Ervin Kaduku
– Për vitin 2014, do të jetë i disponueshëm fondi me vlerë 2 milionë lekë, duke u rritur më pas në 4 milionë lekë në 2015-ën, 10 milionë lekë në 2016-ën dhe 9 milionë lekë në vitin 2017
Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin për krijimin e fondit në mbështetje të sipërmarrjeve të reja “Start-up” për një periudhë zbatimi 4 (katër) vjet. Sipas vendimit të publikuar në “Fletoren zyrtare”, fondi ka një vlerë të përgjithshme prej 25 milionë lekësh. Për vitin 2014, do të jetë i disponueshëm fondi me vlerë 2 milionë lekë, duke u rritur më pas në 4 milionë lekë në 2015-ën, 10 milionë lekë në 2016-ën dhe 9 milionë lekë në vitin 2017. Fondi do të financojë sipërmarrjet e reja ose “Start-up”. Si të tilla do të konsiderohen kompanitë e sapokrijuara dhe në kërkim të tregjeve. Fondi do të financohet nga buxheti i shtetit ose donatorët. Fondi do të japë ndihmë financiare në mbështetje të sipërmarrjeve të reja, ndërmarrje të vogla, që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në:
- a) sektorët prodhues dhe të shërbimit;
- b) sektorin e industrisë së lehtë;
- c) sektorin e turizmit;
ç) fushën e kërkimit dhe të zhvillimit;
- d) procesin e agropërpunimit;
- dh) fushën e dizajnimit, modelimit, artizanatit.
Nga ky fond mund të përfitojnë ato sipërmarrje të reja, të cilat e ushtrojnë veprimtarinë në sektorët e sipërpërmendur dhe janë të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, për një periudhë nga një deri në dy vjet.
Fondi mbulon 70% të kostove të pranuara dhe të miratuara nga komisioni vlerësues, në varësi të projektit konkurrues, por jo më shumë se 300 000 (treqind mijë) lekë.
Në kostot e pranuara, përfshihen kostot për:
- a) investime në pajisje dhe teknologji për nxitjen e prodhimit/shërbimit;
- b) marketing të produktit dhe promovim;
- c) kualifikim dhe trajnim për rritjen e aftësive sipërmarrëse;
ç)krijim faqeje interneti e publikime materialesh promovuese;
- d) pjesëmarrje në panair ose ekspozitë brenda apo jashtë shtetit, si vizitor apo ekspozues.
Që të përfitojnë nga ky fond, sipërmarrjet e reja duhet të:
- a) Të jenë ndërmarrje të klasifikuara si mikro ose të vogla, sipas ligjit nr. 8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar.
- b) Të kenë selinë ose vendin kryesor të prodhimit brenda territorit të vendit.
- c) Të kenë një plan biznesi ose një projekt dhe të jenë të afta për zbatimin e duhur dhe në kohë të aktiviteteve të propozuara.
ç) Të krijojnë minimalisht 1-3 vende të reja pune brenda 12 muajve nga momenti i përfitimit të fondit.
- d) Të jenë në gjendje të financojnë 50% të të gjitha kostove të projektit në fazën e aplikimit.
- Pagesa e fondit të përfituar të bëhet 50% në fillim të projektit dhe 50% në fund të përfundimit të projektit, kundrejt faturës/faturave e cila/të cilat vërteton/vërtetojnë shpenzimet e kryera. Fondi i përfituar nuk mund të jepet më tepër se një herë për të njëjtën sipërmarrje.
Si do të mbështetet sipërmarrja
Nga ana tjetër, është publikuar në “Fletoren zyrtare” edhe plani i veprimit për përmirësimin dhe monitorimin e indikatorëve “Të bësh biznes”, një publikim i Bankës Botërore, që shërben si referencë krahasuese për të gjitha vendet e botës. Ky plan shënon një sërë hapash për përmirësimin e barrierave të biznesit, lejet e ndërtimit, regjistrimin e pronësisë, energjinë, zbatimin e kontratave, tregtinë përmes kufijve, pagesën e taksave dhe zgjidhjen e paaftësisë paguese. Efektet e këtyre ndryshimeve pritet të ndihen në raportet “Të bësh biznes” 2016 dhe 2017. Për vitin 2014, Shqipëria u pozicionua në vendin e 90 në këtë raport, ndër renditjet më të ulëta në rajon.
Pengesat e biznesit
Për lehtësimin e pengesave të biznesit për regjistrimin e subjekteve do të amendohet ligji nr. 9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”. Drafti i ligjit është në proces konsultimi me ministritë. Rezultati i pritshëm është shkurtimi i procedurave me hapa dhe reduktimi i kostos me 85,120 lekë. Për lehtësimin e barrierave të biznesit pritet të amendohet edhe ligji “Për nxitjen e punësimit”. Amendimi i neneve që detyrojnë subjektet të regjistrohen pranë ISHPSHSH dhe zyrave të punës, në varësi të marrëveshjeve që do të lidhen me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për shpërndarjen e informacionit mbi fuqinë punëtore në formë elektronike.
Ndryshimet në ligjin nr. 9136, datë 11.9.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, parashikojnë që deklarata e paraqitur në administratën tatimore lidhur me punonjësit e rinj të marrë në punë dhe lidhur me punonjësit e larguar nga puna, do të shërbejë si deklarim edhe për Inspektoratin Shtetëror të Punës. Afati i ndryshimeve ëhstë parashikuar shkurti 2015.
Në prill 2015 pritet zbatimi i ligjit për firmën elektronike, i cili do të mundësojë fillimin e biznesit vetëm në 1 hap, për 1 ditë, me kosto 100 lekë.
Lejet e ndërtimit
Ligji i ri për planifikimin territorit është miratuar tashmë. Parashikohet që procesi i aplikimit dhe botimi i dokumentacionit të aplikimit të kryhet përmes Regjistrit të Planifikimit të Territorit. Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit në momentin që konstaton që ka mangësi në publikimin e deklarimeve mbi planet dhe zhvillimet në territor njofton menjëherë me shkresë zyrtare autoritetet përkatëse të planifikimit dhe vë në dijeni menjëherë autoritetet e inspektimit.
Nga janari 2015, parashikohet botimi i planeve kombëtare dhe vendore në portalin e AKPT-së, që synon rritjen e transparencës për qytetarët dhe zhvilluesit e territorit. Autoritetet vendore të planifikimit kanë detyrimin ligjor për botim në regjistër të instrumenteve të planifikimit. Krahas kësaj, AKPT do të botojë në portalin e saj të gjitha planet e miratuara për akses më të gjerë nga publiku.
Parashikohen dhe ndryshime të tjera që synojnë rritjen e transparencë, aplikime on line për lejet e ndërtimit etj.
Energjia
Në tremujorin e katërt 2014 parashikohet Pranim i propozimit për lidhjen e re në rrjetin e CEZ shpërndarje, Liberalizim dhe ndryshim tarifash. Masat e parashikuara në këtë indikator përfshihen në parashikimet e projektligjit “Për energjinë elektrike” iniciuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë. Parashikohen dhe thjeshtime procedurash për kontratat dhe marrëveshjet me familjarët dhe jo familjarët.
Zbatimi i kontratave
Ndër të tjera parashikohen ndryshime në Kodin e Procedurës Civile, për shkurtimin e procedurave gjyqësore, që do merren në tremujorin e tretë 2014. Në fazën e hartimit mund të shqyrtohet mundësia e përfshirjes së çështjes së përshpejtimin të zbatimit të vendimeve gjyqësore.
Zgjidhja e paaftësisë paguese
Pritet të miratohet brenda këtij viti projektligji i ri “Për falimentimin” dhe aktet e tjera në zbatim te tij. Ai parashikon Shkurtimin e kohëzgjatjes së procedurave nëpërmjet afateve të reja ligjore -Rritje e shumës së detyrimit që do të përfitojnë kreditorët -Kosto me të ulëta për shpenzimet e procedurës.
Porti Durrës, eksporti ulet në gusht me 4 për qind
Muaji gusht i vitit 2014 ka njohur një rritje të volumit të punës me 7% më shumë mallra të përpunuar, sesa e njëjta periudhë e një viti më parë ose 23.123 tonë mallra më shumë se muaji gusht i 2013-ës. Por, ndërsa rezulton të jetë shtuar volume dhe vlera e importit, eksportet përgjatë muajit gusht të këtij viti, kanë pasur një rënie me 4% ose 6.104 ton mallra më pak të eksportuara, kjo si rezultat kryesisht i pakësimit të volumit të mallrave të eksportuara me kontejnerë, sesa i njëjti muaj i një viti më parë. Ndërkaq, importet janë rritur me 19% ose 29.227 tonë mallra më shumë të importuar sesa gushti i vitit të kaluar dhe kryesisht të mallrave si grurë, çimento, skrap, plehra kimik etj. Sipas statistikave krahasimore të raportuara nga Autoriteti Portual Durrës, vërehet një rritje e volumit të punës krahasuar me të njëjtën periudhe e një vitit më parë edhe si 8-mujor, i cila është 4% ose 89.793 tonë mallra më shumë të përpunuara gjatë periudhës janar-gusht 2014. Eksportet kanë pësuar rënë më 1% ose 8.716 tonë mallra më pak të eksportuara sesa e njëjta periudhë e 2013-ës. Gjatë 8-mujorit të vitit 2014 vërehet një rritje e ndjeshme e volumit të klinkerit (çimento) të eksportuar, mineral i kromit, dhe eksporti i llamarinave dhe prokateve. Ndërsa volumi i mallrave të eksportuar me kontejnerë ka qenë më pak se po e njëjta periudhë e vitit 2013. Periudha janar-gusht 2014 tregon se, nga Porti i Durrësit kanë hyrë 98.511 tonë mallra ose 8% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më pare. Mallrat të cilat kanë shënuar rritje kanë qenë çimento, skrap, qymyri, plehrat kimik si dhe melamina.





