Sistemi bankar/ Jepen 30 miliardë lekë, kredi e re për biznesin

kredi e re për biznesinSistemi bankar gjatë këtij viti ka dhënë 30 miliardë lekë ose 214 milionë euro më shumë kredi të re për bizneset. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re këtë vit paraqitet në përmirësim të dukshëm dhe në veçanti sipërmarrjet po gjejnë më shumë mbështetje nga bankat. Totali i kredisë së re për biznesin gjatë nëntëmujorit të këtij viti kishte vlerën e 162 miliardë lekëve dhe rezulton në rritje për shumicën e sektorëve ekonomikë. Sektori më i kredituar ngelet tregtia, me një portofol prej 72 miliardë lekësh, në rritje me 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në rritje janë edhe sektorët prodhues të ekonomisë dhe në veçanti industria nxjerrëse. Kredia e re për këtë degë gjatë këtij viti kishte vlerën e afro 7 miliardë lekëve, katër herë e gjysmë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe kredia për industrinë përpunuese është rritur me afro 11% ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Pozitiv është fakti që kreditimi i është rikthyer rritjes edhe në sektorë që në vitet e fundit kanë pasur mjaft probleme, si ndërtimi apo energjitika. Kredia për sipërmarrjen është përcaktuese për ecurinë e kreditimit të ekonomisë në tërësi, duke qënë se përbën mbi 67% të totalit.

Të dhënat e kredisë së re janë një sinjal më shumë optimizmi lidhur me gjallërimin e aktivitetit ekonomik dhe përmirësimin e kërkesës. Banka e Shqipërisë parashikon rritje ekonomike pozitive në tremujorin e tretë të vitit, të mbështetur nga rritja e kërkesës private.

Nga ana tjetër, vrojtimet e Bankës Qendrore tregojnë se sistemi bankar po jep sinjale pozitive në drejtim të lehtësimit të standardeve të kreditimit dhe të përmirësimit të kushteve të ofertës për kredi.

 

  TAP, 100 mln USD nga pranvera 2015 për rrugët e aksesit 

Rreth 100 milionë USD parashikohet të investohen nga pranvera e vitit që vjen në rrugët e aksesit, ku do të kalojnë tubacionet e projektit të gazsjellësit TAP.

Punimet e para për këtë projekt do të fillojnë në Shqipëri për të përgatitur infrastrukturën rrugore drejt kantiereve ku do të shtrihen tubacionet.

Burime nga ministria e Energjisë dhe Industrisë bëjnë të ditur se po kontaktohet më zyrën e TAP-it, që në procesin e ndërtimit të rrugëve të ketë prioritet përfshirjen e kompanive shqiptare, që kanë gjithë kapacitetet dhe njohin mirë terrenin.

Ndërkaq, është ngritur një njësi e përbashkët në lidhje me shpronësimet e tokave ku do të kalojë tubacioni si dhe për infrastrukturat e tjera.

Gazsjellësi TAP është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, që nis nga Azerbajxhani dhe përfundon në Itali. Gjurma e TAP-it nëpër Shqipëri është rreth 210 kilometra në tokë dhe 60 km në ujërat territoriale shqiptare në Detin Adriatik.

Tubacioni nis në Bilisht Qendër në Qarkun e Korçës, në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në Detin Adriatik, 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare.

Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor, 9 stacione valvulash bllokimi, ndërsa është planifikuar një stacion tjetër afër Bilishtit, nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliard metra kub (bcm).

Në zonat malore ku do të kalojë tubacioni, do të ndërtohen afërsisht 58 km rrugë të reja dytësore, 44 km ekzistuese do të përmirësohen, do të rehabilitohen 50 ura dhe do të ndërtohen dy të reja.

TAP është pjesë e “Korridori Jugor të Gazit” me gjatësi mbi 4.000 km, ku tubacionet përshkojnë 7 vende dhe ku veprojnë disa projekte të veçanta energjetike, të cilat së bashku përfaqësojnë investimin rreth 45 miliardë USD.

Këto projekte janë: fusha Shah Deniz 2 me shpime pusesh dhe prodhim detar gazi në Detin Kaspik; zgjerim i impiantit të përpunimit të gazit në Terminalin e Sangaçalit në bregun e Detit Kaspik në Azerbajxhan; tre projekte gazsjellësish: Gazsjellësi i Kaukazit të Jugut (SCPX)-Azerbajxhan, Gjeorgji, Gazsjellësi Trans Anatolian (TANAP)-Turqi dhe Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP)-Greqi, Shqipëri, Itali.

Projekti i Korridorit Jugor të Gazit përfshin zgjerim i rrjetit italian të transmetimit të gazit dhe mundësi për lidhje të tjera me rrjetet e gazit në Evropën Juglindore, Qendrore dhe Perëndimore

 

 Drejt plotësimit lidhjet rajonale për energjinë elektrike

Brenda 4 viteve Shqipëria synon të ketë lidhjet e plota me rrjetet rajonale të energjisë. Ndërsa sot kemi funksionale lidhjet me linjat e interkonieksioneve me Malin e Zi dhe Greqinë, në vitin 2016 përfundon linja me Kosovën dhe pritet që deri në vitin 2018 të jetë realizuar linja me Maqedoninë. Lidhjet përtej kufijve të vendit pritet të ndikojnë pozitivisht në tregtinë e energjisë me çmime më të lira importi, si dhe mundësi më të mëdha për prodhuesit shqiptarë në një treg të liberalizuar.

Projekti prej 150 milionë USD i BB-së, investime nga KfW në sistemin e transmetimit, investime të reja nga BERZH dhe Koperacioni Italian, synojnë përmirësimin e infrastrukturës energjetike. Synohet që 40% e tregut shqiptar të energjisë deri në vitin 2018 të jetë i liberalizuar duke e nxjerrë nga tarifat e rregulluara të energjisë, ku prodhimi privat i energjisë kërkon të mbështetet me linja të transmetimit ndërkufitar.

OST, kompania publike që merret me linjat e transmetimit, vitin tjetër do të investoje 25 milion USD, ku përfshihet forcimi i rolit të dispecerisë qendrore për të rritur monitorimin e gjitha flukseve të energjisë dhe parashikim më të mirë të konsumit duke eliminuar disbalancat e vërejtura.

 

 

Share it :