Talenti francez/ Marota i thotë “jo” Barçës për Pogbanë

 

Marota i thotë “jo” Barçës për PogbanëDrejtori bardhezi ka refuzuar ofertat e Barcelonës, pavarësisht se në lojë ishte vlera 80 milionë euro plus bonuse të ndryshme

Lajmi i keq për Barcelonën, Pol Pogba nuk do të largohet nga Juventusi. Bardhezinjtë kanë refuzuar plot 80 milionë euro për blerjen e tij nga Barcelona dhe këtë e ka konfirmuar vetë administratori i nënkampionëve të Evropës, Bepe Marota, që pati një takim këtë të mërkurë me përgjegjësin e merkatos “blaugrana” Ariedo Braida. Palët u takuan në Milano dhe Barcelona e rriti ndjeshëm ofertën, duke i propozuar Juventusit 80 milionë euro për shërbimet e mesfushorit francez. Një shumë e barabartë me atë që ofroi dhe Mançester Siti pak kohë më parë dhe që çdo klub do ta merrte në konsideratë, por Juventusi sërish ka thënë “jo”. Për më tepër, oferta e Barcelonës, merkatoja e së cilës është e bllokuar për momentin nga FIFA, parashikonte që lojtari të shkonte në “Camp Nou” më 1 korrik 2016, por Marota sërish refuzoi. Një lëvizje që mban për momentin futbollistin në Torino, por që mund të përbëjë një bumerang për klubin torinez, pasi në rast se Pogba zhvillon një sezon me ulje-ngritje, atëherë vlera e tij do të binte ndjeshëm. Sa i përket Barcelonës, lëvizja e klubit katalanas vjen menjëherë pasi kandidati për presidencën, Joan Laporta, premtoi blerjen e Pogbasë për të marrë postin e drejtuesit më të lartë të klubit, por Bartomeu, me sa duket, ka kërkuar të lëvizë më përpara, duke synuar të djegë në këtë garë rivalin e tij të ardhshëm. Zgjedhjet për presidentin e ri të FC Barcelonës do të mbahen ne 18 korrikun e ardhshëm, por fushata e kandidatëve që kërkojnë postin më të lartë, vijon të jetë në rritje, duke shpalosur programet dhe premtimet e tyre. Njëri nga kandidatët favoritë, Joan Laporta, përsëriti gatishmërinë e tij për të sjellë në “Camp Nou” mesfushorin francez të Juventusit, Pol Pogba, duke siguruar që çelësi i arritjes së marrëveshjes me një nga lojtarët më të kërkuar të kësaj vere, është menaxheri i tij, Mino Rajola, me të cilin siguroi se ka një raport të mirë. “Dëshira e futbollistit është e para, por vendimtare do të jetë fjala e Mino Rajolës, të cilin unë e njoh mjaft mirë ashtu si dhe drejtori i ardhshëm sportiv, Erik Abidal. Me të kemi negociuar për Maksuellin e Ibrahimoviçin e për më tepër Abidal njihet personalisht me Pogbanë. Kështu që nëse do të kemi besimin e pjesës më të madhe të aksionerëve, do të ulemi menjëherë në tavoline për të diskutuar me drejtuesit e Juventusit. Nuk kam folur ende me lojtarin, e as me klubin bardhezi, sepse si kandidat që jam nuk duhet ta bëj ende një gjë të tillë, por menjëherë sapo të fitoj mandatin tim. Mendoj se Pogba do të përshtatej më së miri me stilin tonë të lojës, duke i shtuar mesfushës cilësi, teknikë dhe shumë forcë”. Në Spanjë, në zgjedhjet presidenciale të dy klubeve më të mëdha, si Reali dhe Barça, kandidatët fitues kanë arritur gjithmonë t’i mbajnë premtimet e tyre dhe ajo që shihet qartë është se Laporta e ka marrë seriozisht çështjen “Pogba”, që do të ishte një përforcim i jashtëzakonshëm për Barcelonën.

 

Dalin në shitje biletat për Danimarkë-Shqipëri

Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet faqes së saj online njoftoi të gjithë tifozët shqiptarë të interesuar për të ndjekur nga pranë sfidën Danimarkë-Shqipëri, e cila do të zhvillohet në datën 4 shtator në sadiumin “Telia Parken” të Kopenhagenit se biletat do të jenë të disponueshme brenda datës 3 korrik 2015. Sektorët e parashikuar për tifozerinë shqiptare janë ato D1 dhe D2 dhe çmimi për këtë kategori do të jetë 34 euro. Të gjithë tifozët që duan të mbështesin kombëtaren në këtë ndeshje shumë të rëndësishme mund t’i blejnë biletat pranë zyrave qendrore të Federatës ose online nëpërmjet faqes zyrtare të FSHF-së, duke filluar nga data 3 korrik. Federata bën të ditur se për person nuk do të shiten më shumë se dy bileta, duke qenë se dhe numri i kërkesave është i lartë. Personat duhet të jenë të pajisur me mjete identifikimi në momentin që do të marrin biletat, pasi lista përfundimtare e tifozëve të pranishëm në stadium do t’i komunikohet Federatës Daneze dhe autoriteteve të sigurisë.

 

Porto rrëmben Imbulën

Portoja ka siguruar nënshkrimin e mesfushorit të Marsejës, Xhaneli Imbula, për 20 milionë euro. 22-vjeçari i cili ishte pothuajse afër kalimit te Interi javëve të fundit, tashmë ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me skuadrën portugeze. Portoja dje e konfirmoi transferimin e tij dhe bëri të ditur se i kanë vënë një klauzolë të shitjes prej 50 milionë eurove. “Jam shumë i gëzuar që kam nënshkruar me Porton. Projekti sportiv më ka joshur shumë këtu”, – ka thënë fillimisht Imbula. “Ky klub ka fituar shumë trofe evropianë në historinë e vet si dhe kanë një skuadër të madhe. Shpresoj që me kontributin tim do ta bëj skuadrën edhe më të mirë”, – ka shtuar ai.

 

Mateus: Gundogan, të vështirë në ekipet e mëdha

Legjenda e Bajernit Munichut, Lotar Mateus, ka thënë se mesfushori turko-gjerman, Ilkai Gundogan, duhet të qëndrojë te Borusia e Dortmundit, sepse nuk do të mund të luante si startues në skuadrat si Barcelona, Bajerni i Mynihut apo Paris Sent-Zhermeni. Ishte vetë lojtari që kishte kërkuar të largohej nga klubi, ndërsa Barcelona, Real Madridi dhe PSG-ja thuhet se janë të interesuara për të. Mirëpo, Mateus nuk mendon se ai duhet të ndërrojë skuadër. “Nuk mendoj se Gundogan do të luante si startues në top-klubet evropiane si Barcelona, Bajerni apo Paris Sent-Zhermeini. Te Dortmundi, situata është ndryshe”, – ka thënë fillimisht Mateus. “Dortmundi i ka dhënë atij kohë që të rikuperohet dhe si futbollist profesionist, është koha që ai t’ia shpërblejë besimin skuadrës dhe ta vazhdojë kontratën deri në vitin 2019. Ai tani ka mundësi që të zhvillohet në skuadrën e nivelit botëror të Dortmundit dhe të përfshihet përsëri në kombëtare”, – ka shtuar ai.

 

Murinjo: E doja Çehun në ekip

Trajneri i Çelsit, Hoze Murinjo, e ka pranuar se ishte zhgënjyer me transferimin e portierit Petr Çeh te Arsenali, mirëpo ka thënë se e kupton vendimin e tij. “Peter ka shërbyer për Çelsin për 11 vite dhe e ka ndihmuar këtë klub që të fitojë pothuajse gjithçka që mund të fitohet. Unë gjithmonë kam thënë se dua që ai të qëndrojë, por e kuptoj se Çeh ka pasur nevojë që të luajë futboll çdo javë”, – ka thënë fillimisht Murinjo. “Ndonjëherë duhet të respektoni dëshirat e të tjerëve, të cilët kanë fituar kaq shuam respekt me shërbimin e tyre dhe veprimet për këtë klub. Unë e mbështes vendimin e Roman Abramoviçit që ta nderojë lojtarin në këtë mënyrë. Suksesi i Çehut në këtë klub gjithmonë do të përkujtohet dhe ne e falënderojmë atë për gjithçka që ka bërë”, – ka shtuar portugez

 

Kuadrado drejt Interit

Huan Kuadrado raportohet se është pranë rikthimit në Serinë A, pak muaj pasi u transferua në Premier Ligë. Sipas ekspertit të merkatos, Xhanluka di Marcio, agjenti i lojtarit, Alesandro Luçi, dje ka ardhur në Milano dhe së shpejti do të takohet me Interin, ku do të flitet për projektin që ekipi zikaltër ka për klientin e tij. Sipas “Sportmediaset”, Hoze Murinjo ka dhënë dritën jeshile që lojtari të kalojë te Interi në formë të huazimit, por me të drejtë blerjeje. Megjithatë, besohet se në ditët e ardhshme agjenti i lojtarit kolumbian mund të takohet edhe me Juventusin, pasi edhe ekipi kampion nga Torinoja është i interesuar të sigurojë shërbimet e Kuadrados.

Share it :