Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka firmosur akuzën e Prokurorisë lidhur me shpërdorimin e detyrës në Bankën e Shqipërisë për blerjen e hotel “Dajtit” me 30 milionë dollarë në vitin 2010. Fullani mbërriti në Prokurorinë e Tiranës rreth orës 16:20 të pasdites së djeshme për t’u njohur me akuzën. Ish-Guvernatori i është drejtuar Prokurorisë pasi akuzohet për shpërdorim detyre për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë. Po ashtu, një tjetër shkelje e përpiluar në dosjen e organi të akuzës është edhe shpërdorimi i detyrës për tenderin e hotel “Dajtit”. Hetimet për vjedhjen e 713 milionë lekëve nga BSH-ja u mbyllën pas një viti. Kanë mjaftuar 10 minuta që Fullani të njihet me komunikimin e akuzës nga organi hetimor, e më pas ta firmos atë. Ardian Fullani shoqërohej në Prokurori nga avokati i tij mbrojtës, Maks Haxhia.
Dosja “Fullani”
Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani nga dita e djeshme është zyrtarisht nën akuzë për shpërdorim detyre. Fullani është njohur me akuzën ndaj tij rreth orë 16:00 në zyrën e prokurorit Ndini Tavani ku ish-zyrtari i bankës ka qenë në shoqërinë e avokatit të tij Maks Haxhia. Hetimet për Fullani u mbyllën një vit pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Bankës si dhe verifikimit të tenderit të blerjes së hotel “Dajtit” dhe tenderave të qirasë për objekte të marra në shfrytëzim nga Banka e Shqipërisë. Burime nga grupi hetimor bënë me dije se Fullani nuk ka kundërshtuar konkluzionet e akuzës, por ka firmosur mbylljen e hetimeve duke pretenduar pafajësinë e tij. Të njëjta burime sqaruan se në hetimet e kryera një ndër provat që ka faktuar shpërdorimin e detyrës nga ish-guvernatori është fakti se procedurat e tenderit për blerjen e hotel “Dajtit” kanë nisur një muaj pasi qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri Berisha kish shpallur me vendim shitjen e hotelit për llogari të bankës. Dëmi në buxhetin e shtetit përllogaritet në miliona euro me një sërë tenderash të bërë në shkelje të ligjit, ndërsa për të arritur në zyrtarizimin e kësaj akuzë hetuesit janë ndihmuar dhe nga dëshmitë e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës.
Dosja “Dajti”
Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë u akuzua për shpërdorim detyre dhe në blerjen e hotel “Dajtit” si dhe marrjen me qira të zyrave të bankës me shuma të mëdha. Në kohën kur Evropa përballej me krizën ekonomike në vitin 2010 Banka e Shqipërisë shpenzoi 41.4 milionë dollarë për blerjen e hotel “Dajtit”, ndërkohë që procedura e ndjekur ishte me prokurim të drejtpërdrejtë pa konkurrentë. Nga ana tjetër Marrja me qira e ambienteve të bankës kur godina ekzistuese rikonstruktohej kapnin vlerën e 1 mijë eurove qira në muaj për një ambient zyre. Ardian Fullani akuzohet se ka cenuar autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke mos emëruar për një kohë të gjatë zëvendësguvernatorin e dytë. Kjo solli probleme në ushtrimin e përgjegjësive të kontrollit në Bankën e Shqipërisë, duke i hapur kështu rrugë vjedhjes në Thesarin e Shtetit. Më 20 maj Gjykata e Tiranës dënoi me 13.4 vite burg, Ardian Bitraj ish-punonjës i Thesarit dhe Mimoza Bruzinë me 10 vite burg për akuzën e vjedhjes nga Thesari i Bankës së Shqipërisë, në qershor të vitit të kaluar.




