Seminari/ “Beteja” mes dy institucioneve vazhdon, Cefa: Sulm i paprecedentë ndaj KLD-së

Sonila Mesareja

etika Nënkryetari i KLD-së: Të shokuar nga deklaratat e ministrit, akuzat të pabaza. Nuk mund të pranohet ndërhyrje e Parlamentit

Një aktivitet i përbashkët i organizuar nga OPDAT dhe Ministria e Drejtësisë ka qenë vendi tjetër i “betejës” verbale me akuza të ndërsjella mes dy institucioneve, numrit dy të KLD-së dhe ministrit që përfaqëson këtë institucion. Këshilli i Lartë i Drejtësisë vijon akuzat e ashpra dhe të drejtpërdrejta ndaj ministrit të Drejtësisë. Përmes numrit dy të këtij Këshilli, nënkryetarit Elvis Cefa, deklarata e ministrit Naço u quajtën një sulm i paprecedentë ndaj KLD-së. Sipas tij, zyrtarët e KLD-së mbetën të shokuar nga deklaratat politike të Ministrit të Drejtësisë. “Paaftësisë së ministrit i duhej një justifikim para eprorëve”, – tha Cefa për gazetarët, duke shtuar se “ndaj dhe sulmi ishte justifikimi më i mirë. Dhe ky ishte sulm ndaj sistemit të drejtësisë. Akuzat e Naços janë të pabaza. Nuk mund të pranohet një ndërhyrje të Parlamentit. Do vazhdojmë të veprojmë me shumë përgjegjësi. Reforma nuk sjell asnjë të re, por shkatërron institucionet kyçe”. Nënkryetari Cefa tha se shqetësimet do t’i bëhen me dije edhe partnerëve ndërkombëtarë. “E ritheksoj faktin që jam krenar që prej disa vitesh kam drejtuar administratën e KLD-së dhe kam punuar në krahun e presidentit Nishani”, – tha Cefa. Më pas, nënkryetari i KLD-së tha se politika nuk duhet të ndikojë proceset gjyqësore. “Procesi gjyqësor duhet të zhvillohet jashtë çdo ndërhyrje të pajustifikuar dhe paautorizuar. Duhet të ruhet pavarësia e institucioneve gjyqësore, dhe politika të mos ndërhyjë në proceset gjyqësore. Sjelljet jo etike përbëjnë një problem për të cilët duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë. Duhet të përpiqemi të ruajmë standardet na ruajtjen e etikës në gjyqësor. KLD, krahas masave ndëshkuese për gjyqtarët mban parasysh edhe rastet e shkeljes së etikës. Persona të caktuar të veshur me pushtet publik qoftë edhe gjykatës e prokurorë sillen si të plotfuqishëm, sikur kanë në dorë fatet e njerëzve, kur në të vërtetë nuk është kështu”, – u shpreh Cefa.

 

Ministri: Ndëshkoni gjyqtarët pa etikë

 Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço edhe njëherë ka theksuar se monitorimi i sistemit të drejtësisë ka një rëndësi të veçantë për të evidentuar gjyqtarët e aftë dhe të paaftë, si dhe largimin e gjyqtarëve të korruptuar. Gjatë një seminari me temë “Inspektimet mbi etikën gjyqësore” i organizuar nga OPDAT dhe Ministria e Drejtësisë, Naço ka theksuar se prioritet i qeverisë është rritjen e transparencës së proceseve gjyqësore. “Përgjegjshmëria e sistemi gjyqësor ka rëndësi të madhe për të respektuar të drejtat e njeriut. Duhet një sistem drejtësie i paanshëm. Ne duhet të rikthejmë besimin tek sistemi i drejtësisë. Nevojitet më shumë punë, sa i përket monitorimit të gjykatave dhe ndëshkimin e gjyqtarëve që shkelin parimet. Ne si qeveri jemi duke organizuar një konferencë kombëtare për sistemin gjyqësor. Sistemi gjyqësor duhet të ndahet nga interesat e veta e të kthehet në një sistem që ka vlera”, – ka theksuar ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.

 

Zv.ambasadori amerikan: Pavarësia e gjyqësorit, kritike

 Në seminarin ku ishin bashkorganizatorë me Ministrinë e Drejtësisë, zv.ambasadori i SHBA-së, Henry Jardini, i cili vuri theksin tek një gjyqësor i pavarur, jashtë çdo presioni politik. Sipas tij sistemi i gjykatave duhet të shihet si i pakorruptuar dhe etik. “Është shumë e rëndësishme për Amerikën që të kemi një gjyqësor të pavarur dhe sot pavarësia e gjyqësorit është kritike. Ai nuk mbështetet vetëm në prova dhe ligje por duhet të jetë i lirë dhe nga presioni politik. Një gjyqësor i pavarur duhet te jetë gjithashtu një gjyqësor i përgjegjshëm. Sistemi aktual ligjor vendos një detyrë të madhe mbi sistemin gjyqësor që të ruaj një institucion të pastër dhe të lirë dhe ky institucion duhet të jetë i lirë nga gjyqtarët e korruptuar dhe jo etik. Një nga elementët thelbësor janë masat disiplinore që gjyqësori duhet t’i imponojë vetvetes. Shqipëria duhet të fokusohet që sistemi i gjykatave të shihet si i pakorruptuar dhe etik dhe përpjekjet në këtë fushë të korrupsionit përqendrohen në gjyqtarë individ”, – tha ai. “Refoma në drejtësi është një proces kompleks dhe i përbërë nga qindra elementë konvergjentë. Inspektimi me efikasitet i gjykatësve është sigurisht një nga këto elementë, etika është gjithashtu një nga parimet qendrore dhe duhet respektuar. Për këtë arsye dëshiroj që ky seminar jo vetëm të sjell reflektim, por edhe veprim konkret, të cilat bëjnë të mundur realizimin e ndryshimeve që presim”, – përfundoi zv.ambasadori i SHBA-së, Henry Jardine.

 

 

Share it :