Anxhela Tato
Urdhri nga Artan Didi, motivacioni, forcimi dhe zgjerimi i departamentit të Krimeve kundër Jetës
Rokada tek blutë, Artur Shira caktohet drejtues i Antiterrorit për Tiranën, largohet nga detyra shefi i krimeve të komisariatit numër 3
Struktura e re e policisë përqendrohet tek sektori i krimeve të rënda, duke sjellë shefa të rinj në 6 komisariatet e vendit si dhe në drejtori. Në valën e lëvizjeve të këtyre javëve të fundit janë emëruar 6 shefa të rinj në sektorin e krimeve kundër jetës, të cilët paralelisht do të kenë edhe postin e nëndrejtori të komisariatit. Personazhe të rinj, por edhe punonjës të vjetër policie, të cilët ngrihen në detyrë. Artur Shirra është emëruar shef i Antiterrorit për kryeqytetin, ndërsa postin e tij e ka zënë Ervin Ndreu, i cili ka lënë postin e shefit të krimeve në Laç. Për sa u përket komisariateve ndryshimi i parë tek stacioni i policisë numër 1 ku ka marrë detyrën Gentian Hila, punonjës policie në Muriqan. Për të vijuar me komisariatin numër 2, ku shef krimesh është caktuar Agim Hoxha. Në komisariatin numër 3 është dërguar shef Blendi Jaho, ndërsa është shkarkuar nga detyra Nard Palushi. Ndonëse struktura parashikonte vetëm forcim të komisariateve me shefa të rinj krimesh, 3-shi është i vetmi komisariat ku është lëvizur nga detyra njëri nga shefat e krimeve, i cili është lënë në pritje. Ndriçim Mesiti, efektiv i vjetër policie, është emëruar shef krimesh në komisariatin numër 4. Ndërsa në komisariatin numër 5 dhe 6 janë sjellë Loard Sallaku dhe Emiljano Pashai. Të pyetur shefat e komisariateve kanë sqaruar se këto ndryshime janë bërë në përputhje me strukturën, e cila parashikon forcimin e sektorit të krimeve të rënda duke u zgjedhur me një punonjës të ri. Pjesë e lëvizjeve në polici është edhe kalimi i Shefit të Aseteve Kriminale në krye të nënseksionit në Komisariatin nr.4 Javën e kaluar 4 ish-drejtues policie u liruan nga detyra si pjesë e ndryshimeve që po bëhen në policinë e shtetit mes të cilëve edhe Tonin Vocaj, Astrit Halili, Arjan Bozhaj dhe Nikolin Bala.
Emërimet
Me strukturën e re janë bërë edhe ndryshime në drejtori apo sektorë të ndryshëm të Policisë së Shtetit që nga, drejtoria qendrore e deri në seksionet në qarqe. Pas ndryshimeve janë bërë edhe emërime të reja, në drejtoritë e krijuara, ndërsa ka pasur dhe lëvizje paralele të drejtuesve të policisë. Burime nga Policia e Shtetit kanë bërë të ditur se, lëvizjet dhe emërimet janë bërë në bazë të gradave që kanë pasur drejtuesit e rinj që janë emëruar. Ndërkaq mësohet se, disa prej tyre nuk e kanë gradën ashtu siç e do posti, por kjo do të rregullohet në një fazë të dytë. Emërimet mësohet se janë bërë në bazë të perfomancave të secilit kandidat. Emërimet e fundit janë nënshkruar dy ditë më parë nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, pasi aktualisht ndodhet në një vizitë në Itali së bashku me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Rrëshen/ Konflikti për pronën, babai plagos me thikë djalin
Një 70-vjeçar ka plagosur me thikë djalin e tij 46-vjeçar pas një konflikti për pronat. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:40 të mbrëmjes së djeshme në Rrëshen. Policia bën me dije se 70-vjeçari Gjin Gjeka ka plagosur me thikë të birin, Alfred Gjeka. Të njëjtat burime sqarojnë se i moshuari e ka goditur të birin disa herë me thikë në krah dhe në këmbë. Denoncimi në polici i rastit është bërë nga familjarët, të cilët kanë rrëfyer se konfliktet mes babait dhe djalit për çështjen e pronave kanë qenë të përsëritura. Ndërkohë policia bën me dije se 46-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe se ka filluar hetimet për qartësimin e rrethanave të ngjarjes.
Pukë/ Asgjësohen 700 rrënjë me kanabis, mbjellë në 13 parcela
Zbulohen 13 parcela me kanabis sativa në Pukë. Aksioni është kryer rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme në afërsi të fshatit Midh të Komunës Qelëz, kur efektivët pas informacioneve në rrugë operative kanë zbuluar parcela ku ishin mbjellë rreth 700 rrënjë kanabis sativa. Menjëherë më pas nisi asgjësimi i tyre, teksa policia po heton për autorët e mbjelljes së lëndës narkotike.
Sarandë/ Plagosi me thikë 65-vjeçarin, pranga autorit
Grinden në mes të lokalit, 38-vjeçari plagos me thikë 65-vjeçarin Kristaq Marko. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19: 30 minuta në një lokal në lagjen 3 të Sarandës. Sipas policisë autori Sokol Omeri ka nisur të debatojë me 65-vjeçarin dhe në debat e sipër e ka goditur me thikë duke e lënë të plagosur. Menjëherë i plagosuri është dërguar në spitalin e Sarandës teksa policia ndaloi autorin Sokol Omeri. Sipas policisë shkak është bërë një grindje banale.
Tiranë/ Përdhunoi fqinjën 19-vjeçare, arrestohet Mirjan Reçi
Policia ka mundur që të arrestojë në flagrancë autorin e përdhunimit të fqinjës. Lajmi bëhet me dije nga efektivë të komisariatit numër 3, të cilët pas dy ditësh hetimesh kanë vënë pas hekurave Mirjan Reçin. Burime të policisë sqarojnë se denoncimi është bërë në orën 23:30 nga ana e 19-vjeçares, emri i së cilës nuk bëhet me dije. Vajza ka rrëfyer se djali është futur në banesa nga dritarja dhe duke shfrytëzuar faktin që e reja ishte vetëm e ka përdhunuar atë. E trembur dhe duke qarë vajza është drejtuar në polici, ku ka përshkruar me detaje skenën e krimit. Ajo ka rrëfyer edhe emrin e djalit, i cili pas dy ditësh hetimesh është mundur të bukohet dhe prangoset.
Rinas/ Arrestohet kolumbiani, dyshohet se do të priste drogën e zbuluar në Mal të Zi
Dyshohet si trafikant i kokainës dhe pritësi i drogës së kapur në Malin e Zi, arrestohet në kufi kolumbiani Cesas Augusto Pelaez Luiz Triana. Lajmi konfirmohet nga policia, sipas së cilës 36-vjeçari u ndalua mbrëmjen e së martës teksa tentonte të kalonte kufirin për të udhëtuar në drejtim të Spanjës, ku dhe jetonte. Ndërkohë që burime nga prokuroria bëjnë të ditur se shkak për ndalimin e tij janë bërë dyshimet se ishte pritësi i 250 kilogramëve kokainë të sekuestruar javën e kaluar në portin e Tivarit në Malin e Zi. Informacioni mbetet ende i pakonfirmuar plotësisht për shkak të mungesës së dokumentacionit, pasi hetimet sipas prokurorisë janë kryer nga autoritete e Malit të Zi.




