Qeveria “Rama” Çfarë fsheh buxheti i 2014-ës ?

Ervin Kaduku

 

–   ­Pse parashikohet ulje e ndjeshme e investimit, ndërkohë që totali i shpenzimeve do të ketë rritje?

–   Deficiti rritet ndjeshëm, megjithëse mazhoranca aktuale “bëri namin” dikur për heqjen e barrierës prej 60%/PBB për borxhin publik

–   Ulja e interesit të borxhit dhe rritja e punësimit gjatë qeverisjes së djathtë – detyrohen ta pranojnë edhe kundërshtarët

 

leke-ne-dore_0Qeveria “Rama” e ka marrë me mjaft komoditet hartimin e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm financiar. Në relacionin shoqërues të ligjit më të rëndësishëm të shtetit për vitin 2014, kryefjala është paaftësia e ekzekutivit për të arritur ritme rritjeje si ato, që shoqëruan ekonominë shqiptare gjatë dy mandateve qeverisëse të së djathtës. Justifikimi është “kriza”.

 

Rënie e investimeve

Nisur nga kjo, ajo që vihet re më së shumti në buxhetin e vitit 2014, krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2013, është fakti se fondi nominal i shpenzimeve kapitale është ulur. Në buxhetin e rishikuar të vitit 2013, investimet me fonde nga buxheti ishin sa 5.5% e PBB-së ose rreth 74 miliardë lekë, ndërsa për buxhetin e vitit 2014, për këtë zë fondi në dispozicion parashikohet të jetë 4.8% e PBB-së ose 67 miliardë lekë. Kjo do të thotë se për vitin e ardhshëm qeveria parashikon të ndërmarrë më pak investime. Nga ana tjetër, duke marrë parasysh angazhimin në këtë buxhet shlyerjen e detyrimeve ndaj bizneseve, qëndron mundësia që shumë investime që më përpara kanë qenë “barrë” e shtetit, tashmë do t’u ngarkohen sipërmarrjeve private, pas shlyerjes së një pjese të borxhit.
Megjithëse për investime parashikohen më pak para nga buxheti, gjatë vitit 2014, shpenzimet që parashikon buxheti kapin vlerën e 456 miliardë lekëve ose 32.7% e PBB-së. Këtu, në vlerë nominale, krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2013, ka një rritje të ndjeshme. Në buxhetin e rishikuar të vitit 2013, shpenzimet ishin 405 miliardë lekë ose 29.9% e PBB-së, tendencë kjo e kundërt me politikën e deritanishme, të ndjekur nga qeverisja paraardhëse, që “majën e diamantit” e drejtonte tek investimet, që sjellin fonde dhe jo tek shpenzimet që nuk kthejnë para në arkën e shtetit.

Kështu, gjatë këtij viti, sikurse e pranon vetë Ministria e Financave në relacionin përcjellës të projektbuxhetit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, investimet e brendshme rezultojnë rreth 8.3 miliardë lekë më të larta ose rreth 38 për qind më shumë, ndërkohë që investimet me financim të huaj rezultojnë rreth 0.6 miliardë lekë më të larta ose rreth 2.6 për qind më shumë. Për rrjedhojë, investimet në total, në fund të muajit tetor 2013, ishin rreth 19.9 për qind më të larta ose rreth 8.9 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Struktura e investimeve kapitale të realizuara gjatë periudhës janar-tetor 2013 është rreth 56.2 për qind nga financimi i brendshëm dhe rreth 43.7 për qind nga financimi i huaj.

 

Shpenzimet e tjera

Ndërkohë, në vëmendje të mazhorancës së djathtë nuk kanë qenë vetëm shpenzimet kapitale. P.sh., kompensimi për të përndjekurit politikë, në fund të muajit tetor 2013, arriti në rreth 3 miliardë lekë ose rreth 8 milionë lekë më shumë se parashikimi i periudhës, duke qenë në të njëjtën kohë rreth 99.7 për qind e planit vjetor. Kundrejt një viti më parë, këto shpenzime rezultojnë rreth 1.3 miliardë lekë më të larta.

 

Deficit në rritje

Nga disniveli i ndjeshëm midis të ardhurave dhe shpenzimeve, deficiti buxhetor parashikohet nga qeveria “Rama” të jetë 12 miliardë lekë apo 14% më i lartë se ai i një viti më parë, duke arritur në 6.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Shpresa e qeverisë për shlyerjen e borxheve është një mbështetje buxhetore në vlerën e 39 miliardë lekëve (e barabartë me detyrimin që parashikohet t’u kthehet bizneseve), e cila do të rriste financimin e deficitit përmes borxhit të huaj me rreth 170% apo 31 miliardë lekë.

 

Trashëgimia e interesit të ulët

Qeveria “Berisha” la trashëgim norma mjaft të ulëta të interesit, në nivele rekord, sa u përket pagesave të borxhit publik. Për borxhin e brendshëm, aktualisht ka rënie të theksuar të normave të interesit në të gjitha segmentet e letrave me vlerë, me rreth 100-150 pikë përqindje për çdo instrument. Kjo rënie, e cila ka filluar që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2012 e në vijim, vlerësohet të ndihmojë në një rritje të moderuar të shumës për interesa të borxhit të brendshëm, pavarësisht nga rritja e stokut të borxhit. Rënie të theksuar ka në segmentin e bonove të thesarit, i cili vlerësohet me rreth 2 miliardë lekë më pak se një vit më parë; ndërkohë me rritjen e peshës specifike të obligacioneve, shërbimi i borxhit për këto instrumente rritet me rreth 2,5 miliardë lekë.

Ndërkohë,  në qeverinë “Rama”, shpenzimet për interesa të borxhit të jashtëm parashikohen në rritje, për arsye të shtesës së disbursimeve, për sa u përket pagesave të borxhit të jashtëm. Shpenzimet për principalin e borxhit të jashtëm janë parashikuar me rritje të konsiderueshme si rezultat i parashikimeve për shlyerjen e tij për një masë të konsiderueshme të kredive të reja, principali i të cilave fillon të paguhet gjatë vitit 2014.

 

Trashëgimia e punësimit në rritje

Qeverisja e djathtë, veç interesave të ulëta të borxhit, ka lënë një “stafetë” tejet pozitive sa i përket situatës në sektorin e punësimit. Gjatë tremujorit të parë, të dytë dhe të tretë të vitit 2013, punësimi u rrit respektivisht me 0.3, 0.1 dhe 0.7 për qind krahasuar me tremujorin e kaluar dhe 1.3, 1.5 dhe 0.6 për qind në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Mesatarisht, rritja e punësimit gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2013 ka qenë rreth 1.1 për qind në terma vjetorë. Kjo rritje ka ardhur si rezultat i rritjes së punësimit në sektorin privat jo-bujqësor, që u rrit respektivisht me 7.2, 7.7 dhe 5.8 për qind në çdo tremujor në terma vjetorë, ndërsa punësimi në sektorin publik vazhdoi të tkurret me një mesatare vjetore prej 0.4 për qind. Në sektorin e bujqësisë, të dhënat mbi punësimin kanë mbetur të pandryshuara. Norma e papunësisë në tremujorin e tretë të vitit 2013 vijoi të ishte në nivelin 12.8 për qind.

Këto statistika i pranon gjithnjë Ministria e Financave në relacionin shoqërues të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm fiskal.

 

Si do të paguhen detyrimet

Është vlerësuar tashmë se një nga dobësitë e sistemit të menaxhimit financiar publik është krijimi i detyrimeve të prapambetura të shtetit ndaj privatit. Për këtë qëllim, Ministria e Financave ka ndjekur një proces intensiv të evidentimit, vlerësimit dhe auditimit të tyre. Si rezultat, kemi një raport të plotë të kompanisë “Deloitte” për detyrimet e prapambetura të buxhetit të shtetit ndaj biznesit privat vendas dhe të huaj për punime e shërbime publike, e cila kap vlerën 24.6 miliardë lekë. Sipas këtij raporti, rreth 65% të këtij detyrimi apo në vlerën rreth 16 miliardë lekë, buxheti i shtetit u detyrohet projekteve të infrastrukturës, 17% të tij e ka ndaj kompanive të farmaceutikës dhe pajisjeve mjekësore, 8.42% ndaj ndërtimit të shkollave, ndërkohë që deri tani nga administrata tatimore është evidentuar dhe kontrolluar një detyrim në masën 22.8 miliardë lekë për zërat që kërkojnë rimbursim të TVSH-së si dhe tatimfitimit. Deri në këto nivele, këto detyrime janë bërë pjesë e këtij buxheti, duke u përcaktuar edhe burimi i financimit të tyre.

Ndërkohë, nga Ministria e Financave njoftohet se është duke përfunduar strategjinë e pagesës së këtyre detyrimeve, proces i cili jo vetëm do të auditohet, certifikohet nga ministritë e linjës, por do të auditohet mbi bazë risku edhe nga një kompani audituese me përvojë ndërkombëtare, e cila do të rekrutohet me një proces të hapur tenderimi. Vendimmarrja, si dhe raportimi mujor mbi kontratat që do të paguhen, do të jetë kompetencë e një komiteti ndërministror, i cili do të mbikëqyrë të gjithë procesin.

Por, duket qartë se, ndryshe nga sa është premtuar nga Kryeministri Rama dhe ministri i tij i Financave Cani, pagesa nuk do të kryhet me një dorë. Biznesi po krijon idenë se nga pagesat do të favorizohen subjekte që kanë lidhje me qeveritarët e rinj, duke u dhënë atyre të parëve pagesën e detyrimit, ndërkohë që do të shtyhej “në kalendat greke” likuidimi total i borxhit.

 

 

Biznesi kosovar kundër paketës fiskale “Rama”

Kosova del kundër paketës fiskale të qeverisë shqiptare. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se taksat e reja do pengojnë eksportin e produkteve shqiptare në Shqipëri. Ai tha se paketa fiskale ka një kosto të papërballueshme, ndërkohë që tregu kosovar është fleksibël ndaj mallrave shqiptare.

“Qeveria e re ka nisur të zbatojë një pako të re fiskale, e cila drejtpërdrejt prek edhe importin kosovar ne shtetin shqiptar. Dhe paramendoni kur birra e Pejës për t’u eksportuar në Shqipëri e ka një ngritje të taksimit në 237%! Dhe po kështu me prodhimet e tjera, të cilat pretendojnë të jenë prezent në tregun shqiptar, por për çdo dërgesë duhet të kenë analiza laboratorike të po asaj date ose dite kur malli dërgohet në këtë drejtim. Në qoftë se ju keni një maune e cila në vlerë ka 3 mijë e 500 euro, vlera e analizave për ato produkte është 4 mijë e 300, që nënkupton se për çdo produkt analizë e që për një produkt analizat janë 60-70 euro.

Si dy shtete të një populli të ndarë jemi lodhur me një formë të patriotizmit folklorik dhe ndaj një politike ilirike që i përcjell këto raporte. Në qoftë se i analizoni barrierat që janë duke u paraqitur nga viti në vit në aspektin ekonomik, ne nuk mund të jemi komod dhe të kënaqur me këtë realitet. Ajo çka e karakterizon këtë raport është që në mënyrë urgjente të bëhet harmonizimi i standardeve dhe i kritereve dhe në fund të fundit prodhuesit vendas nuk kërkojnë as më shumë as më pak se çka kërkohet nga Kosova për produktet shqiptare. Që në këtë drejtim nuk është duke i bërë nder as Kosovës dhe as Shqipërisë dhe me këto barriera shumë më tepër jemi duke e larguar Brukselin dhe po dëshmojmë vetëm që jemi joserioz karshi tij”, tha Gërxhaliu.

 

Share it :