Vërtet vapa ka ardhur por kjo nuk do të thotë që nuk është momenti i duhur për të bërë një dorë të mirë lekësh. Dhe kush më mirë se oligarkët e preferuar të politikanëve mund t’ia arrijnë.
Njëri prejt tyre është edhe tullaci më i famshëm në fushën e tenderave, Salillari. Tulla e tij madje, është aq e famshme sa edhe vetë lartmadhëria e tij Rama ia ka puthur pa asnjë masë dizinfektuese.
Ndoshta fatsjellësi i Salillarit gjendet pikërisht tek tulla e tij, pasi përndryshe nuk mund të shpjegohen përfitimet e kaq shumë tenderave në kushte të dyshimta. Njëri prej tyre është edhe ky që do të shikoni në vijim.
Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me numër reference REF-64251-03-30-2023 dhe me objekt “Ndërtimi i Infrastrukturës Publike brenda zonës “TEDA”, Tiranë. Tenderi është organizuar nga bashkia Tiranë dhe si fond limit është caktuar shifra 487,503,640 lekë të reja pa TVSH ose rreth 5.8 miliardë lekë të vjetra me TVSH.
Nëse shohim dokumentat e këtij tenderi, fillon edhe çudia. Shikohet se ndonëse nuk ka patur ofertën më të ulët, Salillari ka rrëmbyer fronin e fituesit. Ai ka ofruar vlerën 321,863,886 lekë të reja pa TVSH ose rreth 4 miliardë lekë të vjetra përfshirë TVSH.Ndërkohë një tjetër kompani pjesëmarrëse në tender ka ofruar mbi 22 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH më pak se Salillari, por për çudi nuk ka fituar. Ndoshta për organizatorët e tenderit, 22 milionë lekë të vjetra janë thjesht ndonjë bakshish që lënë kafeneve.




