Pas disa tratativash, madrilenët kanë gjetur akordin 80 milionë eurosh me Monakon, duke u kthyer kështu në blerjen e tretë më të shtrenjtë të historisë
Xhejms Rodigez zyrtarisht një galaktik. Ylli ka shkuar pranë yjeve të tjerë për të bërë kështu një ekip të frikshëm për sezonin tjetër. Gjithçka duket se ka mbaruar me fund të lumtur për “telenovelën Rodrigez”. Në orën 2 erdhi zyrtarizimi, duke e kthyer lojtarin kështu në një “Los Blancos”. Një goditje e madhe që u pasua nga komunikata e klubit, pasi në mëngjes kolumbiani kishte kryer vizitat mjekësore në një klinikë të Madridit. Talenti kolumbian ishte një ndër sensacionet e Brazil 2014-ës. Lojtari zhvilloi një turne fantastik, duke arritur të jetë protagonist me ekipin e tij. Vetëm 22 vjeç dhe u shpall golashënuesi i kompeticionit. Vetë lojtari u shpreh se ekipi i tij i preferuar ishte Reali dhe se po të bëhej një ofertë nga spanjollët, do të shkonte symbyllur. Një deklaratë kjo që tërhoqi vëmendjen e Perezit, që u hodh në sulm për të parë opsionet me lojtarin. Kolumbiani ushtroi presion te klubi aktual që të pranonte ofertën e fundit të “Los Blancos”, 80 milionë euro. Reali do të derdhë në arkat e klubit të principatës 80 milionë euro. Vetë futbollisti ka firmosur një kontratë 6-vjeçare prej 7 milionë eurosh në vit. Në Madrid i kanë gjetur shtëpinë dhe numrin e fanellës. Ai do të mbajë mbi shpinë 10-ën. Akordi me skuadrën e Principatës u mbyll pa përfshirjen e kundërshpërblimeve teknike. Blerja e Rodrigezit është blerja e tretë më e shtrenjtë në historinë e Realit të Madridit, pas asaj të Bejlit verën e kaluar për të cilin Totenhemit iu paguan 100 milionë euro dhe asaj të Kristiano Ronaldos për të cilin u derdhën 94 milionë euro në arkat e Mançester Junajtidit. Por mbi të gjitha është përgjigjja e menjëhershme e një Reali që nuk e çon nëpër mend të mbetet pas rivalëve të Barcelonës që arritën të rrëmbenin Suarezin. Kështu, mesfushori kolumbian do të udhëtojë me madrilenët për turin parapërgatitor në Los Anxhelos më 1 gusht, që është dhe afati për rikthimin e futbollistëve të cilët arritën në çerekfinalet e Botërorit. Kështu, bashkë me Rodrigezin që pret konfirmimin e akordit, te Reali do të bashkohen edhe Benzema e Varane. Kështu, ekipi duket se do të jetë i kompletuar për sezonin e radhës dhe me blerjen e Krosit, Kejlor Navasit dhe Xhejms Rodrigezit merkatoja e Realit mund të konsiderohet e mbyllur. Ndërsa te galaktikët afrohen disa lojtarë, mund të përgatiten që të largohen lojtarë që janë të pakënaqur me rolin e tyre në skuadër.
Vasiliev: Nuk doja ta largoja Xhejms Rodrigezin
Ndërsa Reali kënaqet, Monakoja hidhërohet, sepse është larguar ylli i saj. Klubi nga Liga 1 nuk mundi t’i rezistonte ofertës së lartë të “mbretërve”, e cila ishte sa dyfishi që ata paguan për 22-vjeçarin në edicionin e kaluar. “Skuadra e Monakos është krenare që i ka ndihmuar Rodrigezit t’i tregojë botës talentin e tij. Xhejmsi është një lojtar fantastik, i cili ka arritur gjëra të shkëlqyera te Monakoja dhe klubi nuk e kishte në plan që ta shiste lojtarin. Megjithatë, erdhi koha kur transferimi ishte zgjidhja më e mirë për të dyja palët”, – deklaroi Vasiliev.
Ksavi bindet, qëndron te Barcelona
Tekniku i ri Luis Enrike dhe presidenti Bartomeu kanë arritur ta bindin Ksavin që të qëndrojë te Barcelona së paku edhe për një sezon. Mesfushori veteran kishte planifikuar të largohej nga “Camp Nou” këtë verë, për të shkuar te ndonjë klub, ku kërkesat nuk janë të nivelit të lartë. Mirëpo, bisedimet e ditës së martë kanë rezultuar produktive dhe 34-vjeçari ka vendosur të qëndrojë. Mjeshtri i mesfushës do të vazhdojë të jetë kryesori në pozitën e vet, përkundër transferimit të Ivan Rakitiçit dhe pritjes që Serxhi Roberto të angazhohet më shumë.
Ronaldo: Gati për sezonin e ri
Kristiano Ronaldo është shprehur se dëshiron të vazhdojë të luajë në nivele të larta të futbollit edhe për gjashtë apo shtatë sezone të tjera. Ai thotë se lëndimet që e munduan në fund të sezonit të kaluar dhe në Botëror, tashmë i takojnë të kaluarës dhe ai do të nisë sezonin e ri në formë të mirë. “Do të doja të luaja edhe gjashtë ose shtatë vite në nivel të lartë në konkurrencën e klubeve. Jam shumë i përqendruar. Lëndimi nuk ekziston më. Ndihem shumë, shumë mirë. Dua të vazhdoj dhe të jem në formë të mirë deri në mbyllje të sezonit”, – ka deklaruar 29-vjeçari.
Tiago: Vazhdoj te Atletiko
Një ndor shtyllat e Atletiko Madridit, Tiago, ka nënshkruar kontratë të re dyvjeçare me spanjollët. 33-vjeçarit i kishte skaduar kontrata në qershor dhe ai ishte lojtar i lirë, ndërsa pritej që të kalonte te Çelsi, ku e kërkonte Hoze Murinjo. Madje, është raportuar se ekzistonte marrëveshja për rikthimin e tij në “Stamford Bridge”. Mirëpo pasi i ka shqyrtuar opsionet e tij, Tiago ka vendosur të qëndrojë në “Vicente Calderon”. “E pata mundësinë të luaj në liga të ndryshme ndërkombëtare dhe mu desh kohë që t’i shqyrtoja opsionet e ndryshme gjatë verës, por derisa po e merrja vendimin, e kisha të qartë se Aletiko ishte zgjedhja e duhur”, – është shprehur portugezi.
Monako pas Shaqirit
Xherdan Shaqiri vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së klubeve të ndryshme evropiane. Së fundi interesim për yllin kosovar të Zvicrës ka shfaqur Monakoja. Klubi i Principatës konsideron se Xherdani mund të jetë zëvendësim adekuat për Xhejms Rodrigezin, i cili do t’i bashkohet Realit të Madridit. Pas Liverpulit, Juventusit, Milanit dhe Romës, në garë për Xherdan Shaqirin ka hyrë edhe skuadra e famshme nga Liga 1. Shaqiri ka gjasa të mëdha që gjatë kësaj vere të gjejë klubin e ri, pasi te Bajerni i Mynihut nuk është i kënaqur me kohën e ofruar nga trajneri Pep Guardiola.




