Tekniku juventin jep dorëheqjen nga posti te “Zonja e Vjetër”, duke dhënë kështu një lajm aspak të këndshëm për bardhezinjtë, që duhet të gjejnë zëvendësues për trajnerin që ka bërë një punë mjaft të mirë gjatë këtyre sezoneve
Te Juventusi ka revolucion. Kjo, jo për shkakun se ka vendosur vetë klubi, por Antonio Konte jep dorëheqjen nga klubi torinez. Një vendim që do të ndryshojë gjërat, pasi tekniku kishte ngritur një filozofi të madhe te bardhezinjtë dhe tashmë do të jetë e vështirë që ekipi të mësohet me një drejtim të ri. Krisjet e para filluan që në fund të sezonit, ku eliminimi nga Liga e Kampioneve dhe më pas nga Europa Ligë solli edhe pakënaqësitë e para të klubit që shpresonte të arrinte diçka nga ky sezon. Konte u shpreh se ka prishur kontratën pas një rrugëtimi dhe vendimi ka qenë një mendim i cili është menduar në kohë. Tekniku i hekurt gjithashtu deklaroi se të qenët te Juvja që është një skuadër që ruan traditën e fitimtarit, shkakton lodhje. Dhe kjo lodhje duket se e ka bërë teknikun që të heqë dorë nga drejtimi i klubit, që edhe këtë vit arriti të triumfonte në kampionatin italian. Gjithashtu, tekniku, kur u pyet për kombëtaren, deklaroi se për momentin ka menduar vetëm për dorëheqjen, dhe jo për projektin e radhës. Kombëtarja axurre duket edhe destinacioni më i afërt i Kontes që është shumë i përshtatshëm për këtë rol, pasi një pjesë e mirë e bazës së ekipit ka qenë te Juventusi. Për këtë largim ka folur kapiteni i torinezëve, Bufon. Kapiteni italian u shpreh se largimi i Kontes është një humbje e madhe. “Juventusi humb shumë, pasi është e kotë që të mohohen vlerat e trajnerit tonë në këto tri vite. Është e vërtetë që të gjithë jemi më të maturuar falë tij, por kemi shoqërinë dhe drejtuesit të zotë që do të dinë ta zëvendësojnë këtë humbje. Dhe ne lojtarët duhet duhet të gjejmë sensin e përgjegjësisë dhe respektin për tifozët dhe për skuadrën”. Gardiani juventin gjithashtu deklaroi se nuk është i sigurt se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por në këtë moment largimi i Kontes është një humbje. “Nuk jemi në vitin zero, por përgjegjësia tani është më e madhe. I shqetësuar? Nuk dimë asgjë, kush do të vijë. Kemi humbur një trajner të madh, një vlerë të madhe, por lojtarët shumë të mirë mbeten dhe gjithmonë janë në funksion të një Juveje të madhe”, – deklaroi lojtari. Ndërsa për këtë largim komentoi edhe presidenti i Juves, Anjeli. Drejtuesi u shpreh i trishtuar për largimin e Kontes nga klubi pas përvojës trevjeçare. “Është një lajm që më trishton shumë”, – komentoi numri i një “Zonjës së Vjetër”. Merkatoja mund të ketë shërbyer edhe si një arsye më shumë për teknikun që të largohet nga posti si trajner. Aleksis Sançez u kthye në një opsion të djegur, ndërsa afër largimit duket edhe Vidali dhe kjo mund të ketë shtuar pasigurinë te trajneri. Kështu Konte e lë Juventusin në një moment mjaft kritik, pasi klubi tashmë i drejtohet merkatos dhe kjo sjell një pasiguri te ekipi. Kjo mund të sjellë që lojtarë si Lorente apo Pogba të tërhiqen nga ekipe të tjera që janë vënë në krim të dy yjeve që bënë një prezantim mjaft të mirë edhe në Botëror. Ndërsa prurjet e reja për momentin duhet të mbesin në “ajër” derisa të arrijë tekniku i ri, i cili do të ketë idetë e tij për mënyrën se si do të drejtohet klubi dhe lojtarët e rinj që do t’i afrohen ekipit. Një krizë që duhet të zgjidhet sa më shpejt, në mënyrë që Juventusi të mos ketë pasoja.
Inzagi: Nuk premtoj sukses, por do të luftojmë
Inzagi nuk premton sukses, por punë të palodhur. Milani i tij kërkon shumë kohë në dispozicion për t’u rikthyer në majën e Italisë. Ishsulmuesi, tashmë në stolin kuqezi si trajner, mban skuadrën me këmbë në tokë, duke mos bërë premtime që mund të rezultojnë fatale për të ardhmen e skuadrës. “Unë jam realist. Pas vendit të tetë sezonin e fundit nuk mund të mendojmë se do të fitojmë menjëherë. Pas disa muajsh do të kuptojmë limitet e vërteta të kësaj skuadre, prandaj nuk dua të bëj asnjë premtim. Mund vetëm t’ju siguroj se kjo skuadër do të japë maksimumin në fushën e lojës”. Një reflektim i qartë nga ana e ish-sulmuesit gjatë ditëve të para si trajner i skuadrës ku u bë i famshëm. “Të gjithë kanë dëshirë të rikthehen në nivelet më të larta për t’ua bërë jetën të vështirë kundërshtarëve, por fillimisht duhet të sillemi si profesionistë”. Në vijim, Inzagi përqendrohet te ditët e para të punës me grupin ende jo në dispozicion të plotë. “Pas 6 ditëve stërvitje jam më i qetë, sepse i shikoj të gjithë të angazhuar. Askush nuk ankohet dhe të gjithë po punojnë shumë. Nuk jam një gjeneral i hekurt, sepse këta djem nuk e meritojnë, pasi janë njerëz seriozë. Ata po stërviten me intensitet dhe e kanë kuptuar se Milani duhet të rimarrë vendin që meriton”.
Barcelona dhe Reali i Madridit, “El Klasiko” për Xhejms Rodrigezin
Xhejms Rodrigez duket se është sensacioni i kësaj merkatoje. ylli kolumbian i mahniti të gjithë me performancën e tij në botëror, që u kurorëzua dhe me “Këpucën e Artë”, pasi talenti arriti të shënonte plot 6 gola. Një performancë e cila nuk u la pa u parë nga dy nga klubet më të mëdha. Real Madridi ishte i pari që shfaqi interes duke pasur parasysh se edhe lojtari u shpreh vetë për simpatinë që ka për klubin galaktik. Ndërsa tashmë të dyja klubet e mëdha spanjolle janë të gatshme të derdhin në arkat e klubit të Monakos shifra të konsiderueshme për të marrë shërbimet e kolumbianit. Reali tashmë ka ngecur në tratativa, pasi i duhet që të zgjidhë çështjen e Di Marias që do t’i sjellë klubit të ardhura të konsiderueshme për të blerë Rodrigezin. Ndërkohë, këtë ngërç duket që po e shfrytëzon Barcelona, e cila do të bëjë ofertën e saj që mendohet të jetë në shifrën e 90 milionë eurove. Një shifër që mund të hutojë drejtuesit e Monakos që nuk mund të refuzojnë një shifër të tillë. Tashmë duket se lufta ka nisur dhe pritet të shikohet se kush do të fitojë në ditët në vazhdim.
Alvesh: Dua të qëndroj te Barcelona
Dani Alvesh ka konfirmuar dëshirën e tij për të qëndruar te Barcelona, përkundër spekulimeve rreth një largimi të mundshëm. “Dua ta respektoj kontratën që kam nënshkruar. Jam shumë i lumtur te ky klub. Këtu kam pasur disa vite të shkëlqyera, jo edhe aq së fundmi, por dua të ndihmoj që të kthejmë kënaqësinë te ky klub. Kur të kthehem te Barcelona do të flas me njerëzit te klubi dhe do të shoh se çfarë duan. Nëse duan që të largohem, do të kërkoj largimin. Nëse duan të qëndroj, unë do të vazhdoj”, – ka deklaruar Alvesh për “Marca”-n.
Napoli dhe Interi në luftë për Xhakën
Dy klubet e mëdha italiane, Napoli dhe Interi, janë duke zhvilluar garë të ashpër për mesfushorin shqiptar të Borusia Mynshengladbahut, Granit Xhakën. Mediat italiane të martën kanë shkruar se lojtari shqiptar i Zvicrës është një çështje e nxehtë për Napolin dhe Interin. Raportohet se zikaltrit tashmë kanë bërë një ofertë në adresë të klubit gjerman në vlerë prej 10 milionë euro, ndërkohë napolitanët kanë ofruar 5 milionë euro, plus Blerim Xhemailin për Xhakën, i cili kishte një performancë të mirë në Kupën e Botës “Brazil 2014”.




