Çështja e mbledhjes së borxheve të CEZ-it dhe përfshirja, sipas avokatëve të qeverisë, i Kryeparlamentarit ndryshon skemat e demokratëve
Gëzim Saliu
Në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të thërrasë ditën e nesërme në selinë blu Kryesinë e forcës më të madhe opozitare. Në mbledhjen që do të zhvillohet në orën 19:00 mësohet se në qendër të diskutimit do të jetë strategjia dhe axhenda e aksionit opozita në këtë sesion të ri. Burimet pranë PD-së bënë të ditur se pjesë e debatit mes demokratëve do të jetë edhe çështja e rifillimit apo jo të protestave në rrugë. Por këto burimeve bën të ditur për gazetën se nëse deri më tani ekzistonte një dyzim në PD nëse duhej rinisur “stina e protestave”, çështja e mbledhjes së borxheve të CEZ-it dhe përfshirjes sipas avokatëve të qeverisë në ryshfet e Kryeparlamentarit Meta ka sjellë mes demokratëve më shumë siguri. Pritet që në mbledhjen e nesërme të ketë një diskutim të veçantë pikërisht për këtë çështje, pas qëndrimit të shprehur publikisht nga kryedemokrati Basha që kërkoi dorëheqjen e Kreut të Kuvendit. Me shumë gjasa PD do t’u rikthehet protestave popullore kundër rritjes së varfërisë dhe situatës së vështirë ekonomike, por duke pasur në qendër të kauzës korrupsionin dhe kërkesën për dorëheqjen e Kryeparlamentarit Meta.
Mbledhja
Një tjetër pikë e rëndësishme e mbledhjes së Kryesisë do të jetë edhe procesi i dekriminalizimit, për të cilin Partia Demokratike është e vendosur me çdo kusht t’i shkojë deri në fund pavarësisht mungesës së vullnetit nga ana e mazhorancës. Ndërkaq, duke u fokusuar tek korrupsioni, PD do debatojë fort në parlament por edhe përmes daljeve publike nga selia blu lidhur me 170 milionë dollarë që vetëm ne 6 muaj i mungojnë buxhetit të shtetit. Më tej PD do të fokusohet në aksionin e saj edhe në planin e shpëtimit që ofron për shqiptarët, duke vënë theksin nga ana tjetër tek situata tepër e vështirë ekonomike në vend që ka detyruar sipas demokratëve largimin e shqiptarëve drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së. “Kriza ekonomike dhe pasiguria ka vështiresuar jetën e 90% të familjeve shqiptare të cilët sot shohin si të vetmen mundësi emigrimin, krimi dhe trafiku i drogës e kanë kthyer vendin në ditët e saj më të zeza. Çdo ditë po dalin në drite fakte tronditëse të mbrojtjes që policia dhe zyrtarë të lartë të qeverisë i bëjnë trafikantëve”, – bëri të ditur dje një burim pranë selisë blu. Po ashtu pjesë e diskutimit do të jetë edhe reforma në drejtësi, ku pritet që opozita të mos hedhë hapa pas nga kushti i saj sipas së cilit mazhoranca duhet të tërheqë më parë dokumentet e saj të analizës dhe strategjisë pasi ato janë miratuar pa konsensusin e demokratëve. Duke hedhur në tavolinë propozimet e tyre për këto dy dokumente, demokratët do të synojnë që të arrijnë në një draft të përbashkët.
Konferenca e Kryetarëve mblidhet të hënën
Të hënë do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të shqyrtojë dhe miratojë kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit në prag të sezonit të ri. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, pritet të drejtojë konferencën për të nisur më pas me sesionin e ri parlamentar të hënën e 7 shtatorit. Ndër çështjet më me prioritet të këtij sesioni mbeten përveç reformës në drejtësi dhe dekretet e Presidentit të Republikës që ktheu për rishqyrtim në Parlament dy ligjet e miratuara në fund të sesionit, atë “Për arsimin e lartë” dhe ligjin “Për turizmin”. Pjesë e kalendarit të ri të punës po ashtu, pritet përfshirja në axhendën parlamentare edhe e aktit normativ “Për buxhetin e shtetit”, si dhe një numër pr/ligjesh të tjera të propozuara nga qeveria.




