Ervin Kaduku
Plas flluska e rezultateve pozitive në Doganë në fund të vitit
Edhe sipas INSTAT-it, sasia e importuar e karburanteve nuk ishte gjë tjetër veçse një tentativë masive për të shmangur taksat, që dëmtoi qytetarët dhe nuk “pasuroi” shtetin
Niveli i eksporteve ka shënuar vlerën e tij maksimale të 20 viteve të fundit gjatë vitit 2013
Edhe zyrtarisht, nga shifrat e publikuara së fundi prej Institutit të Statistikave, u pohua fakti i pamohueshëm se rritja e arkëtimeve gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar, shpallur me shumë bujë nga shefja e Doganave, Erisa Spiropali, shprehte asgjë tjetër veç një hyrje masive të karburanteve, për të shmangur rritjen e taksës së karbonit e për t’u shitur me taksën e re, në kurriz të konsumatorit e aspak në fitim të shtetit. Shifrat e tregtisë së jashtme zyrtarizojnë importin e lartë të karburantit, madje, të të gjitha produkteve të akcizës gjatë muajit dhjetor. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, importi në dhjetor arriti në 54 miliardë lekë, ose 20% më shumë se një muaj më parë.
Për shkak të rritjes së shpenzimeve në prag festash, në muajin dhjetor rriten importet, por rritja e këtij viti ishte e pazakontë, e lidhur tërësisht me rritjen e pritshme të taksave që do të hynin në fuqi në janar.
Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, vetëm në muajin dhjetor u importuan rreth 20 mijë tonë karburante më shumë sesa në të njëjtin muaj të një viti më parë. Sasia u zhdoganua me taksa më të ulëta për t’u hedhur në treg pas 1 janarit me çmime më të larta.
Sipas ekonomistëve, në bazë të nivelit të konsumit mujor në vend, sasia e importuar vetëm në dhjetor do të vlente deri në fund të muajit shkurt, çka do të nënkuptonte, në kushtet e respektimit të rregullave, se deri në fund të shkurtit nuk do të kishte rritje çmimi për efekt taksash. Ndryshe nga ç’ndodhi realisht në treg.
I njëjti fenomen vërehet tek cigaret, pijet alkoolike dhe ato energjike. Grosistët e duhanit importuan rreth 240 tonë cigare më shumë se viti i kaluar, me një rritje prej 75%. Kjo do të thotë mbi 12 milionë paketa shtesë vetëm në dhjetor, të cilat janë zhdoganuar me akcizën e vjetër prej 70 lekësh.
Përllogaritjet flasin për një shmangie taksash që arrin në 2.4 milionë dollarë, e që rritet shumë më tepër nëse vlerësohet rritja e tre muajve të fundit.
Bilanci tregtar
Ndërkohë, bilanci i eksporteve dhe importeve për vitin e kaluar ka rezultuar më i miri në shumë vite. Niveli i eksporteve, ka shënuar vlerën e tij maksimale të 20 viteve të fundit gjatë vitit 2013. Në vitin 2013 eksportet shënuan rritje dinamike dhe vlera totale shënon 246 miliard lekë. Rritja me bazë vjetore për eksportet shënoi 15.6%. Viti 2013 ishte viti ku është arritur pika maksimale që prej 1993. 40.4% e totalit të eksporteve është grupi i mallrave Minerale, Lëndë Djegëse dhe Energji. Në vend të dytë janë tekstilet me 28.2 % të totalit. Materialet e Ndërtimit renditen në vendin e tretë të grup-mallrave më të shitura jashtë vendit me vlerën 14.7% të totalit të eksporteve. Eksportet e Mineraleve Lëndëve Djegëse dhe Energjisë u rritën 30.5% në vitin 2013 kundrejt 2012 duke shënuar vlerë rreth 100 miliard lek. Shkak kryesor që po rrit eksportin e këtij grupi mallrash është eksporti i naftës nga Bankers Petrolium. Sektori i Tekstileve e Këpucëve ka shënuar gjithashtu rritje në 2013 duke arritur vlerën 70 miliard lek me rritje vjetore prej 11.7%. Rënie vjetore me 10% kanë shënuar eksportet e Materialeve të Ndërtimit duke u tkurrur në 36 miliardë lekë. Për herë të parë eksportet në vend shënuan rritje të peshën së tyre kundrejt importeve duke shënuar peshën 48% të totalit importe. Tek grup-mallrat e importuara në vend të parë nuk renditet grup-malli Ushqime, Pije Duhan. Ky grup përbën 18.2 % dhe renditet pas grup-mallrave Makineri, Pajisje dhe Pjesë Këmbimi. Në nivelin 18% në vend të tretë qëndron edhe grup-malli i importit Minerale Lëndë Djegëse, Energji Elektrike. Viti 2013 shënoi vitin më pozitiv të 5-vjeçarit të fundit me një bilanc tregtar që arriti -266 miliard lekë. Bilanci tregtar është përmirësuar me 16% kundrejt vitit të mëparshëm. Tkurrja vjetore e importeve në 2013 ishte 3% kundrejt vitit 2013. Vlera e importeve në 2013 është 512.2 miliardë lekë.
Skandali me energjinë
Skandali, 70 për qind e prodhimit të kaskadës së Drinit… humb!
Shifrat e humbjes së energjisë, në rrjet apo si pasojë e vjedhjeve, janë jashtëzakonisht të larta dhe, megjithatë, qeveria vijon vetëm të shpallë e të konstatojë, duke përdorur metodën e fajësimit të administratorëve të mëparshëm. Zëvendëskryeministri Niko Peleshi gjatë një konference për shtyp ka prezantuar rezultatet e arritura nga Task-Forca e Energjisë. Sipas tij, do të ketë tolerancë zero për të arritur këtë sfidë të përbashkët që kërkon vendosjen e shtetit të së drejtës. “Janë tronditëse shifrat e shpërndarjes, është një humbje prej 43.2 për qind e energjisë elektrike gjatë muajit të kaluar ose e barabartë me 200 milionë dollarë, sa 70 për qind e prodhimit të kaskadës së Drinit”, – tha Peleshi. Zëvendëskryeministri tha se janë depozituar 146 kallëzime penale, por duhet bashkëpunim mes palëve, ku në radhë të parë duhet të çrrënjoset kultura e mospagesës së energjisë elektrike. Niko Peleshi, në cilësinë e kryetarit të Task-Forcës për Energjinë, tha se në muajin e parë të punës janë ndërprerë afro 20 mijë lidhje të debitorëve dhe premtoi se do të marrë fund dita kur bizneset që paguajnë të ndihen të kërcënuar nga konkurrenca e pandershme. Në ceremoninë e përurimit të zyrës për efikasitetin e energjisë, që u hap dje pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), edhe ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri deklaroi se njerëzit duhet të ndërgjegjësohen më shumë për përdorimin në mënyrë të duhur të burimeve të energjisë. Sipas tij, qytetarëve duhet ta përdorin me eficencë energjinë elektrike pasi kursimi është një nevojë, që e dikton koha.
“Kjo është një zyrë mjaft e rëndësishme për të informuar publikun shqiptar por edhe për të kuptuar shumë mirë që eficenca energjetike është një burim shumë i rëndësishëm energjie. Kanë filluar ta quajnë burimi i rienergjisë për shkak se ka një hapësirë të madhe për të konservuar energji duke përdorur standardet më të mira qoftë në ndërtim, qoftë në fusha të tjera në mënyrë që të kursehet energjia. Kursimi i energjisë është një nevojë që e dikton koha jo vetëm për rastin e Shqipërisë, përtej problemeve të mëdha që ne kemi me humbjet pikërisht kjo është një rast që njerëzit të bëhen koshient se si ta përdorin energjinë në mënyrë më eficente dhe kjo fillon që nga godinat, që nga mënyrat e përdorimit të energjisë në mënyrë që konsumi të ulet”, – tha Gjiknuri.
BE kërkon nga Gjermania rregulla më strikte në luftën kundër korrupsionit
Komisioni Evropian kërkon nga Gjermania hartimin e rregullave të qarta për kalimin nga politika në ekonomi. Kohët e fundit në Gjermani pati reagime për mundësinë e kalimit të një ish-ministri në një koncern të madh. Komisioni Evropian ka hartuar raportin e tij të parë për luftimin e korrupsionit në Bashkimin Evropian, ku edhe Gjermania është një prej vendeve të prekura. Në raportin e paraqitur këtë të hënë (03.02.2014) në Bruksel nga komisionerja e Brendshme e BE-së, Cecilia Malmstrom, thuhet se duhen hartuar rregulla të qarta për kalimin e politikanëve në sektorin e ekonomisë. Në këtë kuadër duhet të përcaktohet edhe një kohë brenda së cilës politikanët nuk mund të marrin ndonjë pozitë të lartë ne ekonomi, në mënyrë që të evitohet mundësia e korrupsionit dhe keqpërdorimit të influencës së dikurshme politike për qëllime biznesi.
Gjermania duhet të rimendojë edhe mënyrën e financimit të fushatave elektorale në këtë vend. Megjithatë Gjermanisë i jepet në përgjithësi një notë e mirë, sa i përket gjendjes së luftimit të korrupsionit. “Gjermania është ndër vendet më të suksesshme në BE, sa i përket luftimit të korrupsionit”, – thuhet në këtë raport.
Debati për futjen e një kohe të caktuar për pamundësimin e ushtrimit të ndonjë detyre në ekonomi nga politikanët, është hapur në Gjermani pas bërjes publike të mundësisë, që ish ministri në zyrën e Kancelares, Ronald Pofalla (CDU) të kalojë në bordin drejtues të sipërmarrjes më të madhe gjermane të hekurudhave, Deutsche Bahn. Komisioni i BE-së është i mendimit që Gjermania duhet të gjejë një zgjidhje, që të evitohen keqpërdorimet e mundshme.
Komisioni pohon në këtë raport se korrupsioni është një dukuri negative që e gjejmë në të gjitha vendet anëtare të BE-së. Si pasojë e korrupsionit, ekonomia e vendeve të BE-së shënon humbje në vlerë prej rreth 120 miliardë euro në vit. Mënyra dhe mjetet e luftimit të korrupsionit dallojnë shumë në vendet anëtare të BE-së. “Për shkak të korrupsionit shumë qytetarë kanë humbur mirëbesimin ndaj institucioneve demokratike dhe shtetit juridik. Kjo dëmton rëndë edhe ekonominë evropiane dhe ul të ardhurat nga tatimet”, – kumtoi Malmstrom.
Korrupsioni gllabëron 120 miliardë euro çdo
Shtrirja e korrupsionit në Evropës është “galopant” dhe i kushton ekonomisë së BE-së rreth 120 miliardë euro çdo vit. Kjo shifër jepet nga Komisionit Evropian. Komisionerja për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom, do të prezantojë sot raportin e plotë mbi problemet e korrupsionit në BE.Në një shkrim të postuar në gazetën suedeze “Goeteborgs-Posten”, që e transmeton Shekulli, Malmstrom thotë se korrupsioni po ul besimin tek demokracia. Raporti i KE-së ka studiuar korrupsionin në 28 vendet anëtare të BE-së. Kjo është hera e parë që KE nxjerr një raport të tillë, ku bën dhe rekomandime për hapat që duhen marrë për luftimin e korrupsionit.
Malmstrom thotë se në disa vende prokurimet publike janë të korruptuar ndërsa në disa të tjera problem mbetet financimi i partive politike apo korrupsioni në pushtetin lokal. Gjithashtu në disa vende pacientët duhet të japin ryshfet për të marrë një shërbim mjekësor adekuat. Në studim përfshihen dhe dy sondazhe që tregojnë se ¾ e qytetarëve të BE-së e konsiderojnë korrupsionin të përhapur gjerësisht në vendin e tyre.




