Flet parlamentari italian/ Çfarë ndodhi në tragjedinë e Sicilisë, si shihet historia shqiptare

Alba Kepi

Alba kepi parlamentariEkskluzive/ Prill 2015 e politika italiane i referohet kësaj ngjarjeje për t’i dhënë një zgjidhje emigracionit

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Standard” flet parlamentari Khalid Chaouki, përfaqësues i mazhorancës e deputet i Partisë Demokratike, një nga figurat politike italiane më pranë problematikës së emigracionit. I pari që denoncoi politikisht e publikisht kushtet jonjerëzore të emigrantëve në qendrat e identifikimit të përkohshëm, të sparsura anekënd vendit. Ai shprehet për situatën aktuale të emigracionit, samitin e Brukselit, këndvështrimin e politikës italiane apo referimin historik me emigracionin shqiptar

 

Tragjedia e fundit në kanalin e Sicilisë, ku gjetën vdekje mbi 900 emigrantë klandestinë që lundronin nga Libia drejt Italisë, solli në kujtesën e politikës së këtij vendi anijet e gomonet emigrantëve shqiptarëve që 10-15-20 vite më parë zbarkonin çdo natë nga Shqipëria në brigjet italiane. Qendra e djathtë si “Forza Italia” e “Fratelli di Italia” apo e djathta ekstreme, Lega Nord, janë pothuajse unanim në kërkesat e tyre: bllokim detar e kthimin prapa të çdo emigranti klandestin që tenton të mbërrijë në Itali. Zëri më i fuqishëm mes tyre është deputetja e “Forza Italia”-s, Daniela Santachè, besnikja e përhershme e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi. Gjatë një intervistë për fluksin e madh të emigrantëve që zbarkojë çdo ditë në brigjet e këtij vendi, ajo do të shprehej: “Aeronautika e marina ushtarake italiane duhet të përgatiten me shpejtësi e të përmbysin barkat e anijet që janë gati të nisen, ashtu siç kemi bërë në të kaluarën me Shqipërinë”. Komenti i saj u referohet ngjarjeve të vitit 1997.

Më 19 mars 1997, qeveria italiane e qendrës së majtë me Kryeministër Romano Prodin, firmosi një dekret-ligj, i cili u kritikua fortësisht nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e që zyrtarizonte “një patrullim efikas të brigjeve të Adriatikut”, me të drejtën e marinës ushtarake italiane për të penguar zbarkimin e anijeve dhe gomoneve të emigrantëe klandestinë shqiptarë në brigjet e Italisë. Një javë më vonë ndodh tragjedia më e madhe në historinë e emigracionit shqiptarë. Anija “Kateri i Radës” e nisur nga Vlora, mbushur me gra e fëmijë, familje e emigrantë shqiptarë që tentonin të kapërcenin Adriatikun drejt shpresës së tyre të së ardhmes, Italisë, në ujërat e kanalit të Otrantos, bllokohet deri në mbytje nga patrulla e marinës italiane. 81 emigrantë shqiptarë mbetën viktimë e kësaj tragjedie e mjaft prej tyre trupi nuk iu rikuperua më kurrë.

Prill 2015 e politika italiane i referohet kësaj ngjarje për t’i dhënë një zgjidhje emergjencës së fluksit të madh të emigrantëve të mbërritur nga Afrika e Veriut. Tragjedia e 23 prillit detyroi 28 vendet e Bashkimit Evropian të mblidheshin në një samit të jashtëzakonshëm e të dëgjonin zërin e Italisë që kërkon ndihmë juridike, politike e ekonomike, për të mos qenë e vetme në përballimin e një situate që çdo ditë e më shumë po del jashtë kontrollit.

Parlamentari Khalid Chaouki, përfaqësues i mazhorancës e deputet i Partisë Demokratike, është një nga figurat politike italiane më pranë problematikës së emigracionit e mjaft i ndjeshëm ndaj halleve e problemeve të emigrantëve. Qe i pari që denoncoi politikisht e publikisht kushtet jonjerëzore të emigrantëve në qendrat e identifikimit të përkohshëm, të sparsura anekënd vendit. I lindur në Marok, është nga të paktët politikanë me origjinë të huaj që ka mundur të jetë pjesë e Parlamentit italian. Vetëpërkufizohet “bir i një Italie të re”!

Për situatën aktuale të emigracionit, samitin e Brukselit, këndvështrimin e politikës italiane apo referimin historik me emigracionin shqiptar, deputeti Khalid Chaouki dha vetëm për gazetën “Standard” këtë intervistë:

 

– Pak ditë më parë u zhvillua në Bruksel një samit i rëndësishëm e i jashtëzakonshëm evropian, kushtuar emergjencës së emigracionit. Cili është mesazhi që duhet të mbërrijë në opinionin publik për këtë temë?

– Për herë të parë Evropa jo vetëm qan bashkërisht me Italinë e të gjithë botën mbi 800 viktimat e fundit të emigracionit, por për herë të parë vendet lider në Evropë morën masa të rëndësishme, jo të mjaftueshme, por mjaft të rëndësishme mbi intensifikimin e pranisë së anijeve evropiane në ujërat e Mesdheut jo vetëm për të kontrolluar fluksin e emigrantëve, por dhe për të shpëtuar jetë njerëzish pak hapa larg nesh. Së dyti disponueshmëria e vendeve evropiane për të ndihmuar Italinë në këtë situatë emergjence emigracioni ku ndodhet, duke ofruar dhe mikpritjen e tyre. Pra ndryshe nga çka ndodhur deri më tani ku e gjithë pesha e zbarkimeve të emigrantëve bie mbi Italinë, Greqinë e Maltën për shkak të normave të sanksionuara nga Traktati i famshëm i Dublinit. E pika e tretë është forcimi i luftës kundër grupeve kriminele që sot spekulojnë me jetën e këtyre njerëzve duke e kthyer në një biznes milioner, Duhet vlerësuar mundësia e një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në Libi për t’i luftuar këto trafikantë.

 

-Lufta kundër trafikantëve, blloku detar janë disa nga vendimet e marra nga Bashkimi Evropian. Masa mjaft të ngjashme që kujtojnë historinë e emigracionit shqiptar në të largëtin vit 1997. Në Itali qeveriste qendra e majtë e Kryeministër qe Romano Prodi. Ngjarjet nuk shkuan dhe aq mirë. Një anije e mbytur e 81 viktima emigrantësh shqiptarë qenë frytet e dekret-ligjit të miratuar më 19 mars 1997. Sot, çfarë na bën të besojmë se gjërat do të shkojnë ndryshe?

-Unë besoj se hipoteza e “bllokut detar” është sot një gabim, pasi jemi përballë një aktualiteti ku mijëra persona për shkak të luftës braktisin vendin e tyre e ku situata është krejtësisht ndryshe nga Shqipëria e dikurshme. Më 1997 me Shqipërinë ekzistonte një raport bashkëpunimi, një dialog me institucionet e përfaqësitë e këtij vendi. Ndërsa Libia sot është një vend i paqeverisur e nuk ekziston asnjë lloj bashkëpunimi i mundshëm me këtë vend. Ne besojmë se sot çdo aksion në Libi duhet të jetë i koordinuar me përfaqësuesit e ligjshëm të këtij vendi, pra para se të merren vendime të rëndësishme si bllok detar, bombardimi i anijeve etj, është mjaft e rëndësishme favorizimi i një zgjidhjeje të shpejtë politike mes libianëve për të pasur një interlekutor të vetëm për të punuar së bashku kundër këtyre grupeve kriminele. Ndryshe rrezikojmë një luftë të re që do të jetë jo vetëm kundër vendeve që do të na shohin si vend armik, siç ka ndodhur në të shkuarën, por dhe duke vënë në rrezik dhe jetën e mijëra njerëzve që po arratisen nga Siria, Nigeria, Somalia, duke u shndërruar në viktima të dyfishta. Mendoj se sot diçka e tillë duhet evituar.

 

– Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut më 1948 sanksionon të drejtën e çdokujt për t’u larguar nga vendi i origjinës. Qarkullimi i lirë i njerëzve do të mund ta zgjidhte dot sot këtë problem?

-Sigurisht ne sot nuk jeni në gjendje të ofrojmë kanale legale lëvizëse. Evropa sot nuk është në gjendje të dallojë turistin e zakonshëm nga klandestini i mundshëm. Mbyllja totale e kufijve do ushqej vetëm kanale të reja alternative, jo të rregullta Ne sot duhet të mbështesim shumë lëvizjen e lirë sidomos mes të rinjve, për t’i lënë të besojnë se Evropa nuk është më ajo e dikurshmja. Aktualisht ndoshta Italia ofron shumë më pak se vende që dikur ishin të varfra e sot janë në zhvillim e sipër. Italia duhet të parashikoj dhe rrugën e kanaleve të reja që favorizojnë punësimin. Duhet më shumë bashkëpunim, besim mes vendeve të Mesdheut e të Ballkanit, besim që ka munguar gjatë këtyre viteve për shkak të mosnjohjes reciproke e të klimës politike të ushqyer nga parti që kanë investuar tek frika e racizmi, duke kushtëzuar sot dhe debatin tonë politik.

 

– Ju vetëprezantoheni si “biri i një Italie të re”. Kur do ta shohim vërtet të realizuar këtë Itali të re, me një ligj të miratuar për të drejtën e nënshtetësisë së fëmijëve të emigrantëve dhe të drejtën e votës për emigrantët?

-Unë besoj tek Italia e re. Sot në shkollat italiane studiojnë mbi 10% e fëmijëve të lindur jashtë Italisë. Italia e re nuk është ende në kokat e lidershipit politik të këtij vendi, nuk është ende në kokat e shumë gazetarëve që nuk pranojnë ndryshimin që ka ndodhur në vendin e tyre dhe paraqesin emigracionin si një plagë negative, mjaft larg një realiteti krejt ndryshe. Italia e re nuk është mbi të gjitha në kokat e liderëve të Partive si Lidhja e Veriut, që nuk duan të shohin ndryshimin e vërtetë të vendit; gjashtë milionë emigrantë e mijëra sipërmarrës të suksesshëm, mes tyre mjaft shqiptarë apo mjaft talent të rinj, bij emigrantësh në shkollat e universitet italiane. Ne sot duhet të ratifikojmë këtë Itali të re me ligjin mbi nënshtetësinë IUS SOLI, diskutimi i të cilit do të nis në fund të muajit qershor në parlament. Ndërsa për sa i përket të drejtës së votës së emigrantëve debati politik do të jetë më i vështirë, por ne synojnë ta çojmë përpara këtë objektiv tonin.

Share it :