11 dhjetori, Strazimiri: Kuvendi do të mblidhet, çdo gjë është legjitime. Ja si do verifikohen firmat

Më 11 dhjetor do të mblidhet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike.

Kur na ndajnë vetëm 5 ditë, nga mbledhja, Ish-deputeti i PD-së Gent Strazimiri, në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, shprehet se tashmë pothuajse gjithçka është gati dhe po merren me organizimin e detajeve të vogla.

Ndërkohë ai ka pasur një përgjigje edhe për Gazment Bardhin dhe për Lulzim Bashën, duke thënë se përpjekja e tyre për të errësuar transparencën në lidhje me firmat ka dështuar.

Gent Strazimiri: Nga pikëpamja organizative ky kuvend nuk ndryshon nga Kuvendet e tjera. Jemi në fazën e organizimit të detajeve të vogla të ditës së Kuvendit, pjesëmarrjen e delegatëve, sistemimin e  tyre në sallë, mënyrën se si do të identifikohen.

Shqetësimi i të dhënave personale, i ID, sigurisht që nuk mund të liheshin në dorën e personave që janë kundër mbledhjes së Kuvendit. Ajo që po ndodh sot është se po verifikohen emra dhe mbiemrat e delegatëve dhe jo numrat personal në kartë. Besoj se kjo është mjaftueshme. Nëse ka persona që i është përdorur emri, ose siç pretendon tashmë ish-kryetari që i është marrë firma, jashtë vullnetit të tij, mund të dalë dhe mund të thotë të vërtetën.  Bardhi fillimisht tha që njerëzit nuk ekzistojnë, fillimisht thanë që përkrahja e kryetarit është 97% dhe vetëm 3%  janë kundër, pastaj thanë që firmat janë por nuk janë sjellë në mënyrë korrekte. Tashmë që është 70% e firmave dhe vazhdon mbledhja e tyre, do të jenë më shumë se ata që kanë firmosur. Unë e parashikoj diku te 80%. Çdo fjalë që thotë Bardhi dhe çdo përpjekje për të errësuar transparencën është  një përpjekje e dështuar.

Ndër të tjera ai thotë se Kuvendi që do të mbahet më 11 dhjetor është legjitim, ndërkohë ka shtuar se verifikimi i firmave të delegatëve do të behët në mënyrë elektronike.

Gent Strazimiri: Të thuash që firmat nuk janë statutore, janë ilegjitime, duhet të përshkruash nenin në statut që është shkelur duke mbledhur këto firma dhe duke i dërguar në selinë qendrore. Nëse nuk ka një nen të tillë do të thotë që është legjitim. Nëse do të ishte shkelur një nen, të jeni të bindur që Basha, Bardhi dhe cilido nga papagajt që dalin e papagallojnë do e kishin thënë. Verifikimin do e bëjmë në mënyrë elektronike, dhe askush nuk ja bën me sy aparatit.

Share it :