Gëzim Saliu
Kryeministri: Nuk duam dhurata, do të plotësojmë kushtet. Evropa të mos e trajtojë integrimin në BE si “biznes të zakonshëm”
Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë në BE, por më parë vendi duhet të përmbushë kushtet e vendosura nga Brukseli. Kështu u shpreh dje në Tiranë Kancelarja gjermane Angela Merkel lidhur me një ndër çështjet më të rëndësishme për qeverinë dhe qytetarët shqiptarë, duke hedhur poshtë nga ana tjetër pretendimet se BE po kërkon të ngadalësojë procesin e anëtarësimit. “Shqipëria para një viti mori dhe statusin e vendit kandidat. Në momentin që diskutohet rreth procesit të anëtarësimit, dëgjoj shpeshherë që thuhet se Bashkimi Evropian kërkon të ngadalësojë procesin e anëtarësimit. Por, më lejonit t’ju them se është ne interesin tonë që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë një perspektivë të sigurt të anëtarësimit dhe ta realizojnë atë. Kjo ka të bëjë me kredibilitetitn e këtyre vendeve dhe të Bashkimit Evropian, por sigurisht në këtë kontekst e rëndësishme është edhe përmbushja dhe plotësimi i kushteve të caktuara. E di që për këtë jeni duke punuar. Në këtë kontekst, ju uroj shumë sukses në përpjekjet tuaja, për vendin tuaj, për njerëzit tuaj”, – u shpreh Merkel duke nënvizuar nga ana tjetër rëndësinë e sigurimit të kushteve për investitorët gjermanë. “Për Shqipërinë janë mjaft të rëndësishme krijimi i kushteve ligjore të besueshme sepse mendoj se investitorët gjerman sigurisht kanë nevojën për tu besuar këtyre kushteve dhe situatës juridike. Është një aspekt i cili shënon edhe një kontribut mjaft të rëndësishëm të rrugën tuaj që prej të marrjes të statusit të vendit kandidat deri në momentin e të bërit anëtarë të BE. Ne e mbështesim Shqipërinë në këtë drejtim”, – deklaroi Kancelarja.
Kryeministri Rama
Ndërkaq, në konferencën për shtyp krah Kancelares gjermane, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, shprehu gatishmërinë në përmbushjen e reformave të kërkuara nga Brukseli, duke theksuar se Shqipëria nuk kërkon dhurata. “Ne nuk kërkojmë asnjë dhuratë, apo asnjë reduktim bujar kërkesash për ne, jo vetëm sepse jemi plotësisht të vetëdijshëm që për çdo hap drejt anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE duhet të flasë realiteti i transformimit të vendit në rrugën e përmbushjes së standardeve të BE-së, por sepse, mbi të gjitha, ne jemi plotësisht të bindur se ky i integrimit, nuk është një proces që Shqipëria duhet ta përmbushë me sukses në çdo aspekt sepse e kërkon Brukseli, po sepse e imponon e ardhmja e fëmijëve”, – tha ai, duke garantuar se në vjeshtë do të jenë përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian me në krye reformën në drejtësi. Ndërkaq Kryeministri nuk nguroi të shprehej hapur edhe sa i përket hapave që duhej të bëjë vetë Brukseli ndaj vendeve të Ballkanit. “Paqja që kemi arritur deri këtu, duke kapërcyer lumenj gjaku dhe vite të tëra konfliktesh sfilitëse mes nesh, ka një fjalë çelës: Evropa! Ne e dimë mirë më mirë se askush tjetër se askush përveç nesh nuk do t’i bëjë reformat dhe hapat e nevojshëm, për t’u bërë më në fund, pjesë e Bashkimit Evropian. Por edhe Evropa duhet të bëjë pjesën e saj në këtë udhëkryq të historisë sonë të përbashkët, duke mos e trajtuar procesin e integrimit tonë në Bashkimin Evropian si business as usual”, – u shpreh Rama.
Rama: Do të ecim së bashku me serbët si gjermanët me francezët
Një ndër mesazhet e dhëna nga kreu i qeverisë shqiptare në vizitën e Kancelares gjermane në Tiranë ishte edhe fqinjësia e mirë. Në këtë kontekst Rama theksoi se Shqipëria është e vendosur të ndjekë shembullin e bashkëpunimit të Gjermanisë me Francën. “Jemi të vendosur të ecim së bashku me fqinjët serbë nën shembullin frymëzues të Gjermanisë e Francës. Modeli franko-gjerman i programit të shkëmbimeve rinore, është e vetmja shprehje kuptimplotë e dëshirës së përbashkët për ti dhënë fund urrejtjes brez pas brezi por edhe aspiratës sonë për të bërë për të ardhmen e rajonit atë që bënë Gjermania e Franca për të ardhshmen e BE-së”, – u shpreh ai.
Ndryshimet e Kryeministrisë në vizitën e Merkelit/ Nga streha e re dhe tek piktura “Sign” tek tavani me hekura zbuluar në sallën e konferencave
Kryeministri Rama njihet për prirjet e tij për ndryshime të ndërtesave apo institucioneve. Me rastin e vizitës së Merkelit, e cila shërbeu si shtysë për t’i përfunduar më shpejt punimet, Kryeministria pësoi disa ndryshime që më pas u përuruan mbrëmjen e pardjeshme me hapjen e katit të parë të ndërtesës për qytetarët. Kështu fillimisht Rama së bashku me arkitektët mbështetës të tij vendosi para hyrjes së Kryeministrisë një strehë, e cila deri më tani ka marrë shumë kritika nga artistë, por zëra të medias, të cilët kanë theksuar se godina e Kryeministrisë është objekt kulture dhe nuk mund të kthehet në një “hotel me stendë”. Ndërkaq, një tjetër ndryshim ishte edhe salla e konferencave në katin e parë, ku binte në sy piktura e vendosur pas foltoreve. Piktura “Sign” sipas asaj që vetë e shpjegoi Kryeministri në konferencën me Merkelin ishte një punim nga bashkëkohësi gjerman Thomas Demand, që simbolizon duarshtrëngimin dhe partneritetin e popujve të botës përmes konsumit. “Shtrëngimi i duarve është vepra e një autori gjerman. Kjo vepër që ekspozohet për herë të parë këtu titullohet ‘Sign’. Duar-shtrëngimi simbolizon partneritetin mes popujve të botës përmes konsumit”, – tha ai duke falënderuar edhe njëherë Kancelaren dhe Gjermaninë si donatori numër një për Shqipërinë në gjithë rrugën tonë që nga komunizmi deri sot. Por me kaq nuk mbaruan “surprizat”, pasi pjesa më interesante e të gjithë sallës së konferencave ishte tavani i saj. Duke marrë shembull modelet e fundit në botë,,sipas deklaratave që dhanë në mënyrë informale njerëzit më të afërt të Kryeministrit, pjesa e sipërme e tavanit ishte tërësisht “e zhveshur”, ku dukeshin hekurat dhe pjesët e betonit që i mbanin ato. Kjo pjesë së bashku me pikturën tërhoqi edhe vëmendjen e gazetarëve që shoqëronin delegacionin e Merkelit në turin e saj në Ballkan.
Kancelarja pritet nga qytetarët para Kryeministrisë, Merkel i përshëndet dy herë
Ndërsa mbërriti fiks në 14:15 minuta përpara Kryeministrisë, Kancelarja Merkel u prit nga Kryeministri i vendit Edi Rama si edhe përballë godinës ishin vendosur një grup i madh qytetarësh që po e përshëndesnin. Kancelarja nuk ngurroi t’i përshëndeste dy herë me dorë qytetarët e pranishëm, një herë sapo takoi Kryeministrin dhe herën e dytë pas mbarimit të ceremonisë së nderimit kur po ngjiste shkallët e Kryeministrisë.
Batuta e Kryeministrit/ Rama: Më shumë shqiptarët gëzohen kur Gjermania merr botërorin sesa kur PS fiton zgjedhjet
Kreu i qeverisë, Rama, nuk ka munguar ta shoqërojë me batutat fjalën e tij në konferencën ekonomike në Vorë, ku ishte prezente edhe Kancelarja gjermane Merkel. Sipas Kryeministrit shqiptarët aq shumë e dua Gjermaninë sa që për ata është gëzim më i madh suksesi i kombëtares gjermane se sa fitorja e partisë Socialiste në zgjedhje. “Ju siguroj se Gjermania kur fiton kampionatet ka më shumë shqiptarë të gëzuar se sa kur PS fiton zgjedhjet. Për të dhënë një shembull, në nëntor të 1983 u luajt një ndeshje e famshme mes dy vendeve tona. Ishte një ndeshje që vendoste kualifikimin e Gjermanisë dhe shqiptarët u hodhën përpjetë nga gëzimi kur Shqipëria pësoi gol në minutat e fundit dhe ne humbëm ndeshjen”, – tha me batutë Kryeministri.
Takimi në Presidencë/ Nishani: Integrimi, alternativa e vetme për Shqipërinë. Merkel: Reformat e thella sigurojnë BE-në
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti dje në një takim Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel, e cila ndodhej në Shqipëri në një vizitë zyrtare në kuadrin e një turi diplomatik në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pasi shprehu mirënjohjen për vëmendjen që Gjermania po i japin vendit tonë si dhe për kontributin e madh ndër vite, Nishani e cilësoi vizitën e Merkel si historike për Shqipërinë. “Kjo vizitë përbën një mesazh i rëndësishëm inkurajues për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë, të cilët shohin tek Gjermania një vend simbol të punës, dinjitetit dhe prosperitetit”, – tha ai. Ndërkaq kreu i shtetit e garantoi Kancelaren Merkel se Shqipëria është e vendosur të vijojë me rrugën e reformave për konsolidimin e institucioneve demokratike që do të çojnë vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar: “Integrimi evropian mbetet alternativa e vetme për Shqipërinë dhe shqiptarët”. Nga ana e saj, Kancelarja gjermane u shpreh e impresionuar nga përparimi i bërë nga Shqipëria pas viteve 1990, duke ditur dhe kuptuar vështirësitë historike. Më tej ajo vuri në dukje se përkundër pretendimeve për një lodhje evropiane ndaj zgjerimit, ajo çfarë e shpejton procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe vendeve të tjera janë reformat e thella e të suksesshme. Në këtë kontekst Merkel veçoi reformën në drejtësi si çelësin e këtij suksesi, për të cilën Gjermania do të vazhdojë të japë ndihmën maksimale. Nga ana e tij Presidenti i Republikës theksoi se ndërtimi i institucioneve efikase dhe kultura demokratike janë dy sfidat madhore të vendit, dhe në këtë kontekst kërkoi vijimin e mbështetjes gjermane. Gjithashtu Nishani siguroi se ndër 5 prioritetet e integrimit evropian, përparësi të veçantë merr reforma në drejtësi, duke e garantuar Kancelaren për angazhimin e tij maksimal në çuarjen e kësaj reforme përpara.




