Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot me homologun e tij italian, Paulo Gentiloni, gjatë një vizite zyrtare në Romë.
Thaçi e Gentiloni kanë diskutuar për arritjet e Kosovës në konsolidimin e brendshëm e të jashtëm të shtetit, për hapat pozitivë të hedhur në dialogun mes Kosovës e Serbisë, si dhe për përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare nga ana e institucioneve të Kosovës.
Thaçi falënderoi homologun italian, Gentiloni, për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë dhënë Kosovës, që nga koha e luftës, e cila rezultoi me një bashkëpunim të mirë politik mes dy vendeve.
“Do të dëshironim që ky bashkëpunim të thellohet edhe në rrafshin ekonomik.Tanimë në Kosovë ka investitorë të suksesshëm italianë”, deklaroi Thaçi.
Nga ana e tij, titullari i Farnesina-s, Gentiloni, ka evidentuar me kënaqësi edhe pjesëmarrjen e Kosovës në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar anti-Daesh(ISIS), raporton Velino.it.




