Drejtori i Teatrit të Operas dhe Baletit, Ilir Kerni, me mediat ka qenë përherë i hapur, por në këtë moment gjendet midis romantizmit dhe punëve që nuk i di. Në fillim hezitonte, ndërsa tani është i përfshirë totalisht nga entuziazmi se bëhet fjalë për një sezon artistik të jashtëzakonshëm. Në 18 muajt që drejton, Kerni ka mësuar ta konsiderojë prezencën artistike si asin nën mëngë për t’i garantuar suksesin. Ndonëse kalendari i ri, ashtu si dhe ai i sezonit të kaluar, “mbytet” me koncerte e balete, dhe më rrallë opera.
Dje, bëhej fjalë për prezantimin e programit deri në dhjetor 2015, pasi në janar Teatri i Operas dhe Baletit do t’i nënshtrohet rikonstruksionit total. Për këtë arsye është konsideruar strategji pse po vihen koncerte apo balete të vogla. Më 1 janar flitet për përgatitjen e një planin strategjik se si do të operojnë në kushtet e teatrit në punim, si do të lëvizin trupat.
Në fakt, ndërhyrja e plotë në Teatrin e Operas vjen pas 60 vjetësh. Por ka disa paradokse në artikulimin e Kernit, romantizmit të tij për repertorin dhe befasitë e 2 vjetëve që po drejton, dhe dijenisë së projektit të rikonstruksionit.
Ai thotë se do të rikthehen për një periudhë të shkurtër në një teatër që do të jetë modern, me gjithë parametrat e duhur, që i kanë munguar teatrit. Thotë se në fillim është procedura e tenderit për zbatim. Kerni jep një model të tijin: “Teatri do të adaptohet, kam kërkuar që ballkonet të shkojnë në rreth si lozha, do kemi një mbivendosje të sallës poshtë. Kemi ballkonet ekzistente. Nga ana tjetër një skenë që do të bjerë në tokë totalisht. Problemi është te kabllot elektrike, të cilat janë aty të pranishme. Jetojmë në një moment që kemi një teatër të mirë, por ia vlen më në fund pasi janë gjithë këta breza artistësh që kanë dalë nga ky teatër. Do kemi një teatër të ri që do të mbledhë shumë artistë”. Por, kur Kerni pyetet nga gazeta “Standard” nëse ky projekt ka shkuar e skicuar, e përfunduar në Teatër, përgjigjja është nul, dëshirore e pakryer. Kerni nuk ja ka idenë e projektit, cilët po e përgatisin. Ai thotë: “Presim ta shikojmë projektin, thjesht kam shprehur dëshirën që të jetë në këtë formë!” Por Kerni, një gjë e thotë saktë, atë që di, e në fakt duhet t’i interesojë të paktën komunitetit të artistëve se të paktën në kadastër ekziston vetëm teatri dhe se gjithçka që i ka takuar Teatrit të Operas dhe Baletit do t’i kthehet?!! Më tej Kerni garanton se ky është vetëm rikonstruksion. Shumë-shumë do të bëhet rikonceptim i sallës, me teknologji moderne. Ndërsa ka pak rëndësi tani për punët e Kernit me teatrin, nëse dëshira e tij nuk fshihet për të treguar historinë e tij, për brezat dhe artistët e kalibrit që kanë frymuar aty. “Shpresojmë që të mos zhgënjejmë gjithkënd me dëshirën për të bërë një punë cilësore artistike. Po e mbajmë teatrin me gjysmën e pasionit tonë, duke ditur se çfarë buxheti ka teatri. Nuk ka drejtor në botë që të mund të bënte një program me buxhet të limituar”. Ngacmuar nga gazetarët për buxhetin, Kerni ia hedh, duke thënë se nuk bëhet fjalë për paratë, se puna e tij, për të cilën flet lidhet me pasionin.
Ndërsa dje është prezantuar dhe drejtori i ri Artistik i Baletit, Astrit Zejnati, për të cilin thonë se ka 20 vjet karrierë në SHBA, i thirrur për t’i dhënë “një hop cilësor” baletit, që për një periudhë të shkurtër pritet të shihen vepra të mëdha e me cilësi të niveleve evropiane. Zejnati vjen me një kontratë 4 vjeçare dhe pritet të çoj më tej punën e baletmaestrit Agron Aliaj. Zejnati i kthyer në baletin e Tiranës është i padëgjuar për qarqet këtu, edhe pse i është besuar aq shumë, e në fakt më shumë shpresohet. “Kemi filluar me sulm intensiv për të ardhur në formë, për baletin Karmina Burana, një shfaqje e vështirë, si fizike ashtu dhe artistike. Baleti vazhdon të jetë në gjendje të mirë, por do të marrim edhe disa artistë të ftuar sipas limiteve të buxhetit”, – ka bërë deklarimin e tij të parë për mediat, Zejnati. Ai ka shtuar, ashtu si Kerni se dhe këtë sezon do të flitet për artistë të huaj të ftuar, sipas delikatesës së buxhetit. Por si duket besimi është totalisht i drejtorit, i cili shprehet: “Me këtë pasion dua të mbajmë këtë ritëm, këtë temp. Me forca të reja si Astriti, me mënyrën e tij të punës, alla amerikance nuk të fal sekondin dhe milimetrin që lidhet me disiplinën dhe anën artistike. Do kemi teatër ndryshe, jam i bindur për këtë”.
Në këtë mes është një diskutim i hapur për një raport artistë të ftuar dhe ata që punojnë në vite, e kanë investuar në opera që jo në pak raste janë gjendur përballë inferioritetit, sa i takon trajtimit financiar, por dhe atij artistik. Por, ky disnivel sipas Kernit nuk do të ndodhë duke garantuar se artistët e ftuar do të jenë cilësore, ndërsa do të hyjnë në fazën e dytë të bashkëpunimit për të mbledhur artistë shqiptarë nëpër botë, për të sjellë eksperiencën e tyre në teatrin tonë.
Kerni flet për strategji të kursyera, si fjala vjen kur shkolla jonë të mos ketë më fuqi të nxjerrë artistë të zotë. Prej drejtuesve të operas thuhet se përgatitja e të huajve që do të vijnë në opera është e fortë. Në fakt debati mbi artistët dhe cilësisë së tyre është i hapur. Drejtuesit e operas garantojnë vetëm për buxhetin, por dhe adaptimit me këto kërkesa.
Megjithatë, ngjarja për TOB, ashtu si vitin e kaluar vazhdon të jetë në balet, ku pritet të rikthehet koreografi me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj, tani me një vepër premierë “Dasma”, frymëzuar nga tradita ballkanike. Dje u tha se ka ardhur qysh në maj personi që po përgatit trupën e baletit për veprën e Preljocajt. Ndërsa në 2016 pritet turneu në Francë, Itali dhe Gjermani, ku do të përfaqësohen me dy shfaqjet “Ekstravaganca” dhe “Dasma” e këtij viti.
Box gri
Rikthehet Angjelin Preljocaj, Dasma – premiera në Tiranë
Koreografi me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj, do të rikthehet në Teatrin e Operës dhe Baletit, në këtë sezon të ri artistik. Lajmi u bë i ditur dje, nga zyra për shtyp i TOB, duke publikuar në këtë rast edhe programin e sezonit të ri, shtator-nëntor 2015.
Vepra do të jetë premierë, ku trupa e Baletit do të interpretojë një pjesë koreografike modern “Dasma”, – Noce, që vlerësohet për ndikimin e kulturës dhe traditave shqiptare si dhe ato ballkanase në krijimtarinë e koreografit. Në fakt në mendimin e këtij baleti, Dasma, që shihet si një traditë ballkanike, sjell një tragjedi të çuditshme.
Në qendër është nusja e cila nuk është e pranishme gjatë festimeve. Ajo kalon nga një familje në tjetrën ashtu si një monedhë e cila kalon nga një pronar në tjetrin. Ajo, është konceptuar të shfaqet vetëm në momentet e fundit, me ecje të ngadaltë, me sytë mbushur me lot si në një marsh funebër, mbi të cilën të gjithë kanë ngulur sytë, duke dëshmuar pas vellos një dramë që nuk mund të fshihet.
Po, ashtu me Preljocajn është parashikuar një kalendar artistik me konsideratën e produksioneve të mëdha, ku priten edhe artistë të ftuar. Baleti Carmina Burana, një produksion madhështor do të shfaqet për publikun, premierë, në fillim të tetorit. Baleti do të sjellë në Tiranë koreografin hungarez Youri Vamos, i njohur për audiencën me versionet tepër interesante që u ka bërë veprave më të njohura klasike. Duke i qëndruar gjithmonë besnik kësaj trashëgimie, ai ka prezantuar gjithmonë subjekte tradicionale dhe kjo ka qenë një nga arsyet e suksesit të tij. Ky produksion, i cili organizohet në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane, do të ketë premierën në datën 3 tetor me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë.
Në mes të shtatorit wshtw premiera e operës “Don Giovanni” të Moxartit, e cila edhe një herë do të mbledhë artistët e TKOB me artistë të tjerë të huaj për të sjellë një shfaqje të bukur dhe me cilësi të lartë artistike. Gjatë muajit tetor edhe nëntor do të rikthehen sërish për publikun opera, të cilat janë tashmë pjesë e repertorit të TKOB, “Pagliacci” dhe “La Boheme”, të cilat u pritën shumë mirë nga publiku sezonin e kaluar.
Repertori koncertor, gjithmonë i pasur edhe i larmishëm, do të jetë i tillë edhe në muajt në vazhdim. Kompozitorë të njohur botërorë do të vijnë të interpretuar nga artistë shqiptarë dhe të huaj. Ansambli Popullor do të sjellë si gjithmonë këngët dhe vallet e folklorit tonë të pasur. Përveç koncerteve, të cilat janë tashmë pjesë e repertorit, Ansambli do të paraqitet me një koncert premierë me rastin e festave të Nëntorit, të titulluar “Rruga e gjatë e historisë”. Shumë i rëndësishëm për t’u përmendur është edhe turi që trupa e baletit do të ketë përgjatë dy javëve në muajin dhjetor në disa qytete të Italisë me baletet “Coppelia”, “La Stravaganza” dhe “La Syplphide” me koreografi të Angjelin Preljocajt dhe Ilir Kernit.





