– Për qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës, hekurudha Tiranë-Prishtinë apo Milot-Prizren ishte një ndër projektet më prioritare
– Dhënia me koncesion e mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit, pavarësisht nga datat dhe afatet, duket se edhe këtë vit nuk do të mund të përmbyllet
Ervin Kaduku
Ajo çka ishte projekti më i përfolur dhe që pretendohej para samitit të Vjenës që të merrte OK-in e Brukselit, mbeti më pak e përfolur pas mbylljes së këtij samiti. Kjo, për faktin se ky projekt nuk mori miratimin në samit; ndërkohë që u konsideruan si prioritare autostrada Nish-Prishtinë-Durrës dhe Korridori i Kaltër, e thënë ndryshe Autostrada Adriatiko-Joniane.
Lidhur me projektet që nuk u aprovuan në samit, siç ishte edhe hekurudha Tiranë-Prishtinë, në konferencën e fundit të tij për Vjenën, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u përgjigj nga Tirana se dëshira e Shqipërisë ishte e madhe, por “të paktën jemi të inkurajuar nga BE-ja”.
A mjafton thjesht inkurajimi?!
Rama
“Janë procese shumë të komplikuara, shumë të koordinuara dhe që kërkojnë kohë. Pra, nuk është se ne marrim në sqetull menynë e dëshirave tona dhe shkojmë atje dhe themi: Urdhëroni. Kemi punuar një vit, së bashku me vendet e tjera dhe me Komisionin Evropian për të përcaktuar të gjithë hartën e infrastrukturës rajonale apo asaj që ata i thonë konektiviteti, unë i them ndërlidhja. Mbi këtë bazë dihet tani, për 15 vitet e ardhshme se cilat janë vijat e ndërlidhjes mes vendeve dhe mbi këtë bazë janë përcaktuar edhe prioritetet nga fillohet. Praktikisht në dy prioritetet e para, Shqipëria është pjesë: Korridori i Kaltër dhe rruga Nish-Prishtinë-Durrës. Besoj që duhet të jemi të inkurajuar, nuk po them të kënaqur. Asnjëherë të kënaqur me Bashkimin Evropian, por gjithmonë me synim për të qenë të inkurajuar”, – u shpreh Rama.
Qeveria
Ndërkohë burime zyrtare nga qeveria shqiptare thanë për “KosovaPress” se lënia pas dore e këtij projekti (hekurudha Tiranë-Prishtinë, të paktën për momentin), është për faktin se ka një kosto të lartë financiare dhe nga ana tjetër edhe për faktin se Shqipëria dhe Kosova ende nuk kanë shfrytëzuar sa duhet Rrugën e Kombit. Të paktën ky është argumentimi i dhënë nga BE-ja, qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Nëse kapaciteti minimal i kësaj rruge është 20 mijë automjete në ditë, aktualisht është 4 mijë automjete; ndërkohë që kjo rrugë ende nuk është përfunduar, pasi duhet punuar ende me sinjalistikën dhe me disa segmente të tjera të pa mbyllura.
Po ashtu, edhe dhënia me koncesion e mirëmbajtjes së kësaj rruge (Rruga e Kombit) është në proces dhe, pavarësisht datave dhe afateve të përmendura më herët edhe nga zyrtarët kryesorë, duket se edhe këtë vit ky proces nuk do të mund të përmbyllet.
“Ndërtim i hekurudhës Milot-Prizren kërkon një kosto të madhe financiare, një investim kolosal që kap shifrën e 850 milionë eurove dhe që është gati e njëjtë me Rrugën e Kombit. Për momentin nuk është mundësia as për të nisur një studim fizibiliteti për këtë hekurudhë”, – thonë ekspertët.
Berisha
Dy ditë para mbajtjes së samitit të Vjenës, ishte ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, që u bëri thirrje qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, të vinin si prioritet të tyre në samit projektin e hekurudhës Milot-Prizren dhe asnjë projekt tjetër. “Unë dua të them këtu se projekti i projekteve është hekurudha Tiranë-Prishtinë, apo më thjesht Milot-Prizren. Është kjo hekurudhë që bën që Shqipëria të përfitojë në shkallë maksimale nga pozicioni i saj strategjik. Rruga e Kombit bëri që çdo vit, jashtë parashikimeve, jashtë studimit të fizibilitetit, qytetarët shqiptarë të përfitojnë 250 deri në 300 milionë euro nga flukset e mëdha të tregut dhe njerëzore që ajo krijoi. Por rruga e tregut është vetëm gjysma e potencialit të jashtëzakonshëm. Hekurudha është përgjigjja përfundimtare. Hekurudha bën portet tona më të afërta për Kosovën, për Maqedoninë, për Bullgarinë, Rumaninë. Hekurudha është linja e fushës drejt Evropës Qendrore. Në samit shkohet me projekte rajonale. Nuk mund të shkojë qeveria e Tiranës dhe e Prishtinës me projekt tjetër më të rëndësishëm se hekurudha dhe duhet të kërkojnë mbështetje. Qeveria nuk mundet t’u kthejë shpinën projekteve kaq të mëdha për inate personale. Nuk digjet për një plesht jorgani”, – deklaroi Sali Berisha.
Duket qartë se pa ndihmën e BE-së për të financuar këtë projekt, hekurudha Tiranë-Prishtinë do të mbetet një “ëndërr” për shqiptarët, pasi kostot janë tepër të larta dhe të pamundura për t’u përballuar nga të dy qeveritë. Por pikërisht këtu duhet të luajnë strategjitë politike dhe diplomatike të Tiranës dhe Prishtinës…
——-
Raporti
KLSH: Deficiti i skemës së sigurimeve shoqërore në 2014 arriti 148 mln euro
Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftoi edhe se ka një kallëzim penal për përgjegjësin e sektorit të Prokurimeve dhe dy specialistë të këtij sektori
KLSH bëri më dije dje se, sipas raportit të fundit mbi auditivin e ISSH-së, rezulton se deficiti i skemës së sigurimeve shoqërore në fund të vitit 2014 arriti në vlerën 20,8 miliardë (mbi 148 milionë euro) lekë, ndërkohë projeksionet e vetë institucionit nuk janë premtuese, shpenzimet e skemës priten të jenë më të larta se të ardhurat e parashikuara. Këto detyrime kanë arritur vlerën e 10 miliardë lekë (mbi 71 milionë euro), tendencën rritëse, me një shtesë vjetore prej 532 milionë lek.
Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftoi edhe se ka një kallëzim penal për përgjegjësin e sektorit të Prokurimeve dhe dy specialistë të këtij sektori.
Raporti Kontribuues-Përfitues vazhdon të mbetet i përkeqësuar në nivelet 1 me 1.11 dhe larg treguesve të një skeme të shëndoshë sigurimesh, ndërsa Deficiti i Degës së Pensioneve në fund të vitit 2014 rezulton 20,8 miliard lekë, por shqetësues mbetet fakti se projeksionet e vetë institucionit për tre vitet e ardhshme, tregojnë se shpenzimet priten të rriten me një ritëm më të lartë se ritmi i rritjes së të ardhurave, duke treguar se parashikimet për menaxhimin e deficitit të kësaj skeme nuk janë optimiste.
Nga auditimi ka rezultuar se si faktor kryesor influencues në thellimin e borxhit të Degës së Pensioneve vazhdon të jetë shmangia nga pagesat e kontributeve. Në referencë të të dhënave të INSTAT-it rezulton se forcat e punës në shkallë kombëtare rezultojnë 1,067,000 forca pune, nga të cilat 925,000 forca pune rezultojnë të punësuar dhe 145,000 forca pune të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike, për sa më sipër duhet të derdhin kontribute 780,000 personat e deklaruar në forcat e punës. Punonjës të siguruar gjithsej dhe që paguajnë kontribute rezultojnë 654,563 kontribuues, duke treguar se rreth 125,437 forca pune të cilat nuk derdhin kontribute. Treguesit e sigurimit të popullsisë agrare tregojnë se rreth 32,150 bujq nuk paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore. me një efekt negativ prej 932 milionë lekë. Vetëm bazuar në të dhënat zyrtare të publikuara efekti negativ në skemën e pensioneve nga mos derdhja e kontributeve llogaritet në rreth 1,7 miliard lekë.
Nga auditimi u konstatua se detyrimet debitore ndaj skemës vijojnë të rriten ndjeshëm duke arritur në vlerën 10 miliardë lekë, duke reflektuar një shtesë vjetore prej 532 milionë lekë. Nisur nga evidentimi dhe raportimi mujor dhe progresiv të numrit të subjekteve debitorë dhe të detyrimeve të tyre të prapambetura rezulton se kemi një rritje prej 4,092 subjektesh debitore duke reflektuar rritje të detyrimeve të prapambetura në shumën 532 milionë lekë, pra kemi përkeqësim të situatës. Konstatohet se situata e listëpagesave në letër, për periudhën 2006-2012, vazhdon të jetë shqetësuese për ISSH-në. Kështu, në strukturën e listëpagesave, mungojnë gjithsej 417,844 listë pagesa për 11 Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, nga të cilat 346,315 listë pagesa, ose 83%, janë listëpagesa të biznesit të vogël. Ndërkohë që dërgimi i listëpagesave në format elektronik, nga institucionet tatimore në institucionet e sigurimeve shoqërore, për vitet 2013-2014 kanë qenë të shoqëruara me problematika të mëdha, dhe mangësi të shumta.
Nga auditimi është konsideruar si shpërblim i padrejtë shpërblimi vjetor për 1443 punonjës të ISSH, dhënë me vendimin e Këshillit Administrativ dhe Drejtorisë së ISSH në vlerën 15,033,545 lekë, pasi vendimmarrja bie në kundërshtim me VKM nr. 929, datë 17.11.2010 “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, të ndryshuar.
Mbi konstatimet e auditimit mbi procedurën e prokurimit me objekt: “Sigurimi i aseteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Drejtorisë së Arkivit Qendror për periudhën 1 vjeçare”, KLSH ka bërë kallëzim penal me nr. 276/12 datë 27.08.2015 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për L. M. Përgjegjësin e Sektorit të Prokurimeve edhe dy specialistë të këtij sektori N. Ç. dhe A. Gj., anëtarë të Njësisë së Prokurimit, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Ndërkohë mbështetur në nenin nr. 37, të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr. 7961, datë 12.07.1995, i ndryshuar si dhe pika 2.1, seksioni IV i Rregullores së Brendshme të ISSH, miratuar me Vendimin e Këshillit të Administrimit nr. 3/2, datë 26.02.2008 “Për miratimin e rregullores për personelin e ISSH” i është rekomanduar Titullarit të Institucionit të marrë masën disiplinore “Largim nga puna”, për punonjësit e mësipërm.
–
Ministri i Financave
Cani: Projektbuxheti 2016, gati në muajin tetor
Projektbuxheti i vitit 2016 do të prezantohet në fund të muajit tetor. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi dje se projektbuxheti do të jetë gati në fund të muajit tetor. Deklarata e ministrit Cani u bë pas nënshkrimit të marrëveshjes për ndihmën financiare për projektin “Instalimi në Ministrinë e Financave i programit DMFAS 6 të UNCTAD-it dhe ngritja e kapaciteteve për menaxhimin e integruar të borxhit në Shqipëri”, me ambasadorin e Zvicrës, Christoph Graf. Sipas tij, p/buxheti do të konsultohet edhe me ekipin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili pritet të mbërrijë në vendin tonë në gjysmën e dytë të muajit tetor.
“Ekipi i FMN-së duhet të mbërrijë në Tiranë në pjesën e dytë të muajit tetor. Ne do të konsultojmë buxhetin bashkë me ekipin e FMN-së për të patur një mirëkuptim, jo se FMN-ja e certifikon atë”, – deklaroi ministri Cani. Ai informoi edhe mbi pjesëmarrjen e tij në takimin vjetor të FMN-së në fillim të muajit tetor. P/buxheti i vitit 2016 pas miratimit nga qeveria në fund të muajit tetor do të kalojë për shqyrtim në komisionet parlamentare të Kuvendit. Komisionet parlamentare do të shqyrtojnë p/buxhetin në parim dhe nen për nen gjatë muajit nëntor për t’u miratuar më pas në seancë të posaçme plenare në fillim të muajit dhjetor. Ai hyn në fuqi nga data 1 janar 2016.
===========
Zbatimi i projektit
Siemens do të vendosë turbinat e gazit për TAP
Gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline AG (TAP), i ka dhënë kontratën për furnizimin e gjashtë turbinave gazi me kompresor turbo kompanisë Siemens AG. Gjysma e këtyre pajisjeve do të instalohen në stacionin e kompresorit TAP-it pranë Kipoi, në Greqi, dhe gjysma e mbetur në stacionin e kompresorit TAP-it afër Fierit, në Shqipëri.
Ian Bradshaw, drejtor Menaxhues në TAP tha: “Unë dua të falënderoj të gjithë ato kompani që morën pjesë në këtë raund tenderi. Pas një procesi rigoroz të vlerësimit dhe të tenderimit, Siemens është përzgjedhur për ekspertizën, njohuritë dhe historinë pozitive të sigurisë në sigurimin e njësive shumë të besueshme me turbine gazi me kompresorë turbo, të cilat janë një pjesë integrale e tubacionit tonë”.
Kontrata e kompresorëve turbo mbyll procesin e para-kualifikimit të TAP (nisur në qershor 2014), që u pasua nga vlerësimet e ofertës nga kompanitë e përzgjedhura që përmbushnin kriteret rigoroze të para-kualifikimit të TAP.
Siemens AG është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të pajisjeve teknologjike që kursejnë energji. Në shtator 2014, Siemens kishte rreth 343,000 të punësuar në më shumë se 200 vende.
Në prill 2015, TAP dha kontratën e saj të parë të madhe, për ndërtimin e rrugëve dhe urave në Shqipëri. Në korrik 2015, TAP përfundoi procesin e tenderimit për furnizimin e valvulave me diametër të madh.
===========
INSTAT
Rriten shpenzimet për ndërmarrjet e ndërtimit
INSTAT bëri më dije dje se në tremujorin e dytë të 2015 ndryshimi vjetor i indeksit të kushtimit në ndërtim (për banesa) është 0,4%. Ky indeks ka pësuar një rritje të ndjeshme, ndërsa mësohet se një vit më parë ky ndryshim ishte 0,2%.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014, rritjen më të madhe e ka patur grupi “Shpenzime page” me 0,6% duke u ndjekur nga grupi “Shpenzime makinerie” me 0,2%.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014, ulja më e madhe vjetore vërehet në indeksin e grupit “Shpenzime materiale” me 1,1% duke u ndjekur nga grupi “Shpenzime energjie” me 0,8%.
Në tremujorin e dytë 2015, ndryshimi tremujor i indeksit është 0,3%. Indeksi i çmimeve të grupit “Shpenzime materiale” është rritur me 0,7% krahasuar me tremujorin e parë 2015. Brenda këtij grupi rritjen më të madhe e patën nëngrupet “Materiale hidro-sanitare” me 1,3% dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 1,0%. Krahasuar me tremujorin e parë 2015, grupet “Shpenzime page” dhe “Shpenzime makinerie” u rritën me 0,3% secili. Indekset e grupeve “Shpenzime të tjera” dhe “Shpenzime transporti” u ulën respektivisht me 0,9% dhe 0,2%, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
=======
Struktura e re
Reformohet Agjencia e Territorit
Agjencia e Zhvillimit të Territorit i është nënshtruar reformimit tërësor. Tashmë kjo Agjenci do të përbëhet nga 45 punonjës, ndërsa struktura dhe organika e Agjencisë miratohet me urdhër të Kryeministrit. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e saj dhe ndryshe nga më parë, do të përgjigjet para ministrit që ka në kompetencë çështjen e territorit. Sa u përket detyrave dhe përgjegjësive, Agjencia kryen funksionet e sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit. Në këtë kuadër, Agjencia ka përgjegjësi për të pranuar dokumentacionin për shqyrtim dhe miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit si dhe për të vënë në zbatim vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe monitoruar zbatimin e tyre nga njësitë e qeverisjes vendore e institucionet e tjera përgjegjëse. Ky ndryshim vjen vetëm pak kohë pas vendimit për miratimin e lejeve të ndërtimit apo lejeve zhvillimore vetëm pas shqyrtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Pak kohë më parë, qeveria ka ndërmarrë edhe disa ndryshime të tjera ligjore që thjeshtojnë dhe shkurtojnë afatet e shqyrtimit të aplikimeve. Për këtë qëllim, është parashikuar që përveç sekretariatit teknik të KKT-së të krijohet edhe një strukturë e re e posaçme që do të ketë si funksion kontrollin e dokumentacionit të aplikimeve për leje zhvillimore, me qëllim miratimin apo refuzimin e shpejtë të tyre. Kjo strukturë e re e krijuar ka marrë kompetenca dhe funksione si nga sekretariati teknik i KKT-së ashtu edhe nga Agjencia e Planifikimit të Territorit.




