ina Jano
Kryeministri: Do të përjashtohet nga të gjitha taksat vendosja e antenave të komunikimit të telefonisë celulare në prona publike
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, kreu i mazhorancës, Berisha, bëri me dije se shtetësinë shqiptare do ta përfitojnë me dëshirë të gjithë ata persona të cilët jetojnë dhe punojnë në vendet e zonës Shengen. Kryeministri deklaroi se nga vendimi i marrë dje do të përfitojnë edhe shqiptarët të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që pohoi se për sa i përket shqiptarëve të Kosovës kjo gjë do të zgjidhet në një marrëveshje të plotë me shtetin fqinj. Sipas numrit një të qeverisë procesi i pajisjes me nënshtetësinë shqiptare, për shqiptarët e Kosovës as nuk do të pengojë dhe as do të cenojë procesin e liberalizimit të vizave që është duke u përmbushur në Kosovës por as atë të negociatave dhe përparimit të shtetit më të ri në Ballkan në arenën botërore. Kryeministri Berisha u shpreh: “Me vendim qeverie, bazuar në ligjin nr. 8389, datë 5.8.1998, i ndryshuar, “Për shtetësinë”, neni 9 pika 7, për interesa kombëtare, shtetësia shqiptare do t’u jepet sipas dëshirës së tyre, me aplikim, të gjithë qytetarëve me origjinë ose kombësi shqiptare, me dokumente të rregullta në vendet e zonës Shengen, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjetra me lëvizje të lirë pa viza në zonën Shengen. Për qytetarët shqiptarë me banim në Kosovë, kjo çështje duhet të zgjidhet mbi bazën e marrëveshjes me qeverinë e Kosovës dhe ky proces nuk mund të cenojë apo ndërhyjë në procesin e liberalizimit të vizave të Kosovës me Bashkimin Evropian”.
Ndërsa lideri i qeverisë shtoi se sigurisht që shtetësia nuk do të ndikojë aspak në zgjedhjet e ardhshme pasi personat nuk do të jenë të shtuar në listën e votuesve. Këtë pikë kryetari i ekzekutivit e sqaroi për të hedhur poshtë çdo aludim të mundshëm se ky është një projekt që përdoret për fushatë. “Duke qenë se Shqipëria është para zgjedhjeve dhe listat dhe infrastruktura zgjedhore për vitin 2013 tashmë janë të përfunduara, e drejta e votës për këta qytetarë do të hyjë në fuqi pas amendimit konsensual të Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e tjera, pas qershorit 2013”, – nënvizoi Berisha. Ky i fundit tregoi një rast konkret të cilin ia bashkëngjiti fjalës së tij. “Më vjen një mesazh në të cilin shkruhet: “Jam Dritan Hajdini, nga Luzi i Vogël i Kavajës dhe po të kërkoni në arkivin tuaj do të më gjeni në mitingun e parë demokratik të vitit 1991 tek shkolla “Qamil Xhani”. Jetoj në SHBA, në Majami. Kam tri vajza të mrekullueshme, të cilat edhe pse kanë lindur në Francë dhe jetojnë këtu, flasin mrekullisht gjuhën shqipe. Këndojnë shumë bukur këngë shqiptare. Ato quhen Delfina, Zhanetë dhe Luiziana. Kur i pyesin të tjerët ato thonë jemi shqiptare, por ato nuk mund të kenë një pasaportë të vendit të tyre sepse i kanë ndërruar emër dhe mbiemër në ato rrugë. Kështu na degdisi fati ne, dikush i detyronte të ndërronte emrat, dikush i ndërronte për oportunitet dhe tani unë thotë jam jashtëzakonisht i tronditur se po humbasin zyrtarisht kombësinë. Kjo është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme. Ne vend që t’i mbledhim aty ku janë, shqiptarë me ligjin ekzistues të shtetësisë, megjithëse ka një klauzolë duhet ta pranojmë për interes kombëtar, me ligjin ekzistues të shtetësisë, këta humbasin shtetësinë”, – tha Berisha. Kreu i mazhorancës bëri thirrje për të bashkëpunuar me kompaninë “Aleat” për të hapur zyra edhe në disa kryeqytete të Evropës ku ata jetojnë.
Antenat
Në kuadrin e komunikimit sa më transparent dhe të shpejtë me qytetarët, Kryeministri bëri të qartë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se vendosja e antenave të kompanive celulare në prona publike do të përjashtohet nga çdo lloj takse dhe nuk do të bie më pre e veprimeve abuzive të autoriteteve vendore, të cilat në shumë raste kanë vendosur mbi këto kompani taksa të padrejta. “Antenat e komunikimit të kompanive celulare përjashtohen në vendosjen e tyre nga çdo lloj takse. Ato e kthejnë shpërblimin e vet disa herë më të madh se sa ajo që mendohet, ndaj dhe vendosja e këtyre antenave nuk do të mund të jetë subjekt tatimi as nga ato vendore, as nga ato qendrore, në asnjë pjesë. Nuk e dini ju sa mesazhe më vijnë mua nga Valbona, nga Boga dhe nga zona të tjera të cilat janë të vështira për t’u kapur nga telefonia dhe si ndihen ata pa telefoninë mobile dhe dua t’u them autoriteteve vendore, hiqni dorë se nuk keni të drejtë më sapo të dalë ligji, të tatoni as edhe një qindarkë antenat e transmetimit të telekomunikacionit në Shqipëri. Ne jemi të interesuar ta zgjerojmë sa më shumë”, – u shpreh kreu i qeverisë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha kërkoi sot nga kabineti qeveritar realizimin në një kohë sa më të shpejtë të transparencës në komunikimin me qytetarët, nëpërmjet publikimit të të dhënave si numri personal i telefonit, email-i, në web e ministrive dhe rrjetet sociale si Facebook etj. Në lidhje më këtë çështje ai nënvizoi: “Zotërinj ministra, mbledhjen e kaluar të qeverisë unë kërkova që secili prej jush së pari të krijojë linjën falas të komunikimit të qytetarëve, së dyti të afishojë numrin e vet, i cili ka ndër të tjera edhe taksat e qytetarëve. Subvencioni është taksë e qytetarëve. Ndaj edhe ai numër duhet të afishohet. Gjithashtu duhet të publikohet adresa e email-it në faqen zyrtare dhe në Facebook. Duhet të krijoni Facebook-un të gjithë. Ende disa ministri nuk i kanë vendosur dhe kërkoj që këto të vendosen përfundimisht dhe deri ditën e shtunë të jenë funksionuese për të gjithë qytetarët shqiptarë, pa përjashtim. Këto janë linjat e transparencës së qytetarit. Këto janë avantazhet e komunikimit”.
Familjarët e diplomatëve serbë lejohen të hapin biznes në Shqipëri
Tashmë me vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të ardhur nga Ministria e Jashtme, familjarët e diplomatëve shqiptarë në Serbi dhe ata serbë në Shqipëri janë të lirë për të pasur aktivitete fitimprurëse. Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, është vendosur miratimi në parim i marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Serbisë, për mundësimin mbi baza të ndërsjella të familjarëve të anëtarëve të misioneve diplomatike apo posteve konsullore, për t’u angazhuar në veprimtari fitimprurëse në shtetet përkatëse.
PD: Rama t’u tregojë shqiptarëve burimin e 100 milionëve të bashkëshortes
Edhe Partia Demokratike pati dje një reagim zyrtar në lidhje me deklarimin e pasurisë së bërë nga ana e bashkëshortes së kreut të opozitës Edi Rama. Në deklaratën e saj nga selia blu, Laura Vorpsi deklaroi se ka ardhur koha pas disa daljeve publike që lideri i socialistëve të japë llogari për të ardhurat e bashkëshortes së tij, ndërkohë që nënvizoi se zonja Linda Rama ka lidhje të ngushta me Kosta Barjabën të arrestuarin në SHBA,me akuzën e vjedhjes. Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, i parashtroi një sërë pyetjes kreut të PS-së, Edi Rama, në lidhje me të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes Linda Basha. “Në mbrojtje të xhepistit ordiner Barjaba, Rama u deklaroi shqiptarëve se ai kishte kryer një gjest të papranueshëm, cenimin e pronës private prej 238 dollarësh dhe se sipas z. Rama, Barjaba nuk qenka problemi i Shqipërisë. Bazuar në këtë qëndrim të z. Rama, Partia Demokratike fton shqiptarët t’i shtrojnë këto pyetje kryetarit të PS-së Edi Rama. Cili është burimi i 100 milionë lekëve të huasë pa interes që zonja Lindita Basha ka deklaruar në ILDKP? A është e lidhur kjo shumë me veprimtari të përbashkëta me Barjabën? Për ç’arsye kjo shumë nuk është transferuar nëpërmjet bankave? A janë këto 100 milionë lekë para të pastra të tatuara apo para të fshehura e të lara? A mund të bësh transparencën para publikut historikun e pallatit të Linda Bashës? Leja për pallatin ishte apo jo në konflikt interesi dhe a janë zbatuar kërkesat e ligjit në rastin e pallatit të bashkëshortes tënde dhe nëse ky pallat apo leja e ndërtimit ishin pajë e ndonjërit partner prej jush? Bashkëshortja jote Lindita Basha, sa projekte ka përfituar nëpërmjet Kosta Barjabës dhe a ka ndarë me të shuma të këtyre projekteve?”, – theksoi zëdhënësja. Sipas Vorpsit, Rama për më se dy javë me radhë, nxjerr zëdhënësin e tij të paguar për të shpifur për të ardhura të familjarëve të Kryeministrit të realizuara nga: veprimtari profesionale, mësimdhënie, botime, qira apartamentesh, trashëgimi familjare, burime tërësisht të ligjshme lehtësisht të verifikueshme të deklaruara në çdo qindarkë, në tatime të kaluara të gjitha nëpërmjet sistemit bankar të deklaruara në çdo qindarke në ILDKP dhe të verifikuara nga ky institucion. “Përse Z. Rama nuk lejon shpifësin tënd të paguar të paraqitet para trupit gjykues për të faktuar shpifjet e porositura nga ti dhe… A përdorni ju ndonjë dosje hetimi për trafik droge të zëdhënësit tuaj për ta detyruar të shpifë çdo ditë me gojën tënde? Në rast se ju z. Rama keni nevojë për ndihmë për përgjigje të hapura ndaj këtyre pyetjeve, ne edhe mund t’ju ndihmojmë!”, – përfundoi deklaratën zëdhënësja demokrate.
Rama të mos i fshihet drejtësisë, të përgjigjet në gjykatë për shpifjet
Për shpifjet disajavëshe ndaj familjarëve të Kryeministrit, Edi Rama është paditur në gjykatë nga vajza e numrit një të qeverisë, Argita Malltezi. Këtë fakt e ka bërë publik zonja Malltezi nëpërmjet një deklarate e cila i ka kërkuar kreut të opozitës që të mos i fshihet drejtësisë por të përgjigjet për të gjitha spekulimet e bëra ndaj saj personalisht dhe familjes. Sipas saj, akuzat e Ramës janë të pabazuara në asnjë fakt dhe qesharake, por ajo që mbetet e sigurt është se ai është i ngërthyer nga paniku i daljes në dritë të fakteve tronditëse, të cilat flasin nëpërmjet firmës së të shoqes, Linda Ramës, në deklaratën e saj në ILDKP. “Z. Rama, si shpifës profesionist prej dy javësh, çdo ditë ke trilluar për të ardhurat e mia të realizuara të gjitha nga burime transparente, të ligjshme, nga veprimtaria profesionale, mësimdhënie në universitete publike e private, botime dhe kërkime shkencore, qira dhe trashëgimi familjare, të deklaruara të gjitha në tatime, ILDKP dhe të verifikuara prej tyre. Zinxhirit të gënjeshtrave iu shtuan tani spekulimet e dy ditëve të fundit, për të cilat, ju njoftoj se sot kam depozituar padi në gjykatë. Të kujtoj z. Rama se tarifat e subjekteve private, vetëm në diktatura i caktojnë qeveritë; në vende të lira ato i nënshtrohen tregut të lire. Dje ti bëre akuzën qesharake për pengesë të investimeve private, sot çirresh për tarifat e një aktiviteti privat, njëlloj si 7 vjet me pare bërtisje për rogën time nga organizata e OKB. Të kujtoj gjithashtu se shqiptarët e dinë mirë se as rroga në OKB dhe as tarifat private, nuk janë hua 100-milionëshe pa interes dhe as pallate në Tiranë”, – thuhet në deklaratën e posaçme për mediat që vjen si pasojë e akuzave të vazhdueshme të deputetit socialist Taulant Balla. Por zonja Malltezi i bën edhe një herë thirrje Ramës që të bëjë transparencën e 100 milionëve të huasë pa interes të bashkëshortes së tij. “Përsëri shqiptarët presin z. Rama që të bësh transparencën e 100 milionëve të huasë pa interes të gruas tënde, që bashkëshortja jote Linda Basha, i ka deklaruar në ILDKP pa lëvizje në llogari bankare. Por, me sa duket, përgjigja dashka shumë kohë për t’u gatuar!”, – përfundon deklarata e vajzës së Kryeministrit.





