Ervin Kaduku
Në raport me vitin e kaluar, kur eksportet u zgjeruan shumë më tepër – me 16% – po konstatohet një ngadalësim i ritmeve të rritjes, për shkak të performancës së dobët të mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë
Nga shumëkush është i njohur termi “republikë bananesh”. Me këto fjalë stigmatizohet një ekonomi totalisht e njëanshme, që prodhon kryesisht një ose pak mallra dhe është e varur shumë nga importet për gjithë nevojat e tjera jetike. Me zhvillimin që po merr aktualisht ekonomia shqiptare, mund të thuhet se vendi ynë, në përputhje me politikën e qeverisë, po kthehet në një “republikë fasonesh”, në pamundësi për të gjetur një formulë zhvillimi, që të jetë në gjendje të stimulojë zhvillimin e të gjithë sektorëve të saj njëherësh.
Sipas statistikave të INSTAT-it për tregtinë e jashtme në muajin maj, eksportet u rritën me 10.6% për periudhën janar-maj 2014, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, duke ngadalësuar ritmet në raport me katërmujorin, kur rritja ishte 11.2%. Por, në këtë mes, tekstilet dhe këpucët janë grupmalli që po mbajnë peshën kryesore në performancën pozitive të eksporteve këtë vit (duke ndikuar në 80% të rritjes për pesëmujorin), ndryshe nga lëndët djegëse e energjia, që iu rikthyen sërish rënies në maj, pasi kishin shënuar një tendencë pozitive në prill.
Në raport me vitin e kaluar, kur eksportet u zgjeruan shumë më tepër – me 16% – po konstatohet një ngadalësim i ritmeve të rritjes, pikërisht për shkak të performancës së dobët të mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë. Sipas statistikave, eksportet e “minerale, lëndë djegëse dhe energji” arritën në 38.7 miliardë lekë për periudhën janar-maj, duke rënë me 3.5% në krahasim me pesëmujorin e vitit të kaluar. Pas performancës së mirë të prillit, në maj ky grup shënoi sërish një rënie me rreth 12%.
Ky grup po shfaq një ecuri tepër negative këtë vit, ndryshe nga 2013-a, kur eksportet e lëndëve djegëse, mineraleve e energjisë u rritën me ritme dyshifrore, duke udhëhequr gjithë eksportet shqiptare. “Bankers Petroleum” dhe “Stream Oil”, dy kompani koncesionare të naftës në vend, raportuan rënie të eksportittë naftës. Ndërkohë janë reduktuar eksportet e energjisë, si rrjedhojë e thatësirës, por dhe mineralet nuk po shfaqin rezultatet pozitive, për shkak të rënies së çmimit në tregjet ndërkombëtare. Pesha e këtij grupi në totalin e eksporteve ra nga 41% në maj 2013, në 36% në maj 2014.
Tekstilet
Industria e tekstileve e këpucëve vijoi rritjen e lartë u zgjeruar ndjeshëm me 29.1%me bazë vjetore për pesë muajt e parë të vitit, për të arritur në rreth 36 miliardë lekë, duke qenë grupmalli i dytë më i eksportuar në vend, me 33% të totalit, pasi “mineralet, lëndët djegëse dhe energjinë”, që vijon ende të ruajë vendin e parë.
Sipërmarrjet vendase të tekstileve e këpucëve po i gëzohen së fundmi shtimit të porosive nga partnerët italianë, që po i largohen Kinës e Lindjes së Mesme. Industria ka tërhequr së fundmi dhe interesin e qeverisë, që po punon për një paketë të veçantë masash nxitëse për këtë sektor.
Mallrat
Në muajin Maj 2014 importi i mallrave arriti vlerën 48 mld lekë, duke u rritur me 6,7 % në krahasim me Maj 2013 dhe 8,7 % në krahasim me Prill 2014. Rritje më të madhe vjetore ka pasur në importet e grupeve: “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me 31,8 %, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 15,7 % dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 14,8 %. Ulje më të madhe vjetore pati importi i grupit: “Produkte kimike dhe plastike” me 10,3 %. Deficiti tregtar i këtij muaji është 23 mld lekë, duke shënuar një rritje me 4,5 % krahasuar me Maj 2013 dhe 6,2 % në krahasim me Prill 2014 .
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 63,6 % të të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (34,1 %), Greqia (8,5 %), Turqia (8,1 %) dhe Kina (6,8 %).
Si pesëmujor, importet u rritën me 8.65% me bazë vjetore, në 209 miliardë lekë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në një kohë kur gjatë gjithë vitit 2013, importet ishin tkurrur me rreth 2%. Pothuajse të gjitha grupmallrat kryesore shënuan rritje për periudhën janar-maj.
Importet e mineraleve, lëndëve djegëse, energjisë u zgjeruan me 9.3%, në rreth 37 miliardë lekë, kryesisht si rrjedhojë e blerjeve të energjisë jashtë vendit. Importet e makinerive, pajisjeve e pjesëve të këmbimit, u shtuan me rreth 6.4% në rreth 37 miliardë lekë.
Importet e tekstileve e këpucëve u zgjeruan me 22.6%, një reflektim direkt i rritjes së ndjeshme prej 29% të eksporteve të këtij grupmalli gjatë katër muajve të parë të këtij viti. Importet e materialeve të ndërtimit e metaleve u rritën me rreth 18% në 26.6 miliardë lekë.
Në rënie gjatë pesëmujorit ka qenë grupmalli ushqim, pije dhe duhan, që u tkurr me 3.8% në 35 miliardë lekë.
Itali, pagesat mbi 30 euro, vetëm me bankomat!
Mes polemikave të shumta në Itali, duke filluar nga dita e sotme, ka hyrë në fuqi një dekret që detyron të gjitha bizneset dhe aktivitetet profesionale të pajisen me bankomat. Në këtë mënyrë, asnjë person që bën pagesa mbi 30 euro, nuk mund të refuzojë “gjurmimin” e kësaj pagese nga autoritetet italiane. Një mjet ideal, për të zvogëluar pagesat me para’ në dorë dhe për të minimizuar të ardhurat në të zezë, që mendohet se përfaqësojnë rreth 17% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por ekziston një kufizim i rëndësishëm për aplikimin e kësaj politike: nuk parashikohet gjoba për kundërvajtësit.
Duke filluar nga 30 Qershori, tregtarët, artizanët, profesionistët dhe kushdo tjetër që është në gjendje të ofrojë një mall apo shërbim për konsumatorët, duhet të pajiset me një “pikë shitjeje”, një pajisje që mundëson kryerjen e pagesave me kartë debiti, apo krediti. Ky është një detyrim që i mbulon të gjitha fushat, duke filluar nga dentisti, shitësi ambulant e deri tek avokati apo hidrauliku. Në këtë mënyrë, askush nuk do të refuzojë të gjurmohet pagesa e tyre, me kushtin që shumë të jetë mbi 30 euro.
Sipas autoriteteve, ky plan ka për qëllim t’i shpallë luftë evazionit fiskal, pasi pasuria e prodhuar në të zezë llogaritet në rreth 17% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Italisë. Sipas të dhënave të Bankës së Italisë, pagesat elektronike në Itali kanë një mesatare prej 74 herë në vit për frymë, kundrejt mesatares prej 194 herë në Eurozonë. Por në anën tjetër, dekreti që detyron pagesat elektronike mbi 30 euro nuk parashikon ndonjë sanksion kundër atyre që nuk e respektojnë ligjin.
Sigurimet, primet në rritje me 32 për qind
Tregu i Jo-Jetës pati performancë pozitive gjatë pesë mujorit të parë të këtij viti. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar primet e shkruara bruto të këtij segmenti të tregut u rritën me rreth 32% duke kapur në total vlerën 3.9 miliardë lekë. Të dhënat e fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare bëjnë të ditur se pavarësisht rritjes së primeve, numri i kontratave rezultoi në rënie me rreth 8%, çka do të thotë se shqiptarët kanë blerë më pak polica, por me çmime më të lartë.
Negative ka qenë për periudhën janar – mars 2014 edhe ecuria e pagesës së dëmeve, pasi u llogaritën rreth 7.4% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke kapur në total vlerën e rreth një miliard lekëve. Nga të dhënat e AMF-së bie në sy fakti se primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-maj 2014 arritën rreth 2,334 milionë lekë ose rreth 62.44% më shumë se periudha janar-maj 2013. Ku rritjen më të madhe të primeve e pati produkti MTPL e brendshme me 74.11%. Edhe sigurimet vullnetare të Jo-Jetës u rritën me rreth 3.07% kundrejt periudhës janar-maj 2013. Sa i përket ecurisë së primeve sipas kompanive që bëjnë pjesë në këtë segment, vihet re se vetëm Interalbanian VIG shënoi rënie me rreth 6%. Rritjen më të madhe të primeve të shkruara bruto në sigurimin e Jo-Jetës Albsig me rreth 65% e ndjekur nga INSIG me rreth 56% e po kaq edhe Intersig Vig. Paraqitja e kompanive në këtë treg ka pasuar disa luhatje të vogla. Kështu Sigal Uniqa Grup Austria, në fund të majit 2014 zotëronte rreth 29.3% të tregut nga rreth 31% të kishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Intersig gjatë kësaj periudhe arriti të siguronte të njëjtën kuotë në treg që në janar- maj 2013 zinte Eurosig, rreth 13.5%, kjo e fundit tashmë zotëron rreth 11.4% të tregut.
Kosova vendos ndërtimin e autostradës drejt Maqedonisë
Kabineti qeveritar ka dhënë dje OK për miratimin e rekomandimeve të Komitetit Drejtues Ndërministror për ndërtimin e Autostradës Prishtinë – Hani i Elezit. Me këtë vendim autorizohet Ministria e Infrastrukturës që të nënshkruajë kontratën për ndërtimin e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit (kufiri me Maqedoninë) dhe gjithashtu detyron të gjitha ministritë dhe institucionet tjera përgjegjëse të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet, konform detyrave dhe përgjegjësive bazuar ne legjislacionin ne fuqi, për zbatimin e këtij vendimi.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Fehmi Mujota tha të hënën gjatë mbledhjes së qeverisë se kompania e përzgjedhur ka pasur çmimin më të volitshëm, ndërkaq shtoi se pritet që të bëhet nënshkrimi i kontratës për këtë projekt nacional. “Ky komision e ka bërë vlerësimin e dokumentacionit të kompanive konkurrente dhe ka bërë vlerësimin teknik dhe financiar të ofertave dhe mbi këtë bazë ka përzgjedhur konsorciumin fitues Bechtel & Enka si kompania më e suksesshme në konkurrim, me çmimin më të volitshëm dhe sipas standardeve të projektit. Tani më jemi krejtësisht në përfundim të krejt procesit dhe të nënshkrimit të kontratës, të rrugës së re, të Rrugës 6, Prishtinë – Hani i Elezit”, – tha Mujota.
Bullgaria në krizë? BE, dritë jeshile për ndihmë emergjente bankave ta saj
Komisioni Evropian ka miratuar një kërkesë nga Bullgaria për alokimin e financimeve për disa prej bankave më të mëdha të vendit.
Komisioni zgjeroi një linjë krediti prej 2,3 miliardë dollarësh për të ndihmuar bankat, të cilat sipas autoriteteve bullgare janë bërë viktima të një komploti për të minuar sistemin bankar. 5 persona janë arrestuar gjatë fundjavës në lidhje me këtë akt komplotues. Gjatë javës së kaluar, ka pasur radhë të gjata në dy prej bankave më të mëdha bullgare, pasi njerëzit, të frikësuar nga problemet financiare, kërkonin të tërhiqnin depozitat e tyre.
“Komisioni doli në përfundimin se ndihmat shtetërore të dhëna përmes sigurimit të një linje krediti është proporcionale dhe në përputhje me nevojën për të siguruar likuiditet të mjaftueshëm në sistemin bankar, në rrethana të veçanta”, – bëri të ditur Komisioni përmes një deklarate. Ai theksonte, gjithsesi, se sistemi bankar i Bullgarisë ishte krejtësisht i shëndoshë. “Ai është i mirëkapitalizuar dhe ka nivele të larta likuiditeti, krahasuar me sistemet financiare të vendeve të tjera anëtare”, – shtoi më tej Komisioni. “Për arsye parandaluese, Bullgaria ka ndërmarrë këtë masë për të rritur më tej likuiditetin dhe për të ruajtur sistemin e saj bankar nga çdo goditje e mundshme”.
Javën e kaluar, Banka Qendrore e vendit mori nën kontroll CCB (Bankën e Korporatave Tregtare), apo kreditorin e katërt më të madh në vend, pas një rrjedhje të depozitave. Pas spekulimeve se këto probleme do të pasojnë edhe me banka të tjera, depozitorët nxituan të tërhiqnin kursimet e tyre nga Banka e Parë e Investimeve (FIB), banka e tretë më e madhe në vend, të premten.
Kjo ngjarje detyroi Bankën Qendrore të nxiste të gjitha institucionet shtetërore të punonin së bashku për të mbrojtur stabilitetin financiar dhe të ndërmerrnin hapa ligjore ndaj atyre që përhapnin “thashetheme të pavërteta dhe dashakeqëse” në lidhje me gjendjen financiare të bankave bullgare.




