Sonila Mesareja
Krerët e INUK dhe INUV, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”. Kërkesa e Prokurorisë, pezullohen nga detyra 11 inspektorë të dy inspektorateve, vendor dhe kombëtar
Gjykata e Tiranës ka liruar dje dy krerët e INUV dhe INUK, ndonëse me dy standarde, duke caktuar përkatësisht masat “Arrest shtëpie” dhe “Detyrim paraqitje”. Të dy lirimet janë pritur me brohoritje nga mbështetësit e tyre që pritën vendimin e gjyqtarit Artan Laze, fillimisht ai i kreut të INUV, Florenc Hoxha dhe më pas ai i kreut të INUK, Zyhdi Dajti. Akuza që rëndonte mbi ta ishte ajo e “Shpërdorimit të detyrës”, ndërsa ishin marrë në mungesë nga i njëjti gjyqtar. Por, ndonëse me të njëjtën akuzë, gjyqtari Laze, Hoxhën e izoloi në banesë ndërsa Dajtin e liroi nga salla e gjyqit.
Lirimi i kreut të INUV
Pas përfundimit të seancës së vleftësimit të kushteve të zbatimit të masës së sigurisë, gjyqtari Artan Laze vendosi të dërgojë në shtëpi, me masë “Arrest shtëpie” kreun e INUV, Florenc Hoxha. Pas seancës, avokati mbrojtës, Ivi Kaso, i pyetur nga gazetarët deklaroi jashtë ambienteve të Gjykatës së Tiranës se Prokuroria nuk kishte asnjë provë ndaj klienti i tij. “Pretendimi ose mbrojtja jonë ishte e bazuar në dy pika kryesore. Në radhë të parë pretendimi ynë se kërkesa e Prokurorisë ishte e pashoqëruar me fakte dhe prova, pra ishte e pabazuar. Dhe në radhë të dytë, kërkesa e Prokurorisë ishte e papërshtatshme pasi në një kërkesë pa fakte dhe prova kërkonte menjëherë aplikimin e masës më të rëndë të sigurimit, masë e cila aplikohet kur nuk mund të aplikohet asnjë masë tjetër më e lehtë dhe në këtë këndvështrim gjykata njohu bazueshmërinë e pretendimeve tona që masa e kërkuar nga Prokurori ishte së paku e papërshtatshme. Për faktin që është e paprovuar, do ta provojmë gjatë seancave të tjera gjyqësore”, – tha avokati Kaso. Ky vendim i gjyqtarit Laze, është përshëndetur me brohoritje nga një grup mbështetësish, miq dhe të afërm që prisnin çfarë do vendosej për Hoxhën.
Lirimi i kreut të INUK
Pas seancës së masës për kreun e INUV, radhën e ka pasur vleftësimi i masës për kreun e INUK, Zyhdi Dajti. Edhe për të gjyqtari Artan Laze vendosi lirimin nga paraburgimi, por duke caktuar masën “Detyrim paraqitje”. Në përfundim të seancës, edhe avokati i tij pati një reagim për mediat. Mbrojtësi Salinji deklaroi se “Prokuroria nuk mund të ndërhynte në një proces administrativ me një masë ekstreme”. Duke shprehur bindjen se drejtësia do të vihet në vend, ai tha se klienti i tij është i hapur ndaj çdo hetimi. “Gjykata pasi verifikoi kushtet dhe nevojat e zbatimit të masës së sigurisë në seancën e sotme, dëgjoi pretendimet tona të cilat ne parashtruam para gjykatës së nuk ekzistojnë kushtet për vendosjen e një mase sigurie “Arrest me burg” dhe i kërkuam gjykatës të mos ketë masë sigurie për rastin konkret. Për arsye se rasti është administrative dhe nuk mundet që Prokuroria të ndërhyjë në një proces administrativ duke marrë masa të rastit ekstremisht, siç është kjo e sotmja. Është një proces administrativ, Prokuroria ka nisur një hetim, ne sqaruam rrethanat e faktit në lidhje me këtë rast dhe gjykata gjeti me vend duke dhënë vendimin, lirimin e menjëhershëm nga salla dhe “Detyrim paraqitje” për zotin Zyhdi Dajti. Dhe ne u shprehëm para gjykatës së jemi të hapur ndaj çdo hetimi. Ky është një momenti i parë, por jemi të bindur se ligji dhe drejtësia do vihet në vend dhe në këtë rast”, – përfundoi avokati Salinji. Kru i INUK, Zhydi Dajti u vetëdorëzua dy net më parë në komisariatin e Vlorës, duke e quajtur vendimin e Prokurorisë për arrestimin e tij të turpshëm. Dajti është shprehur se ka respektuar ligjin gjate detyrës si kreu i INUK dhe se do të zbatojë ligjin duke u paraqitur në institucionet përkatëse për të vërtetuar pafajësinë e tij.
Hetimet për Dajtin
Sipas akuzës së paraqitur para togave të zeza nga prokurori Ramadan Troci, në cilësinë e kryeinspektorit të INUK-ut, shtetasi Zyhdi Dajti ka vepruar në kundërshtim me ligjin që rregullon funksionimin dhe veprimtarinë e INUK-ut, në shkelje flagrante të ligjit, duke nxjerrë akte të pavlefshme dhe duke i dëmtuar paditësit të drejta dhe interesa të ligjshme. Po ashtu, ka vepruar në kundërshtim me vendimet e Gjykatës, të cilat e kanë urdhëruar INUK të mos bllokojë punimet në dy rastet e kallëzuesve. Por, pavarësisht vendimeve të gjykatave, duke qenë në dijeni të tyre, kryeinspektori i INUK-ut ka vijuar me praktikat e kundërligjshme për dy rastet, objekt hetimi. Gjatë hetimit ka rezultuar se, kryeinspektori i INUK ka nxjerrë vendime pezullimi, duke i marrë kompetencat e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV). Sipas ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin e ndërtimit” në nenin 9 të tij ka sanksionuar se Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar, ushtron përgjegjësitë e inspektoratit ndërtimor e urbanistik të bashkisë/komunës/qarkut për ndërtimet në zonat dhe objektet me rëndësi kombëtare, kur konstaton shkelje të ligjshmërisë në fushën e urbanistikës dhe kur ato nuk janë ushtruar nga inspektorati ndërtimor e urbanistik i bashkisë/komunës/qarkut; kontrollon zbatimin e dispozitave të këtij ligji nga inspektorati ndërtimor e urbanistik i bashkisë/komunës/qarkut. Nga hetimi ka rezultuar se, në të dy rastet e kallëzuara, nga ana e INUV, Bashkia Tiranë, shoqëritë e ndërtimit janë pajisur me dokumentacionin përkatës, si edhe nga ana e INUV janë ushtruar kontrollet për rregullsinë e veprimeve nga ana e shoqërive ndërtimore. Pra, sipas hetimit, nuk ka qenë e nevojshme ndërhyrja e INUK-ut në këto dy raste, pasi nuk plotësohen kushtet e ligjit të sipërcituar: zona me rëndësi kombëtare dhe mosndërhyrja e INUV. Për këtë arsye INUK nuk mund të fshehë veprimtarinë e saj as me arsyetimin se nga ana e INUV nuk është inspektuar territori, si kërkesë e ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”.
Vendimi
Gjykata pezullon nga detyra 11 inspektorë të INUK dhe INUV
Pas akuzave të ngritura ndaj shefave të INUK dhe INUV, Gjykata e Tiranës, me kërkesë të Prokurorisë Tiranë, Njësia Task-Forcë, përkatësisht në dy procedime të veçanta, ka vendosur mesditën e djeshme masën e pezullimit nga detyra për 11 inspektorë ndërtimi, nga të cilët 8 të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) dhe 3 të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV), Bashkia Tiranë. Sipas kërkesës së dy prokurorëve, Ardian Braho e Ramadan Troci, të gjithë inspektorët akuzohen për “Shpërdorim detyre”. Inspektorët e INUK akuzohen për shpërdorim detyre në bazë të fakteve dhe provave që janë hetuar dhe grumbulluar nga Prokuroria e Tiranës gjatë hetimeve për kryeinspektorin e INUK, Zyhdi Dajti. Sipas akuzës, inspektoret e INUK të pezulluar nga detyra janë Petrit Asllani, Dorjana Ferati, Ismail Kamberi, Ermal Kaçurri, Bledar Aliaj, Elvis Xhaxho, Vilson Dushku dhe Agim Kaloçi. Ndërkohë që sipas akuzës, inspektoret e INUV akuzohen për shpërdorim detyre në bazë të fakteve dhe provave që janë hetuar dhe grumbulluar nga Prokuroria e Tiranës gjatë hetimeve për kryeinspektorin e INUV, Bashkia Tiranë, Florenc Hoxha. Inspektorët e INUV të pezulluar nga detyra janë Artan Noka, Irlind Topi dhe Shkëlzen Hoxha.




