Vidhet shtëpia e minatorit të vrarë, i marrin 55 milionë lekë

Elton Qyno

minatoriGrabitësi me thikë në duar shihet nga vajza minorene. Policia shoqëron dhjetë persona

Gruaja e minatorit Hysen Lezi: Shitëm shtëpinë në Bulqizë për të blerë apartamentin në Tiranë

 

Grabitet banesa e familjes së minatorit të vrarë në minierën e Bulqizës, shtetasit Hysen Lezi. Gruaja dhe dy fëmijët e tij që banojnë në zonën e Yzberishtit prej disa muajsh, kishin mundur të mblidhnin një shumë parash prej 55 milionë lekësh të vjetra, me qëllim blerjen e një apartamenti në Tiranë. Sipas tyre, shuma e parave ishte grumbulluar nga një këst financiar dëmshpërblimi për jetën e humbur në minierë të kryefamiljarit Lezi, shitja e shtëpisë së tyre në Bulqizë si dhe nga disa shuma financiare që ishin marrë borxh tek të afërmit e familjes. Mirëpo, siç duket, në dijeni të pranisë së parave në banesë kanë qenë edhe persona të tjerë, të cilët pasi kanë studiuar me imtësi lëvizjet e familjes Lezi, kanë vendosur të hyjnë në ambientet e shtëpisë, ku edhe kanë marrë shumën e parave, që ishte mbledhur me qëllim blerjen e një apartamenti në kryeqytet. Dy grabitësit janë parë nga vajza e minatorit të vdekur Hysen Lezi, e cila teksa është kthyer nga shkolla për në shtëpi, ka vërejtur se brava e derës së jashtme ishte thyer. Për të shuar çdo dyshim se çfarë mund të kishte ndodhur brenda shtëpisë, vajza ka kaluar pragun e derës, por në dhomë ka vënë re një person, të cilin ajo nuk e njihte. Sipas saj, ky person kishte trup mesatar dhe në dorë mbante një thikë. Nga frika, vajza është larguar me vrap, duke hipur në ashensor dhe duke zbritur poshtë pallatit. Ndërkohë, teksa ka zbritur, në katin e parë, në cepin e pallatit ka parë dhe një person të dytë, i cili pasi ka mbajtur për disa minuta në vëzhgim vajzën, është larguar në drejtim të paditur.

Konstatimi i vjedhjes

Pas disa minutash, vajza minorene ka njoftuar disa të afërm të saj, por edhe të ëmën e cila në ato momente ishte në punë. Sapo ka marrë vesh lajmin, shtetasja Afërdita Lezi është drejtuar menjëherë në apartamentin e saj, ku jetonte përkohësisht me qira dhe ka konstatuar mungesën e 55 milionë lekëve. Siç edhe ka dëshmuar në polici, ajo ka filluar të bërtasë duke u përlotur, ndërkohë që me shpejtësi i është drejtuar policisë së Tiranës, ku ka bërë denoncimin e grabitjes. Sipas Afërdita Lezit, në banesë mendohet se kanë hyrë disa persona, ndërkohë që në total ata kanë qenë 6 veta, ku disa ndodheshin jashtë pallatit, ndërsa disa të tjerë brenda tij. Lezi u ka treguar efektivëve të policisë se paratë i kishte marrë nga banka dhe i kishte strehuar me një karton në një ambient të shtëpisë. Nëna e dy fëmijëve tregon se dikush brenda rrethit familjar ose shoqëror mendohet se ka hyrë në banesë dhe ka marrë shumën e lekëve, pasi mund të ketë pasur dijeni për vendndodhjen e tyre në banesë. Pritet që shuma prej 55 milionë lekë të vjetra t’i jepej shumë shpejt një personi në Tiranë, i cili kishte nxjerrë në shitje apartamentin e tij në zonën e “21 Dhjetorit”. Tashmë, familja e minatorit të vrarë në galeritë e minierës së Bulqizës ka mbetur në qiell të hapur pasi tashmë s’ka mundësi financiare të paguajë edhe qiranë e banesës që kishte marrë përkohësisht me qira, në zonën e Yzberishtit. Afërdita Lezi së bashku me vajzën e saj e cila ka arritur të shohë dy nga grabitësit ka denoncuar në polici ngjarjen, duke kërkuar arrestimin e autorëve dhe kthimin e parave. Mirëpo pavarësisht hetimeve lidhur me këtë grabitje asnjë person nuk është arrestuar nga policia e kryeqytetit.

10 të shoqëruar

Pas denoncimit në polici, efektivat e komisariatit nr. 6 në Tiranë, kanë bërë shoqërimin e 10 personave, të cilët pasi janë marrë në pyetje dhe u janë stampuar shenjat e gishtërinjve, janë lënë sërish të lirë. Të gjithë personat e shoqëruar, janë parë dhe nga vajza e vogël e familjes Lezi, e cila ka treguar në polici se kishte parë një person brenda në shtëpi dhe një tjetër poshtë pallatit. Burime pranë policisë thanë se lidhur me këtë ngjarje në pyetje është marrë dhe vëllai, i shtetases Afërdita Lezi, i cili u ka treguar oficerëve të policisë disa persona, për të cilët ai mendonte se ata kishin lidhje me grabitjen. Aktualisht, policia ka dërguar në laborator disa gjurmë gishti të fiksuara në apartamentin ku janë grabitur, paratë e familjes Lezi, ndërkohë që sipas hetuesve një sërë veprimesh hetimore janë duke u kryer për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.

 

 

Aksidenti në shinat e trenit

Makina merret zvarrë nga lokomotiva, vdes

21-vjeçarja Ndoshaj, vëllai rëndë në spital

Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një aksidenti automobilistik të regjistruar gjatë mbrëmjes së djeshme në kryeqytet. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën “Jordan Misja”, ku treni i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës ka përplasur një automjet në të cilin udhëtonin dy persona të një familje, vëlla e motër dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme Kristjana Ndoshaj, 21 vjeçe, ndërsa Mikel Ndoshaj, 23 vjeç, i cili është transportuar menjëherë drejt spitalit për marrjen e ndihmës mjekësore, ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Mësohet se përplasja erdhi si rezultat i ngecjes së automjetit në shinat e trenit. Ndërkaq në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë së kryeqytetit, ku kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit tragjik, ndërsa ka shoqëruar në komisariat makinistin e trenit të linjës Tiranë – Durrës. Lidhur me këtë ngjarje, policia është duke verifikuar të gjitha veprimet e ndjekura nga ana e makinistit, për të mësuar se kush ka qenë fajtor në këtë aksident të rëndë. Dyshimet e para tregojnë se fajtor në aksident ka qenë drejtuesi i automjetit, i cili nuk ka respektuar të drejtën e përparësisë, duke kaluar mbi shinat e trenit. Në vendin ku ndodhi aksidenti nuk ka pasur asnjë tabelë apo trafikndarës, që mund të sinjalizonte ardhjen e trenit.

 

 

E shtyu të dashurën të vidhte kasafortën, arrestohet 22-vjeçari Ismail Xhindi

Policia e Durrësit ka arrestuar bashkëjetuesin e 18-vjeçares Fatma Baziu, pasi dyshohet se ai ka gisht në vjedhjen e 4 milionë lekëve dhe 88 mijë frangave zvicerane, në kasafortën që ndodhej në banesën e shtetasit Shkëlqim Baziu. Arrestimi i 22-vjeçarit Ismail Xhindi erdhi dy ditë pas ndalimit të së dashurës së tij, Fatma Baziu. Gjatë marrjes në pyetje në policinë e Durrësit, kjo e fundit ka pranuar se kishte qenë i dashuri i saj Ismail Xhindi, ai që i ka shtyrë për të vjedhur para në shtëpi, pasi nëse nuk merrte lekë ai do ta tradhtonte me vajza të tjera. Nisur nga kjo situatë, policia e Durrësit gjatë ditës së djeshme ka vendosur të arrestojë Xhindin, duke e akuzuar këtë të fundit si bashkëpunëtor në vjedhjen e parave në kasafortën e babait të së dashurës së tij, shtetases Fatma Baziu. Çifti Fatma Buziu dhe Ismail Xhindi duket se kanë shpenzuar pa kriter paratë e vjedhura për 6 muaj me radhë, derisa në datën 3 janar janë pikasur nga i ati i vajzës, Shkëlqim Buziu. Babai nuk e ka miratuar asnjëherë lidhjen e së bijës me 22-vjeçarin, por kur është përballur me faktin e largimit të saj në një apartament të përbashkët me Ismail Xhindin, nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të pohojë për rrethin shoqëror “se e ka fejuar vajzën”. Sipas tij, shuma e parave i përkiste hallës së vajzës, e cila ia kishte dërguar kohë pas kohe Shkëlqimit nga Zvicra, që ky t’ia ruante në kasafortë. Policia e Durrësit pas mesnatës së 5 janarit ka bërë të mundur arrestimin e 19-vjeçares, ndërsa i sekuestroi në cilësinë e provës materiale shumën prej 600 mijë lekë të reja.

 

 

 

Share it :