Matura 2013, mënyra si do të bëhet plotësimi i formularëve

Driçim Çaka

marantJo zgjedhjes së 2 gjuhëve të huaja

Si do të veprohet me kandidatët e viteve të mëparshme

 

Matura Shtetërore 2013 do t’i gjejë maturantët me disa ndryshime kryesore në krahasim me vitet e kaluara. Ndryshimi i parë do të ketë të bëjë më mënyrën e plotësimit të formularit A1 dhe A1Z. Të dy këta formularë, sipas Ministrisë së Arsimit, do të plotësohen online. Maturantët do të kenë mundësinë të zgjedhin lëndët nëpërmjet një programi që u lejon atyre zgjedhjen e lëndëve shumë më lehtë se në vitet e kaluara. Siç bëhet e ditur nga MASH-i, lëndët me zgjedhje nuk do të jenë më shumë se 2 kur vetëm një vit më parë kur u eksperimentua procesi me 3 lëndë me zgjedhje. Shuma e krediteve duhet të jetë jo më pak se 8 duke përfshirë dhe zgjedhjen e një gjuhe të huaj. Pas formularit A1 dhe A1Z, edhe formulari A2 dhe A3 do të plotësohen online. Suksesi i arritur gjatë vitit 2012 dhe dalja e rezultateve në një kohë rekord ka bërë që institucionet e arsimit të jenë të bindur për një sistem krejtësisht të kontrolluar nga programet kompjuterike.

 

Vetëm një gjuhë e huaj

 

Vitin e kaluar, çdo maturant kishte të drejtë të zgjidhte dy gjuhë të huaja me kushtin që njëra të llogaritej si gjuhë e parë dhe tjetra si gjuhë e dytë. Kjo zgjedhje pritet të mos lejohet nga rregullorja e re e maturës. Zyrtarë të MASH-it theksojnë se çdo maturantë do të zgjedhë një gjuhë të huaj ose gjuhë të huaj të parë ose gjuhë të huaj të dytë. Rregullorja e re do të përcaktojë qartë se përveç një gjuhe të huaj është e detyruar edhe zgjedhja e një lënde tjetër. Kjo do të thotë që nëse një maturantë zgjedh si gjuhë të huaj të parë anglishten atëherë lënda e dytë me zgjedhje do të jetë nga profile që kandidati do të konkurrojë për në shkollën e lartë.

 

Kandidatët e viteve të kaluara

 

Për kandidatët që kanë zgjedhur tri provime me zgjedhje një vit më parë dhe kanë mbetur në një provim do të mund të zgjedhin 1 lëndë tjetër nga tabela e lëndëve me zgjedhje. Edhe kandidatët që kanë mbetur në 2 provime në vitin e kaluar përsëri do të zgjedhin një tjetër lëndë më zgjedhje. Ndërsa kandidatët që kanë mbetur në të 3 provimet me zgjedhje do të mund ti rizgjedhin përsëri lëndët. Për kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2006 do t’ju njihen vetëm provimet e detyruara.

 

Përsëri me tri faza

 

Ashtu si në vitet e fundit edhe për maturën 2013 do të ketë tri faza të konkurrimit për në universitete. Faza e parë do të jenë fituesit paraprak që dalin jo më vonë se 10 shtatori. Faza e dytë do të jenë fituesit përfundimtarë të cilën do të përzgjidhen pas rifreskimit të kuotave të mbetura bosh gjatë fazës së parë. Pas 2 fazave të para konkurrimi në shkollën e lartë do të mbyllet me formularin A3, i cili përsëri do të jetë shpresa e fundit për maturantët.

 

 Çdo maturant do të zgjedhë një gjuhë të huaj ose gjuhë të huaj të parë ose gjuhë të huaj të dytë. Rregullorja e re do të përcaktojë qartë se është e detyruar zgjedhja e një lënde tjetër

 

 

 

Deti futet 3 km drejt tokës

Bregdeti i Durrësit çdo vit tkurret, rrezikohen pyjet e fshatrat turistikë

  Artur Ajazi

 

Bregdeti i Durrësit çdo vit po tkurret dhe po mbulohet frikshëm nga deti, i cili nuk po kursen territore nga fshatrat turistike dhe pyjet ende të virgjër. Plazhi i Rrushkullit, një pjesë e Gjirit të Lalëzit, Hamallaj dhe shumë zona të tjera të mbrojtura turistike kanë vite që kanë pësuar ndryshime gjeografike. Specialistët e bujqësisë, tokave dhe turizmit në Prefekturën e Durrësit deklaruan për “Standard” se “çdo vit deti ka avancuar në drejtim të tokës në bregdetin e Durrësit frikshëm, duke gllabëruar sipërfaqe ranore dhe pyjore, ku si rezultat i gërryerjeve dhe avancimit të detit në thellësi të terrenit, nga statistikat e komunave dhe bashkive respektive del se nga harta tokësore janë hequr si inventar 63 ha tokë”. Sipas një studimi “kjo situatë ka sjellë që brezi i parë dhe i dytë i bunkerëve të betonit të mbetur nga koha e diktaturës, i quajtur si “rajoni mbrojtës” ndërtuar në vitet ‘70, janë zhytur drejt detit”. Gjatë 20 viteve të fundit, deti ka hyrë në thellësi në një distancë prej afro 3 km, duke nisur nga plazhi i Rrushkullit deri në grykëderdhje të lumit Erzen dhe po prek me shpejtësi zona të tjera nga bregdeti”. Në thellësi të zonës së përmbytur, ndodhet edhe një repart ushtarak i tankeve me poligonin stërvitor ku zhvilloheshin qitjet luftarake, shumë banorë kioskat e tyre i kanë zhvendosur pothuajse çdo vit, duke iu shmangur avancimit të detit me nga 200 – 250 metra. Shefi i sektorit të Policisë Pyjore në Prefekturë Haxhi Bici tha se “vetëm në distancën e një viti deti ka avancuar rreth 20 metra thellësi drejt tokës,në një shtrirje gjerësore në bregdet afro 3 km gjatësi duke filluar që nga grykëderdhja e lumit Erzen e deri në një zonë të Rrushkullit, për ketë arsye tashmë nga inventari i tokës janë hequr nga harta rreth 63 ha tokë, e cila nuk ekziston”. Gërryerje ka edhe në zona të tjera të vendit, por se zona e Rrushkullit është ndër më të rrezikuarat, por ky fenomen ndodh në këtë terren pasi niveli i tokës është i përafërt me nivelin e detit dhe strukturat e dherave nuk përbëhen nga zonë shkëmbore dhe kjo e dëmton atë. Specialistët e tokës dhe turizmit duke shprehur shqetësimin e tyre thonë se “urgjentisht nevojitet një brez mbrojtës, gjë e cila është eksperimentuar nga një shoqëri private në veri të zonës dhe që ka arritur të mbrojë një pjesë të mirë të terrenit bregdetar me pyje”. Për krijimin e kontureve të hartës së re bregdetare është përdorur harta e vjetër ushtarake e vitit 1978, por edhe fotot e vitit 2012, janë bërë matjet nga specialistët edhe matjet në terren me metër shirit dhe nga tërësia e të gjitha këtyre veprimeve ka rezultuar se territori i gërryer është rreth 63.3 ha terren bregdetar. Parashikimet janë të frikshme kur mendojnë se pas 3-4 vitet, deti mund të avancojë edhe më shumë drejt tokës, duke u nisur edhe nga ngrohja globale, duke futur drejt tij sërish toka në bregdet.

 

 

 

 

25 mijë udhëtarë drejt Italisë me tragete

Rritet bilanci i lëvizjeve me tragete për pasagjerë dhe automjete

 Artur Ajazi

 

Nga porti më i madh i vendit statistikat tregojnë për rritje të bilancit të lëvizjeve me tragete drejt Italisë të pasagjerëve dhe automjeteve. Kështu, sipas burimeve portuale, qysh nga 1 janari deri dje, afro 25 mijë udhëtarë janë nisur nga Durrësi me tragete drejt Italisë. Pjesa më e madhe e tyre janë bashkatdhetarë, të cilët po rikthehen pas festave të fundvitit në vendet e Evropës perëndimore ku jetojnë dhe punojnë prej vitesh. Sipas të dhënave të Autoritetit Portual, gjatë 9 ditëve të para të vitit janë nisur me tragete drejt porteve të Barit, Ankonës dhe Triestes 24.704 udhëtarë me 5.644 autovetura gjithsej.

Vetëm të shtunën e kaluar, dita më e ngarkuar e vitit 2013, tragetet janë shfrytëzuar nga 6.198 udhëtarë me 1396 automjete gjithsej. Sipas të dhënave paraprake të agjencive edhe sot në mbrëmje drejt portit të Barit do të lundrojnë katër tragete, të cilat pritet të transportojnë drejt Italisë mbi 2500 udhëtarë. Përveç një nate me mot të keq dhe det të trazuar, që detyroi shtyrjen e lundrimit të trageteve me disa orë, bashkëpunimi mes Forcave të Sigurisë Portuale, atyre të Policisë së Kufirit, Doganës dhe Kapitenerisë kanë mundësuar lëvizjen normale të udhëtarëve dhe mjeteve lundruese. Një pjesë e bashkatdhetarëve pas mbërritjes në portet italiane vijojnë më tej udhëtimin me automjete ose trena drejt qyteteve të Evropës ku punojnë dhe jetojnë.

 

 

Share it :