Vdekja me sy burri!

Përkujtim shkrimtarit, shkencëtarit dhe përkthyesit Abdullah Konushevci

 Dr. Hysni Hoxha

 

u2_Abdullah KONUSHEVCI(vijon nga dje)

Lufta me dashurinë

Që në kohë të lashta i dashuruari ka qenë në luftë me pasionin e dashurisë dhe, pothuaj, në përgjithësi në atë luftë, në çdo kohë, ka triumfuar bukuria magjike e femrës. Është i njohur mendimi i Homerit për bukurinë e femrës kur thotë: Edhe pleqtë e thinjur e kthyen kryet kur panë Helenën e bukur.

Në kohën e antikitetit ilirik, grek, poeti Anakreont në vjershën “Fytafyt me dashurinë”, këndon: Sillna verë e sill kurorë / Sepse sot unë do të zihem / Fytafyt me dashurinë. (Lirika antike greke, përktheu, Henrik Lacaj).

Një preokupim i tillë i temës së dashurisë, në poezinë e sotme, strukturohet me shprehje bashkëkohore. Poeti Abdullah Konushevci, frymëzuar nga bukuria e të adhuruarës, e veshur me dritën e Zotit, e ushqyer me dashurinë e Zotit, në këngën VI të përmbledhjes “Lutje dashurie” i lutet Zotit të dalë fitues këtë herë në luftë me pasionin e dashurisë. Ndërsa në këngën VI lufton për të shpëtuar nga “zjarri përpirës” i saj, në këngën XVIII kemi një përjetim tjetër estetik të kësaj teme. Tani poeti parasheh luftë triumfuese me armiqtë e dashurisë, rrezikun nga të cilët e ka evokuar edhe në vjersha të tjera të veprave që i kemi përmendur. Poeti në këngën XVIII, i bindur në fitore, identifikohet me Arbrin, me ushtarin e moçëm dhe thotë: O duhet m’u kthye mundës / O mos m’u kthye gjallë.

Shkrimtari Kadrush Radogoshi, i impresionuar nga kjo vjershë, lexuar në internet, duke vënë në pah fatin e subjektit lirik dhe atë kombëtar, konstaton: “Kjo poezi m’i kujtoi heronjtë e Gavril Darës së Ri, Nikë Petën e Pal Golemin”.

 

Dashuria, afsh i papërmbajtur

Dashuria është afsh që djeg, që të bën të vuash, që të bën të sëmuresh edhe të flijohesh. Lasgush Poradeci në vjershën “Ku vemi shpesh” këndon: Ku vemi shpesh veç unë e ti / Ku djeg si zjarr moj dashuri.

Afshi i zjarrtë i dashurisë artikulohet shpesh në poezinë e Abdullah Konushevcit, si në vjershën me titull figurativ “Burri dhe lisi”:

Në lirikën e Lasgush Poradecit po ashtu edhe të Abdullah Konushevcit, bie në sy mishërimi i të dashuruarve dhe ndjenja e adhurimit ndaj së dashurës. Sipas mendimit të Poradecit, shfaqur në vjershën “Kjo mbrëmje”, dashuria është dehje e fshehtë.

Në këngën XI, “Lutje dashurie” Konushevci shkruan: Janë dy flakë të bardha korb / Digjemi dhe njeri s’na sheh.

Këto janë flakët e dashurisë së dy të dashuruarve. E bardha evokon ngazëllimin, lumturinë. Ajo ka edhe të zezën, rrezikun. Me magjinë pushtuese të saj, dashuria s’të lë gjallë të ngazëllehesh; të bën të vuash edhe në fund të sakrifikohesh.

 

Magjia e syve që të pushton,që të nguron, që të shiton

Sytë e bukur të femrës si figurë stilistike e përhershme, që me fuqinë magjike pushton burrin, në poezinë gojore dhe të shkruar shfaqet që në kohë të hershme. deri në ditët e sotme. Në poezinë “Kënga e këngëve të Biblës”, i fejuari, i magjepsur nga bukuria e të fejuarës, i drejtohet asaj: Syt e tu sy pëllumbeshe/ Mos më shiko me syt e tu/ se krejt m’ i more mendtë. Francesco Petrarca në librin e tij “Canzoniere” (Libri i këngëve) dhimbjen e thellë dhe të pashërueshme ndaj fuqisë pushtuese të syve të saj, e shpreh nëpërmjet foljeve metaforike: Jan’ dy sy të butë që shkëndijojnë/ që ndezur rrin’ e japin xixëllimë…Po në këtë këngë dhe në këngë të tjera, Petrarca me pikëllim këndon për sytë e saj përvëlues dhe vrasës. Si në poezinë e Petrarcës, po ashtu edhe në poezinë “Përmallohem” të Rabindranath Tagore, shikimi magjik i syve shkakton dhimbje të pashërueshme: Shigjetat e pandërprera nga syt’ e tu, janë dhimbja ime që nuk shërohet.

Në krijimtarinë poetike të Abdullah Konushevcit, fuqia, asgjësuese, vrasëse strukturohet në një përmasë më të gjerë. Qenia e bukur femërore ka natyrën e fuqisë mitologjike. Veprimet e saj, si të zanës, strukturohen nëpërmjet foljeve metaforike vepruese, mandej nëpërmjet epitetit. Syt e saj shitues, si në vjershën “Malli me ngurue”.

Siç vërehet që herët është kënduar për fuqinë e rrezikshme të femrës, që e pushton mashkullin. Si e tillë vërehet në poezinë “Kënga e këngëve”, që konsiderohet njëra ndër krijimet më të bukura, që i kushtohet dashurisë. Poeti Rabindranath Tagore në këngën 50 të përmbledhjes “Kopshtari”, i përmalluar thellë që të takohet me të dashurën, takimin me të dashurën e konsideron të fuqishëm si vdekja që përbin çdo gjë.

Bukuria e femrës ka fuqi vrastare. Lasgush Poradeci i pushtuar nga bukuria e të adhuruarës, në vjershën “Kush ta fali bukurinë”, këndon: Kush ta fali bukurinë / Që të më trerosh të zinë /… / Bubu plumb në kraharuar / Plumb që vret duke gjëmuar.

Edhe në lirikën e Abdullah Konushevcit ndihet malli i flakët i dashurisë, si në këngën III: Zot digjem si një bujashkë.

Duke qenë i vetëdijshëm për këtë gjendje të tillë shpirtërore, poeti i lutet Zotit, që është vetë dashuria dhe mbrojtës i saj: Oh, Zoti Ynë / Të falem pse po na shkrin / E nuk po na tret. (Kënga XVI).

Përkitazi me dashurinë pasionante, me ndjenjën e papërballueshme të saj, poeti Abdullah Konushevci ka shfaqur qartë pikëpamjet e poetikës së tij: “Me vargjet e fundit, që u pëlqyen më së shumti, kam bërë përpjekje të shpreh një dashuri pasionante, aq sa të dashurit sikur duan t’i marrin shpirtin njëri tjetrit, duke u dashuruar marrëzisht, çmendurisht, egërsisht” (Fjala është për përfundimin e këngës XLVIII nënv. H. H).

Në këtë kontekst poeti në këngën XI shkruan: Një ditë do ta vras / Ose do ta mbys së dashuri / Një ditë do të më vrasë / ose do të më mbysë së dashuruari.

 

 

Lutje Zotit që të mbrohet dashuria

Abdullah Konushevci, jo vetëm atëherë kur është i ngazëllyer, i përgjëruar nga dashuria, por edhe atëherë kur është i qetë dhe i lumtur i lutet Zotit që ta mbrojë dashurinë e tyre. Në përmbledhjen “Lutje dashurie” të përbërë prej 53 vjershash, numri më i madh i tyre fillojnë me lutjen drejtuar Zotit. Edhe në disa këngë që nuk fillojnë me lutjen drejtuar Zotit, në strukturën e tyre ndiet zëri i lutjes drejtuar Zotit. E adhuruara e vet, thotë poeti, është bija e Zotit. Ajo është fytyra e hirit të Zotit. Në lirikën e dashurisë të poetit tonë Zoti identifikohet me dashurinë. Duke u lutur dhimbshëm që ta mbrojë dashurinë, këngën IV e përfundon në këtë mënyrë: “Zot ndihmoji / tekefundit / Vetë ti je dashuria.

Lexuesit Anila Kruti, Adem Gashi, Prend Buzhala, që i kanë lexuar këto këngë në internet, ende pa u botuar vepra, me të drejtë i konsiderojnë psalme dashurie, psalme shpirti (A. Kruti). Karakteri i psalmeve bie në sy shpeshherë në këtë vepër gjatë himnizimit që i bën poeti të adhuruarës, po ashtu edhe gjatë lutjeve të pandërprera drejtuar Zotit për ta ndihmuar poetin kur ai, i përgjëruar nuk gjen prehje. Prej kënge në këngë lutjet i përshkon një dhembje e thellë dhe e sinqertë. Në këngën V ai këndon: Zot më shpëto me mend / Se kam ra në dashni.

Ky është një preokupim i thellë ndjenjor, karakteristikë njerëzore që bie në sy që në lashtësi dhe vijon deri në ditët e sotme kur, para bukurisë së femrës, ndjenja e papërballueshme e dashurisë e mund arsyen dhe mashkulli i përulet asaj. Kjo ndjenjë, në mënyrë funksionale, strukturohet jo rrallëherë nëpërmjet hiperbolës: Zotynë ndihe tët bir… / Plagët e tij / Nuk e lënë diellin me lindë. (Kënga VI).

Në këngën XLV poeti evokon natyrën enigmatike të së dashurës, e cila di çdo gjë për të dashurin dhe nuk flet. Ajo e di se atë e ka shigjetuar Kupidi, Perëndia e Dashurisë; ajo e di se ai e ka jetën në rrezik dhe prapëseprapë hesht. Përkundër një qëndrimi mospërfillës ndaj dashurisë, poeti atë do ta adhurojë edhe në çastin e fundit të jetës së tij: Ti i bukuri i Qiejve / Mos i prish fytyrën / Kur të jap frymë / Në krahët e saj.

Këto vargje na sjellin ndërmend kultin ndaj bukurisë së femrës, që e hasim në traditën e mentalitetit të qenies sonë. Janë të paharruara vargjet e këngës lirike gojore “Veleshtare moj kokone”: Do t’i lutem Zotit, mos ta prish atë bukuri.

Tagore gruan që e adhuron e himnizon si qenie të jashtëzakonshme. Në këngën 59 të përmbledhjes “Kopshtari”, ai këndon: O grua, ti nuk je vetëm krijesë e Zotit, por je edhe njerëzore. Kënga mbaron me këtë varg: Ti je gjysmë grua, gjysmë ëndërr.

Në numrin më të madh të vjershave të Abdullah Konushevcit me temë dashurie, e adhuruara e tij evokohet si qenie hyjnore. Si e tillë ajo identifikohet me ëndrrën. Mirëpo, në krijimtarinë e poetit tonë hasim vjersha që të adhuruarën e evokon si qenie njerëzore të realitetit të sotëm. E tillë është kënga XXIX: Kam m’i folë një ditë rëndë/ Pse më ka lënë shpesh vetëm./ Pse kam qenë vetë i njëqindti. Siç vërehet autori në mënyrë të sinqertë dhe spontane e ka shfaqur shqetësimin e vetmisë së tij. Veç kësaj bien në sy edhe krijime të tjera poetike ku e dashura është qenie e realitetit njerëzor. Të tilla janë vjershat e përmbledhjes “Dashni dhe vdekje”, si për shembull: “Ty që je një margaritar”, “Në atë ditë me shi” etj..Abdulahu ka shkruar vjersha edhe në zhanrin e lirikës erotike, e cila rrënjësisht shquhet nga ato krijime ku e dashura është qenie hyjnore.

 

Drita si metaforë kontekstuale

 

Drita si metaforë e përhershme në krijimtarinë poetike shfaqet që në kohë të lashta. Si e tillë përdoret shpesh në kontrast me errësirën. Poeti i lirikës antike romake, Albie Tibul, i tradhtuar nga e dashura e tij, Delija, që për të ka qenë gruaja ma e bukur në Romë, këndon: Ti je dritë në natën e errët / Ti je bota e tërë në vetminë time.

Drita si metaforë kontekstuale, strukturohet edhe në krijimtarinë e poetëve të tjerë, po ashtu edhe në shkrimin e shenjtë (Bibla), në “Kënga e këngëve”, në “Librin e psalmeve” dhe në pjesë të tjera të Biblës. Bukuria e femrës te “Kënga e këngëve” krahasohet me dritën, diellin, hënën.

Drita si figurë stilistike artikulohet edhe në poezinë tonë gojore, në poezinë e Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit dhe te krijues të tjerë.

Në lirikën e Abdullah Konushevcit e vërejmë në një shtrirje të gjerë, posaçërisht në tri përmbledhjet që i përmendëm. Në vjershën “Drita e saj është në mua” të përmbledhjes “Jeta e dytë”, Drita është e adhuruara e poetit me të cilën është mishëruar. Si e tillë ajo ia ndrit udhën e jetës dhe atë e nxjerr në shteg, në jetë të vërtetë.

Gruas së tij, që ndërroi jetë më 1 maj 2013, dhe e la të vuante nga sëmundja e pashërueshme, i kushtoi vjershën, “Nuk munda ta ndaja nga dielli” (Jeta e dytë).I përmbajtur në gjendje pikëlluese, pa tinguj patetikë, thuri vargjet e kësaj vjershe: Atë ditë që shkove / Kishte shumë diell / Dhe unë s’mund të ndaja / Diellin nga ti.

 

Imazhe lirike joshëse

 

“Takimi me dritën”, njëra ndër vjershat më të mira, është një imazh lirik joshës shprehur nëpërmjet metaforës drita me të cilën emërohet e dashura. Nëpërmjet kësaj figure stilistike që përsëritet shpeshherë, poeti shfaq dashurinë që ndien ndaj Dritës: Dhe Drita ishin buzët / Dhe Drita ishin syt / Dritë ishte edhe uji / Dhe deti Dritë ishte.

Me emrin Drita identifikohen gjymtyrët e bukura të femrës dhe çdo gjë në natyrë ka marrë një pamje të ndritshme. Përsëritja e kësaj figure në katër strofat, që përbëjnë këtë vjershë, përveç imazhit të shndritshëm lirik, krijon edhe një ritëm dinamik që shpreh ndjenjën ngazëlluese të poetit ndaj të adhuruarës së tij. Në strofën e fundit Drita shndërrohet në simbol i të mirës, kundër errësirës, kundër së keqes: Kur nata / Zhduket me vrap / Dihej se drita ishte / Ajo që e ndiqte pas.

Në bazë të imagjinatës vizuale Abdullah Konushevci krijoi imazhe lirike joshëse: Kur në të çel dashuria / Qetësi yjesh / Duhet me reshë / Me m’u kthye eshtrat në vend. (Kënga L e përmbledhjes, Lutje dashurie).

Të gjithë i kemi përjetuar me kënaqësi netët e qeta të shndritshme nga yjet. Poeti në këtë vjershë përdor foljen metaforike, resh, që në të folmen e rëndomtë ka kuptimin e shiut apo borës kur bie. Mirëpo, metafora resh në kontekstin e kësaj vjershe, ka një domethënie poetike, e cila është burimore dhe efektive në aspektin estetik. Poeti për t’u qetësuar, dhe për t’u kënaqur shpirtërisht këndon: Qetësi yjesh duhet me resh.

 

Imazhe hyjnore

 

Në lirikën e Abdullah Konushevcit strukturohen edhe imazhe lirike hyjnore, që joshin lexuesin. I ngazëllyer nga afshi i dashurisë, poeti këndon: Unë s’kam me ecë më / kam me fluturue / Kam me qenë krejt prej drite / (Kënga XXX).

Jo rrallëherë ngazëllimi mbërrin në ekstazë dhe poeti i lutet Zotit ta shpëtojë nga kjo gjendje. E adhuruara i duket si një qenie e mrekullueshme të cilën e ka krijuar Zoti. Poeti bukurinë e saj e identifikon me Zotin: Zot i madh më fal / Nganjëherë më bëhet ajo je Ti / Dhe Ti je medoemos / Ajo është vetëm një fytyrë / E hirit tënd të derdhur me shumë mall / Ajo është faltorja jote / Në cilën të falem çdo ditë. (Kënga XII).

I bindur se ajo është mishëruar me Zotin, i lutet të Madhërishmit që t’ia falë përditë të dashurën, e cila për atë ajo është bukë, kripë, zemër, Bibël, Kuran. Ajo identifikohet edhe me vendet e trojeve tona etnike.

Kënga XLIX është një rrëfim ngazëllues lirik i dashurisë: Kam me këputë një copë qiell / Me mbështjellë dashninë tonë / Me ruejtë nga sy i keq.

Pas këtij vizioni plastik joshës, në strofën e tretë të kësaj kënge krijohet një vizion tjetër në trajtë dramatike: dashuria mbështjellë me një copë qielli të këputur, që fshihet thellë nën dhe. Kjo, sipas poetit, do të ndodhë të dielën, Ditën e Madhe të Zotit. Kjo është Dashuria, dhurata më e madhe e Zotit, që të ruhet nga më e keqja. Nga gjaku i këtyre dy të dashuruarve, si rrëfen poeti, do të çelin lulëkuqet në tokën e zezë. Me figurën lulëkuqet sugjerohet dashuria sakrifikuese, që përfundon me vdekjen në tokën e zezë. Poeti, në fund të vjershës u drejtohet njerëzve: Dashninë dhe vdekjen / Kanë m’i pa bashkë.

Pas vdekjes dy të dashuruarit, me afshin e dashurisë që ua fali Zoti, mbeten të pavdekshëm. Në strofën e katërt poeti krijon një imazh burimor hyjnor në trajtë ekspresive: Syshkruar flokëzezë / Ti ke m’u hapë fushave / Si vetë Frymë e Zotit. Me imazhin e dashurisë “mbështjellë në një copë qiell”, i dëshpëruar nga realiteti shoqëror, poeti e përfundon këngën XLIX me këtë lutje: Zot na ruaj / Nga njerëzit në tokë.

Figura top në hapësi, që është titulli i vjershës tjetër, krahasohet me kometën dhe meteoritin, top loti është metafora tjetër imagjinative më efektive e kësaj vjershe me të cilën krahasohet e adhuruara e poetit. Kjo figurë kozmike sugjeron mallin, që përshkohet me ndjenjën e dhimbjes, me lotët e dashurisë, që sajuan një top, që shndrit në errësirë. Në vjershën Një top në hapësi e adhuruara përfytyrohet si ëndërr që rrinalt në ajri / Mos me përgjakë vrasësit. Në këtë vjershë me emrin metaforik, bora, krahasohet dashuria e të dyve, që shkrihen si bora njëri për tjetrën. Mirëpo mashkulli është ai që nga dashuria shkrihet më shpejt.

Në vjershën “Kemi me shpëtue”, poeti i këndon ardhjes së lirisë: Liria po vjen / Liria po vjen me lodra. Ky është refreni që përsëritet katër herë. Bashkë me fjalë të tjera që përsëriten, krijojnë ritmin e vrullshëm, që përshkohet me ndjenjën e fuqishme të optimizmit, e cila e zbut afshin e papërballueshëm të dashurisë dhe ndikon që të dy të dashuruarit të jenë të përmbajtur: Kemi me shpëtue të dy / Pa i marrë shpirtin njëri tjetrit / Kemi me shpëtue të dy / Pa u çmendur(Jeta e dytë). I dëshpëruar thellë nga të këqijat, që i përjetoi qenia jonë, ardhjen e lirisë – dritës, që e sheh nga dritarja, e evokon me galdim, me ndjenjë befasuese, nëpërmjet një parandjenje të mallit të zjarrtë për jetën e ëndërruar, të lumtur – jetën e ëndërruar që po vjen: Dritë e saj ka me na i marrë sytë / Hare e saj ka me na i galdue zemrat / Të larë në të / Kemi m’u habitë / sa shumë errësirë na kishte marrë shpirti!

Abdullah Konshevci, i sëmurë rëndë, ishte i vetëdijshëm për fatin e tij si njeri dhe si krijues. Përmbledhja e fundit e krijimtarisë së tij poetike, “Jeta e dytë”, figurativisht sugjeron amshimin, ringjalljen. Në mënyrë tronditëse tingëllojnë vargjet që janë porosi e dhimbshme drejtuar të adhuruarës në vjershën “Lojë me vdekjen”: Mos ki frikë, ti mikja ime/ As vdes unë pa ty/ As vdes ti pa mua/…Dashnia rritet nuk vdes.

Tinguj të njëjtë të dhimbshëm strukturohen edhe në vjersha të tjera, siç është vjersha “Unë me ty kam me qenë”, ku autori këndon: Ti mos nxirr zë? kur kam me të lënë/ Kam me vdekë/ me marrë me vete dashninë tonë/ Me shpëtue nalt në shejza/Nga këta sy të këqij të këqij…Kam mu shue urie/ Vetëm për pak liri/ Flakë e saj shumë shpejt/ Ka m’u ba zjarr.

Edhe atëherë kur i këndon dashurisë dhe lë porosi të dhimbshme,nuk i shmanget preokupimeve të fatit të kombit tonë. Në vitet e fundit të jetës së tij, kur vuante nga sëmundja e rëndë, jetonte me shpresë dhe besim se një ditë liria e njëmendtë do të bëhet realitet.

 

Share it :