Vendimi/ Për çdo polic të vrarë, Dritan Dajti dënohet me 4 burgime përjetë

Sonila Mesareja

dajti gjyq Urdhri i Gjykatës/ Policia e shoqëron forcërisht në gjyq, refuzon të mbrohet. Gjykata e shpall të pafajshëm për vrasjen e Ledion Marës, fajtor për vrasjen e specialëve të GOS dhe plagosjen e plazhistit

 Merr fund telenovela “Dajti”, dënohet me 4 burgime përjetë. Gjykata, më në fund, pas tri shtyrjeve për shkak të refuzimit të të pandehurit për të ardhur në Gjykatë, vendosi të urdhëronte shoqërimin e tij me forcë për në sallën e gjyqit për të vijuar seanca e parashikuar çdo të martë. Por, sërish Dajti ka refuzuar të reagojë për t’u mbrojtur, në shenjë proteste ndaj mbylljes së procesit për publikun dhe mospranimit të kërkesave të tij. E gjendur përballë kësaj situate, trupa gjyqësore ka vendosur të japë verdiktin përfundimtar, duke dënuar me 4 burgime përjetë të pandehurin, nga një burgim për çdo polic të vrarë. Ai u dënua me 15 vite burg edhe për plagosjen e një plazhisti, kalimtar i rastësishëm në momentin e ngjarjes, si dhe të shpallet i pafajshëm për vrasjen e Ledion Marës, për të cilën akuza e deklaroi fajtor dhe kërkoi dënimin me 25 vite burg. Nga burime brenda Gjykatës bëhet me dije se nga ana e të pandehurit vendimi u prit me mjaft qetësi dhe pa asnjë kundërshti nga fillimi deri në fund, ndërsa sërish seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, pas kërkesës së prokurorit të çështjes.

 

Akuza

Ishte mesditë kur policia do të merrte urdhër për të vepruar ndaj makinës me të cilën po lëvizte objektivi i tyre. “Në një moment, rreth orës 13:50 të datës 7.8.2009, automjeti me të cilin po lëvizte Dajti ka ndaluar në afërsi të kryqëzimit që të çon për tek pista e vogël “Iliria”. Në këtë moment, grupi operacional është afruar në drejtim të mjetit tip “Touareg” me tre automjetet e tyre dhe më konkretisht me autoveturën tip “Golf” ngjyrë blu, brenda së cilës kanë qenë punonjësit e policisë A. Xh. dhe P. S. Në automjetin e dytë, tip “Ford Fiesta”, ngjyrë jeshile, kanë qenë punonjësit e policisë Kastriot Feskaj dhe F. M. Ndërsa në mjetin e tretë, tip “Renault” ngjyrë gri kanë qenë efektivat P. L., F. G. dhe Sajmir Duçkollari. Ndërsa punonjësi i policisë Altin Dizdari është afruar tek mjeti “Touareg” me një motor 50 kubikësh tip “Scuter” ngjyrë bezhë. Hetimi dhe gjykimi ka provuar se automjeti “Volkswagen Touareg” është parkuar në krahun e kundërt lëvizës, konkretisht në krahun e majtë të rrugës dytësore, pista “Iliria 2” – Durrës. Automjeti është parkuar nga Ergest Xhoxhi dhe është vendosur përballë një furgoni ngjyrë të bardhë të llojit “Mercedes-Benz”. Ai është lënë i ndezur dhe nga automjeti kanë zbritur Ergest Xhoxhi dhe Ledion Mara, të cilët janë vendosur në pjesën e pasme të automjetit, i cili vazhdonte të ishte i ndezur dhe ku brenda tij ishte i pandehuri Dritan Dajti. Pikërisht në këtë moment, komandanti i forcës së posaçme Fatos Xhani që ishte në terren rreth 20 metra larg nga automjeti përballë tij, pasi ka parë tërë skenën e momentit kur është parkuar mjeti ka urdhëruar grupet e posaçme të forcës që tashmë ishin afruar mjetit të ndërhynin për neutralizimin e të pandehurit Dajti, i cili kishte mbetur i vetëm në makinë.

 

Vrasjet e efektivëve

Sapo janë afruar tek mjeti “Touareg”, punonjësi i policisë Fatos Xhani ka hapur derën e parë të krahut të shoferit të mjetit tip “Touareg” dhe me thirrjen “Ndal policia’” i është drejtuar personit që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit. Hetimi ka provuar se Fatos Xhani i është afruar makinës nga krahu i djathtë para, pra nga krahu i shoferit, dhe është futur mes murit rrethues të një ndërtese dhe autoveturës. Në moment, pasi ka konstatuar efektivin Xhani, i cili me thirrjen “Ndal policia” i është drejtuar pasagjerit të sediljes së pasme, nga ana e personit që ndodhej brenda mjetit është hapur zjarr në drejtim të Fatos Xhanit, duke e lënë të vdekur atë. Ai është rrëzuar në gomën e pasme të krahut të shoferit, duke rënë përmbys. Pasi ka parë praninë e policisë në krahun e shoferit, autori Dritan Dajti ka tentuar të dalë nga dera e pasme e krahut të pasagjerit, por edhe aty ka konstatuar forca policie e konkretisht në atë moment tek dera e pasme e krahut të pasagjerit është afruar për të hapur derën punonjësi i policisë Saimir Duçkollari, i cili ka qenë i veshur me një xhup fëshfësheje ngjyrë blu me logon “Policia”, të shkruar në pjesën ballore të tij dhe në kokë ka pasur një kapele të errët me logon “Dea”. Prania e policisë edhe në atë anë ka bërë që Dajti të hapë zjarr nga krahu i djathë i makinës me dy armë zjarri, ku për pasojë ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Saimir Duçkollari, i cili sapo kishte prekur dorezën e derës së pasme të autoveturës ku brenda saj vazhdonte të ishte Dajti. Kjo skenë është parë e gjitha nga dëshmitari F. G., i cili ka qenë vetëm 2 metra larg nga Saimir Duçkollari, i armatosur me armë automatike “Kallashnikov”. Deklaruesi F. G., pasi ka parë këtë skenë, është tërhequr dhe ka mbushur automatikun që kishte me vete. Në momentin kur ka tentuar të qëllojë drejt autoveturës, arma e tij është bllokuar dhe ka bërë që të dalë jashtë funksionit për momentin. Ndërsa dy punonjësit e parë, të cilët i janë afruar autoveturës “Touareg”, F. G. dhe Saimir Duçkollari kanë qenë vendosur në krahun e djathtë të mjetit, pas gomës së pasme krahu i pasagjerit, efektivi A. Xh. ka qenë në pjesën e pasme të “Touareg”-ut në krahun e majtë të tij dhe ka parë krejt skenën e vrasjes së shtetasit Fatos Xhani. Nga ana tjetër, efektivët e policisë P. S., F. M. dhe Kastriot Feskaj janë përpjekur të neutralizojnë tre persona që qëndronin në këmbë pas mjetit tip “Touareg” në momentin kur forcat policore hynë në veprim. Efektivi i policisë P. S. ka neutralizuar për momentin një djalë të ri të moshës rreth 25 vjeç, 1.80 m i gjatë, të cilin e ka rrëzuar në tokë. Punonjësi i policisë F. M. ka neutralizuar dhe prangosur shtetasin Erges Xhoxhi, të cilin ka tentuar ta largojë nga vendi ku po zhvillohej ngjarja, pasi kishte shumë të shtëna me armë zjarri. Ndërsa Kastriot Feskaj është përpjekur të ndihmojë F. M. të lëvizte nga vendi shtetasin Ergest Xhoxhi për ta nxjerrë jashtë nga rrezja e zjarrit që vazhdonte të qëllohej prej të pandehurit Dajti. Personi, i cili është neutralizuar në fillim nga polici P. S. ka mundur t’i largohej këtij të fundit dhe në ndjekje të tij është vënë polici Kastriot Feskaj, duke u futur në një rrugicë, e cila është paralel me rrugën ku kishte ndaluar mjeti “Touareg”. Nga ana tjetër, i pandehuri Dajti, i identifikuar si personi që qëlloi nga brenda “Touareg”-ut dhe vrau dy punonjësit e policisë Fatos Xhani dhe Sajmir Duçkollari, ka dalë nga dera e pasme e mjetit, krahu pas shoferit dhe menjëherë ka hapur zjarr në drejtim të punonjësit të policisë Altin Dizdari në distancë jo të largët. Nga shkëmbimi i zjarrit, pikërisht në mesin e kryqëzimit ku po zhvillohej ngjarja, ka mbetur i vrarë polici Altin Dizdari, i cili nuk ka arritur të hynte në operacion, pasi sapo kishte ardhur në vendngjarje me motor, i maskuar me rroba plazhi. Njëkohësisht, nga përdorimi i armës prej Dritan Dajtit, në momentin kur është qëlluar drejt Altin Dizdarit, ka mbetur i vrarë dhe shtetasi Ledion Mara, i cili ishte i shoqëruar me Ergest Xhoxhin dhe po qëndronte me të pas makine në momentin kur mbërriti policia. Pasi ka kryer këto veprime, Dajti ka vazhduar rrugën në drejtim të rrugicës së plazhit me një çantë që kishte krahaqafë, me qëllim që të hynte në plazh dhe të përzihej me plazhistët. Pikërisht në atë rrugicë, e cila është dhe rrugica që të dërgon në apartamentin e të pandehurit, por edhe në pistën “Iliria”, me pistoletën që mbante në dorë, i pandehuri Dritan Dajti ka qëlluar dy herë në drejtim të P. S., i cili kishte mbetur i rrëzuar në mesin e rrugës për në plazh në momentin që po përleshej me personin që arriti t’i largohej. Nga ana tjetër, personi që ka mundur t’i largohej P. S. është ndjekur me vrap nga efektivi i policisë Kastriot Feskaj dhe në hyrje të rrugicës së dytë, Kastrioti ka arritur ta neutralizojë këtë person. Pasi ka parë këtë skenë, Dajti i është afruar policit Kastriot Feskaj, duke e qëlluar këtë të fundit disa herë nga pas. Pikërisht pasi është qëlluar dy herë nga pas, në pjesën e kokës nga i pandehuri, viktima Kastriot Feskaj e ka lëshuar personin që kishte neutralizuar dhe personi i neutralizuar arriti të largohej nga vendi i ngjarjes dhe nuk është bërë e mundur kapja dhe identifikimi i tij. Më pas ka vijuar rrugën drejt plazhit dhe ka qëlluar dhe në drejtim të shtetasit F. Sh., i cili po kthehej nga plazhi dhe ishte kalimtar i rastit.

 

 

Share it :