Ervin Kaduku
– Kryesuan pagat në arsim, të ndjekura nga industria nxjerrëse dhe shëndetësia. Rritja më e ulët, për pagat më të larta të administratës
Ka qenë një ndër premtimet e mbajtura rritja e pagave dhe pensioneve nga ana e qeverisë “Berisha” në tetë vitet e fundit. Ajo që ka qenë më e lehtë vitet e para, rezultoi tejet e vështirë në mandatin e dytë, kur në botë pllakosi kriza globale e, megjithatë, shifrat zyrtare të statistikave, edhe për vitin 2013 tregojnë se fjala është për një premtim të mbajtur deri në fund. Sipas të dhënave administrative, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin shtetëror gjatë vitit 2013 ishte 52.150 lekë. Të dhënat janë bërë të ditura nga INSTAT-i, tashmë kontrolluar nga qeveria e re, në publikimin e tij të fundit “Tregu i punës, 2013”. Në fund të vitit 2012, paga mesatare mujore bruto në sektorin shtetëror ishte 50.092 lekë. Kështu, rritja ka qenë 2.058 lekë mesatarisht.
Nisur nga klasat e pagave, 34,3% e të punësuarve në sektorin shtetëror paguhet në fund të vitit 2013 me një pagë mbi 60 mijë lekë në muaj. Gjatë vitit 2013, ndryshimi në terma vjetorë i pagës mesatare mujore bruto për një të punësuar në sektorin shtetëror ishte 4,1%. Në terma realë rritja e pagës mesatare mujore bruto për një të punësuar në sektorin shtetëror ishte 2%.
Numri i të punësuarve në sektorin shtetëror ishte 163.900 persona nga të cilët 3.224 persona ishin të punësuar në administratën qendrore.
Pagat për nëpunësit më të lartë të administratës, që përfshijnë deputetët, ministrat, drejtorë të përgjithshëm etj., u rritën nga 81.783 lekë, në 81.950 lekë, me një rritje pra minimale nga 2012-a në 2013-ën. Ndërkohë, për teknikë dhe ndihmës-specialistë ka kaluar kjo pagë nga një mesatare prej 46.349 lekësh, në 47.250 lekë. Edhe për pagat më të ulëta të administratës, që marrin nëpunësit e thjeshtë, në fund të vitit të kaluar mesatarja e tyre ishte 40.970 lekë, nga 39.024 lekë një vit më parë.
Në sektori shtetëror, pagat më të larta jepen në sektorin e arsimit, ndjekur nga ato të industrisë nxjerrëse dhe shëndetësisë. Përkatësisht këto shifra janë: 58.990 në arsim (55.305 lekë në fund 2012), 58.246 lekë për industrinë nxjerrëse (55.910 lekë në fund të 2012-ës) dhe 52.523 lekë në shëndetësi (47.116 lekë në fund 2012). Siç shihet, vëmendje më e lartë i është kushtuar shëndetësisë, me një rritje më të madhe se të tjerat.
Burimi: INSTAT
Çmimet
Inflacioni rezulton të jetë rritur në fillim të këtij viti. Banka e Shqipërisë bën të ditur se inflacioni mesatar vjetor shënoi 1.9% gjatë tremujorit të parë të vitit 2014, duke u rritur krahasuar me vlerën e regjistruar një tremujor më pare, atë të katërt të vitit të kaluar. Në muajin mars, norma e inflacionit vjetor shënoi 2.2%. Ecuria e inflacionit gjatë tremujorit të parë u përcaktua në pjesën më të madhe nga çmimet e produkteve ushqimore të papërpunuara.





