– Kursimtarët dhe bizneset greke po tërheqin para nga bankat me ritme që nuk ishin parë që nga kulmi i krizës së mesit të vitit 2012
Në qershor 2012, depozitat në valutë në sistemin bankar shqiptar shënuan një rritje të fortë mujore, jo sezonale, me rreth 6.5 miliardë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, më e larta e viteve të fundit. Rritja, në pjesën më të madhe erdhi nga largimit i depozitave nga bankat greke, si rrjedhojë e frikës së daljes së Greqisë nga euro në prag të zgjedhjeve të asaj kohe. Me emigrantët shqiptarë në Greqi, që vlerësohet se kanë kursime që arrijnë deri në 2 miliardë euro, një pjesë e parave të larguara nga shteti fqinjë erdhi në Shqipëri.
Historia duket se po përsëritet, megjithëse në përmasa më të vogla. Kursimtarët dhe bizneset greke po tërheqin para nga bankat me ritme që nuk ishin parë që nga kulmi i krizës së mesit të vitit 2012. Mediat e huaja raportojnë se sistemi bankar greke ka të ngjarë të kërkojë një linjë emergjence huaje, teksa kursimtarët po i tërheqin eurot e tyre, si rrjedhojë e frikës së një krize të re. Ministri grek i Financave ka nxituar të thotë se sistemi bankar është i sigurt, megjithëse ai ka pranuar se po shtohen evidencat se të pasurit po transferojnë para jashtë vendit. Vetëm në dhjetor 2014 vlerësohet të jenë larguar 2.5 miliardë euro. “Probabiliteti i një largimi të parave nga bankat është shumë i vogël; publiku e kupton që depozitat janë të sigurta”, – tha ai, duke shtuar se rreth 70 miliardë euro janë larguar nga vendi që kur kriza ekonomike shpërtheu pesë vjet më parë.
Ndonëse Shqipëria mund të përfitojë nga kjo valë e parë e largimit të parave nga Greqia, duke pritur një pjesë të tyre, në një afat më të gjatë, nëse kriza në vendin fqinj përshkallëzohet dhe shteti helen rrezikon daljen nga euro, kanalet e infektimit në Shqipëri do të jenë disa:
Rreziku i parë lidhet me ndikimin që mund të ketë situata e paqartë në ekonominë e Greqisë, që është tashmë e dobësuar nga recesioni, që po zgjat prej gjatë vitesh. Ndonëse Shqipëria i ka diversifikuar marrëdhëniet tregtare, duke u orientuar drejt shteteve të tjera, sërish lidhjet e bizneseve të jugut me Greqinë janë të forta, ndërsa tregtia është gjallëruar sërish muajt e fundit. Më i ndjeshëm do të jetë ndikimi përmes kanalit të emigrantëve, papunësia tek të cilët mund të rritet, duke i detyruar të kthehen në atdhe, ose të dërgojnë më pak remitanca. Greqia është shteti më i madh, ku jetojnë e punojnë emigrantët shqiptarë, me mbi 500 mijë të tillë.
Ndonëse shteti grek prej disa vitesh po vuan një krizë të thellë ekonomike dhe borxhesh, ai kryeson në Shqipëri për sa i përket stokut të investimeve të huaja direkte për vitin 2013. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, Greqia ka një stok të investimeve të huaja prej 1.07 miliardë eurosh në fund të vitit 2013, me një rritje prej 40% në raport me një vit më parë. Nëse shteti grek vijon në bjerë më shumë në krizë, efekti do të ndihet dhe në investimet e huaja në Shqipëri.
-Rreziku i dytë lidhet me përhapjen e krizës në të gjithë eurozonën. Përvoja e pas 2008-s ka treguar se ndonëse Shqipëria nuk është e integruar shumë financiarisht me eurozonën, ajo nuk është e imunizuar ndaj tronditjeve të saj. Një tjetër krizë në eurozonë, e shoqëruar me një zgjatje të recesionit do ndikonte dhe Shqipërinë, që ka si tregun kryesor të eksporteve dhe importeve të saj, pikërisht Bashkimin Evropian (përkatësisht me 61% të importeve dhe 78% të eksporteve).
Kanali tjetër i ndikimit është përmes sistemit bankar. Një përshkallëzim i krizës financiare në eurozonë do t’i bënte bankat me kapital perëndimor më të kujdesshme ndaj bijave të tyre në Evropën Juglindore, një dukuri që pas një qetësimi në 2013-n dhe pjesën e parë të 2014-s u përkeqësua sërish në muajt e fundit, duke e dhënë efektin në tërheqjen e bankave nga kreditimi dhe financimi i borxhit të qeverisë shqiptare.
Bankat me kapital grek, nga ana tjetër, janë nën dilemën e mëmave, të cilave po u kërkohet nga Banka Qendrore Evropiane që të zvogëlojnë ekspozimin e tyre në rajon. Në fund të tremujorit të tretë 2014, pesha e aktiveve të bankave me kapita grek përbënte 17% të totalit të sistemit. Gjithsesi, bankat me kapital grek në Shqipëri janë të pavarura nga mëmat, teksa burimet kryesore të financimit, ato i sigurojnë nga depozitat dhe jo nga linjat e mëmave.
(Marrë nga “Monitor”)
BSH: Shqiptarët tërheqin kursimet nga bankat
Në muajt e fundit të vitit 2014 paraja jashtë bankave ka arritur nivelet më të lartë vjetorë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në nëntor të vitit të kaluar sasia e parasë jashtë bankave arriti në 206.7 miliardë lekë. Kjo shifër është ndjeshëm më e lartë krahasuar me fundin e vitit 2013, kur, sipas Bankës së Shqipërisë, ishin në qarkullim 198.9 miliardë lekë. Rritja e sasisë së parasë jashtë bankave është një sinjal që mund të lidhet edhe me përmirësimin e kërkesës së brendshme, çka sjell më shumë qarkullim të parasë në tregun e produkteve të konsumit. Statistikat kanë treguar përmirësim të shitjeve me pakicë, të importeve dhe të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Megjithatë, në rritjen e sasisë së parasë jashtë bankave mund të ketë ndikuar edhe ulja drastike dhe e vazhdueshme e normave të interesit për depozitat bankare. Në ndjekje të politikës monetare lehtësuese dhe të kërkesës së dobët për kredi, bankat i kanë ulur interesat e depozitave në nivelet më të ulëta historike. Kjo ka ulur stimujt për t’i mbajtur paratë në bankë dhe, në shumë raste, i ka shtyrë individët në kërkimin e mjeteve të tjera të investimit, përfshi edhe huadhënien informale.
Rritja e depozitave bankare ka vazhduar edhe gjatë vitit 2014, por me ritme shumë të kufizuara. Në fund të nëntorit, rritja vjetore e depozitave bankare ishte vetëm 0.9%.
====
BE: Athina duhet t’u përmbahet zotimeve të mëhershme
BE: Borxhi grek s’mund të falet, afatet e shlyerjes janë mbi 30 vjet. Tsipras, kërkesë të pavlefshme. Këtë qëndrim të dhënë në emër të Bashkimit Evropian dhe huadhënësve të huaj e ka ripërsëritur edhe Komisioneri për Çështjet e Ekonomisë dhe Financave, Pierre Moscovici në një intervistë dhënë për BBC.
“Besojmë se vendi i Greqisë është në Eurozonë. Monedha e përbashkët ka nevojë për Greqinë dhe Greqia ka nevojë dhe dëshiron të qëndrojë në Eurozonë. Është tejet e rëndësishme për qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e Euros që të mos ketë një dalje të Greqisë, ndaj ne do të bëjmë gjithçka që nevojitet për të parandaluar këtë”, deklaroi Moscovici, ish-Ministër i Financave të Francës.
Për Komisionerin respektimi dhe mbajtja e zotimeve duhet të jetë reciproke. Evropa, tha ai, respekton zgjedhjen dhe vullnetin e shprehur nga populli grek në votimin e 25 janarit që solli në pushtet radikalët e majtë të Syriza-s, por edhe qeveria e re greke duhet të marrë në konsideratë zotimet e bëra nga qeveria e mëparshme në Athinë.
Moscovici thotë se kryesore është adresimi i shqetësimeve në mënyrë të qetë dhe paqësore dhe se qeveria greke duhet të jetë e qartë në qëndrimin e saj.
Deklarata e Komisionerit të Financave bëhet një ditë pasi Ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis deklaroi nga Athina se nuk do të bashkëpunojë më me të ashtuquajturën “Trojka”, Bashkimin Evropian, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Qendrore Evropiane.
Euro
Kanë kaluar 13 vjet që nga momenti kur njerëzit morën në duar kartëmonedhat e para Euro. Planet u thurën me idealizmin e një integrimi më të thellë, me disiplinë më të madhe financiare, që do të sillte stabilitet ekonomik e politik. Është një realitet krejt tjetër sot, kur Evropa ndjek me nervozizëm se ç’drejtim do të marrë Greqia nën udhëheqjen e qeverisë së re majtiste.
Monedha Euro e ka humbur shkëlqimin. Zgjedhjet e fundit në Greqi sollën luhatje shqetësuese të vlerës dhe pikëpyetje të reja për tërheqjen e Athinës nga Eurozona. Duket sikur janë harruar ditët e euforisë e optimizmit për një integrim edhe më të madh evropian, kur planet për bashkim monetar u përshëndetën me dolli shampanje.
Traktati i Mastrihtit në 1992 ofronte të drejtën për përfshirje, si dhe për tërheqje nga Eurozona. Por u deshën vite të vendosej se kush do të pranohej e kush do të përjashtohej nga Eurozona dhe mbi të gjitha çfarë masash do të merreshin për të zbutur deficitet dhe për të përmbushur standardet e njohura si Kriteret e Mastrihtit.
Megjithëse ideja ishte ende në gjenezën e saj, planet për bashkim monetar u përshëndetën si një hap gjigant përpara nga Ministri i atëhershëm francez i Financave, Dominique Strauss-Kahn:
“Në librat e historisë që do të shkruhen 10-20 vjet më pas, jam i bindur se 31 dhjetori 1998 do të shënohet si ditë historike”.
Për tre vjetët që pasuan, euroja ishte një koncept që vendosi disiplinën monetare në përgatitje për prerjen e monedhës së re.
Për herë të parë njerëzit morën në dorë paranë e re në prag të ndërrimit të viteve më 31 dhjetor 2001. Që në fillimet e saj, së bashku me optimizmin e shumë evropianëve dhe me premtimet euforike të politikanëve për stabilitet monetar dhe begati ekonomike, euroja është shoqëruar vazhdimisht edhe nga komentet e zymta të kritikëve që parashikonin rritje inflacioni. Parashikimet nuk u materializuan për shumë vite deri kur goditi kriza e 2008.
Paketat stimuluese për Irlandën dhe Portugalinë ishin sinjalet e para se diçka nuk shkonte, por tronditja kryesore u shfaq në Greqi ku popullata doli në protesta të zhurmshme kundër masave shtrënguese që shoqëruan borxhin masiv. E ardhmja e Eurozonës ishte në pikëpyetje.
Retorika e politikanëve mbarte një ton ogurzi dhe në kontrast të dukshëm krahasuar me dhjetë vjet më parë:
“Çfarë do të bëhet me Evropës nëse zhduket Euro? Çfarë do t’i mbetet Evropës nëse pushon zemra e saj ekonomike?”
Kjo pyetje është ngritur shpesh në debatet mes dy fuqive evropiane, Francës dhe Gjermanisë lidhur me përgjigjen ndaj krizës në Eurozonë.
Megjithatë, euroja ende nuk e ka humbur fuqinë joshëse. Lituanezët u përfshinë zyrtarisht më 1 janar të këtij viti në Eurozonë, kur kryeministri tërhoqi kartëmonedhën e parë me premtimin se Euroja do të bëhej garanci e sigurisë politike dhe ekonomike. Këto premtime siç duket tingëllojnë boshe për gjysmën e lituanezëve, të cilët sipas anketave do të kishin dashur të mbanin monedhën kombëtare litas.
Në Greqi monedha e përbashkët i ka varur shpresat tek vizioni i 40-vjeçarit Alexis Tsipras që sapo ka formuar qeverinë e re me premtimin për t’i kthyer Greqisë dinjitetin. Nëse kthimi i dinjitetit nënkupton edhe kthimin e dhrahmisë në qarkullim është vështirë të thuhet për momentin. Për herë të parë një anëtar i Eurozonës është nën drejtimin e një force politike që kundërshton paketat stimuluese të mbështetura nga Gjermania. Është një realitet që ka sjellë ré të zymta dyshimi mbi të ardhmen e euros.
Ditët e fundit kanë shënuar një moment historik në historinë e monedhës së vetme të Europës. Më 14 janar, vlera e euros ra në 1.17 dollarë, norma në të cilën ajo u prezantua më 1 janar të vitit 1999. Në atë kohë, monedha e re u dobësua shpejt, duke arritur barazi me dollarin në fillim të vitit 2000 dhe duke rënë në 0.83 dollarë në tetor të të njëjtit vit. Rënia në vlerën e euros nuk ishte në dobi të askujt: Banka Qendrore Europiane (BQE) u shqetësua për inflacionin si pasojë e rritjes së çmimeve të importit; vende të tjera u irrituan ndaj zbehjes së konkurrencës.
Pra, bankat qendrore më të mëdha të botës ndërmorën një program të bashkërenduar ndërhyrës për të frenuar rënien e euros.
Këtë herë, rënia e euros ka qenë më graduale, por ka të ngjarë të vazhdojë më gjatë. Barazia me dollarin është bindëse këtë vit. Si politika, ashtu edhe ekonomia, po e dëmtojnë monedhën.
Kërcënimi i menjëhershëm vjen nga ana e politikës dhe pasiguria SE Çfarë do të ndodhë me Greqinë, tashmë që partia radikale e majtë Syziza ka fituar zgjedhjet. Dëmi i ‘Grexit’ (daljes greke nga Eurozona), edhe pse më i ‘vakët’ se në 2012, do të jetë ende i madh. Për momentin, një ngjarje e tillë duket e pamundur. Syriza këmbëngul se dëshiron të qëndrojë në bllok (sikundër dëshirojnë edhe shumica e grekëve).
Qeveria e Gjermanisë, gjithashtu, jep shumë sinjale qetësuese rreth paprekshmërisë së euros. Megjithatë, rreziqet e daljes aksidentale janë reale. Nga paga më e lartë minimale e deri te ndalimi privatizimit, politikat që propozon Aleksis Tsipras, kreu Syriza-s, do të përkeqësojnë financat publike të Greqisë – dhe do të kërkojë më shumë truqe për ta mbajtur Greqinë në përputhje me paketat e shpëtimit që përcaktojnë aftësinë e saj për të qëndruar në euro.
Edhe në qoftë se Greqia qëndron në bllok, investitorët e kujdesshëm mund të vendosin që të eliminojnë ekspozimin e tyre në euro, duke e shtyrë monedhën e vetme edhe më tej drejt rënies.
Më të rëndësishme janë bazat ekonomike dhe përgjigjet e mundshme të politikës europiane. Deflacioni e ka nisur rrugën e tij (çmimet në të gjithë zonën e vetme të monedhës ranë me 0.2% në dhjetor) dhe, me luhatjen ekonomike të Gjermanisë, perspektivat e rritjes së rajonit duken më të brishta se kurrë. Megjithatë, pavarësisht ‘pamjes’ së errësuar, politikanët nuk po shfaqin asnjë shenjë guximi.
Nuk ka ide të mëdha për t’i dhënë shtysë tregut të vetëm apo për të rritur investimet. Në vend të kësaj, të gjithë sytë janë përqendruar mbi Bankën Qendrore Europiane dhe gatishmërinë e saj në krijimin e parave për të blerë obligacione kombëtare, përmes politikës së shpallur të lehtësimit sasior.
Historia e dhimbshme e së kaluarës
Si për Evropën, ashtu dhe pjesën tjetër të botës, është më mirë me politikat e lehtësimit sasior (QE) se pa të. Gjithkush do të dilte i fituar nëse Eurozona shmang një rënie të re në krizë. Por, në qoftë se euro bie edhe më tej, Evropa me shumë gjasa do të mbështetet gjithmonë e më shumë tek eksportet për t’u rritur. Rajoni tashmë kursen shumë më tepër se sa investon: kjo falë insistimit të Gjermanisë për masat shtrënguese në ekonomitë periferike dhe refuzimit të saj për të rritur investimet në vend, suficiti i llogarisë korente të Eurozonës është rritur në 2% të PBB-së së saj.
Ky është një ndryshim i madh: për kohën më të madhe të historisë 16-vjeçare të monedhës së vetme, rajoni ka qëndruar në ekuilibër. Nëse euro bie në barazi me dollarin, edhe nëse shpenzimi vendas qëndron i dobët, suficiti ka të ngjarë të rritet edhe më shumë. Në një moment, dobësia e monedhës do të shkaktojë tensione me të tjerët, veçanërisht me amerikanët.
Rritja dhe rënia e euros është një histori e dhimbshme, fabula e së cilës konsiston në koston për të shmangur zgjedhje të vështira. Në kohë të mira, liderët evropianë shmangën reformën strukturore. Gjatë krizës, ata bënë aq sa për të shmangur katastrofën, por jo mjaftueshëm për të shmangur deflacionin dhe staniacionin. Një monedhë më e dobët do të ndihmojë, por është diçka shumë më pak e mirë se një rimëkëmbje e balancuar evropiane bazuar në investime të shëndetshme dhe shpenzime në vend.
(Marrë nga “Deutsche Welle”)
Korça, model pozitiv, por nuk mjafton!
Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela, zhvilloi disa takime me drejtuesit lokalë të Drejtorisë Rajonale OSHEE Korçë, në kuadër të fushatës në terren, për t’u njohur me problematikat e sektorit, njohjen me planin e masave dhe objektivat për 2015-ën. Pas Shkodrës, Korça ishte stacioni i radhës, rajon ky që humbjet në rrjetin elektrik i ka reduktuar me rreth 16% gjatë vitit 2014.
“Është një rajon me rezultate pozitive, por jo aty ku ne duam të arrijmë. OSHEE ka vendosur targete për uljen e humbjeve, rritjen e nivelit të faturimit dhe arkëtimeve, prandaj dhe stafit të Korçës i dalin detyra të rëndësishme për 2015-n, në kuadër edhe të zotimeve që shoqëria ka ndërmarrë ndaj qeverisë dhe Bankës Botërore”, u shpreh për mediat administratori Çela.
Sipas kreut të OSHEE-së, Korça është model pozitiv për nga performanca, prandaj kërkohet që, jo vetëm të arrijë objektivat, por t’i tejkalojë, në mënyrë që drejtoritë e tjera ta ndjekin nga pas. “Jemi të qartë se realizimi i objektivave arrihet përmes rritjes së performancës së stafit dhe investimeve, pika këto të cilat unë i trajtova me mjaft rëndësi gjatë mbledhjeve me degët e rajonit”, u shpreh Çela.
Për rajonin kryesor të Juglindjes, parashikohet ndërtimi i një nënstacioni në zonën e Ersekës, me vlerë 1.1 milionë USD, kompletimi me matës, kabllo ABC për transmetimin, etj, në vlerë rreth 1.3 milionë USD. Në total, përfshi edhe projektet e tjera, parashikohet të investohen për vitin 2015 mbi 2.6 milionë USD, vlerë kjo që i jep garanci me furnizim cilësor rajonit të Korçës, sidomos zonave turistike, si Dardha.
Të dhënat rajonale për vitin 2014
Humbjet u reduktuan me 16%, duke i çuar 31.1%
Arkëtimet arritën 25 milionë USD, ose 101%
3799 prerje të debitorëve (1309 me policinë)
2.795 akt-marrëveshje për pagesa lehtësuese






