Ervin Kaduku
– Banka e Shqipërisë publikon treguesit e besimit, në rritje vetëm besimi i konsumatorit
Përmirësohet besimi i konsumatorit shqiptar, ndërkohë që bizneset janë më skeptike lidhur me perspektivën e tyre, në kuadër të ndryshimit të pushteteve. Kjo është ajo, që del nga analiza e anketimeve nga Banka e Shqipërisë, që lidhen me besimin e qytetarëve dhe bizneseve në fund të qershorit 2013.
Konsumatori
Besimi i konsumatorëve (TBK) është përmirësuar në tremujorin e dytë të vitit 2013, për të dytin tremujor radhazi. Treguesi i besimit të tyre shënoi rritje me 5.7 pikë përqindjeje, duke u pozicionuar mbi mesataren historike të këtij treguesi. Përmirësimi i TBK u përcaktua nga pritje më optimiste për situatën e ardhshme ekonomike dhe situatën e tyre financiare, balancat përkatëse u rritën me 8.5 dhe 5.6 pikë përqindje. Njëkohësisht, balanca e blerjeve të mëdha u përmirësua me 5.9 pikë përqindje ndërsa balanca e situatës së të ardhurave-shpenzimeve u rrit me 2.8 pikë përqindje.
Biznesi, perspektivat në rënie
E kundërt është ndjenja e biznesit, që shfaq një rezervë lidhur me ndryshimin e parashikuar të rregullave fiskale, me ndryshimin e premtuar të taksës së sheshtë nga ana e mazhorancës së re parlamentare e qeverisëse, që do të implementohet nga shtatori i këtij viti.
Sektori i ndërtimit
Pas përmirësimit të ndjeshëm (+17.3 pikë përqindje) të shënuar një tremujor më parë, treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit shënoi rënie me rreth 6.0 pikë përqindjeje në tremujorin e dytë të vitit 2013. Niveli aktual i TBN-së qëndron rreth 20.6 pikë përqindjeje nën mesataren e tij afatgjatë dhe rreth 13.2 pikë përqindje nën mesataren e pesë viteve të fundit. Përkeqësimi i treguesit të besimit në ndërtim u përcaktua nga zhvillimet negative në tre balancat përbërëse të tij: vlerësimi për situatën e prodhimit (-8.5 pikë përqindjeje), për kërkesën (-5.0 pikë përqindjeje) dhe për situatën e punësimit në këtë sektor (-4.5 pikë përqindjeje).
Sektori i industrisë
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë shënoi rënie me 5.3 pikë përqindje në tremujorin e dytë të vitit 2013. Pasi iu afrua nivelit të mesatares së pesë viteve të fundit në tremujorin e parë të vitit, TBI aktualisht qëndron 5.1 pikë përqindje poshtë saj. Rënia e TBI u ndikua nga rritja e gjendjes së inventarëve (e cila futet me shenjën e anasjelltë në ndërtimin e TBI) dhe rënia e balancës së prodhimit industrial.
Sektori i shërbimeve
Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) shënoi rënie me rreth 13.9 pikë përqindjeje në tremujorin e dytë të vitit 2013. Përkeqësimi i besimit në sektorin e shërbimeve u përcaktua nga vlerësimet negative në tre balancat përbërëse të tij. Gjendja e përgjithshme e biznesit dhe situata financiare e ndërmarrjeve në këtë sektor janë vlerësuar negativisht në tremujorin e dytë të vitit 2012. Balancat përkatëse shënuan rënie me rreth 22.4 dhe 11.9 pikë përqindjeje. Në të njëjtin drejtim ndikoi dhe vlerësimi negativ për situatën e punësimit në këtë sektor dhe balanca përkatëse shënoi rënie me rreth 7.4 pikë përqindjeje. Niveli aktual i TBSH-së qëndron rreth 19.8 pikë përqindjeje nën mesataren e tij afatgjatë dhe rreth 19.3 pikë përqindjeje nën mesataren e pesë viteve të fundit.
Ulet kreditimi për biznesin nga bankat
Bizneset
Nga ana tjetër, sektori bankar ka vijuar të pengojë ecurinë e ekonomisë me ritmet e mëparshme pozitive. Standardet e kredisë dhënë bizneseve kanë vijuar të shtrëngohen gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013. Balanca neto e përgjigjeve të bankave që janë shprehur për shtrëngim të standardeve, shënoi vlerën 2.3%, vlerë kjo e barabartë me atë të shënuar një tremujor më parë. Shtrëngimi i standardeve për kreditë e dhëna në tremujorin e dytë të vitit 2013 rezultoi në një masë më të lartë se pritjet e shprehura në vrojtimin e kaluar. Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, standardet e kredidhënies u shtrënguan për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërkohë që mbetën të pandryshuara për ndërmarrjet e mëdha. Balancat përkatëse shënuan vlerat -2.3% dhe 0%. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet u shtrënguan si për kreditë me qëllim financimin e kapitalit qarkullues, ashtu dhe për ato për qëllime investimi (balancat përkatëse rezultuan, -8% dhe -2.3%, shtrëngim).
Individët
Ndërkohë, standardet e kredisë dhënë individëve vijuan prirjen lehtësuese të fillim vitit edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013. Përqindja neto e bankave që shprehen për lehtësim të standardeve të kredisë për individët rezultoi rreth 3.7%. Lehtësimi i standardeve të kredisë për individët është në të njëjtën linjë (edhe pse në masë më të ulët) me pritjet e shprehura nga bankat për këtë periudhë në vrojtimin e mëparshëm. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet u lehtësuan si për kreditë konsumatore ashtu dhe për kreditë me qëllim financimin banesës. Standardet për kreditë me qëllim financimin e konsumit u lehtësuan ndjeshëm: balanca përkatëse shënoi vlerën 20.7%. Standardet për kreditë për blerje banese gjithashtu u lehtësuan në tremujorin e dytë të vitit 2013, pas shtrëngimit të shënuar në tremujorin e mëparshëm. Balanca përkatëse shënoi vlerën 9.9%. Në total, për tremujorin e tretë të vitit 2013, standardet e kredisë për individët pritet të jenë në kahun lehtësues, si për kredinë për blerje banese, ashtu dhe për atë me qëllim financimin e konsumit.




