2014/ Huatë e pakthyera, Rriten kreditë e humbura , bankat pa shpresë për afatet tani 493 milionë euro

–   Kreditë, që bankat nuk kanë shpresë t’i marrin më zinin 50% të huasë së pakthyer në afat në total në fund të muajit tetor 2014, nga 48% në tetor 2013…

kredite e keqija2Huatë e pakthyera në afat në banka u ulën lehtë në muajin tetor, duke zbritur në 24.7%, nga 24.9% që rezultuan në shtator.

Të dhënat bëhen të ditura nga statistikat mujore të sistemit bankar të publikuara nga Shoqata e Bankave. Në tetor, ndikimin kryesor në përmirësimin e këtij treguesi e dha ulja e zërit të huave nënstandarde, që u reduktua me 4 miliardë lekë (principali). Nga ana tjetër edhe rritja e kredisë në total në tetor, ndikoi në uljen e peshës së huave me probleme.

Megjithatë, huatë e humbura (ato që bankat nuk kanë shpresë ti marrin më) vijuan rritjen, duke arritur në 69 miliardë lekë, me një zgjerim prej 0.5% me bazë mujore. Kreditë e humbura zinin 50% të huasë së pakthyer në afat në total në fund të muajit tetor. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky raport ishte 48%.

Në rritje janë dhe huatë e dyshimta (me më shumë se një vit vonesë), që u shtuan me 8% me bazë mujore në vlerë absolute.

Në raport me fundin e vitit të kaluar, huatë me probleme rezultojnë të jenë rritur me 0.7 pikë përqindjeje.

Pritshmëritë kishin qenë që kreditë e pakthyera në afat në banka të shfaqnin shenja përmirësimi përgjatë 2014, teksa ekonomia ende vlerësohet që do të rritet 2% këtë vit (nga 0.4% vitin e kaluar) dhe Ministria e Financave shleu rreth 26 miliardë lekë detyrime të prapambetura. Por, Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se aktualisht, subjektet kredimarrëse që kanë përfituar nga shlyerja e detyrimeve të prapambetura të qeverisë, kanë paguar rreth 109 milionë lekë (rreth 1 milion euro) kredi me vonesë.

Share it :