Ervin Kaduku
– Të thëna e të pathëna pas kushteve apo rekomandimeve të Fondit Monetar, që akordoi së fundmi 330 milionë euro hua për tre vjet
– Sa të zbatueshme janë kushtet e FMN-së dhe cilat janë pasojat e tyre për ekonominë shqiptare
– Sfidat, rreziqet dhe heshtja qeveritare…
Marrëveshja e qeverisë shqiptare me Fondin Monetar duket se po vihet në qendër të vëmendjes tani, shumë më tepër se sa kur u shpall shifra e huasë së akorduar prej 330.9 milionë eurosh. Ajo që bie aktualisht në sy është mungesa totale e transparencës nga Tirana zyrtare dhe fakti se FMN – sikurse e ka në parimet e saj – nga çdo vend i botës së ndihmon financiarisht, kërkon zbatime të kushteve të caktuara. Qeveria Rama ka mohuar ekzistencën e këtyre kushteve, por një gjë e tillë është shpallur publikisht nga vetë FMN, nëpërmjet botimit të termave të marrëveshjes.
Ja si kanë reaguar grupe të ndryshme të interesit lidhur me këtë marrëveshje.
Biznesi
Konfindustria, me qëllim shmangien e gjithë keqkuptimeve të mundshme, i kërkoi dje publikisht Qeverisë së Shqipërisë të shpallë zyrtarisht në mënyrë publike të gjithë termat e marrëveshjes së nënshkruar së fundmi me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Konfindustria vlerëson se është e domosdoshme që grupet e interesit dhe qytetarët shqiptarë të njihen me termat e marrëveshjes edhe nga burimet zyrtare të shtetit të tyre dhe jo vetëm nga shpalljet e njëanshme të FMN-së. Veprimi i mësipërm është i domosdoshëm, edhe pse rasti më i mirë do të ishte njohja e publikut me termat e marrëveshjes dhe nënshtrimi i tyre një debati të gjerë përpara nënshkrimit të marrëveshjes me FMN.
Termat e marrëveshjes, të shtrira në kohë dhe të ndara në paketat përkatëse, parë rradhën e hyrjes së tyre në fuqi, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe FMN, duhet domosdoshmërisht të bëhen të njohura hollësisht sa më shpejt për publikun dhe grupet e interesit, duke marrë parasysh rëndësinë e zbatimit të tyre për zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.
Konfindustria, në kërkesën e saj të mësipërme për Ekzekutivin shqiptar, ka parasysh se njohja e plotë e marrëveshjes jep mundësinë e planifikimeve të domosdoshme për biznesin, sidomos për industritë prodhuese vendore, për të shmangur problematikën e krijimit të gjendjeve të “faktit të kryer” të ndryshimit të politikave fiskale.
Ridvan Bode
Ish-ministri i Financave në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike ka pohuar, në një deklaratë për shtyp, se qeveria po fsheh marrëveshjen me Fondin Monetar, që parashikon rritje të reja të taksave dhe futjen e taksave të tjera, për shkak të performancës së dobët të saj dhe përkeqësimit të shpejtë të ekonomisë. Ridvan Bode tha: “Mbarë opinioni publik përcolli me shqetësim deklaratën e bordit të drejtorëve të FMN-së lidhur me konsideratat dhe propozimet për marrëveshjen, aq shumë të reklamuar si sukses nga ana e qeverisë shqiptare. Qeveria, që kishte mbajtur në fshehtësi termat e kësaj marrëveshje, që kishte folur vetëm për përfitimin e 330 milionë eurove në 3 vjet dhe jo jo për termat dhe shqetësimet e FMN-së për zhvillimet në vend, u mundua të mohojë dhe përgënjeshtrojë atë që për muaj me radhë negocioi po vetë.
E vërteta është se Bordi i Drejtorëve të FMN-së shpreh me të drejtë shqetësimin alarmues të përkeqësimit të shpejtë dhe futjes në recesion të ekonomisë kur, po sipas Bordit, në vitet 2009-2012 u arrit ‘të mënjanohet me sukses rënia në recesion në kulmin e krizës globale dhe pati një rënie të ritmit të saj më të lehtin në rajon’.
E vërteta është se FMN është i alarmuar për risqet e mëdha që paraqet borxhi, i rritur me aq lehtësi nga qeveria Rama, vetëm në harkun e pak muajve, duke qenë ‘më i larti ndër vendet e Europës Qendrore, Lindore e Juglindore’”, u shpreh Bode.
Ai shtoi se performanca e dobët e qeverisë, mungesa e reformave dhe amullia që ka sjellë në ekonomi qeveria Rama, për shkak të paaftësisë dhe klientelizmit, do të sjellë rritje të reja taksash, pasi rritja e taksave, bërë në dhjetor të vitit të shkuar, për vitin 2014, ka dhënë rezultate të pamjaftueshme. Ecuria e dy muajve të parë të këtij viti dëshmon dështimin e plotë dhe korrupsionin në zgjerim të qeverisë Rama, vuri në dukje ish-kreu i Financave. Sipas tij, rritja e madhe e akcizave sipas qeverisë pritet të sjellë 120 milionë USD më shumë në buxhet, në fakt për dy muajt e parë ka sjellë 10 milionë USD më pak, ndërkohë që rritja e të ardhurave është në më pak se 1/5 e asaj që është programuar.
”Kjo paaftësi për të vendosur disiplinën fiskale është shkaku i propozimeve të FMN për rritjen apo vendosjen e plot 10 taksave të reja mbi qytetarët dhe ekonominë. Në fakt përgënjeshtrimi i Ramës është i turpshëm për qytetarët e këtij vendi, pasi në faqe 29 të raportit, paragrafi i 3, janë propozuar si mundësi:
• Vendosja e TVSH në arsim;
• Vendosja e pagesave toll në rrugët e vendit;
• Rritjen me 50% të taksës mbi tregtimin e makinave të përdorura;
• Futjen e TVSH për ndërtimet-banesat e reja;
• Futja e një takes për hyrje daljet nga Shqipëria të popullsisë vendase;
• Vendosja e taksës mbi pronën (shtëpi, tokë) sipas vlerës;
• Futja e jjë takes vjetore për përdorimin e makinave bazuar në vlerën e tyre;
• Rritjen e tatimit mbi të ardhurat e individëve, përfshi dhe interesat e depozitave dhe dividendin nga 10 në 12% (rritje 20%);
• Vendosjen e një akcize mbi të ashtuquajtur mallrat e luksit”.
Bode ka vijuar, duke thënë se “Rama, po ashtu, vetë dhe me tellallët e tij, mohoi rritjen e çmimit të energjisë, kur vetë dhe ministrat e tij kanë firmosur memorandumin, i cili në faqen 46 të tij shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare se në qershor të këtij viti çmimi i energjisë për popullatën do të afrohet me çmimet e tregut ndërkombëtar, që do të thotë një rritje e shqetësuese për qytetarët. Dhe kjo ndodh kur paguhet më pak se 50% e energjisë dhe ata që paguajnë duhet të paguajnë një çmim dy herë më të lartë, ashtu siç duhet të paguajnë taksa të dyfishuara në favor të klientelës së qeverisë që nuk paguan taksa”.
Një angazhim tjetër i qeverisë në këtë memorandum është ndërmarrja e një reforme të pensioneve, e cila nuk do të kufizohet vetëm në rritjen e moshës së pensioneve por edhe të masës së kontributeve.
“Memorandumi i bashkëpunimit të qeverisë Rama me FMN është dëshmia më e qartë e pasojave të rënda dhe kostove të papërballueshme që solli për vendin një qeverisje diletante, klienteliste dhe e papërgjegjshme. Ky është shpërblimi që po marrin qytetarët shqiptarë në këmbim të besimit që i dhanë dyshes Rama-Meta: rritje taksash, rritje çmimesh, rritje të papunësisë, varfërisë dhe mjerimit”, tha Bode.
Ekspertët
Raportet më të fundit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi gjendjen aktuale të ekonomisë dhe financave shqiptare u komentuan në mënyra të ndryshme së fundmi edhe nga studiues të njohur të kësaj fushe për Zërin e Amerikës. Ashtu si edhe FMN, në raportin e vlerësimit të sistemit financiar, profesor Adrian Civici tha se ekonomia është mjaft e dobët dhe po vuan nga çekuilibrime të rënda makroekonomike. “Financat tona janë në një situatë delikate. Niveli i borxheve është përtej çdo kufiri dhe detyra kryesore mbetet kthimi i qëndrueshmërisë të treguesve kryesorë. FMN, thotë ai, nuk po i sjell Shqipërisë shuma të mëdha, por po i kërkon të kthehet në sjellje të zakonshme konservatore në ekonomi”.
“FMN nuk vjen në vende normale me ndonjë problem të vogël. Ne kemi një problem të madh, kemi një problem strukturor. Kemi një rrezik që na qëndron mbi kokë për stabilitetin e financave publike për borxhin dhe për të ardhmen tonë”.
Një tjetër studiuese e njohur e çështjeve ekonomike, Luljeta Minxhozi, tha se kreditimi është mjeti më i shtrenjtë për financimin e ekonomisë dhe qeveria duhet të gjejë rrugë dhe metoda më të favorshme për të nxitur prodhimin vendas dhe për të mbrojtur investimet e guximshme në një treg delikat e të pasigurtë. “Ekonomia shqiptare, në mënyrë që të fitojë një lloj qëndrueshmërie, kërkon një ndryshim strukturor, që për mua do të thotë: të nxitet prodhimtaria. Ekonomia shqiptare ka nevojë për një shtytje të madhe për të bërë biznes të madh prodhues. Duhet një nxitës real në ekonomi që të lëvizë të gjithë sistemin” – tha ajo.
Zonja Minxhozi thotë se ekonomia është e ndjeshme dhe ndaj rreziqeve të jashtme, këmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e eurozonës janë gjithmonë të rrezikuara sa kohë që është monedha euro në mes, që ndërrohet me lekun shqiptar. Politikat zbutëse me bankat kanë shterruar, ndërkohë që shumica e bankave kanë si shtetin si klient kryesor, me të cilin blejnë dhe shesin bono thesari, nga mund t’u vijn huymbje të konsiderueshme. “Në banka ka shumë kursime dhe këto kursime nuk arrijnë dot që të kthehen në investime. Ekuilibri makroekonomik më i thjeshtë është që një vend investon aq sa ka kursime. Shqipëria ka kursime dhe duhet të ketë edhe investime, por kjo nuk po ndodh. është pikërisht kjo strukturë e dbët e ekonomisë shqiptare, që nuk arrin t’i nxiti njerëzit, zotërues të kursimeve, t’i transformojnë këto në investime” – tha ajo. Banka Botërore dhe FMN deklaruan këto ditë se se gjendja e bankave shqiptare po përkeqësohet prej rritjes së shpejtë të kredive të këqija, ndonëse kanë depozita të mjaftueshme kursimesh nga qytetarët. Një pikë e dobët mendohet se është edhe orientimi i ekonomisë drejt euros, ndërsa rreziqet më të mëdha mund të vijnë edhe borxhit publik afatshkurtër, që po rritet nga ana e qeverisë Rama. Kështu, Banka e Shqipërisë sapo njoftoi se do të shesë për llogari të Ministrisë së Financave 13.2 miliardë lekë bono thesari me afat maturimi 12 dhe tre mujor. Për bonot me afat maturimi 12 mujor, shuma e shpallur për shitje është 10 miliardë lekë. Në ankandin e fundit me të njëjtin afat maturimi, interesi mesatar zbriti në 3.68%. Për bonot me afat maturimi 3 mujor, shuma e shpallur për shitje është 3.2 miliardë lekë. Në ankandin e fundit me të njëjtin afat maturimi, interesi mesatar zbriti në 3.24%.
Në raportin e stabilitetit financiar të vendit, të publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ky i fundit paralajmëron se sektori bankar sot është më i ndjeshëm ndaj goditjeve për shkak se bankat po mbajnë sasi të mëdha të obligacioneve qeveritare, që mund të shkaktojnë humbje të ndjeshme për to në rast se zhvlerësohet borxhi publik. Lidhja e fortë e institucioneve financiare me borxhin e qeverisë duket se paraqet sfida të reja për këtë system, sipas FMN. Ndërsa këto investime kanë ndihmuar në diversifikimin e tregut të letrave me vlerë të qeverisë, ato janë të mbikëqyrura në mënyrë joadekuate dhe klientët po investojnë këtu dhe jo në depozita. Duke pasur parasysh mungesën e një tregu sekondar funksional për obligacionet e qeverisë, fondet përballen me rrezik të lartë të likuiditetit. Një e treta e aktiveve të bankave përbëhet nga letrat me vlerë të qeverisë dhe këto zotërime përfaqësojnë dy të tretat e totalit të borxhit të qeverisë. Kjo ndërvarësi financiare paraqet rreziqe sistematike për bankat, të cilat janë vulnerabël ndaj ndryshimeve në vlerën e letrave me vlerë më afatgjata, dhe për qeverinë, e cila varet nga borxhi që merr prej bankave, thotë raporti i FMN-së.




