1953/ Letra e Mustafa Krujës, pse shqiptarët nuk janë perëndimore, por bizantinë, serbë e turq

mustafa kruja Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete politikës e të kulturës. Pas çështjeve politike, të organizimit të partive në emigrim, letrat e Krujës shkojnë edhe në një dimension kulturor, siç është diskutimi me Zef V. Nekajn ku duhet shënuar se ky ishte studiues, dhe personalitet i letrave shqipe, i njohur me botimet e artikuj shkencore, të shkruar në të shumtën e herëve me pseudonime. Polemist mbi të vërtetën, në këtë frymë Nekaj argumenton në histori e gjuhë në letrat e rralla që ka pasur me Mustafa Krujën, të dy në vitet ‘50 në emigrim.

Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

***     

    Ramleh, 24. V. 1953

            I dashuni Zef,

Njimênd vonove me m’u përgjegjun, por s’paske pasun faj e m’a ke lamë pritjen e gjatë me kamatë. Të falem nderës fort e fort. Isha në kujdes vetëm se nuk dijsha a ju kishin ramë në dorë si tý si Ndoit dý letrat e gjata, njâna me lândë historike e tjera gjuhore. Për këtê të fundit u qetova, por për të parën, të drejtueme Ndoit nuk dij gjâ ende.

S’prish aspak punë qi më ke dërguem sorrën në vênd të corkës (Corka âsht edhe emn’i familjes s’ime âmë e në shumës quhen Corkij-t), se kush âsht unshëm thotë faleminderës edhe për sorrën. Gjithçka i përket historisë e gjuhës s’onë për mue âsht ar. Mjerisht prej Bariqit s’më ka ramë kurrgjâ në dorë posë citatash të paka prej tjerësh. E ky artikull i tij âsht mjaft i interesueshëm. Vërte, si po thue edhe ti vetë, përkthimi në disa vise âsht mjaft i errët. Athue do të kishte mundsí me pasun edhe nji kopje t’origjinalit? Un, sërbishten qi e pata nxanë në 1923, tash bitse e kam harruem krejt mâ; por me fjaluer besoj se mundem me decifruem çdo shkrim të lândës s’eme.

 

Kunorës së Malevet

I hodha nji sŷ e po të them, pa përjashtuem as bashkpuntorin t’ând, ju lumtë! Vetë ideja, pikë mâ së pari, e përkthimit t’asaj vepre âsht për t’u lavduem. Na, para veprave të perëndimit duhet të njohim kryeveprat e fqîje t’anë me të cilët kemi përziem gjak e zakone gjatë shekujsh. Na intelektualët shqiptarë duem të priremi, për shumë arsye e shumë të forta, kah Perëndimi, tue tërhjekun, merret vesht vetiu, edhe popullin me vete. Por, ofshê, sendërtija (realiteti) âsht krejt nji tjetër: populli shqiptar, prej thojve të kâmbet deri te flokët e kresë, âsht krejt i thjesht linduer! Historij’e tij âsht fund e krye lindore: byzantine, sërbe (e pak madje edhe bullgare) e tyrke. Perëndimi veçsa na ka përflakun. Njimênd feja e Krishtit hŷni ndër ne qyshë prej së parës qindvjetë, por mbasandej edhe kjo u dá në perëndimore e lindore e, nëse Roma na sundoi vetëm nji shekull tue pasun për fê zyrtare krishteninë, mbrapa i ramë për pjesë Lindjes e kjo, edhe sa vazhdoi krishtenija e padame, qe Lindje se Lindje! E, desha me thânë, edhe na qi mbahemi jo veç me lakmuem Perëndimin, por madje edhe me qênë hasmi perëndimorë, të gërmojmë nji grimë mâ thellë në shpirtin t’onë e sidomos t’a njohim mirë historinë e popullit t’onë për mos me u larguem tepër prej tij tue vrapuem kah Perëndimi, se qe besa jemi në short me u bâmë nji ditë qi as ai neve mos me na njohun mâ!

Zoti t’a prûftë mbarë nji botim të dytë të Kunorës, e, sa për vete, po t’a premtoj ndihmën t’eme pa m’a lypun, po pate nevojë për tê. Un jam fare profan në poesí, por për sa i përket gjuhës ndoshta mund të vjyej ndopak. Shantoja i ngratë të gjitha përkthimet e tija m’i ka pasë dërguem me i kqyrë para se t’u epte dorën e mbrame. Kemi pasë bâmë nji luftë të madhe me tê për kênë a qênë! “E pse qênë”, thonte, “A se kështu thotë Xhemal Bushati? (si prototyp i muslimanit shkodrân). Mezi i u mbush mêndja kur, bashkë me argumentat shkencorë, i diftova se edhe ndër 12 bajrakët, të tânë katholiq, thuhej qânë e jo kânë.

Nji ditë pat ardhun e më kallzuem Z. Qoraliu se kishte marrë nji letër prej nji miku të tij italjan, ku ndër tjera i shkruhej se “nji Shqiptar i quejtun Ndue Gjomarkaj” kishte dhânë nji konferencë në akç katund të Firences, në selí të demokristjanvet. Ky lajm më qe dukun atëherë si nji gjâ e gjâzë (a kash’e lashë, si thonë Shkodranët). Tash letra e jote më ndihmoi qyshë në krye për t’a zgidhun kët’enigëm. Duket se, si ti, edhe Ndoi paska pasë dalë me bâmë nji vallim propagande antikomuniste. Zoti ju pastë ndihmuem për me hjekun ndonji ashkël ndër rradaket e komunistavet italjanë!

Tue kënduem rishtas letrën t’ânde tash qi po i përgjigjem, po shoh se aty sipër, ku fola për nji botim të ri e të qërtuem të Kunorës, paskam marrë nji gjâ për nji tjetër: ti më paske folë për përgjegje nji kritike. Nuk dij nga më paska pasë hŷmë në krye ajo idej’e nji botimi të dytë (athuese janë aqë të lehta botimet e libravet sod për neve!) Athue më ke pasë folë për nji mendim të këtilë në letrën e parë? Sido qoftë, kritikat duhet të na trimnojnë për me punuem mâ tepër e jo të na ligshtojnë. Âsht për të na ardhun keq kur s’na përfill kush me na kënduem e jo kur na ep provën se na ka studjuem. Mbaj mênd se miku i ynë Koliqi i ka pasë qênë përgjegjun nji kritike të P. Cordignanos për novelat e tija jo me gjakftohsin’e perëndimorit, por me zëmrimin gjakmarrës të Shqiptarit. E mâ zi P. Gjergj Fishta nji kritike të P. Zef Valentinit. Un mezi qi po pres qi ndokush të denjohet me m’i bâmë ndonji kritikë Abetarit të të Mërguemit për me më dhânë shkas qi të hŷjë pak mâ thellë në ndonji problemë gjuhe se aqë sa kam mujtun të flas n’atë libër të vogël.

Tue marrë shkas nga bisedim’i ynë rreth vendimeve të Prishtinës, po të diftoj disa rregulla gramatikore qi un ndjek për të drejta:

1) Kur bisedojsha nji herë me ambashatorin austrijak Kral-in mbi gjuhën t’onë (qi ai e ka pasë nxânë mjaft mirë kur ka qênë konsull në Shkodër) e i thashë se shqipja ishte shumë mâ e pasun se gjermanishtja për mënyrat foljore, më qyri me nji buzqeshje ironike e më lypi, me nji shqeptiqizëm të plotë, provat e pohimit t’em. Por kur i a dhashë këto, i lëshoi armët burrnisht. Nji prej krahasimevet qi i bâna ndërmjet dý gjuhvet qe mënyr’e jonë qi më duket se gramatikorët e kanë quejtun të papandyeme (-pandehun) e qi âsht: paskam, qênkam, ardhkam, shkuekam, ndiekam et. et. Kjo mënyrë, me atë kuptim qi i ep dum çdo Shqiptar pa nevojë tfillimesh të gjata, s’âsht kurrgjâ tjetër në strukturën e saj veçse kam+pas-un, kam+qên-ë, kam+ardh-un, kam+shkue-m, kam+ndie-m et.et., anasjelltas. E kur të dihet kjo rregull kaq’e thjeshtë, s’ka nevojë me u lodhun aspak për me gjetun trajtën e drejtë. Kjo mënyrë ka edhe imperfektin: pasksha (për pas+kisha, ku i-ja bie për arsye theksimi; por me nji të shmângun të vogël prej fonetikës së zakonshme, mund të mbahet fare mirë edhe kjo formë fillestare), qênkisha et.et.

 

       2) më, të, i, na, ju (jo, kurrë, u djalektuer), u; m’a, t’a, i a (fonetikisht ja, formë mâ e lehtë për nxânsat e fillorevet, e ndoshta do t’ishte mirë të hŷnte në përdorim përgjithsisht kjo formë mesatare: ia), na a (ase na e), ju a, u a (analogjisht me i a = ia = ja, edhe kjo në disa vise të Gegnisë bâhet va, e un tash vonë e kam bâmë t’emen, se shumë mâ e âmbël se u a = ua; nuk duhet me e përziem këtê të fundit me dyzânoren e tosknishtes ua, geg. ue, se këtu âsht u-ja e theksueme ndërsa atje âsht a – ja). E pakurrfarnevojshme me shkruem ma, ta, et.

  3) ……. i im, t’im (gabimisht, por mbarë Gegnija e ka kthye në t’em, ndërsa emnoren gegnisht’e poshtër e ka mbajtun, si tosknishtja, me formën fillestare im); i yt, t’yt, t’ând (t’at); e jote (me j eufonike, për e ote), s’ate (ndoshta mâ drejt s’ote, por nuk dij a përdoret kund në popull kjo formë; n’e dish t’i shkruejmë), t’ate (ndoshta t’ote); i atij, t’atij, (librin) e atij; i ynë, t’ynë, (akusativja a… “kallzorja” – të thojshin nemose kallzimtarja! – sod në Gegní bâhet t’onë, por heret duket se ka qênë t’ânë, se tosk. e ka t’ênë edhe na kemi tënzot, për Zotin t’ênë); e jonë, s’onë, t’onë (v. e jote); i atyne, t’atyne, … e atyne. Nuk po zgjatem mâ edhe me shumsin. Pra me shkruem i im a i em damas, siç duhet, e mbrapa tim a tem; i yt e mbandej tyt e tând; e jote dhe sate, tate; i atij dhe tatij; i ynë dhe tynë; e jonë dhe sonë, tonë; i atyne dhe tàtyne ngjitas ngjitas, e mâ zi disa prej këtyne damas e do tjera ngjitas, âsht punë vetëm për asish qi s’kanë pamë shkollë me sŷ.

   4) m’u (dha), t’u, i u (ju, iu: v.2), na u, ja u, vu (për u u): v. edhe 2.

S’ka dyshim qi forma do të…. e s’ardhëshmes (përtardhëshmes) âsht ajo qi bashkon mâ së miri dý djalektet kryesore të shqipes. (Do, këtu âsht verbi due: edhe englishtja përtardhëshmen e bân me këtë verb e gjermanishtja ka nji përtardhëshme të shpejtë, t’afër po me këtê). Kam me …. âsht e drejtë qi i ka të dý kuptimet, të cilat fonetika i dallon me theksimin e frasës: kam me hângër = kam ça me hângër; por kam me hângër = do të ha. Me gjithë këtê, jo për dý kuptimet e ndryshme, qi âsht gjâ e zakonshme për mâ të shumtën e fjalvet e të ligjëresavet (locuzione) në çdo gjuhë (me pasun mâ se nji kuptim), por për unjisimin e shqipes, âsht e drejtë qi në gjuhën kombtare kam me …mos të përdoret, mbasi tosknishtja s’ka me për infinitin. Duhet t’a mbajmë, veç, për kuptime tjera, ndër të cilat âsht edhe nji qi tregon nevojë a detyrim.

Paragraf’e fundit po më kujton diça tjetër. Kushedi sa herë do të t’a ketë vramë veshin edhe tý ligjëresa kushtore qi Juga i ka vjedhun Veriut e mâ vonë kthyem me kuptim të gabuem: me qênë se… Infiniti me qênë âsht gegnisht, pa dyshim, se tosknishtja s’e ka. Në Krujë, kur i thue kuj nji gjâ qi i pëlqen, por për të cilën âsht shqeptik, të përgjigjet: Me qênë! = Ah, sikur t’ishte, sikur të bâhej, ku me e marrë! Mbasandej: Me qênë se = në qoftë se, po të jetë se. Mirpo Juga ksaj i ka dhânë kuptim shkaktuer, mbasi, tue qênë se; e tue bâmë nji çorbë me atê edhe këtê të fundit, thotë edhe tuk me qênë se. E tash, jo veç në gojë të jugorvet, por edhe të verijorvet t’a ndien veshi or’e ças me qênë se me kuptimin shkaktuer qi s’e ka veçse për nji gabim të jugorvet qi s’e kanë marrë vesht mirë kur e kanë ndiem së pari prej Gegës. Ç’thue ti?

(letra vijon neser)

Share it :