Nga Enver Bytyçi
Prej 25 vitesh kemi parë shumë herë se si sillen gangsterët në pushtet në këtë vend. Ndërsa tash pas një çerek shekulli, shqiptarët, të cilët shpresuan Shqipëria do të hynte në një fazë të re të zhvillimit të saj përtej tranzicionit, po ndeshen në një gangsterizëm të pamëshirshëm. Vendi ka bërë hapa prapa në të gjitha aspektet e zhvillimit të tij politik, ekonomik, social e kulturor, sepse Shqipëria edhe njëherë u rikthye në një republikë të gangsterëve. Madje, në një formë të pashembullt për botën e qytetëruar.
Republika e gangsterëve kësaj radhe e ka emrin rilindje. Vetë gangsterët i ngjitën vetes këtë emër dhe shpenzuan miliarda për ta ngjizur këtë slogan në mendjen e shqiptarëve. Njerëzia thanë fillimisht se mundet t’i besonin kësaj rilindjes mavi. Por tashmë të gjithë, ata që besuan dhe ata që nuk besuan te rilindja, e dinë se kanë rilindur vetëm gangsterët. Armando Prenga ishte njëri prej tyre. Më parë se Armandoja të bënte kaubojsin, bënë gangsterin tipik disa deputetë të tjerë të rilindjes. Njëri përfundoi në qeli.
Po pse kanë dalë gangsterët në sipërfaqe si kërpudhat? Ka disa arsye:
Së pari, ata shohin se si sillen kryegangsterët. Kur njëri prej kryegangsterëve u akuzua për vrasjen e deputetit Tomë Doshi dhe në vend të hetohej ndëshkoi viktimën e tij, d.m.th. Doshin, u bë shembull dhe frymëzim për gangsterët e vegjël, injorantë dhe të pandreqshëm në mazhorancën e rilindjes. Kur kryegangsteri numër një i qeverisjes kandidoi për kryetar bashkish gangsterët e tipit Roshi dhe me të tillë gangsterë manipuloi, bleu e vodhi votat e shqiptarëve, i hapi rrugë thellimit të tiparit të gangsterizmit në qeverisjen e tij rilindase. Kur po ky kryeganster ua bëri me sy deputetëve të tij gangsterë të godisnin deputetët e opozitës në Parlament, syri i kryegangsterit politik medoemos do të shërbente si nxitje për veprime të dhunshme si ato të Prengës. Pra, është syri dhe shembulli i kryegangsterëve që bashkëqeverisin shkaku i vërtetë i gangsterizmit dhe kthimit të Shqipërisë në një republikë gangsterësh. Tashmë Shqipëria nuk mund të quhet më Republikë Parlamentare, sepse Parlamentin e kanë pushtuar gangsterët politikë dhe ordinerë, sepse ligjet e këtij vendi i bëjnë gangsterët në pushtet. Shqipëria ka marrë formën e një modeli unikal në llojin e vet të qeverisjes. Nuk është më as demokraci, as totalitarizëm, as autoritarizëm. Është demogangsterizëm i gërshetuar me tiparet më negative të totalitarizmit dhe autoritarizmit.
Së dyti, kjo republika jonë e gangsterëve drejtohet e votohet nga gangsterët e veshur me politikë, por që janë të lidhur me krimin e trafiqeve dhe krime të tjera në Shqipëri. Shembulli tipik është ministri i Brendshëm, pikërisht ai që duhet të luftojë krimin në këtë vend. Gangsteri ministër na paska një skaf, paska dhe një makinë “Audi” të tipit të fundit, madje me xhama të zinj. Të dy këto mjete i përdorka për pazaret dhe trafikun e drogës. E mësuan këtë shqiptarët përmes një interviste të shefit të Antitrafikut të Vlorës dhe Fierit. Dhe mësuan gjithashtu se gangsteri ministër ka punësuar së paku dhe tre gangsterë të vegjël, të cilët Berisha prej kohësh i ka identifikuar si tezakët e gangsterit ministër.
Po sa ministra të kësaj qeverie identifikohen si gangsterë? Po t’u mbledhim bëmat e tyre në këto dy vite qeverisje, thuajse të gjithë do të merrnin nofkën e gangsterit. Se tipar kryesor i gangsterit, sipas perceptimit të shqiptarëve, është sjellja prej mendjemadhi e banditi me njerëzit e me shoqërinë. Me gjithë respektin që kam për profesor Panaritin, edhe ai ka luajtur rolin e gangsterit politik, kur ia ka dhënë tenderin e Lagunës së Patokut deputetit Prenga. Kjo, sepse ministri i Bujqësisë e ka ditur se gjithë parapërgatitja e madje shpallja e atij tenderi është bërë për gangsterin deputet, i cili pasi nisi procedurat, urdhëroi vëllain e tij të krijonte firmën fantazmë. Më parë ka marrë premtimin për tenderin e pastaj ka krijuar firmën. Kjo ndodh vetëm në republikat e gangsterëve. Nuk ndodh në republikat normale.
Së treti, gangsterët nuk punojnë, por pasurohen, hapen bythësh si ta kishin gjithë botën nën këmbët e tyre. Për gangsterët punojnë djemtë e tezes, punojnë të tjerët, trafikantët, gjobëvënësit. Në shërbim të gangsterëve nuk ka vetëm skafe dhe vetura me xhama të zinj. Ka edhe avionë të vegjël. Po të mos kishin frikë nga bota që na rrethon do të përdornin dhe “Boing”-ët luftarakë, nëndetëset e gjithçka që sjell dobi në thesarin e dollarëve dhe të eurove që sigurojnë nga trafiku. Avionët e parë u shfaqën sapo erdhën në pushtet gangsterët e rilindjes. Tani çdo ditë kapet në Itali nga një avion i vogël, tip “mushkonje” siç i quante kryegangsteri i vendit.
Së katërti, gangsterët e republikës sonë nuk kanë frikë ta përdorin shtetin për t’u pasuruar brenda natës. Njëri prej kryegangsterëve nuk e pati për gjë t’ia krijonte këtë mundësi vetes gjatë kohës kur ishte zv.kryeministër i Shqipërisë, në vitet 2010-2011, përmes kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ. Korrupsioni në republikën e gangsterëve zgjerohet vazhdimisht, madje ne progresion gjeometrik dhe merr formën e një piramide. Piramida ka në majë kryegangsterin. Kryegangsteri kujdeset që ta ndërtojë piramidën me gangsterë të formateve të ndryshme, të mëdhenj, mesatarë e deri te ata të vegjlit. Në të gjithë piramidën zgjidhen gangsterët, madje pa limit në gangsterizmin të tyre. Në vendet më kyçe, aty ku luhet paraja e madhe e korrupsionit vihen kontigjenti i gangsterëve kontrabandistë, trafikantë e disa herë vrasës. Pastaj vijnë ata që janë ndëshkuar në administratën shtetërore të mëparshme dhe janë larguar nga puna pikërisht për shkak të gangsterizmit korruptiv në funksionet që kanë pasur. Këta kanë përvojë në fushën e gangsterizmit, prandaj dhe CV-të e tyre të pasura shërbejnë si indice e mirë për t’i tërhequr në piramidën e korrupsionit në republikën e gangsterëve. Në fund të piramidës ndodhen korrierët e vegjël të korrupsionit. Të gjithë këta punojnë më së shumti për kryegangsterin dhe gangsterët e mëdhenj të republikës sonë.
Së fundi, karakteristikë e gangsterëve që drejtojnë republikën tonë është të angazhohen maksimalisht për të fshehur gangsterizmin e tyre. Dhe si e bëjnë këtë? Me sjellje prej gangsteri ndaj njerëzve të vobektë, të cilët punojnë për bukën e gojës. Me ata njerëz që nuk kanë 30 qindarka të paguajnë autobusin, megjithëse përpiqen të shesin ndonjë kallam misri të pjekur në rrugë. Këta bëhen objekt i “dëshmisë së virgjërisë” së gangsterëve. Misërpjekësi u shërben për të fshehur milionat e eurove të përfituara në mënyrë kriminale nga kontrabanda, trafiku dhe krimi. Madje, sa më shumë që gangsterët pasurohen nga krimi, aq më shumë rritet numri i viktimave të tyre nga shtresat e vobekta të republikës së gangsterëve.
Në republikën e gangsterëve nuk ka shtet, ka vetëm pushtet personal dhe oligarkësh. Gangsterët në krye të kësaj republike, çfarë është aktualisht Shqipëria, nuk duan t’ia dinë për ata që votojnë, se e kanë të lehtë t’i blejnë, t’i shesin, t’i majmin, t’i tresin, t’i mashtrojnë ose t’i keqtrajtojnë e varfërojnë. Këto janë punët e pista të gangsterëve në një republikë gangsterësh. Shkelin me këmbë kë të duan e kë të munden. Kënaqen me fatkeqësitë e tjerëve. Nuk duan t’ia dijnë nëse ai, i varfëri, i urituri, i eturi për dije a kulturë vuan gjendjen në të cilën e ka katandisur grupi oligark i gangsterëve.





