Ina Jano
Personat me aftësi të kufizuar kanë qenë, janë dhe do të mbeten në qendër të vëmendjes së qeverisë. Nga 2005-a është rritur 5 herë shifra që i dedikon qeveria një tetraplegjiku
Kryeministri Berisha sqaroi se vonesat në pagat për administratën dhe pensionet nuk lidhen me mungesën e fondeve, por gjendja është krijuar për shkak të mungesës së listëpagesave, duke qenë se zyrat e financave kanë pasur ditët pushim për festat e fundvitit. “Këto ditë ka pasur një zhurmë në media lidhur me disbursimin e rrogave, të pensioneve dhe ka pasur prej tyre që bërtitën “Eureka”, atë të cilën nuk e gjetën dot për më shumë se 7 vite me radhë dhe që nuk do ta gjejnë dot për 8 vitet e ardhshme kujtuan se ju erdhi ne ekran. E vërteta është se nuk ka pasur dhe nuk ka as edhe një mungesë të asnjë lloj fondi, në mënyrë kategorike. Ka pasur një mosparaqitje të listëpagesave të zyrave të financave, por rroga pa listëpagesa nuk mund të jepet dhe ky është një ligj themelor. Ato do të bëhen dhe do ti marrin që të gjithë dhe i kanë marrë ose do i marrin pa asnjë lloj vështirësie. Ka pasur një problem me një pjesë të invalidëve të cilët për dy shkaqe kryesore kanë pasur vonesë të papranueshme”, – tha kreu i qeverisë nga mbledhja e kabinetit.
Gjithashtu lideri i mazhorancës duke u ndalur gjatë në kategorinë e personave me aftësi të kufizuar, pohoi se ata do të vijojnë të kenë mbështetjen e qeverisë dhe se të ardhurat për ta janë rritur disa herë që pas 2005-ës. Kryeministri siguroi se asgjë s’mund të errësojë qëndrimin njerëzor, përkushtimin e madh të qeverisë, ndaj këtyre qytetarëve. Zoti Berisha bëri të njohura disa shifra krahasuese me ato të 2005, kohë në të cilën u mor pushteti nga ana e demokratëve. “Në vitin 2005 buxheti për personat me aftësi të kufizuar ka qenë 6.1 miliard lekë. Buxheti aktual për personat me aftësi të kufizuar është 13 miliard lekë. Nuk është llogaritur këtu rritja e fondit të rimbursimit të ilaçeve, rritje nga e cila të parët që përfitojnë janë ky kontingjent, të cilët më shumë se çdokush kanë nevojë për medikamente. Kjo rritje është 5 herë më e madhe, ka qenë 50 milion dollarë, apo 5 miliardë lekë, tani është 250 milion dollarë apo 25 miliardë lekë. Pagesa e personave për të verbrit dhe kujdestarët ka qenë 6800 lekë në muaj, kurse sot është 10900 lekë. Pagesa mujore për personat para/tetraplegjik ka qenë 6800 lekë, ndërsa sot është 9500 lekë. Për sa i përket paketës higjieno-sanitare, e cila nuk u paguhej asgjë më parë, pra në vitin 2005 ishte zero pagesë, sot kjo qeveri jep për paketën higjieno-sanitare të çdo paraplegjiku dhe tetraplegjiku 160 mije lekë në muaj. Pagesa mujore për para dhe tetraplegjikjët që ndjekin arsimin e mesëm dhe të lartë është 279 mijë lekë në muaj, pra më shumë se një rrogë minimale e punonjësve”, – tha Kryeministri. Ai vijoi më tej duke u shprehur se kompensimi që marrin për karburantin në vitin 2005 ka qenë 40 mijë lekë me të vjetra, ndërsa sot është 70 mijë lekë, pra pothuajse është dyfishuar. Gjithashtu ai përmendi edhe kompensimin e bërë për energjinë, për telefoninë, për faturën e ujit të pijshëm. Në tërësi shuma që kjo qeveri ka vendosur ose shpenzon sot për një para ose tetraplegjik është absolutisht 5 herë më e madhe se ajo që shpenzohej në vitin 2005, në qoftë se llogarisim këtu paketën higjieno-sanitare, në qoftë se llogarisim këtu rritjen e çmimit të naftës, së energjisë elektrike, si dhe kujdestarëve të cilëve nuk ju llogaritej asnjë ditë punë, sot ju paguhen sigurimet shoqërore njëlloj si punonjësve të spitalit, për efekte pensioni. Unë mendoj se në përputhje me standardet dhe mundësitë e këtij vendi është bërë absolutisht maksimumi i asaj që mund të bëhej”, – vlerësoi Kryeministri gjatë fjalës së përjavshme në mbledhjen e qeverisë.
Gjermeni: Shteti pa para, nuk po paguhet administrata
Një situatë absurde dhe e patolerueshme po ndodh me 90 mijë punonjës të administratës shtetërore, të cilët nga dita në ditë presin të marrin pagat e tyre, dhe ndërkohë dëgjojnë vetëm justifikime të ministrit, thesarit dhe iu shtua edhe alibia e radhës e Kryeministrit. Kështu ka deklaruar deputetja socialiste Eglantina Gjermeni, e cila në një deklaratë për media tha se është e qartë se ky shtet nuk ka para.“Nuk është e nevojshme të jesh ekspert financash për të kuptuar se këto justifikime qesharake që shumëzojnë me zero njëri tjetrin, janë thjesht tentativa për të fituar kohë e për të fshehur një të vërtetë që tanimë po e mësojnë në kurriz të tyre edhe punonjësit e administratës: Shteti nuk ka para. Shteti nuk ka më para dhe politika fiskale e qeverisë të Sali Berishës tanimë ka vetëm një emër: Shtyje ta shtyjmë”, – u shpreh ndër të tjera në deklaratën e saj deputetja Gjermeni. PS përmes deputetes Gjermeni ka kërkuar nga ministri Bode dhe Kryeministri që të lënë justifikimet e të zgjidhin situatën.
MF: Disbursimi total përfundon sot në mesditë
Pasditen e së enjtes pritet të marrë fund ankthi i qindra buxhetorëve dhe jo vetëm, ai i disbursimit nga shteti për rrogën e parë të këtij viti. Pas sqarimit të dhënë nga Kryeministri në mbledhjen e djeshme të qeverisë edhe Ministria e Financave duket se ka përshpejtuar punën në këtë drejtim dhe në një njoftim për mediat ka bërë të ditur se pagesat përfundojnë totalisht sot në mesditë. Sipas MF-së, procesi po ecën normalisht dhe drejtoria e thesarit po punon për të hedhur të dhënat. Ndërkaq po sipas Ministrisë së Financave kanë përfunduar punën Ministria e Brendshme, e Arsimit, pensionet dhe ndihmat ekonomike, ndërsa u bëri thirrje institucioneve të paraqesin liste-pagesat, pasi fondet janë çelur. Më herët Kryeministri Berisha ka sqaruar situatën me vonesën e pagave për administratën, duke thënë se nuk ka pasur mungesë fondesh por vonesë të listëpagesave. Në këtë mënyrë Kryeministri ka hedhur poshtë zërat për mos disbursim ndërsa tha se keqpërdorimi i kësaj situate nga opozita, e lë këtë qeveri në pushtet edhe katër vitet e ardhshme. Kryeministri iu referua edhe vonesave në disbursimin e invalidëve të cilat i cilësoi si të papranueshme por shtoi se qeveria ka bërë maksimumin për ta. Kryeministri tha se qeveria ka rritur vazhdimisht mbështetjen për këtë kategori shoqërore.
Ndoka konfirmon, PDK në koalicion me PD-në në qershor
Partia Demokristiane do të jetë zyrtarisht në koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike më 23 qershor. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, u shpreh se në bazë të marrëveshjes me PD-në, koalicioni qeveritar pritet të vijojë edhe në këto zgjedhje. Kreu i demokristianëve thotë se në koalicionin qeveritar mund të bashkohen edhe parti të tjera të majta dhe kjo për shkak të sjelljes së lidershipit socialist me aleatët. Ndërkohë që thirrjen që parti të majta t’i bashkohen kampit të djathtë e bëri edhe një ditë më parë nënkryetari i grupit parlamentar Edi Paloka, i cili ndër të tjera tha se selia blu është e hapur për të mirëpritur pareti të tjera të majta në gjirin e saj. Ndërsa zëra të tjerë brenda mazhorancës, u shprehën të sigurt për vijimësinë e koalicionit me Lëvizjen Socialiste për Integrim, pasi sipas tyre koalicioni mund të quhet i suksesshëm deri më tani. PDK për tre vite iu bashkua kampit opozitar duke i kërkuar Partisë Socialiste ndryshimet që të votonte ndryshimet e propozuara në kodin zgjedhor nga partitë e vogla. Pas miratimit bipartizan të kodit, PDK-ja iu bashkua me kampin mazhoritar.





