Florenc Drizari
“Kush mashtron për vota, nuk mund t’i gëzohet pushtetit”
“Protesta popullore do të pasohet nga protesta të tjera të fuqishme, derisa Kryeministri të marrë përgjegjësitë”
Opozita e bashkuar protestoi dje në sheshin “Skënderbej” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet. Mijëra qytetarë iu bashkuan thirrjeve të opozitës për të kujtuar 23-vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në 20 shkurtin e 1991-shit, si dhe për t’i rikujtuar qeverisjes aktuale mbajtjen e premtimeve të bëra më 23 qershor të vitit të kaluar. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, paralajmëroi krerët e mazhorancës se nëse nuk do t’u qëndrojnë premtimeve të tyre, opozita do të zbresë sërish në sheshet e vendit dhe jo më për t’i kujtuar punën që duhet të bëjë, por do të kërkojë rrëzimin e saj.
Për Ramën
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha dje se protesta popullore si ajo e djeshmja do të pësohet nga të tjera marshime në shesh, nëse, sipas tij, Kryeministri nuk do t’u qëndrojë premtimeve të tij.
“Protesta popullore do të pasohet nga protesta të tjera të fuqishme, derisa kryeministri që ka grisur kontratën me zgjedhësit të marrë një për një përgjegjësitë e tij; Derisa votat e marra me premtime false të konsiderohen vota të blera në formën më të shëmtuar të korrupsionit politik, që duhet t’i kthehen mbrapsht sovranit. Derisa të ngulitet si ligj dhe normë e hekurt se kushdo që mashtron për vota nuk do t’i gëzohet e nuk mund t’i gëzohet pushtetit”, – theksoi Basha.
Gjithashtu kreu i PD-së, i quajti mashtrime premtimet e Ramës për legalizime falas, shëndetësi falas, ulje të çmimeve, për 300 mijë vende pune, për ulje të taksave, e tjerë e tjerë.
“Shikojini. Këto janë tullumbacet e premtim-mashtrimeve. Mungon njëra, mungon tullumbacja më e madhe e kohës, që është vetë Edi Rama me qeverinë e tij. Por ju e keni vetë parasysh. E kanë parasysh të gjithë shqiptarët. Çfarë emri ka politika e tij ekonomike që vetëm shkatërron pa mëshirë qindra mijëra vende punë, që nuk rrit rroga, nuk rrit pensione, por i ul ato ndërkohë që çmimet vetëm rriten, ai nuk rrit investimet dhe nuk rrit asgjë për njerëzit dhe qytetarët por vetëm shpenzimet qeveritare? Çfarë emri ka kjo qeverisje që i pakëson shanset e shqiptarëve, që i shton hallet e shqiptarëve, që e shtyn vendin drejt humnerës së recesionit, vetëm e shton pasigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve? Çfarë emri t’i vëmë? “Dështim” dëgjova dhe dështim është”, – deklaroi Basha.
Për 23-vjetorin e bustit
Duke folur për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, Basha tha se protestat e studentëve dhe krijimi i Partisë Demokratike hapën një rrugë të re për kombin.
“Në këtë marshim proteste të thirrur nga Partia Demokratike dhe opozita shqiptare, ne vijmë për të përkujtuar një ditë të shënuar me germa të arta në historinë e vendit tonë. 20 shkurti 1991, kur 23 vjet më parë, te rinjtë dhe te rejat, burrat dhe gratë e këtij vendi rrëzuan shtatoren e Enver Hoxhës personifikimin e shtypjes, izolimit, mjerimit dhe gënjeshtrës që mbante për 50 vite këtë vend nën thundër. Sot 23 vjet më pas, vendi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm. Ditë pas dite, shohim me shqetësim të madh si po kërcënohen, po cenohen, po tjetërsohen, po zhbëhen, po goditen e po shkelen me këmbë nga qeveria Rama-Meta vlera të mëdha, vlera të rëndësishme, vlera të shtrenjta që janë bërë pjesë organike të shqiptarëve të lirë gjatë këtyre viteve, vlera pa të cilat nuk ia vlen të jetohet e nuk mund të jetohet, siç janë liria, të drejtat, dinjiteti njerëzor e qytetar, shteti ligjor, vota e lirë, punësimi, zhvillimi, aspirata evropiane, vetë demokracia shqiptare”, – deklaroi kreu i PD-së. Pas fjalës së kryetarit Lulzim Basha, protestuesit u shpërndanë paqësisht nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Rama: Absurde t’i kërkosh qeverisë në këta pak muaj mbajtjen e të gjitha premtimeve
Kryeministri Edi Rama replikoi ashpër me përfaqësuesit e opozitës dje në Kuvendin e Shqipërisë, lidhur me protestën me rastin e 20 shkurtit dhe premtimet e pambajtura që pretendon pakica parlamentare. Kreu i qeverisë e cilësoi absurde kërkesën për t’i kërkuar ekzekutivit mbajtjen e të gjitha premtimeve të bëra në fushatën e elektorale të 23 qershorit dhe për këtë akuzoi krerët e ish-qeverisjes së djathë, për situatën e vështirë që, sipas tij, e lanë vendin.
Gjithashtu, Rama foli edhe për 21 Janarin, duke u propozuar demokratëve hetim të plotë me prokurorë të huaj. “Ka ardhur koha që duke filluar nga 21 Janari, që ju e keni për shumë zemër ta përmendni, të biem dakord që një prokuror i pavarur, i huaj, të vijë e të drejtojë hetimin e çështjes. Dhe ka ardhur koha që në qoftë se ju e keni kaq për zemër luftën ndaj korrupsionit, ta shtrimë këtë praktikë, që nuk është praktikë ekskluzive shqiptare, e kanë bërë edhe vende të tjera edhe më tej. Dhe pastaj le të shohim çfarë rezultatesh do të nxjerri një hetim real i bazuar jo në shpifje që ju i përdorni pa pushim për t’i kthyer në të vërteta të njohura botërisht të njohura dhe mbi to të ngrini akuza e të bëni gjyqe, por mbi prova dhe mbi fakte”, – deklaroi Rama nga Kuvendi i Shqipërisë.




