Refuzimi i LSI-së ndaj ftesës së Ramës, socialistët i përgjigjen me akuza

Gëzim Saliu

nasipPirro Lutaj dhe Erion Braçe i përgjigjen deputetit Naço me komente në rrjetet sociale

 

Pas kundërshtisë së hapur të Lëvizjes Socialiste për Integrim ndaj ftesës së kreut të PS-së Edi Rama për t’u bashkuar me koalicionin opozitar në zgjedhjet e 2013-ës, deputetët socialistë i janë përgjigjur dje me akuza këtij refuzimi. Duke marrë shkas nga deklarata e deputetit të LSI-së Nasip Naço, i cili pohoi se forca ku ai bën pjesë nuk mund të bëjë koalicion me partitë që kanë lënë vendin jashtë Bashkimit Evropian, deputetët e PS-së nuk kanë nguruar të shprehin kritikat dhe akuzat e tyre. Anëtari i kryesisë Erion Braçe dhe deputeti socialist Pirro Lutaj e kanë komentuar me nota negative reagimin e Naços në rrjetin social Facebook, ku si reference ata kanë marrë komentet e ndryshme rreth deklaratës së deputetit të LSI-së të bëra në një media pranë opozitës.

 

Reagimet

“Ju lutem lexoni çfarë thotë Nasipi, por ju lutem akoma më shumë, lexoni edhe se çfarë thonë për Nasipin dhe “nënën e tij”, L- esh edhe L- I- në!”, – shprehej në reagimin e tij deputeti Lutaj, duke paraqitur në rrjetin social një sërë komentesh ndaj deklaratës së deputetit të LSI-së. Në këto komente të përzgjedhura nga deputeti socialist, nuk mungonin akuzat dhe fyerjet ndaj vetë deputetit Naço dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Kur flet dhe ky ore… po ku merr vesh ky nga politika, ky di vetëm të vjedhë si pjesë e bandës së LSI-së. Në fakt mirë e ka… larg nga PS-ja se kjo racë s’ka çfarë i duhet kujt. Kur të dalin vetëm do shohin sa i vlen lëkura. Po ku ikin këta nga Sala, ia panë hajrin katër vjet”, – pohonte një komentues. Ndërkohë, një tjetër shkoi edhe më tej duke akuzuar deputetin e LSI-së si të korruptuar. “Bën mirë që deklaron mosaleancën me PS-në, sepse aleanca juaj me PS-në do të ishte një krim politik edhe pse Rama ju toleron!” Në të njëjtën formë, edhe nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erion Braçe bëri të ditur kundërshtinë e tij ndaj deklaratës së deputetit Naço. Nga ana tjetër në përgjigje të një komentuesi, i cili theksonte: “Ato komentet aty, thuhet se i administron Vilajet Qyrku dhe banda e tij në PS, kështu që nuk janë referencë. Lajm përbën deklarata e një drejtuesi të lartë të LSI-së e jo komentet e lexuesve-komentues”, Braçe do të përgjigjej duke theksuar: “Ha ha ha! Rrofsh…….! Nuk ta marrim, ta mbash e ti mbani me gjithë blloqe dhe hajdutët e përgjithshëm (drejtorët e përgjithshëm) që ju keni dhënë”. Po ashtu, pjesë e këtij debati online është bërë edhe ish-nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, e cila ka cilësuar deklaratën e deputetit të LSI-së si pa vlera. “Z. Nasip thotë se LSI në zgjedhje do të dalë vetëm, sepse PS e la jashtë Evropës dhe të provojë veten e saj. Këto dy opsione kundërshtojnë njëra-tjetrën. Nëse z. Naço si politikan mendon se LSI duhet të provojë veten, ndaj duhet në zgjedhje të garojë e vetme, tregon shumë për z. Naço, për ta njohur të gjithë ata që njohin dhe dinë se sa vlerë politike ka ky deklarim. Zero!!”, – theksoi Subashi. Dy ditë më parë, deputeti i LSI-së në qarkun e Beratit Nasip Naço deklaroi se forca ku ai bën pjesë nuk mund të bëjë koalicion me Partinë Socialiste, e cila, theksoi ai, e la vendin jashtë Bashkimit Evropian. “Ne ose unë personalisht, si sekretar politik për Qarkun e Beratit, jam i bindur se LSI duhet të hyjë e vetme në zgjedhje. Ne nuk kemi bërë llogari numrash duke hyrë edhe të vetëm, pasi po të jetë për llogari numrash na intereson të bëjmë koalicion me PD-në ose PS-në. Ne duhet të hyjmë të vetëm për të parë dhe për t’u ballafaquar me elektoratin, për të bërë një analizë 4-vjeçare se çfarë kemi bërë dhe çfarë presin qytetarët nga ne. Pastaj janë forumet që vendosin nëse duhet të bëjmë koalicione të tjera. Por unë e kam të pamundur të bëj koalicion me parti që nuk voton ligjet themelore dhe na lënë jashtë BE-së”, – u shpreh Naço.

 

Ftesa e Ramës, FRD: Nuk bashkohemi me PS-në

Pas refuzimit të dy ditëve më parë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dje ka ardhur përgjigja negative edhe nga ana e Frymës së Re Demokratike ndaj ftesës së kreut socialist Edi Rama për një front të gjerë opozitar. Nënkryetari i FRD-së, Aleksandër Biberaj, deklaroi se forca politike që ai përfaqëson nuk do të hyjë në koalicion në zgjedhjet e 23 qershorit me LSI, PS dhe as PD. “Lidhur me koalicionet që do sjellin aleancat ne e kemi konstant qëndrimin tonë. Ne nuk do të bëjmë koalicion as me PD, as me PS, as me LSI, ndërkohë që jemi të hapur për partitë e tjera të djathta dhe të qendrës së djathtë. Kjo lidhur me koalicionin. Lidhur pastaj me idenë e një fronti të gjerë opozitar për mbarëvajtjen e procesit të votimit, për mbrojtjen e votës është një ide që do të diskutohet në momentin e duhur, pasi jemi shumë shpejt”, – u shpreh nënkryetar i FRD-së. Në këtë kontekst, Biberaj theksoi se është ende herët për të folur për koalicionet pas 23 qershorit, por sipas tij kërkesat e Frymës së Re Demokratike do të varen nga mandatet që ajo do të marrë. “Ne shpresojmë, besojmë dhe përpunojmë 24 orë në mënyrë që të jemi forcë kryesore politike në Shqipëri. Natyrisht në funksion të numrit të mandateve pastaj ne do të kemi kërkesat tona. Nuk përjashtohet mundësia që të drejtojmë dhe qeverinë pas 23 qershorit”, – pohoi nënkryetari i Frymës së Re Demokratike Aleksandër Biberaj. Këtë qëndrim e shprehu edhe kreu i FRD-së Bamir Topi dhe nënkryetari Gazmend Oketa në një takim të zhvilluar pasditen e djeshme në qytetin e Krujës, ku kjo forcë politike nisi komunikimin e hapur me qytetarët. “Ekonomia dhe mirëqenia e qytetarit, është përparësia e FRD-së. Kruja është një frymëzim për çështjen kombëtare, kjo çështje përbën një tjetër përparësi për FRD-në. Ndërkohë që deputeti Oketa pohoi: “FRD do të bëjë koalicion mbi bazën e vlerave të qytetarëve”.
             Mospagesa e taksave të makinës, PS, letër Drejtorisë së Transportit Rrugor

Pas publikimit në media të emrave të politikanëve që nuk kanë shlyer taksat vjetore të makinave për vitin e kaluar, Partia Socialiste i ka nisur një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë, për të marrë informacion të plotë se cilët deputetë të opozitës janë debitorë. Sekretar i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, ka qenë ai i cili ka nisur kërkesën drejtorit të kësaj drejtorie Arben Pinari, ku nënvizohet: “E bëjmë këtë kërkesë sepse nga verifikimet tona paraprake na rezulton se në listën e publikuar në media, ka pasaktësi serioze”. Pak ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor publikoi listën e debitorëve, ku në të bënin pjesë një numër i konsiderueshëm politikanësh. Duke filluar që nga Presidenti e Kryeparlamentarja, lista vazhdonte me ministra e deputetë, ku ndër ta nga Partia Socialiste ishin emrat e Fatmir Xhafajt, Damian Gjiknurit, Erion Braçes, Arben Ahmetajt, Arben Isarajt, Tom Doshit etj. E ndërsa në krye të listës renditej emri i deputetit Eduard Shalsi, që sipas të dhënave të Drejtorisë së Transportit Rrugor, nuk i paguan taksat për automjetin e tij që prej vitit 2003. Ndërkohë, nga demokratët në listë ishin përfshirë emrat e Mesila Dodës, Florion Mimës, Kosta Barkës, Arenca Trashanit etj.

 

“Pyet ambasadorin”, Arvizu sot dy orë online me qytetarët

 

Ambasada Amerikane në Tirane njoftoi dje nisjen e një programi të ri, të titulluar “Pyet ambasadorin”, ku në qendër të së cilit do të vendoset bashkëbisedimi mes kryediplomatit amerikan dhe qytetarëve. “Nesër, në 8 janar, nga ora 15:00 deri në orën 17:00, ambasadori Alexander A. Arvizu do t’u përgjigjet pyetjeve tuaja në një chat direkt online. Ne e dimë që do të ketë shumë interes për këtë program, prandaj ju lutemi kini parasysh që mbase koha nuk do të mjaftojë për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve që do të bëhen. Megjithatë, ambasadori është angazhuar që ta zhvillojë këtë program çdo muaj, kështu që ju do të keni sërish mundësi për t’i ripostuar sërish ato. Ndaj, bëni gati pyetjet tuaja dhe postojini në murin e faqes sonë nesër (sot), në orën 15:00!”, – theksoi ambasada amerikane në njoftimin e saj.

 

 

Milo: Rama të mos i lutet më LSI-së, përcjell mesazh negativ tek elektorati

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, e cilëson si të tepruar dhe me efekte negative ftesën e ripërsëritur të kryesocialistit Edi Rama ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim në kuadër të bashkimit në një koalicion të përbashkët për zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas Milos, përsëritja e shpeshtë e ftesës jep një mesazh negativ në elektorat, pasi dëshmon se diçka nuk shkon brenda kampit të majtë. “Mjafton që aktorët politik të organizohen, të mbështeten në forcat e tyre, të bëjnë thirrjen. Por, nëse thirrja përsëritet disa herë atëherë e tejkalon masën, madje e kapërcen edhe mesazhin që do të japësh për bashkim. Të duket më shumë sikur u lutesh sesa i bën një thirrje që në emër të interesit të përbashkët opozitar të bashkohemi. Ata kanë një platformë tjetër politike për të bashkëpunuar në koalicion me dikë tjetër ose presin të rrisin çmimin e pazarit të tyre politik”, – deklaroi Milo në një prononcim për “News 24”. Nga ana tjetër, kreu i PSD-së sqaroi se forca që ai drejton nuk është kundër aleancës me LSI-në, por më parë sipas tij duhet të zgjidhet çështja me brenda koalicionit për të krijuar një frymë më të gjerë opozitare.

 

 

 

Share it :