– Kompania njofton se do të përqendrohet te ulja e kostove, ndërsa nuk do të rrisë prodhimin në vitin 2015, për herë të parë që kur filloi punën në Shqipëri. Vlera e aksioneve në bursë bie me shpejtësi
Kompania e nxjerrjes së naftës në Shqipëri Bankers Petroleum deklaroi dje se beson se është në gjendje të përballet me rënien e ndjeshme të çmimit të naftës në botë, ndonëse të ardhurat e saj pritet të bien ndjeshëm. Gjatë pesë ditëve të fundit, aksionet e kësaj kompanie në bursë kanë rënë në kuotën më të ulët në tre vjet. “Gjatë këtyre viteve Bankers ka ngritur një biznes me një bilanc të pastër financiar dhe operacione fleksibël ndaj luhatjeve të çmimit të naftës. Në kombinimin e programeve tona të shitjeve dhe ruajtjen e pozitës tonë për vitin 2015, ne parashikojmë një diferencë në çmim prej 30 dollarë për fuçi në 70 dollarë Brent dhe gjithashtu ka kapacitetet për të përballuar edhe rëniet e mëtejshme të çmimit të naftës,” tha drejtori ekzekutiv i Bankers David French në një deklaratë për shtyp.
Bankers vepron në Shqipëri që nga viti 2004 dhe ka arritur të realizojë 474 milionë dollarë të ardhura për periudhën janar-shtator të këtij viti duke arritur të prodhojë mesatarisht 22.000 fuçi naftë në ditë.
Por çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ka rënë me mbi 40 për qind që nga qershori i këtij viti kur në bursë shitej me 115 dollarë për fuçi ndërsa tani shitet për më pak se 70 dollarë për fuçi. Parashikimet janë që vitin e ardhshëm çmimi i naftës të jetë rreth 70 dollarë për fuçi ndërsa disa analistë parashikojnë çmim edhe më të ulët se kaq.
Nafta shqiptare e cila prodhohet në shumicën dërrmuese nga Bankers Petroleum dhe në një pjesë më të vogël nga kompania shtetërore Albpetrol, shitet aktualisht për rreth 75 për qind të çmimit të naftës në bursën e Londrës i njohur si çmimi BRENT. Kjo do të thotë se të ardhurat e naftës shqiptare pritet të reduktohen ndjeshëm gjatë vitit të ardhshëm.
“Kompania ka planifikuar që 55% të volumit të naftës bruto të prodhuar gjatë vitit të ardhshëm ta eksportojë në Mesdhe dhe në Shtetet e Bashkuara. Një çmim prej 79-80% të Brentit është parashikuar në termat e kontratave për të gjitha volumet e eksporteve”, – thotë kompania.
Pavarësisht rënies së pritshme të të ardhurave, Bankers ka ndër mend të investojë 218 milionë dollarë të tjera, investime këto që do të përqendrohen pjesërisht në një program për injektimin e polimerit dhe pjesërisht në programe që synojnë zhvillimin infrastrukturor dhe uljen e kostos së prodhimit.
Por pavarësisht kësaj, në rast se çmimet në tregun ndërkombëtar nuk do të rriten, viti 2014 mund të jetë viti i pikut të prodhimit.
‘Duke marrë parasysh se çmimi i naftës në tregjet botërore po shënon rënie gjatë kësaj periudhe, Bankers ka parashikuar një nivel prodhimi të naftës të përafërt me nivelet e këtij viti”, – thotë Bankers.
Si pasojë e rënies së shpejtë të çmimit të naftës në botë, aksionet e Bankers në bursën e Torontos në Kanada kanë rënë me 18 për qind gjatë pesë ditëve të fundit dhe gjenden shumë pranë minimumit të pesë viteve të fundit. Aktualisht vlera tregtare e kompanisë (kapitalizimi në treg) ka rënë në 652 milionë dollarë.
Probleme nga rënia e çmimit të naftës pritet të ketë edhe buxheti i shtetit, i cili arkëton shuma të konsiderueshme në formën e rentës minerare nga nxjerrja e naftës.
(Marrë nga Reporter.al)
Përdorim ende i ulët i “parasë elektronike”
Sistemi bankar këtë vit po e zgjeron më tej infrastrukturën e pagesave automatike, përmes kartave. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të Shtatorit 2014, sistemi bankar zotëronte mbi 6,300 pika elektronike të shitjes, të instaluara në njësi tregtare në të gjithë vendin. Që nga fillimi i vitit, numri i terminaleve të shitjes POS është rritur me mbi 11%. Këto pika elektronike mundësojnë kryerjen e pagesave me kartë bankare, pa qenë nevoja për të përdorur para cash.
Sipas Bankës së Shqipërisë janë afro 900 mijë karta bankare përmes të cilave shqiptarët mund të kryejnë blerje direkte, nga të cilat 74 mijë janë karta krediti. Pagesat automatike mundësojnë reduktimin e kostove dhe rreziqeve nga përdorimi i parasë fizike në qarkullim. Paratë kalojnë nga llogaria e blerësit te ajo e shitësit pa dalë nga sistemi bankar. Sipas studimeve të kryera nga shoqata më e rëndësishme globale e pagesave, Visa, kalimi nga pagesat cash në ato elektronike mund të sjellë një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto të një vendi nga 0.6% në 1.6%.
Nga pikëpamja makroekonomike, pagesat elektronike janë shumë të rëndësishme sepse mund të kontribuojnë në rritjen e PBB, por edhe në një këndvështrim mikro, çdo individ mund të ketë një cilësi më të mirë jetese duke përdorur produkte që ju mundësojnë akses në kanale të ndryshme blerjesh. Megjithëse numri i kartave është rritur me ritme të shpejtë dhe megjithëse sistemi bankar po ofron një infrastrukturë gjithnjë e më të plotë pagesash, shqiptarët e përdorin ende pak kartën për blerje direkte.
Në gjithë Evropën Juglindore, Shqipëria ka raportin më të ulët mes përdorimit të pikave elektronike të shitjes dhe bankomateve. Çdo 100 dollarë veprime me kartat, vetëm 7-8 dollarë kryhen nëpërmjet pikave elektronike të shitjes. Kjo tregon që shqiptarët i përdorin kartat kryesisht për të tërhequr para nga bankomatet. Rritja e përdorimit të kartave për blerje direkte kërkon përmirësim të kulturës financiare, por edhe reformat të mëtejshme për të ulur informalitetin.
Shumë biznese ende nuk preferojnë të instalojnë pika elektronike të shitjes për të pranuar pagesa me kartë, sepse kjo do të rriste vlerën e pagesave që kalojnë në kanale formale dhe që janë më të vështira për t’u fshehur nga organet tatimore. Në këtë mënyrë, rritja e përdorimit të pagesave me karta do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në luftën kundër evazionit fiskal.
Masat e marra nga OSHEE mundësojnë dalje nga kriza
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ka pohuar dje në një deklaratë për mediat se masat e marra nga OSHEE për të rimëkëmbur sektorin energjetik po fillojnë të japin efektet e dukshme pozitive tek të gjithë aktorët e sistemit. “Përmirësimi i performancës së kompanisë së shpërndarjes, përmes rritjes së arkëtimeve dhe uljes së humbjeve, po shoqërohet me shtimin e likuiditetit në sektor duke zhbllokuar situatën e krijuar”, – tha ai.
Këto ditë, ka nisur të shlyerja e borxheve të akumuluara ndaj prodhuesve të vegjël të energjisë, duke u dhënë kështu frymëmarrje edhe investimeve private.
Detyrimi ndaj HEC-eve private përfshire HEC Ashta, për periudhën janar-tetor 2014 është 7.89 miliardë lekë. Deri në fund të vitit, detyrimi parashikohet të arrijë deri në 8.87 miliardë lekë. Nga ky borxh është likuiduar 2.99 miliardë lekë ose 34% e tij.
Ka filluar këto ditë likuidimi me mbi 1.1 miliardë lekë i detyrimeve, i cili do të plotësohet brenda këtij muaji edhe me 2 miliardë lekë të tjera, duke arritur në një shlyerje të borxhit në nivelin mbi 70%.
Brenda muajit prill 2015, ky detyrim do të jetë bërë e mundur të shlyhet 100% dhe ndërkohë nuk do të ketë asnjë faturë korente të papaguar.
Ndërkaq, rritja e likuiditetit dhe fillimi i shlyerjes së borxheve ka ardhur në sajë të një performance më të mirë të kompanisë së shpërndarjes dhe të gjithë sektorit në tërësi përfshirë KESH-in dhe OST-në.
Gjiknuri ka dhënë informacion dhe lidhur me nivelin e arkëtimeve dhe humbjeve në sektorin e shpërndarjes.
Niveli i humbjeve për muajin Nëntor ka shënuar një rënie të theksuar, duke arritur në 32.8% ndërsa nëntorin e vitit 2013, niveli i humbjeve ishte 48%. Shifrat flasin vet për një rënie të humbjeve me 15.2%. Mesatarja progresive e humbjeve për periudhën janar-nëntor është ulur në 37.8%. Në vitin 2013, mesatarja vjetore e humbjeve ishte në masën 45%.
Për sa i takon arkëtimeve, për muajin Nëntor ato kanë arritur në 4,38 miliard lekë ose krahasuar me nëntorin e vitit 2013 konstatohet një rritje me 47.2%.
Për periudhën janar-nëntor 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, arkëtimet janë rritur me 8,2 miliard lekë ose ndryshe 23.5% më shumë.
Qytetarët po e mbështesin masivisht rivendosjen e disiplinës së pagesave dhe luftën ndaj fenomenit të vjedhjes së energjisë. Vetëm prej datës 4 dhjetor, kur hyri në zbatim skema lehtësuese e pagesave, deri ditën e djeshme, rezultojnë të jenë lidhur 16,793 marrëveshje.
Prej tyre, 7,318 klientë familjarë kanë përfituar zbritjen 80% të kamatëvonesës duke likuiduar plotësisht borxhet e akumuluara ndaj kompanisë së shpërndarjes. Në këto ditë janë lidhur 967 akt marrëveshje për shlyerjen e detyrimeve me këste për familje të klasifikuara në ndihmë ekonomike.
“Mbështetja e vazhdueshme që qytetarët e ndershëm po i japin rivendosjes së disiplinës së pagesave dhe luftës ndaj vjedhjes së energjisë janë treguesit më të qartë se rimëkëmbja e sektorit energjetik ka filluar”, – përfundoi Gjiknuri.
Tatimet, së shpejti me sistem të ri informatik
Administrata tatimore do të vërë në funksionim së shpejti sistemin e ri informatik tatimor. Ky është një sistem modern, bashkëkohor, i avancuar dhe shumë praktik në përdorim, që do të sigurojë ofrimin e një shërbimi më të mirë për tatimpaguesit dhe qytetarët. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve, sistemi i deklarimit elektronik, si pjesë e këtij sistemi, do të ofrojë risi në mënyrën dhe formën e deklarimit të detyrimeve tatimore, të trajtimit të deklaratave tatimore, përfshirjen e disa lloje të reja tatimesh të cilat më parë nuk deklaroheshin në mënyrë elektronike.
Falë këtij sistemi, bizneset mund të bëjnë pagesën e taksave, të njihen me legjislacionin dhe vendimet tatimore, të shmangin kontaktet me administratën apo edhe të fitojnë kohë. Por cilat janë rregullat dhe si do të funksionojë ky sistem? Referuar vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, çdo tatimpagues i regjistruar mund të krijojë lidhjen me sistemin qendror.
Tatimpaguesit do t’i jepet një kod unik i cili i jep akses në sistem, nga ku mund të kryejë çdo procedurë tatimore që dëshiron, të paguajë taksat apo të informohet mbi vendimmarrjet. Administrata tatimore është e detyruar të ruajë konfidencialitetin e të gjitha të dhënave me natyrë tatimore dhe financiare, vlerësimet tatimore që ai ka kryer, kontrollet e ushtruara, si dhe çdo información tjetër të marrë vetë nga tatimpaguesi apo nga burime të tjera.
Për të pasur akses në shërbimin e sistemit elektronik tatimor dhe për ta përdorur atë, tatimpaguesi është i lejuar të përdorë shërbimet e ofruara nga sistemi elektronik tatimor, vetëm nëse ai bie dakord të pranojë kushtet dhe kriteret e përdorimit të këtij sistemi.
Ku është reforma në sektorin e turizmit?
Ndërsa turistët shqiptarë po preferojnë që të nxjerrin valutën jashtë vendit, janë të huajt ata që po e kompensojnë disi këtë tendencë. Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë të ardhurat nga udhëtimet (valuta që hyn në Shqipëri përmes të huajve, apo të ardhurat nga turizmi) ishin 946 milionë euro për periudhën janar-shtator 2014, duke shënuar një rritje të fortë me rreth 25%
Zgjerim kanë shënuar dhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë, të cilat janë rritur me ritme më të moderuara, prej 15.3%, duke arritur në 924 milionë euro.
Shtimi më i lartë i parave që të huajt shpenzojnë në Shqipëri ka bërë që për 9-mujorin e këtij viti, bilanci të kthehet në pozitiv, ndonëse kjo shumë është e vogël, afër 22 milionë euro, ndryshe nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar kur bilanci ishte negativ. Për periudhën janar-tetor të vitit të kaluar, shpenzimet e shqiptarëve jashtë ishin më të larta, duke bërë që bilanci të ishte minus 41 milionë euro.
Ndonëse turizmi shihet si një nga sektorët prioritarë të ekonomisë shqiptare, bilanci i të ardhura-shpenzime nga ky sektor, në pjesën më të madhe të kohës, ka qenë negativ.
Rrënohet rubla, banka ruse rrit interesin në 10.5%
Banka Qendrore e Rusisë ka rritur sërish normën bazë të interesit me 100 pikë bazë, në 10.5%, në linjë edhe me parashikimet e analistëve.
Zyrtarët e bankës deklaruan se rritja e inflacionit dhe pritshmëritë se rubla do të dobësohet e detyruan këtë institucion të rrisë normën e interesit. Gjithashtu, Banka e Rusisë parashikon rritje të dobët ekonomike gjatë tre viteve të ardhshme dhe shtoi se do të vazhdojë të rrisë normën e interesit nëse rreziqet inflacioniste shtohen.
Banka qendrore ruse është gjendur nën presion për të ndërmarrë hapa shtesë, pasi rubla është zhvlerësuar me rreth 40% në raport me dollarin që nga qershori i këtij viti, ndërsa inflacioni preku nivelin e 9.1% në Nëntor. Rubla zgjeroi më tej humbjet përballë dollarit, pas vendimit të bankës qendrore, pasi tregjet presin veprime të tjera nga ky institucion për të mbështetur monedhën.
Banka qendrore ka shpenzuar rreth 75 miliardë dollarë për të mbrojtur rublën, vetëm gjatë këtij viti. Një problem tjetër për Rusinë është edhe rënia e çmimeve të energjisë.





